Në konceptin klasik kritika është konceptuar si një sistem në kornizë të hapur imagjinare dhe me stabilizim të herëpashershëm. Kuptimi i saj në fushën e studimeve letrare realizohet përmes teorisë dhe poetikës, si dhe metodologjisë së interpretimit. Përkufizimet që kanë dhënë teoricienët janë pak a shumë të përafërta, duke pasur në thelb idenë se, si pjesë e sistemit njohës-kërkimor letrar, kritika nga pikëpamja e terminologjisë, objektit, metodologjisë dhe funksionit ka disa aspekte që e dallojnë nga teoria dhe historiografia letrare. Shkrimi kritik është përcaktuar gjithashtu si një komunikim ndërmjet tekstit letrar, autorit dhe lexuesve[1], synim që e ndan nga studimi shkencor (objektiv) dhe teorik i studimeve letrare.
Në raport me konceptin themelor të kritikës, specifika e kritikës postmoderniste shfaqet më e ndërlikuar. Nëse për kritikën letrare të përgjithshme është karakteristike realizimi i saj si një aktivitet intuitiv dhe teorik, prej të cilit gjithmonë kanë lindur çështje për diskutim, aq më tepër ndodh kjo në kritikën që ka objekt një tekst postmodernist. Kritiku i romanit postmodernist hyn në një strukturë jashtëzakonisht delikate marrëdhëniesh ndërsubjektive, pozicione ligjërimore e tekstore që ndërlikojnë gjykimin kritik. Kritika nuk është thjesht marrëdhënia tekst–kritikë, por një proces ndryshimi i marrëdhënieve objektivo-subjektive, i eksperiencave, reagimeve, vlerësimeve dhe synimeve të kritikut.
Nëse i referohemi konceptit se ‘kritika është një mendim për një mendim tjetër, një ndërgjegje për një ndërgjegje tjetër, një letërsi për letërsi, ‘një fjalë për fjalën’ kuptojmë se marrëdhëniet e saj, sidomos me romanin postmodernist, janë edhe specifike, edhe të ndërlikuara. Teoria e Barthes-itorientonte se shumësia e tekstit na detyron të heqim dorë nga strukturimi i këtij teksti në sasi të mëdha, siç veprohej nga kritika klasike, dhe se asnjë ndërtim i tekstit nuk nënkupton një strukturë përfundimtare… Nga kjo do të viheshin re disa nënkuptime dhe disa avantazhe. Ideja se interpretimi i një teksti është i vlefshëm për faktin se, sipas tij, letërsia nuk është gjë tjetër veçse një tekst i vetëm: ‘teksti nuk është një hyrje (induktive) drejt një modeli, por hyrje në një rrjet me mijëra hyrje; të hysh këtu do të thotë që, në fund të fundit, të kesh si qëllim jo një strukturë ligjore normash dhe shmangiesh, një ligj tregues apo poetik, por një perspektivë (fragmentesh, zërash nga tekste të tjera, kode të tjera), pika e zhdukjes e të cilave zmbrapset pa pushim, hapet në mënyrë misterioze: çdo tekst (i veçantë) është vetë teoria (dhe jo thjesht shembulli) i kësaj zhdukjeje, i këtij ndryshimi që kthehet pa pushim, i panënshtruar.[2]
Kur themi se kritika realizohet në një kontekst ndërsubjektiv e bashkëbisedues, pyetje të tilla si: “Cili është pozicioni i saj midis romanit dhe lexuesit?” – mbeten një aspekt thelbësor, por edhe i diskutueshëm. Çështja komplikohet më tepër po të marrim në konsideratë pohimin e L. Hutchon se universi i pavarur i letërsisë dhe autonomia e kritikës janë iluzive. Një pohim i tillë herë duket si kontradiktor, e herë thellon qasjen ndaj tipareve të pazakonta të romanit postmodernist. Nëse vështrimi ynë do të kalonte në qasjen tjetër: te mënyra e konceptimit nga kritiku të tekstit postmodernist, do t’i referoheshim kuptimit të marrëdhënies letërsi–kritikë për të perceptuar faktin se kuptimet letrare i imponojnë kritikut një vlerësim relativ, pavarësisht se një minimum i përbashkët strukturor, estetik dhe kuptimor ekziston njëlloj për të gjithë lexuesit / kritikët. Ndërsa nga teksti klasik buron një lloj kontrolli, imponimi mbi shkrimin kritik, ku faktor i fuqishëm është kompetenca, pak a shumë e orientuar teorikisht e vetë kritikut, në procesin e interpretimit dhe vlerësimit të tekstit postmodernist liria kritike është e pakufizuar.
Kështu themi se kritika postmoderniste vihet përballë llojeve të ndryshme të kritikës, të cilat nisen nga aksioma të caktuara kritike, teorike dhe ideologjike për të arritur te teksti, që është i hapur… Ndonëse në thelbin e vet kritika mbi tekstin postmodernist përpiqet të ndjekë udhët (qasjet) që ekzistojnë ndërmjet tekstit dhe sistemit, midis tekstit dhe teorisë, ndonëse midis veprës dhe kritikës ekziston një përputhje e dy ndërgjegjeve, e dy ligjëratave, e dy metodave… ajo konfirmon parime të reja, që burojnë nga vetë thelbi i letërsisë që interpreton. (…)
Takimi midis veprës dhe kritikës sonë letrare është i dyanshëm: janë dy ndërgjegje, dy procese krijimi, dy ligjërime, dhe në këtë proces ajo e gjen veten midis subjektivizmit dhe relativizmit të interpretimit dhe vlerësimit. Në përgjithësi kritika jonë është e detyruar të pranojë se qëndron në kufi ndërmjet ligjëratës teorike dhe artistike, ndërmjet sistemeve të caktuara, aksiomatike dhe normave të artit, si dhe vizioneve dhe formave intuitive e subjektive të saj. Në kritikën letrare postmoderniste ky raport është më i komplikuar, sepse edhe atë e kanë konsideruar, në njëfarë mënyre, një ‘aktivitet krijues’. Kjo bën që shpesh kritika të mos konceptohet si një vijë kufitare që dallon teorinë nga letërsia, por si një kalim dhe ndërthurje ndërmjet teorisë dhe saj.
Roli i kritikut dhe natyra e kritikës ndryshojnë. (…) Dhe, për të kuptuar natyrën e kritikës postmoderniste duhet të sjellim në vëmendje se thelbi i saj nuk është thjesht zbatim fanatik i parimeve teorike të përcaktuara dhe metodave të një drejtimi letrar, domethënë ajo nuk mund të konceptohet si një kod i përgjithshëm që varet rreptësisht nga teoria dhe metodologjia. Për kritikën postmoderniste nuk ka kategori të paracaktuara të analizave. Nëse çdo tekst është rezultat i një zhvillimi brenda përmbajtjes së tij, ai zhvillon kategoritë e veta dhe vendos terma të veçantë për interpretim. Në njëfarë mënyre kjo i shkon çdo lloj kritike, por merret me mend se sa e veçantë është për veprën postmoderniste. (…)
Meqenëse në romanin postmodernist kuptimi nuk krijohet në mënyre leksikore, sepse për nga natyra ai është polivalent, i shumëfishtë dhe i hapur, kjo e bën aktin kritik më relativ, aq më tepër që romani e ndërlikon së tepërmi marrëdhënien e kritikut me veprën, sidomos në kaosin dhe anarkinë që provokon kjo lloj letërsie.
Kritiku postmodernist është i vetëdijshëm se kuptimi i teksteve nuk është i dhënë nëpërmjet tekstit, por kërkon një ndërtim aktiv të tij, ai duhet ta njohë specifikën e gjuhës së romanit postmodernist për ta kuptuar atë; sigurisht duhet të jetë i njohur me mënyrat e ndërtimit të kuptimit të veprës, mënyrat e të kuptuarit dhe interpretimit të kuptimit. Kritika postmoderniste është sa unike e individuale, aq edhe provokuese, që në njëfarë mënyre turbullon qetësinë e lexuesit, apo edhe të gjithë mjedisit letrar.
Marrëdhëniet e kritikës postmoderniste me teorinë e letërsisë
Për çdo interpretues të letërsisë është e qartë se kritika ka të bëjë me tekstin, ndërsa teoria me sistemin letrar. Prandaj specifika e kritikës letrare postmoderniste lidhet ngushtësisht me pikëpamjet teorike që synuan të përpunojnë teoricienët postmodernistë, nisur nga praktika e re e romanit postmodernist. R. Bart bën një tjetër dallim ndërmjet teorisë së letërsisë dhe kritikës: “Nëse është e vërtetë se teksti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të ketë shumë domethënie, atëherë kjo domosdoshmërisht të çon në dy lloje të ndryshme ligjëratash… të cilat nuk duhen përzierë, sepse kanë tjetër qëllim dhe arësye…”
Mendoj se një nga detyrat e kritikut postmodernist është të interpretojë dallimin ndërmjet poetikës së paqëndrueshme të romanit postmodernist dhe parimeve të estetikës së përgjithshme teorike. Preferenca e romancierit postmodernist për antirregull, antiparim, kombinimet nga më të çuditshmet “për t’i lënë gjërat të ndodhin në rrjedhën natyrale,”[3] refuzimi i skemës teorike, prishin raportin normal midis teorisë dhe kritikës në procesin historik-letrar kur shfaqet romani postmodernist, i cili ndikon në llojin e kritikës.
Por, duhet thënë se ndërkohë që flitet për gjallërimin e studimeve letrare sipas pikëvështrimeve më të lira, ekzistojnë edhe teza mbi vdekjen e teorisë dhe kritikës postmoderniste. Sidoqoftë, moskonsolidimi përfundimtar i teorisë së kritikës letrare postmoderniste e lë të hapur diskutimin dhe sidomos aplikimin praktik të saj, duke i përcaktuar jo shumë të qarta kriteret e veçanta të konceptimit dhe interpretimit të veprës letrare. Kritiku postmodernist ka hapësirën dhe autonominë e vet që të nxisë koncepte e parime të reja teoriko-estetike.
Sipas teoricienëve postmodernistë, si për shembull David S. Faber[4] nuk mund të kërkojmë standarde estetike, letrare dhe madje duhet të heqim dorë nga mendimi se i kemi këto standarde, sepse postmodernizmi nuk e pranon idenë e një norme në veprën letrare. Postmodernizmi është një alternativë tej mase skeptike ndaj normës dhe mbështetëse e studimit thjesht të asaj që na pëlqen. Duke qenë se kritika intuitive postmoderniste është një formë e perceptimit të individualizuar, kjo e bën atë të jetë më shumë një vizion sesa vëzhgim të dhënash, elementesh.
Prandaj themi se interpretimi postmodernist është një formë, unë do të thosha ekstreme, e të kuptuarit individual. Për kritikun postmodernist ka një numër të pafund interpretimesh. Nuk ka një interpretim përfundimtar për çdo shenjë të veçantë, as nocion për kuptimin unik të tekstit, asnjë interpretim nuk mund të konsiderohet superior ndaj një tjetri.
Gjithsesi mbetet sfida: si lexohet prej kritikut vepra postmoderniste ndërkohë që ka mjaftdiskutime të debatueshme edhe rreth teknikave formale të postmodernizmit?
Teza të tilla, si: veprat letrare nuk kanë kuptim, ose që e drejta dhe gabimi moral nuk ekzistojnë, ose që e vërteta është një iluzion, ose që gjithë veprat e artit dhe praktikat kulturore janë vlera të barabarta etj., janë disa prej çështjeve të rëndësishme teorike që mbeten të diskutueshme në sferën e metodologjisë së kritikës letrare.
Problematikat që lidhen me parimet e kritikës postmoderniste ndodhin sepse në studimet letrare vetë teoria postmoderniste nuk është konsoliduar në mënyrë përfundimtare. Kjo ndodh sepse ekzistojnë edhe teza mbi vdekjen e teorisë postmoderniste, çka në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon ekzistencën edhe të kritikës postmoderniste.
Përballë kësaj teorie adhuruesit e letërsisë postmoderniste e vlerësojnë kritikën mbi të si një zbulim të madh, një ndryshim domethënës të interpretimit letrar në dy shekujt e fundit. Sipas këtyre kritikëve, ajo çka po ndodh është vdekja e konceptit tradicional për artin dhe letërsinë, çka reflektohet edhe në parimet e interpretimit kritik.
Ndërlikimet e kritikës postmoderniste
Estetika e romaneve postmoderniste mbështetet në theksimin, shpesh në mënyrë ekstreme apo edhe të çuditshme, të aspektit figurativ, të kombinimeve metaforike. Prandaj edhe kritika postmoderniste nuk e ka të lehtë interpretimin e strukturës së brendshme kuptimore që transmeton ky lloj romani. Ajo qëndron në përballjen midis parimit të unit krijues dhe parimit të unit të copëtuar, të shpërndarë, të përhumbur; midis parimit të njësisë strukturore të romanit postmodernist dhe parimit të teksteve të hallakatura, të pavendosura e të papërcaktuara. Në këtë përplasje parimesh ajo e ka të domosdoshme të orientohet në çështje që lidhen me natyrën e identitetit dhe subjektivitetit; çështjen e referimit dhe pasqyrimit; natyrën intertekstuale, ndërveprimin e historisë dhe trillimit etj.
Synimet e kritikës postmoderniste u interpretuan në mënyrë origjinale edhe nga kritikja e artit Suzan Sonteg[5] sipas së cilës interpretimi ishte “hakmarrja e intelektit ndaj artit”, se vepra e artit nuk duhej të ishte një ‘tekst’, por një produkt tjetër ‘shqisor’. Ky konceptim i artit si një ‘eksperiencë shqisore’ mbi atë intelektuale, orientoi jo vetëm praktikën krijuese postmoderniste, por edhe kritikën, duke theksuar më shumë imagjinatën ndaj rrëfimit, aspektin simbolik-figurativ mbi atë konkretizues. Në këtë mënyrë interpretimi postmodernist bëhet gjithashtu intuitiv, introspektiv dhe kundërobjektivist, konceptohet si një formë e perceptimit të individualizuar.
Lidhur me qasjet estetike të kritikës postmoderniste është shprehur edhe një pikëpamje tjetër: teoricieni i postmodernizmit, F. Lyotard, përshkruan aspektin figurativ si procesin parësor të pavetëdijes, të ngjashëm me idenë e idi-t të Frojdit, në kundërshtim me aspektin digresiv, të cilin ai e përshkruan si procesin dytësor, të ngjashëm me idenë e egos. Ajo çfarë kërkojnë Lyotard-i dhe postmodernistë të tjerë në art është ‘deshifrimi’ dhe ‘ҫkolonizimi’ i njëpasnjëshëm i energjive libide, të cilat gjuha, teksti, vetëdija i kodifikojnë, i censurojnë dhe i shtypin. Me këtë lidhet parimi i kritikës postmoderniste në preferencën e saj për aspektin imagjinar në raport me atë rrëfimtar. (…)
Në parimet e kritikës postmoderniste mbështetet edhe një lidhje midis teorisë kritike dhe trillimit, madje ka teoricienë që besojnë se tipar i letërsisë postmoderniste është edhe trillimi i imagjinatës kritike. Mendoj se kjo përqasje qëndron, sepse, nëse kritika postmoderniste dallon nga kritika e romanit realist, kjo vjen si raport i brendshëm midis imagjinatës krijuese që mbizotëron në roman dhe imagjinatës interpretuese që është në kurthin e së parës. Kjo e orienton kritikun postmodernist të hetojë prishjen e kufijve të ligjërimit midis trillimit dhe historisë, realizmit dhe fantazisë në sfondin e një përzierjeje të formave dhe gjinive. Kështu, ndërsa shkrimtarët postmodernistë fshijnëkëtakufij konvencionalë, kritika postmoderniste, nga ana e saj, konfirmon përzierjen (bricolage) e formave dhe llojeve të ndryshme krijuese, duke transformuar edhe vetveten në këtë proces. Kjo është e rëndësishme për të shpjeguar nivelin, origjinalitetin dhe specifikat e romancierëve tanë.
Parimet e papërcaktuara të kësaj kritike, sidomos në sferën e romanit, qartësohen nëse nisemi nga pohimi i M. Bakhtin-it i cili e cilësonte romanin si një gjini të papërcaktuar përfundimisht, që vazhdon të ndryshojë dhe të jetë akoma i pakompletuar. (Bakhtin, 1981) Kjo nxjerr problematika në kuptimin e parimeve të kritikës postmoderniste dhe çështjen se sa është e mundur të shpjegojmë një roman kur skemat janë të paqëndrueshme, ndonjëherë nga më të komplikuarat?
Nisur nga specifika e romanit postmodernist, kritika e ka të vështirë të kategorizojë vepra të ndryshme letrare, sipas dallimeve dhe ngjashmërive, të përcaktojë të ndryshmen poetike dhe shumëkuptimshmërinë në krijimet letrare. Kritikët e shohin romanin postmodernist si një ‘organizëm’ me një stil të pashpjeguar me sukses nga teoricienë të letërsisë, për faktin se vepra ‘përmban’ kuptimin e saj të fshehur brenda proceseve dhe simboleve sa konkrete, aq dhe imagjinare. Kjo na bën të synojmë për të kuptuar, tek autorët e cituar shpesh në këtë punim, specifikën e kultit postmodernist të copëtuar, të shpërndarë, të përhumbur në romane që duken të hallakatur, të pavendosur e të papërcaktuar (më tipike romanet e G. Krasniqit).
Një çështje tjetër, që lidhet me parimet e kritikës postmoderniste (që ndodh sidomos në disa shkrime të kritikës sonë), është prirja për t’u përqendruar në ndërtimin e veprave, në teknikat postmoderniste të strukturës apo ligjërimit të jashtëm dhe fare pak mbi efektin që ushtrojnë ndërtimet specifike të kësaj letërsie mbi lexuesin. Parimi i përqendrimit në mënyrë formale te dukuri formale, në të vërtetë e zbeh rolin e kritikës, sidomos në marrëdhëniet që ajo duhet të krijojë midis romanit dhe lexuesit. Raste të tilla ekstreme, si më poshtë, në të vërtetë zhvleftësojnë vetë letërsinë postmoderniste. Kështu kritiku postmodernist N. Zurbrugg[6]shkruante: ‘Unë jam në gjendje të analizoj… një tekst me kompjuter, kështu që kam një listë të tërë fjalësh nëpër gjithë burimin për atë që synoj,pastaj nëpërmjet veprimeve të rastësishme, shkruaj një tekst, i cili prodhohet nga copëza të marra kuturu. Kjo gjë më tingëllon shumë tërheqëse… sepse lind nga ide dhe prodhon ide të tjera. Ky proces prodhon një fertilizim të ideve”. Një pikëpamje e tillë, sipas meje skajshmërisht ekstremiste, nxjerr në pah sfidën kritiko- teorike të leximit të veprës postmoderniste. Kritika mbi romanin postmodernist nxjerr edhe problemin: a është e mundur të shpjegojmë një roman postmodernist, që është i paparashikueshëm, me raporte të çuditshme, të brendshme dhe të jashtme?
Po aq i diskutueshëm është edhe parimi sipas të cilit kritika duhet të tregojë se një vepër artistike ose në tërësi i shmanget kuptimit, ose pse do të duhej të ishte pa kuptim. Por ky interpretim kritik do të bënte që të kërkojmë diçka që nuk ekziston, ose të shpjegojmë atë që është e pashpjegueshme, çka do të vinte në dyshim thelbin dhe ekzistencën e kritikës letrare. Koncepti ndaj kësaj kritike ka sjellë edhe përdorimin e termit postmodernizëm në mënyrë përkeqësuese, me argumentin se i largohet racionalizmit, universalizmit dhe shkencës së vërtetë.
(…) Dilemat dhe kontradiktat në kritikën postmoderniste vijnë nga fakti se kjo lloj kritike mbetet edhe sot e pakonsoliduar në vlerat e saj. Kritika postmoderniste ndonëse shpallet antiteori, në thelb mbështetet në disa pozicione teorike; se vërtet postmodernizmi thekson irracionalen, por shfrytëzohen edhe instrumente të arsyes; ose, duke braktisur kriteret moderniste, postmodernizmi nuk mund të argumentojë që nuk ka kritere të vlefshme për gjykim; postmodernisti kritikon paqëndrueshmërinë e modernizmit, por ama edhe vetë i refuzon normat e qëndrueshme; kritika postmoderniste pranon intertekstualitetin, por shpesh e trajton tekstin të izoluar etj. Nga një pozicion teorik mund të shohim një raport interesant midis teorisë postmoderniste dhe rolit të kritikës së sotme letrare. Nëse teoria postmoderniste ka të bëjë me sistemin (pra romani, si strukturë e veçantë, për të cilin po diskutojmë), interpretimet tona kritike kanë të bëjnë konkretisht me tekstin. Problemi është si realizohet ky raport në kritikën tonë të sotme letrare? Kuptimi letrar në romanet e Qoses, Dibrës, Zhitit, Shehut etj… është i vështirë, çka në përmasa të ndryshme e vendos kritikun në vështirësi. Mendoj se teoria e kritikës postmoderniste jo vetëm nuk është e konsoliduar, por besoj se asnjëherë nuk ka për të qenë e tillë. Këtë e provon vetë realiteti i sotëm kritik letrar. Vëmë re se praktikat postmoderniste te romanet e sotme janë më tepër personale, sesa të kodifikuara në një grupim letrar. Nga ana tjetër nuk kemi edhe një nivelim vlerash estetike. Kështu dallohen strukturat dhe teknikat postmoderniste në tri romanet e fundit të R. Qoses, nga struktura e veprës së R. Dibrës, apo V. Zhitit, etj. E dukshme është se kritika mbi këtë letërsi, nuk mbështetet në një parim të qartë metodologjik, siç ndodh për shembull me kritikën strukturaliste, psikanalitike etj., por shkon drejt ‘antirregullit’. Prandaj në kritikën e përgjithshme të letërsisë shqipe ky roman sjell edhe një lloj kritike që ka lirinë e përdorimit, madje edhe brenda së njëjtës vepër, të metodave të ndryshme. Kjo liri e bën sa interesant interpretimin kritik, po aq edhe individual, të paparashikueshëm midis specialistësh. Sigurisht parimi i zbulimit të ambiguitetit, i nënshtresës, drejtimi vertikal në analizën e strukturës formale-kuptimore janë ndër themeloret, por në përgjithësi kritika, sidomos për këtë roman, është po aq individuale dhe e paparashikueshme. Kështu besoj se do të jemi dakord të pranojmë se, sikurse romane të ndryshme postmoderniste janë variacione të sistemit (gjinisë së romanit), po ashtu edhe llojet e ndryshme të kritikës postmoderniste janë variacione të sistemit tjetër (kritikës së tekstit).
‘Krizë’ e kritikës letrare?
Kritika e sotme mbi romanin gjendet para sfidës së gjykimit të vlerave jo të njëllojta. Dhe, kjo është sfidë, në radhë të parë teorike, lidhur me përcaktimin e raportit midis natyrshmërisë dhe manierave teknike, që shfaqen te dikush më shumë e te dikush tjetër në mënyrë më të kursyer. Ka teoricienë (F. Xhejmson) që pohojnë se për kritikën nuk ka kategori të paracaktuara të analizave. Sipas kësaj pikëpamjeje, që më duket e arsyeshme, mund të them se romanet tona të periudhës 30-vjeçare janë rezultat i një logjike dhe përjetimi individual, një zhvillim brenda llojit gjinor. Kjo do të thotë se vështirësia e kritikut lidhet me qasjet e veta të reja gjatë interpretimit. Sfida e kritikës së romaneve të këtyre viteve është kapërcimi i rregullave estetike e strukturore, vështrimi i dukurive estetike në rrjedhën e tyre të pavarur.
Kritika e thyerjes së rregullave sjell debatin tjetër:ç’lloj kritike kemi sot? Sipas mendimit tim, analizat kritike të këtyre viteve kanë një lloj unifikimi, që buron nga vështrimi kryesisht sipërfaqësor i teknikave formale dhe fare pak mbi efektin që ushtrojnë ato te lexuesi. Kjo do të ishte “kriza” themelore lidhur me mënyrën se si duhet të lexohet romani ynë postmodernist dhe sa është e mundshme ta shpjegojmë atë? Kjo jo thjesht për të përcaktuar hierarki vlerash, apo thjesht të dëshmohet mohimi i letërsisë së mëparshme, por për të zbuluar intuitën e vërtetë artistike, në rastet më të mira, apo imitimin skematik, në raste më specifike. Problem tjetër, sfidues për këtë kritikë, është: mos ndoshta ky lloj romani, me ‘befasitë’, ‘marifetet’, ‘të papriturat’, e shtyn kritikun që të përqendrohet pikërisht në këto aspekte, duke u bërë kjo qasje qëllim në vetvete? Sigurisht vetë romani të fut në kurthin e kësaj qasjeje, që, në të vërtetë, është interesante dhe specifikisht e ndryshme nga romanet e drejtimeve të tjera letrare. Por, ‘kriza’ është pikërisht në këtë sfidë: çfarë vështirësie ka hetimi i teknikave, sa të natyrës së përgjithshme postmoderniste, aq edhe të trillimit individual? Në studime apo artikuj, të paktë deri tani, ky aspekt është interesant dhe prekur me intuitë. Por, nëse disa romane të Qoses, Koreshit, Dibrës, Zhitit, Shehut… do t’i interpretonim thjeshtë si ‘lojë’, ‘teknikë’ elementesh të poetikës, atëherë ç’vlerë ka kjo letërsi?
Problemi i kapërcimit të kufijve gjinorë në romanin e sotëm postmodernist patjetër që lidhet ngushtë edhe me qëllimin e kritikës sonë letrare sot: duhet të përcaktojë ajo se në ç’masë një vepër përfaqëson gjininë e romanit, apo të hetojë sa një roman i sotëm postmodernist zgjeron strukturën formale të gjinisë, duke krijuar një identitet të ri? Gjithashtu, romani i dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ku tiparet e estetikës postmoderniste shfaqen herë dhunshëm, herë paksa më kursyer, meriton një vlerësim, qëndrim, nëse është thjesht imitim, apo intuitë e brendshme? Pse erdhi ky lloj romani në kohën kur, si fenomen estetik-kulturor, është tejkaluar në vende të tjera? Ishte ardhje logjike, apo kundërvënie ndaj letërsisë paraardhëse, apo mani për t’u shfaqur sipas modeleve të letërsive të mëdha evropiane dhe anglo-amerikane? Besoj se romane të veçanta japin përgjigje të ndryshme. Por romani me prirje postmoderniste vë në diskutim edhe llojin e metodës së analizës, çka bëhet e diskutueshme midis nesh. Ndoshta metodat bazë të interpretimit mund të jenë qasja semiotike dhe hermeneutike; gjithsesi kjo i takon zgjedhjes së kritikut. Pra, ka kaq aspekte që na bëjnë të flasim sot për “krizën” e kritikës mbi romanin e sotëm postmodernist ?
[1] Benedeto Croce: Kritika letrare, 1984.
[2] Roland Barthes: From S/Z; VI. Step by Step, sipas Bran Nicol, vep. e cit.
[3] Nicholas Zurbrugg: The Parametres of Postmodernism, 1993 .
[4] David S. Faber: Modernism, Postmodernism, and the Problem of the Criterion, 2001, Vol. 30, No. 2.
[5] Susan Sontag: One Culture and the New Sensibility, 1963.
[6] Nicholas Zurbrugg: The Parametres of Postmodernism, Southern Illinois University Press, 1993.