Kreu Letërsi Shënime mbi libra Feride Papleka: Tjetërsimi i njeriut në një shtet totalitar

Feride Papleka: Tjetërsimi i njeriut në një shtet totalitar

Milan Kundera, Libri i së qeshurës dhe harresës,
Pika pa sipërfaqe, 2024, përktheu Ataol Kaso.

Romani Libri i së qeshurës dhe harresës (Le Livre du rire et de l’oubli), është vepra e parëqë shkroi Milan Kundera pasi u arratis nga Çekosllovakia komuniste më 1975. E shkruar në gjuhën amtare të autorit, ajo u botua frëngjisht më 1979. Libri La Valse aux adieux, edhe pse u botua më 1976, ishte përfunduar qysh më 1971. Gjithsesi, Kundera ishte bërë i njohur në Francë pas botimit të romanit La Plaisanterie (Shakaja), më 1968, me parathënie nga Luis Aragon-i, i cili e quan “një vepër madhore”.  Rryma liberale e Partisë komuniste franceze e përshëndeti botimin e romanit si një ngjarje të rëndësishme për të kuptuar frymën autoritare të vendeve të bllokut sovjetik.

Në këtë vepër subjekti përfton frymë satirike, rezultat i një vizioni largpamës të autorit. Toni dhe shprehësia janë krejt të ndryshëm nga proza e zakonshme letrare e kohës. Kundera u jep ngjarjeve një dukje farse. Gjeni i paklasifikueshëm e ka quajtur kritika franceze. Ligjërimi i tij është një lloj revolte shoqërore e fshehtë. Ai përshkruan me një fantazi elegante, anën absurde të regjimeve totalitare. Lexuesi i Kunderës e ka përpunuar dhe e përpunon vazhdimisht gjykimin e tij.

Kundera nuk e ka pranuar epitetin politik për këtë libër dhe as për ndonjë tjetër. Ai iu përgjigj gazetës Le Monde në Paris se ta quaje veprën e tij politike do të thoshte ta mjegulloje domethënien e saj të vërtetë. Ai nuk jep mendime sesi duhet të jenë regjimet politike, nuk shtron pyetje dhe as jep përgjigje, vetëm shqyrton ndikimin e totalitarizmit në tjetërsimin e qenies njerëzore.

Rrethanat historike

Romani u shkrua në rrethana historike të veçanta. Kundera kishte përjetuar përjashtimin e parë nga partia komuniste më 1950, ardhjen e trupave ruse më 1968 në Pragë që solli pasoja tronditëse në jetën e shoqërisë, si dhe përjashtimin e tij të pakthyeshëm nga partia më 1970.

Në fillim të tekstit, autori sjell një anekdotë të hershme lidhur me një tubim të madh të partisë komuniste në shkurt 1948 për të treguar si lidhen jetët njerëzore me absurdin. Katër vjet më vonë, njëri prej udhëheqësve komunistë që ishte në ballkon atë ditë, akuzohet për tradhti dhe varet. Seksioni i propagandës e zhduku nga historia dhe nga të gjitha fotot. Ashtu si ndodhi edhe me personalitete të tjera edhe në disa vende të Europës lindore. Regjimi diktatorial ushtronte një kontroll të përhershëm mbi qytetarët dhe Kundera e përdor këtë sfond për të nxjerrë në pah temën e censurës, të përndjekjes dhe humbjes së lirisë vetjake në kushte të tilla.

Struktura rrëfimtare

Si elementi më i rëndësishëm në ndërtimin e romanit, struktura përbëhet nga shtatë pjesë të ndryshme, të cilat në vetvete kanë një rrëfim të shumanshëm. Sidoqë personazhet janë të mëvetësishëm, romani në fund krijon një të tërë, të pandashme. Këtë metodë e kanë përdorur ndër të tjerë edhe Qosja me romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë, më 1974, edhe Fuentes me romanin Kufiri prej xhami, më 1995.

Shtatë pjesët e romanit Libri i së qeshurës dhe harresës, herë kanë tituj të drejtpërdrejtë dhe herë simbolikë: Letrat e humbura 1, Mami, Engjëjt 1, Letrat e humbura 2, Litost, Engjëjt 2, Kufiri. Si në shumë libra të Kunderës romani është një këmbim elegant i rrëfimtarisë me komentin ku përzihen edhe ngjarje biografike të vetë autorit. Uniteti krijohet nga temat e kujtesës, të harresës, të qeshurës… Në sfond është Çekosllovakia e pushtuar, por edhe Franca demokratike dhe bashkohësia.

Kundera përdor një qasje jo kronologjike, ndalet herë në një epokë, herë në tjetrën me emra të njohur që ua vendos personazheve të tij, si Gëte, Lermontov, Petrarka, Esenin … duke krijuar kështu një rrëfim që pasqyron kaosin e kujtesës dhe të historisë. Ashtu si ndodh shpesh në romanet e tij, dashuria jepet disi e zhvlerësuar. Njerëzit kapërcejnë pengesat e fatit të tyre edhe pse i përkasin një bote me mungesë rastesh duke ushtruar pambarimisht mundësinë për zgjedhje në kuptimin ekzistencial të termit. Prandaj kur arrihet një zgjedhje mashtruese, ajo shndërrohet në subjekt komik. Çdo pjesë e romanit ka disa kapituj që u ngjajnë skenave teatrale të jashtëkohëshme, në të cilat përzihen trillimi me realitetin.

Një përmbajtje e shkurtër e pjesëve

Duke trajtuar një temë që kishte zënë vend në letërsi qysh në kohën e Rabële-së, temën e së qeshurës, autori e pasuron me një temë tjetër, atë të harresës dhe me nocione të tjera bashkëkohore si identiteti dhe humbja e tij. Personazhet përshkruhen në situata të turbullta dhe në marrëdhënie të ndërlikuara nën një regjim që përdor metoda kontrolli të vazhdueshme. Autori vë në dukje kontradiktat dhe absurditetin e asaj shoqërie. Disa nga personazhet jetojnë në ekzil, në një regjim lirie, por edhe aty shkrimtari paraqet farsën e një shoqërie sipërfaqësore. Njeriu vizatohet në rrethanat e mungesës së lirisë dhe humbjes së identitetit, por të gjithë përfshihen në kërkim të lirisë dhe lumturisë.

Letrat e humbura 1

Kuadri është Çekosllovakia e pushtuar. “Në zhargonin politik të atëhershëm, fjala “intelektual” ishte fyerje. Ajo tregonte për një njeri që s’merr vesh nga jeta dhe që është i shkëputur nga populli. Të gjithë komunistët që atëbotë u varën nga të tjerë komunistë, stoliseshin me atë damkë” (f. 12). Mireku, ish studiues shkencor, punon tani në ndërtim. Ai do që të shtjerë në dorë disa letra dashurie që i ka dërguar të dashurës së tij të dikurshme, sepse ka frikë mos kallëzohet sërish për ndonjë mendim të pakontrolluar. “Po, ai sheh pas, sepse tashmë e ka harruar kush ka qenë kur ishte i ri. E di që ka dështuar. Për këtë arsye do të donte të dinte ku ia ka nisur, për të kuptuar ku ka gabuar. Për këtë arsye do që t’i rikthehet letërkëmbbimit me Zdenën […]” (f. 27). Si përfundim ai nuk i merr dot letrat. Dhe një ditë burgoset, madje së bashku me të birin.

Mami

Janë po ato rrethana historike. Vend i pushtuar. Kareli dhe Marketa, nëna e Karelit që harron kujtimet e saj për kohën e perandorisë Austro-Hungareze, Eva, dashnorja e Karelit e që bëhet mikeshë e Marketës, e që ajo dëshiron t’ia “paraqisë Karelit”, në mënyrë që të jetë mikeshë e të dyve. Rrëfimi realist ia lë vendin prozës fantastike: “Në çastin kur ia hoqi kokën nga trupi, ajo ndieu prekjen e panjohur dhe dehëse të lirisë. Ai anonimat i trupave ishte një parajsë e zbuluar papritur. Me një kënaqësi të habitshme, ajo flaku prej vetes shpirtin e saj të plagosur […] dhe u shndërrua thjesht në një trup pa kujtesë e pa të kaluar, […]” (f. 64).

Engjëjt 1

Autori qysh në fillim shkruan: “Rinoqeronti është një pjesë teatrale e Eugjen Ioneskos, në të cilën personazhet, të pushtuar nga dëshira për t’i ngjarë njëri-tjetrit, shndërrohen një nga një në rinoqerontë” (f. 71). Dhe kështu lexuesi e kupton se përse është fjala. Sidoqoftë, nëpërmjet dialogut të dy studenteve amerikane në Pragë, zgjerohet më tej kuptimi. Pastaj kthehemi te Çekosllovakia e viteve ‘50 e më vonë te ajo e vitit 1968. Autori shtyhet prapë më në thellësi, në vitet ’39, 40, dhe sidomos në vitet 48-49 kur sheshi qendror i Pragës ziente nga vallet e komunistëve.  Edhe Kundera ka marrë pjesë në ato valle.  Histori e trazuar, jetë e paqetë. Një deputete socialiste dhe një poet surrealist dënohen me vdekje (ngjarje reale që futen në fiksion me mjeshtëri). Kundera i përjashtuar nga partia dhe i pushuar nga puna, mbikëqyret pareshtur.

Këtu autori trajton temën e të qeshurës, e të qeshurës absolute, që çliron lumturi dhe citon fragmentin e një libri. “Dhe ne qeshnim të qeshurën tonë gjer në pafundësinë e të qeshurës…Oh, e qeshur! E qeshur kënaqësie, kënaqësi e së qeshurës; të qeshësh do të thotë të jetosh thellësisht” (f. 75). Pas zbulimit të emrit të tij në revistën ku shkruan me pseudonim artikuj astrologjikë, ai mendon që ta lërë Çekosllovakinë. Miqtë e tij Francezë e kanë ftuar më herët. për një revistë. 

Letrat e humbura 2

Kuadri është Çekosllovakia, por edhe një provincë franceze ku ka ardhur Tamina, një personazh shumë i dashur për Kunderën. Ajo punon në një kafene dhe mbetet simbol i kujtesës. Duke qenë  nostalgjike, ajo karakterizohet nga një melankoli e thellë (melankoli e vetë Kunderës). Ajo kërkon të sjellë aty disa fletore shënimesh, në të cilat ka mbajtur një ditar jo të rregullt, por që mund ta ndihmonte për të kujtuar të kaluarën. Pra, dy personazhe të kundërt, njëri do që ta harrojë të kaluarën, tjetri do që ta kujtojë atë. Pas shumë përpjekjesh Tamina nuk ia arriti. “Ajo vazhdoi të shërbente në kafe dhe nuk telefonoi më në Pragë (f.145). Edhe Kundera nuk u kthye kurrë më në Pragë.

Litost

Në këtë kapitull flitet për kuptimin në çekisht të fjalës litost. Janë dy personazhe Kristina, një  Madame Bovary çeke, e dashuruar me një student që është me pushime në qytezën e saj. “Litosti është një gjendje mundimtare, e lindur nga spektakli i mjerimit tonë të zbuluar befasisht. Ndër ilaçet kundër mjerimit kemi dashurinë. Ngase ai që është i dashuruar nuk mund të jetë i mjerë. Të gjitha mangësitë shlyhen nga vështrimi magjik i dashurisë, …” (f.153). Studenti arrin ta ftojë Kristinën të kalojë dy ditë në Pragë, por ai është subjekt litosti, domethënë i krijohet ideja se do të përballet me një dështim…

Engjëjt 2

Rrëfimi rimerr episode të kaluara si mitingun e madh të vitit ’48, personazhin Tamina dhe të tjerë. Krijohet kështu një botë përrallore, përsiatje filozofike dhe muzikologjike: “As Gotvaldi dhe as Klementisi nuk e dinin se Franc Kafka i kishte shkelur përditë tetë vjet rresht shkallët që ata sapo i kishin ngjitur për të hipur në ballkonin historik … Në romanin e tij (të Kafka-s F.P.), Praga është një qytet pa kujtesë […] (f.195).

Kufiri

Me personazheve të shumta janë Edvizha dhe Jani, i cili përgatitet për të ikur në Amerikë. Romani i tij i pëlqyer është Dafni dhe Kloeja. Personazhet diskutojnë për marrëdhëniet e reja, për erotizmin, nudizmin e shumë probleme të ditës në shoqërinë bashkëkohore. “Mjaftonte pak, aq pafundësisht pak, për t’u gjendur matanë kufirit, përtej të cilit asgjë s’kishte më kuptim: dashuria, bindjet, besimi, historia. Krejt misteri i jetës njerëzore qëndronte në faktin se ajo zhvillohet në afërsi, madje në kontakt të drejpërdrejtë me atë kufi, se prej tij nuk e ndajnë kilometra, por veç një milimetër…” (f. 252).

Analizë

Pjesët që e përbëjnë romanin Libri i së qeshurës dhe harresës, sigurisht që shqyrton edhe disa faqe të jetës njerëzore të dhëna në një paqyrë të përmbysur. Autori përqendrohet te tema historike, siç është tema e pushtimit rus, dhe tregon se këto ngjarje mund të jenë fshirë nga kujtesa kolektive, dhe mbase e qeshura dhe harresa janë një lloj çlirimi.

Autori përdor një mënyrë të veçantë që është metoda e tij shkrimore duke e përzier temën për të cilën flitet edhe me fakte biografike. Ai shkruan: «Edhe unë kam hedhur valle në rreth. Ishte viti 1948, në vendin tim sapo kishin triumfuar komunistët, ministrat socialistë dhe demokristianë qenë strehuar jashtë shtetit dhe unë mbaja për dore ose për krahu studentë të tjerë komunistë…dhe bënim kështu thuajse çdo muaj, sepse kishim përherë dicka për të festuar… padrejtësitë e vjetra ishin shpaguar, të tjera padrejtësi kryheshin, uzinat shtetëzoheshin, mijëra njerëz futeshin në burg, kujdesi shëndetësor ishte pa pagesë, shitësve të vegjël u konfiskoheshin kinkaleritë, punëtorët e moshuar niseshin për herë të parë me pushime në vilat e shpronësuara… Pastaj, një ditë unë thashë diçka që nuk duhej thënë, më përjashtuan nga partia dhe m’u desh të dilja nga vallja (f. 86).’’

Këtë ecuri shkrimore do ta gjejmë edhe te Lehtësia e padurueshme e qenies (1982), që u përshtat për kinema (1988) dhe që ndikoi edhe më shumë në rritjen e famës së autorit.

Në këtë roman dhe në shumë të tjerë autori përshkruan veprimet autoritare dhe ndikimet e tyre te njeriu dhe shoqëria. Ai tregon se politika ndërhyn te zgjedhja vetjake, te morali dhe te fati me burokracinë dhe trysninë shoqërore. Prandaj, tema e identitetit të humbur mbetet një temë qendrore në romanet e tij, e cila lidhet edhe me kujtesën. Identiteti ndërtohet përmes kujtimeve që ndikojnë te perceptiment vetjake dhe te vetëpërkufizimi. Nga ana tjetër, autori thekson se kujtimet mund të jenë të rëndësishme, por edhe në mënyrë të pabesueshme burim ankthi dhe hutimi.

Roli i së qeshurës

E qeshura është quajtur shpesh si një mjet dëfrimi, ajo mund të luajë një rol vendimtar në letërsi. Epikuri shkruan se ‘njëherësh duhet qeshur dhe filozofuar’. Kundera e vlerëson pushtetin e të qeshurës dhe na mëson se e qeshura mund të mposhtë ankthin e dhimbjen, mund të ndihmojë për t‘u lidhur me të tjerët, për të vënë në dyshim normat morale ekzistuese. Në librat e tij lexuesi zhytet në një univers në të cilin koha dhe kujtesa janë të paqendrueshme dhe kufijtë midis reales dhe imagjinares nuk dallohen.

Humori është shpesh herë një humori i zi dhe ironik te Kundera. Autori u kundërvihet ndjesive sipërfaqësore që karakterizojnë edhe realitetin e shoqërisë moderne. Ai kritikon faktin që shoqëria moderne jo rrallë merr për vlerë estetike kitsch-in. Kjo temë është e pandashme nga përsiatjet e tij për artin dhe letërsinë, të cilat i quan mjete për të kuptuar të vërtetën e ekzistencës njerëzore.

Roli i harresës

Harresa jepet si një mekanizëm mbrojtës nga kujtimet e dhimbshme apo nga gabimet e së shkuarës. Kundera tregon se harresa mund të jetë njëherësh çliruese, por edhe shkatërruese. Prandaj harresa duhet përdorur për të ndërtuar një identitet dhe për t’i ikur realitetit kur ai është mbytës. Harresa kolektive, sigurisht që ka pasoja të rënda. Kujtimet formësojnë identitetin dhe harresa mund ta transformojë perceptimin e së kaluarës. Kundera e jep njeriun si qenie, fati i të cilit i përdorur nga njerëz të tjerë, përballet me absurditetin e ekzistencës dhe me kontradiktat e jetës së përditshme.

Përfundim

Libri i së qeshurës dhe harresës është vlerësuar si një vepër e rëndësishme e letërsisë bashkëkohore. Vepra të fut në një univers shkrimor që ngrihet mbi një strukturë rrëfimtare me nëntekst. Vetë Milan Kundera për romanin Libri i së qeshurës dhe harresës, ka thënë në një intervistë se: « Krejt libri është në formën e variacioneve. Pjesët e ndryshme lidhen si etapa të ndryshme të një udhëtimi që shpie në brendësi të një teme apo të një mendimi, në brendësi të një situate të papërsëritshme që për mua shpërndahet në pafundësi’’.

Në botë sot flitet për një stil kunderian. Ai përshkruan absurditetin e regjimeve autoritare, në të cilat mungon liria dhe e vërteta mund të ndryshohet dhe shtrembërohet sipas dëshirës së autoriteteteve drejtuese. 

Trashëgimia letrare e Kunderës mbetet një nxitës intelektual për cilindo që kërkon të dijë më shumë për sfidat e historisë. Personazhet e tij jepen mes dëshirave dhe kufizimeve të lirisë vetjake. Kujtesa historike luan një rol qendror në tekstet e tij. Me prozën e tij poetike dhe me përsiatjen për njeriun, libri është një vështrim çlirues, një përvojë shkrimore brenda një historie. 

Për autorin dhe veprën e tij

Milan Kundera (1929-2023), rrjedh nga një familje, në të cilën arti dhe kultura janë trajtuar si fusha ta rëndësishme të jetës së njeriut. I ati ishte muzikolog dhe pianist i shquar, rektor i Akademisë së muzikës; kuptohet se ai ia mësoi pianon të birit qyshkur ishte i vogël. Prandaj muzika zë një vend të madh në veprën e Kunderës.

Pasi kryen shkollën e mesme në Brno, qyteti I lindjes, ai fillon studimet e larta për letërsi dhe estetikë në Pragë. Vitin e dytë ndryshon degë dhe regjistrohet në Akademinë e filmit. Njëkohësisht ai është një anëtar i vetëdijshëm i Partisë komuniste. Atë e mbajnë mend si figurë  elegante, i gatshëm në çdo kohë për të zgjidhur probleme qytetare. Më 1948 Partia komuniste mori pushtetin. « Komunizmi më bëri për vete po aq sa Igor Stravinski, Pablo Picasso dhe surrealizmi », ka shkruar ai më 1984. Madje, në atë kohë ai e bind edhe të atin të anëtarësohet në partinë komuniste. « Aty nga viti 1948, edhe unë e përshëndeta revolucionin’’, do të shkruajë ai më vonë, duke shtuar se “në partinë komuniste duhej të ishin anëtarësuar vetëm njerëzit e mirë”. Më 1950 ai u përjashtua për herë të parë nga partia. Këtë episod ka parasysh ai te romani Shakaja (personazhi kryesor Ludvigu përjashtohet nga partia se ka shkruar në një kartolinë ‘’Rroftë Trotsky!’’; për këtë shaka ai dërgohet të kryejë shërbimin ushtarak si punëtor miniere.

Kundera i mbaron studimet, dhe më 1953 fillon të japë kurse për historinë e letërsisë botërore në fakultetin e kinemasë. Më 1956 ai u ripranua nëparti dhe u përjashtua për herë të dytë  dhe përfundimisht më 1970 për shkak të qëndrimeve të tij publike kundër autoritarizmit dhe burokracisë komuniste.

Pasi u arratis, atij iu hoq e drejta e kombësisë më 1979, dhe iu ridha më 2019, gati 30 vjet pas rënies së komunizmit. Por Kundera qysh prej vitit 1981 mori kombësinë franceze.

Fillimisht ai punoi si profesor i letërsisë krahasuese në universitetin e Renës në Francë dhe e kaloi verën e parë në Belle-Île-en-Mer; aty nisi të shkruante romanin Libri i së qeshurës dhe harresës. Shkrimtaridiktonte dhe Vera, e shoqja, shtypte në makinë shkrimi. Kjo është historia ekzotike e këtij libri. Pastaj ai punoi si profesor në Shkollën e Studimeve të Larta.

Qysh prej vitit 1985 ai dha intervista vetëm me shkrim, duke i ruajtur origjinalet, sepse Sigurimi çek mund të bënte gjithçka. Çdo informacion për jetën e tij private, kontrollohej nga ai vetë. Biografia e tij zyrtare përmblidhej me dy fjali:

Milan Kundera ka lindur në Çekosllovaki. Më  1975 ai vendoset në Francë.

Ai e konsideron Francën si atdhe të dytë. Librat e parë Kundera i shkroi në gjuhën çeke, por në vitin 1993, filloi të shkruante në frëngjisht. Këtë veprim disa intelektualë francezë e panë me mosbesim. Si shkas u bë një përkthim që ai e krahasoi rastësisht, por që ishte shumë larg origjinalit. Kështu ai i rishikoi të gjithë librat e përkthyer në frëngjisht. 

Vlerësime të shumta e kurorëzuan veprën e tij si: çmimi Medicis më 1973, çmimi Jeruzalem më 1985, çmimi Aujourd’hui më 1993, çmimi Herder më 2000, çmimi i madh nga Akademia franceze për tërësinë e veprës letrare, më 2001, çmimi botëror Cino-Del-Duca më 2009 dhe çmimi i BnF (Biblioteka kombëtare e Francës) më 2012.

Më 2011 vepra e tij hyri në botimet Plejadë. Kundera bëhet kështu ndër shkrimtarët e rrallë që hyjnë qysh në gjallje në katalogun e botimeve të Gallimard-it. Kundera e lejoi këtë botim me kusht që të mos kishte asnjë shënim, parathënie apo koment.

Veç këtyre ai është shpallur nga Republika franceze:  Chevalier de la Légion d’honneur (1990) dhe  Commandeur de l’ordre des Arts et des Lettres en 2000.

Emri i tij është paraqitur disa herë në listat e çmimit Nobel për letërsi. Mendohet se Sigurimi çek ka ndikuar negativisht duke i sajuar një dokument kompromentues denoncimi, të cilin Kundera e ka hedhur poshtë me përbuzje.

Vepra e tij është e përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë.

*

Kundera është ndikuar nga ajo që ai quan « romani i madh i Europës Qendrore ». Ai ishte shkrimtari më i shquar i brezit të vet. Në esenë studimore Arti i romanit, më 1986 ai bëri të njohur   autorë të Europës Lindore duke i thurur himne, mes të tjerave,  veprës së  Hermann Broch -ut, Robert Musil-it, Witold Gombrowicz-it. Për më tepër ai ndihet i lidhur me përfaqësues të shquar të romanit, si :  François Rabelais (Gargantua), Miguel de Cervantes (Don Kishoti), Laurence Sterne (Tristram Shandy), Denis Diderot (Zhak fatalisti dhe mësuesi i tij), Henry Fielding (Tom Jones), Gustave Flaubert (Zonja Bovari), Léon Tolstoï (Ana Karenina), Franz Kafka (Procesi), William Faulkner (La Bruit et la Fureur), James Joyce (Uliksi).

Për krijimtarinë romanore të Kunderës kanë shkruar me dhjetëra kritikë dhe autorë si në Europë dhe Amerikë. Mund të citojmë disa emra, si: Claude Roy, Philippe Sollers, Salman Rushdie, Guy Scarpetta, Marc Fumaroli, François Busnel, David Lodge, Philip Roth, Ariane Chemin, John Updike e të tjerë.

Milan Kundera është shkrimtar i madh, disident. Ai mbetet shkrimtari që ka ndikuar më shumë në vetëdijësimin e njerëzve për gabimet e rënda dhe metodat dogmatike të komunizmit në emër të teorisë së njeriut të ri, fillimisht me veprimtarinë e hapur gazetareske duke dhënë portrete  ironike të udhëheqësve komunistë dhe pastaj me veprën e tij fiksionale. Sigurisht ai ishte kritikues i regjimit, por nostalgjinë për vendin e vet e ruajti deri në fund të jetës. Vepra e tij është bërë objekt adhurimi dhe studimi në Francë dhe pastaj në vendet e tjera të Europës dhe botës.

Edhe në Shqipëri vepra e Kunderës ka pasur jehonë të veçantë për shkak se Shqipëria deri më 1990 bënte pjesë në sistemin politik lindor. Disa shtëpi botuese kanë botuar romanet e tij më të shquara. Ndër to është edhe shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe, të cilën e drejtojnë Arlind Novi dhe Ataol Kaso, dy njohës të mirë të gjuhës shqipe e të disa gjuhëve të huaja. Të pasionuar pas letërsisë së vërtetë, ata kanë ndërtuar një katalog veprash të zgjedhura për botim nga letërsia botërore duke bashkëpunuar edhe me përkthyes të talentuar dhe duke punuar për secilën me kujdes dhe përkushtim.

Exit mobile version