Kreu Letërsi Shënime mbi libra Faton Krasniqi: Vepër me interes në fushën e gjuhësisë kritike

Faton Krasniqi: Vepër me interes në fushën e gjuhësisë kritike

Recensioni i monografisë së prof. dr. Lindita Tahiri, “Gjuha dhe lufta e ideve”, Shtëpia Botuese “Naimi”, 318 f.

Perandori Adrian thoshte: “Nëse nuk mjaftojnë bisedimet, atëherë e pranoj luftën si mjet për të arritur paqen”. Në veprën Gjuha dhe lufta e ideve, të Lindita Aliu – Tahirit, nuk kemi vringëllime shpatash, harqesh, shtizash, shigjetash, as gjëmime topash lufte, por kemi gjuhë dhe luftë idesh, të pragmatizuara me bojë lapsi, të të zezës mbi të bardhën.

Gjuha dhe lufta e ideve është vepër e pasur me elemente morfo-sintaksore, leksikore, frazeologjike, gazetareske me figuracion simbolik, po aq edhe me fjalës nga stilistika e semantika. Tri fjalë gjuhë, luftë, ide që na japin një seri kuptimesh [polisemantike], 1. Gjuha mjet komunikimi, 2. Gjuha shqipe, 3. Gjuhë mirëkuptimi, 4. Gjuhë e dashurisë. 5. Gjuhë e urrejtjes. Luftë: 1. Lufta e Parë Botërore, 2. Lufta Ballkanike, 3. Lufta për titullin kampion, 4. Luftë idesh, 5. Luftë për paqe. Ide: 1. Ide gjeniale, 2. Ide madhështore, 3. Ide e kotë, 4. Ide përparimtare, 5. Ide studimesh.

Në kuadër të veprës Gjuha dhe lufta e ideve, autorja gjuhën, luftën dhe idetë i bënë të bashkëjetojnë, bashkëveprojnë, bashkëpërkojnë, të ndiejnë trysnin e njëra – tjetrës, të kundërshtojnë brenda dy kapitujve dhe 318 faqeve librore. Përmes veprës Gjuha dhe lufta e ideve, studiuesja Lindita Aliu -Tahiri i ofron lexuesit, kritikut të linguistikës pjesë të rëndësishme të krijimtarisë, të hulumtimeve e studimeve të saja shkencore.

 Përdorimi i ligjërimit bisedor në gjuhën e medieve në Kosovë i takon si temë të tashmes, të shkuarës dhe të ardhmes, autorja me shumë seriozitet i është qasur kësaj teme, si një intelektuale e mbi të gjitha si filologe. Autorja flet për shkaqet e fenomenit, duke iu referuar me plot të drejtë sociolinguistëve dhe vërejtjeve të tyre për zhvendosjen e ligjërimeve prej “fuqisë së pushtetit” kah “fuqia e solidarizimit”. Sipas autores të folurit publik përfiton nga popullzimi e sidomos në kohët e sotme. Intelekti, dhe përvoja shkencore e autores na drejton kah trajtimi i temave aktuale me shumë rëndësi për linguistikën, linguistët, gazetarinë dhe publicistikën moderne.

 Si titull libror Gjuha dhe lufta e ideve, është i “ashpër” në leximin e parë, por, autorja tregon për lufta idesh perspektiviste lingustike. Temat që janë trajtuar në këtë vepër janë të një rëndësie të veçantë për gjuhësinë e përgjithshme me theks të veçantë për gjuhësinë kritike. Ka pak filologë që i janë futur studimit, hulumtimit dhe trajtimit të këtyre temave. Studimet e autores janë shume serioze, profesionale, shkencore, frytdhënëse dhe ambicioze.

Këtë vepër e bëjnë të rëndësishme temat që janë aty, si fjala vjen: Statusi ligjor i shqipes në Kosovë; Gegërishtja letrare; Gjuha e politikës; Ideologjia si gjendje mendore e individit; Klonimi politik i identitet kosovar; Kadareja impersonaliteti dhe libri i gatojcës; Pakuptimësia e lirisë së vonuar; Identiteti: ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit; Heroi i masave: Isa Boletini dhe Harry Poter; Histeria mediale dhe dordolecët kombëtarë. Përmenda disa tema të trajtuara nga autorja për të kuptuar se idetë e saj janë shkencore dhe nuk janë të mbyllura në korniza të brishta kërkuese, apo të mbyllura në rrethe vicioze.

 Është thënë se gjinia femërore më së shumti përdorin fjalë deminutative (zvogëluese), të cilat i shprehin me përsëritje të shpeshta dhe hiperbola dhe me shumë pak vulgarizma. Autorja Lindita Aliu – Tahiri në mënyrë të argumentuar i fillon, i shtron dhe i mbaron studimet e saj. Nga shtresimi social i gjuhës krijohen dialektet sociale (sociolektet) të cilat shprehin dallimet midis shtresave strukturore dhe grupeve të posaçme shoqërore. Studimet e Lindita Aliu – Tahirit janë risimtare në linguistikën moderne shqiptare dhe si të tilla do t`i ndihmojnë mendimit pozitiv perspektivist për linguistikën në përgjithësi. Po t`i lexojmë me kujdes të gjitha studimet e saj do të shohim prurjet tematike dhe një terminologji të pasur leksikore e morfo-sintaksore, si p.sh. edu-argëtim, paralelizëm sintaksor, histeri mediale, impersonalitet, hermeneutika, trefishësisë, desakralizuar, konsumues komercial, ndëraktivitet, agjenci e trajtimit të buzëqeshjes, vizione utopike, dhjetëvjetësha, literaritet, pushtetplota, ndërpersonal, efekt hipnotik, konsumatorë masivë etj.

Autorja, në njëfarë mënyre, proceset kërkuese-hulumtuese gjuhësore të kësaj fushe i shtynë edhe më tej. Përmes veprës Gjuha dhe lufta e ideve, ajo nuk trajton tema stereotipe, që ndoshta janë “stërholluar” apo “stërtrajtuar”. Këto tema sjellin rezultatet jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në fushën e gazetarisë, publicistikës. Temat me motive historike, apo krahasimet mes figurash nga fusha të ndryshme i japin një qasje interesante temës dhe vetë veprës p.sh. Isa Boletini personazh historie dhe Harry Potter personazh artistik.

 Veprën studimore gjuhësore Gjuha dhe lufta e ideve e bëjnë më interesante, herë pas here, përdorimi i emrave të figurave letrare, si p.sh. “Vajza e Agamemnonit”. Në ndonjë rast krahasimet gjuhësore bëhen me ngjarje historike apo mitologjike, çka bën që të të bien ndërmend gjithë ato skena interesante. Kjo është një zotësi që autorja ua ofron lexuesve, qasje krejt moderniste hulumtuese gjuhësore, stilistike apo dhe publicistike. Termat gjuhësorë autorja i shfrytëzon dhe i zhvillon më tej me kritere shkencore akademike, për të ndriçuar e gjetur zgjidhje të çështjeve që shtron.

 Kërkimet shkencore në këtë janë të pavarura, por me ide të qarta. Shikuar nga aspekti leksikor-historik dygjuhësia ka qenë e pranishme në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe Ballkanin sikundër edhe shumëgjuhësia. Në veprën Gjuha dhe lufta e ideve, vërehet qartë se autorja është ndikuar nga studimet progresiste postmoderniste të studimeve gjuhësore. Citimet, referencat, literatura i takojnë emrave më në zë të shkencëtarëve modernë botërorë. Autorja citon fjalë të shkruara në origjinalin e gjuhës së cilës i referohet, si p.sh. “The New York Times”, “The Guardian”, apo edhe “The Man Booker International Prize”. Vepra Gjuha dhe lufta e ideve, është edhe një udhëzues praktik për hulumtuesit e fushës së linguistikës. Trajtimi kritik i elementeve gjuhësorë nuk është aspak i lehtë për t`u studiuar nga gjuhëtarët, megjithëse mund të ndodhë që shumë nga kritikët profesionalë lunguistikë të jenë të rezervuar për të vlerësuar studimet kritike gjuhësore, pasi është një fushë delikate për të dhënë vlerësime përfundimtare për të arriturat e studimeve përkatëse. Në këtë vepër trajtohen tema si: Ideologjia dhe gramatika; Metonimia e Perëndimit kundruall vetvetes.

Studimi i gjuhës në raport me shoqërinë është bërë një fushë e rëndësishme studimore. Në veprën Gjuha dhe lufta e ideve, gjejmë shumë elemente nga etnografia e komunikimit dhe etnografia e të folurit. Veprimtaria gjuhësore është shumë e rëndësishme për shoqërinë, për çka kërkohet një trajtim të veçantë i saj në kulturën tonë. Diskutimin dhe trajtimin më të mirë për të e gjejmë te vepra Gjuha dhe Lufta e ideve. Mbasi kemi një jetë shoqërore të pandërprerë dhe zinxhirore, kemi dhe aktivitetet të pandërprera gjuhësore, komunikuese, dhe trajtim temash linguistike të një rëndësie të veçantë.

Dallimet kulturore-gjuhësore në botë janë të thella. Çdo gjuhë ka strukturën e saj fjalëformuese, leksikore dhe semantike. Në këtë vepër problemet e tilla trajtohen veç e veç duke shmangur metodat studimore “arkaike”. Autorja gjuhën nuk e sheh vetëm si mjet komunikimi, vetëm si mjet, nëpërmjet së cilës mund të pohojmë me një Po, apo të mohojmë me një Jo. Ajo gjuhën e sheh si diçka kapitale, si diçka ku rreth saj janë krijuar ide, lufta idesh, koncepte, raporte, kulturë, zhvillim, përparim. Ajo nuk trajton tema të përditshme gjuhësore të konsumuara. Vepra saj është ndërtuar fjalë-fjalë, deri sa është krijuar Gjuhë dhe luftë idesh. Elementet statistikore leksikore zënë një pjesë të rëndësishme në studimet e saj. Për nxjerrjen e saktë të tyre, autorja ka ndarë kohë të konsiderueshme, që është një shembull i mirë se kërkimet bëhen të rëndësishme vetëm kur nuk mungon përgjegjësia dhe kompetenca profesionale.

 Libri Gjuha dhe lufta e ideve, mbi të gjitha u kushtohet gjuhës dhe ideve rreth saj, problemeve të përditshme linguistike me interes për folësin apo ligjëruesin. Ky libër, lexuesin e saj e bën të mendojë ndryshe për gjuhën dhe gjuhësinë, apo ndoshta edhe për tërë sistemin gjuhësor, hipoteza, abstraksion, inovacion dhe shkencën e mirëfilltë. Autorja ka vënë gur të një fushe studimore që te ne ka filluar vonë. Terminologjia e mediumeve dhe politikës, shqyrtimi i karakterit gjuhësor-kritik dhe socio-gjuhësor zënë vend të rëndësishëm në këtë vepër, i cili nuk është as fillimi as fundi i trajtimit të temave me karakter linguistik. Nuk ka dyshim se gjuha shqipe, sikundër edhe gjuhët tjera, qofshin edhe të ashtuquajtura “të vogla”, si edhe problemet që lidhen me të, po trajtohen si tema të rëndësishme linguistike. Detyrat albanistikës janë të shumta e të ndryshme dhe zënë vend meritor në gjuhësinë botërore. Zhvillimi i standardit të saj nuk është krejt i përmbyllur, standardin e saj po e rrumbullakojnë çdo ditë e më shumë, hulumtimet, studimet, kritikat, veprat ashtu si edhe vepra Gjuha dhe lufta e ideve e Lindita Aliu – Tahirit.

 Në kohët e sotme në hapësirat shqiptare në Ballkan, çështja e ngritur rreth standardizimit të dialekteve dhe të idiomave vendore (dy pole: gegërishtja letrare-toskërishtja letrare) po krijon një konfuzion të madh, standardizimi që për kontekstin tonë socio-gjuhësor nuk është në interes të askujt.

Në veprën Gjuha dhe lufta e ideve, shqipja ka një standard të stabilizuar dhe në funksion të plotë të mbarë shqiptarëve dhe të gjuhësisë shqiptare. Për autoren norma gjuhësore ka dy aspekte me rëndësi: duhet të jetë e saktë, por njëherësh edhe mjaft elastike. Që të dyja këto elemente janë të pranishme në veprën Gjuha dhe lufta e ideve. Element tjetër thelbësor i kulturës dhe gjuhës është respekti për mënyrën e të shprehurit të tjetrit, që shkon bashkë me kulturën e të kuptuarit. Është një temë tjetër me interes së cilës autorja i kushton interes të veçantë.

Gjuha çdo ditë zhvillohet me fjalët dhe shprehjet që hyjnë apo dalin nga ajo, por edhe krijohen fjalë të reja brendapërbrenda gjuhës [neologjizmat]. Së këndejmi, tërheq vëmendjen autorja, gjuha dhe elementet e saj duhet të studiohen dhe të trajtohen në vazhdimësi, më shumë se gjithçka tjetër. Linguistika si disiplinë që merret me strukturën, funksionet dhe fenomenet gjuhësore, ka shpalosur gjëra të mrekullueshme e mahnitëse lidhur me natyrën e aftësisë për ta përdorur gjuhën. Porse, këto gjetje shpeshherë prezantohen të ngjeshura me terminologji që është futur rishtas në gjuhë.

Vepra Gjuha dhe lufta e ideve në vetvete përmban shumë elemente të studimeve kritike gjuhësore dhe si e tillë do t`u bëjë ballë risive kërkimore e studimore linguistike, si një vepër me tema të trajtuara në mënyrë shkencore, që ia shtojnë imazhin e kompletuar shkencor. Vepra Gjuha dhe lufta e ideve është dhe do të jetë model për studiuesit e rinj në fushën e gjuhësisë kritike.

Exit mobile version