1
Të shkruash një libër me 400 faqe, vetëm për 4 vitet e Fan Nolit (1920-24), duke e mbajtur pezull vëmendjen e lexuesit, s`është vetëm meritë e rebelit, por dhe e mjeshtrit Ilir Ikonomi. Sa shumë ngjarje, sa shumë figura historike, atëherë kur luhej fati i Shqipërisë dhe Noli ishte një nga protagonistët kryesor! Edhe pse me rrasën e priftit si Fishta, është ndër të paktit, që flitej për të aq shumë në diktaturë, kur Konica ndalohej, Esat Pasha mallkohej dhe prapë paska kaq shumë për të thënë?! Falë aftësisë së autorit, i cili, në morinë e fakteve nuk hutohet, nuk bën shou, por, arrin të krijojë reaksionin zinxhir të emocioneve mbushur me një tension dramatik, duke ndërthurur fatin personal të peshkopit rebel me atë të atdheut të rrezikuar, pa vijë ndarëse. Lexon dhe heq shumë paralele me të sotmen, duke ia aktualizuar vlerën librit, ku ndihet autoriteti i një profesionisti pa marifete eksperti, i cili dallon nga shumë e për lumët të tipit “magazinë pa inventar”. (I hodha një sy bibliografisë dhe pashë, se, shumë prej librave të cituar i njihja, madje dhe të tjerë për periudhën në fjalë, por, tek “Rebeli”, dokumentat, faktet dhe referencat e përzgjedhura, marrin një dritë të re. Jo se kalkulon, por vetëm sa dëshmon në respekt të vërtetës. Nëse ia do puna: edhe me qereste të vjetër arrin të ndërtojë një shtëpi të re, por ky restaurim është veçse një kthim në identitet.) Ilir Ikonomi i referohet pa komplekse, si Bernd. J. Ficherit dhe Nasho Jorgaqit, historianit perëndimor dhe atij lindor, duke kristalizuar vendosmërisht individualitetin e tij, si një autor i suksesshëm ndër vite i monografisë shqiptare. Ilir Ikonomi ka stil, aq i munguar tek studjuesit, historianët e gazetarët, ndaj dhe mundimi i ka duk.
2
Sikurse e përemnda: përgjatë leximit heq natyrshëm paralele me të sotmen, duke konfirmuar atë që ndodh rëndom: se njerëzit s`para mësojnë nga e kaluara, nga historia, edhe pse thirrjet “për të vrarë Esat Pashë Toptanin” linçohen hera-herës. Të gjithë politikanët shqiptarë, të të gjithë trevave, dhe jo vetëm ata: kanë rastin të shohin tek librat e Ilir Ikonomit një pasqyrë, ku, si zgjatim të së djeshmes tek e sotmja, mund të gjejnë të ngjashmin e tyre. Nuk është rastësi, që kryeministri aktual provokon me imazhin e Ismail Qemalit. Në këtë kuptim ky libër mund të shërbejë për refleksione, pse jo dhe për katarsis, ngaqë historinë e dëshmon një i paanshëm. (Dikur oxhaku ka qenë një lloji mburrje për parinë, ja që oxhakëve u pastrohet bloza. Për ta konkretizuar referohuni librit me kujtime të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, ku ai ballafaqon veten me të vërtetat. Ngaqë ka shumë mbetje në bëmat e “burrave të shtetit” pa shtet lindi nevoja e “koshit të historisë”, sikurse “Recycle Bin” në kompjutera, por monopolin e këtij koshi deri më sot e kanë patur fitimtarët e përkohshëm.) Autori merr përsipër autencitetin e fakteve, ndërsa interpretimin ia lë lexuesit. Në asnjë rast nuk merr në mbrojtje askënd duke mos fshehur asgjë. Një rast unikal ku urata merr bekimin e autorit pa ia fshehur mëkatet.
Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria do shënonte në kalendarin e saj vetëm histori qeverish, duke munguar shteti, sikurse njihen: Qeveria e Vlorës, Qeveria e Durrësit dhe 12 të tilla me 9 kryeministra të ndryshëm, duke përfshirë dhe Republikën e Mirditës, pa përmendur “qeveritë hije”, ndërsa përpjekjet për të bërë shtet vazhdojnë ende dhe sot me sforco të mëdha. Pushtetari vulos, ndërsa shtetari firmos, si qatipi nën trysninë e Skënderbeut. Mos ky moment do kthehej në mallkim për shtetin shqiptar: ku, falsifikimi i dokumentave do kthehej në një ves memurësh, aparatçikësh deri tek falsifikimi i historisë?! (Noli nuk i kish me qejf qeveritë populiste, edhe pse fati e ndëshkoi të bëhej i parë vendi me një revolucion të kadifenjtë, sikurse do të zgjidhej kryeministër me short, duke mos qenë fati i Shqipërisë, që ngrihej nga varri.) Ata që e ngritën fatin e Shqipërisë si i vdekuri nga varri ishin Rilindasit e Stambollit, Kajros, Bukureshtit, Kalabrisë, Shkodrës dhe më tej protagonizmi nacionalist kaloi në Amerikë, ku rolin kryesor do e luante “Vatra” e Nolit dhe e Konicës. Ajo çka ngjallë interes të dihet: pse etja për pushtet dominoi përkundër misionit për të bërë shtet? Përgjigjen e merr duke iu referuar librave të Ilir Ikonomit. Krerët, ngaqë ishin mësuar të bënin karierë në shtete të huaja, sikundër në perandorinë osmane, madje dhe “qeveritë kukullë” shfaqur nën pushtimin italian alias “perandoria romake” apo gjerman alias “perandoria austro-hungareze”, me gjasa se po rikthehej koha e Qyprillinjëve apo e dinastisë shqiptare në Egjipt me mbretin Faruk, u riaktivizua tundimi i hershëm për pushtet nën një shtet të huaj. A e kemi qeverinë, varja shtetit?! (Madje dhe në Itali, sikurse në Australinë e sotme shqiptari ia del të jetë në krye të qeverisë.) Edhe pse kariera të dështuara, ato përsëriteshin thuajse si në dramat e klasiçizmit. Nuk është rastësi, që të gjithë kryeministrat të kenë thuajse të njëjtin fat, që nga Sulejman Delvina i mbyllur në çmendinën e Vlorës deri tek ky i sotmi, që mori malet. Konica e përbuzte Sulejman Delvinën, i cili akuzohej si “dora e zezë e xhonturqëve”… Aq i zemëruar ishte Konica me qeverinë e Tiranës sa i kishte ndërprerë marrëdhëniet politike dhe me të vëllanë Mehmetin”-vë në dukje autori raportet e acaruara të elitës me parinë. Të parët merreshin me “fronin e perëndisë”, Baba Tomorin, ndërsa kollutogofakët rendnin pas posteve. Rilindasit krijuan plejadë, ndërsa paria e nisi me “klikën” duke përfunduar në oligarki me ëndrrën e fshehur për dinasti. Nga “familjet e mëdha” do përfundonim tek “familjet mafioze”.) Të gjithë e kishin mendjen si të ruanin postet dhe bënin kompromise në dëm të interesave të vendit, shkruhet në libër. Edhe pse ia punonin njeri-tjetrit, nuk harronin, që në fund të letrave të nënshkruanin: “Mbetem, i juaji me besë!” Enver Hoxha i ra shkurt fare: “i juaji”, duke mos qenë i asnjërit. Por, deri ku shkonte pabesia? Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi i kërkuan Ismail Qemalit t`i lejonte vrasjen e Esatit, i cili s`kishte lënë gjë pa bërë kundër Plakut të Vlorës, por ai i përgjigjet prerë: “Po të veprohet me vrasjen e njëri-tjetrit për formimin e shtetit shqiptar, unë do marr valixhen e do iki.” (Si Boletini dhe Gurakuqi do vriteshin në pritë. Vrasja e Avni Rustemit do bëhej shkak që të shpërthente revolucioni i Qershorit. Trupi i tij do të përdorej njësoj, sikurse xhenazeja e Azem Hadarit, heq unë një paralele.) Megjithëse të huajtë kërkuan që Noli të shmangte gjyqet politike, “Zyrtarët financiarë shkuan në Mat dhe sekuestruan një pyll të Zogut. Akuzonin Zogun dhe Rauf Ficon se në formë gjobash kishin grabitur 300 krerë bagëti nga katundet e jugut.” U nxor një dekret: kush kundërshtonte autoritetet me armë dënohej me vdekje. Kush bënte propagandë kundër shtetit burgosej me internim deri në 5 vjet. Si zgjatim i këtij dekreti do ishte neni famëkeq 55 për agjitacion e propagandë i kimunistëve.
3
Librit “Rebeli” do i shkonte si parathënie poezia e Nolit: “Nëno moj, mos kij frikë/Se ke djemtë në Amerikë!” Në ato kohëra pritej shumë nga djalëria shqiptare për ta lënë “plakun në shenjtnin e tij”, sikurse do shkruante Migjeni, që e la këtë botë në moshën e djalërisë. Në emër të djalërisë Avni Rustemi vrua në Paris pashanë, duke u kthyer në një hero, ndërkohë që antarët e organizatës së tij “Bashkimi” vishnin këmisha kaki dhe kollaro të zeza allafashiste. Propozimi për t`i dhënë Avni Rustemit një rrogë, sikurse jepet sot pensioni i veçantë iu shmangën me këtë arsyetim fin: “Sa për mendimin tim të mos shpërblehen patriotët me para, se këtë ata mund ta quajnë fyerje”, duke lënë të kuptohet se ai që vret nuk i meriton nderet. Mustafa Merlika Kruja në librin me “Kujtime vogjlije e rinije”, përmend një episod krejt domethënës: “Sa e ka rrogën inxhineri?-e pyet i ati, i cili shërbente si qahaja tek Esat Pashë Toptani.
-Më duket se fillon me 700 grosh.
-S`qenka punë e keqe, po ti e di se un në punë shkollash s`marr vesht. Kur të vijsh tek Esat Pasha ndonji ditë pyet atë se ai din me të mësue…
-Më tha Mehmet Aga se dashke me shkue në Stamboll në nji farë shkolle qi s`dijti me m`a ftillue mirë; ç`asht ajo shkollë?
-Shkollë e Ingjineris, Pashë.
-Kush ta paska mësue këtë rrugë?
-Profesori i matematikës.
-Kush e paska ba profesor atë koqe budalli, mre?… Jo, biro, jo; ti mbaro gjimnazin, studjo gjithmonë kshtu si ke studjue deri tashti e mbasandej do të hëjsh në Mekteb-i Mylkije-i Shahane (në shkollën Civile Mbretnore).
Kështjellet e mija kishin ramun për tokë krejt. Pasha don qi të bahem Kamejkan, Mytaserif, Vali, Nazir e Sadrazem. Un diç kam fillue me nxanë e me ndie ndryshe atje në gjymnaz të Janinës nëpër do libra të këqij, nëpër do fletore të liga e nëpër bisedime të fshehta me do andrratarë ma të pjekun se un. Kam fillue me nxanë t`i urrej të gjitha ato tituj lartushtues qi adhuronte Pasha.” Dhe kur ia rrëfen profesorit historinë me Esat Pashën, ai do i thotë: “Kështu mendojnë, kështu ndjejnë të gjithë Pashallarët shqiptarë, por nesra asht e jona, asht e jueja, e djelmis qi po rritet.” Me këto ideale Noli lë Amerikën për të kontribuar në atdheun e tij i mbështetur nga “Vatra” dhe Konica, por, kolltugofagët e ndalojnë të shkelë në atdhe, sikurse u kthye mbrapsht dhe Leka Zogu, që s`ka të krahasuar me “peshkopin”. Fakti që Noli nuk u la të zbriste nga vapori dhe Leka nga avioni, vlen të përmendet si një përsëritje e historisë. Por dhe Sotir Peci, gagaçi, themeluesi i gazetës së parë shqipe në Amerikë, “Kombi”, organizator dhe nënkryetar i Kongresit të Lushnjes, s`ishte dakort që urata të vinte në Shqipëri, me arsyen se prania e tij mund të acaronte grekërit, na vë në dijeni autori i librit. Një prej djemëve të Amerikës ishte dhe Sotir Peci, po pse i kundërvihet vatranit Fan Noli? Sotiri gëzonte autoritet, njihej si njeri i ndershëm dhe patriot, propozues i Ahmet Zogut për ministër të brendshëm në Kongresin e Lushnjes, i cili nuk e vlersonte Nolin si prift, dikur s`ia vinte emrin në shkrimet në gazetë, ngaqë ato kishin epërsi ndaj të tijave, vë në dukje autori i monografisë. Kësisoj, armiku personal shpallet si i padëshirueshëm për qeverinë. Në diktaturë armiqtë personalë deklaroheshin për kollaj armiq të popullit. Një avaz ky që ndodh rëndom dhe sot, kështu që paralelen hiqeni vetë. Shihni sa fisnikëri ka përgjigjia e Nolit: “Nëse më është bërë padrejtësi nga disa njerëz, çfarë faji më ka Shqipëria?” Sa e sa për dështimet e tyre kanë fajsuar atdheun, ndërsa Noli së keqes i vë emër, kur të mirën e lënë anonime. Nëse kolegët e pritën Nolin me këmbët e para, kur zbriti në Vlorë lebërit i puthnin dorën. Kundërshtarët e “konsideronin të huaj dhe që s`kish ndjekës personal”, ndërkohë që një pasha i mbetur pa punë në Stamboll katapultohej në qeveri lehtësisht, duke krijuar kështu një “Turqi të vogël”. Askush s`mund t`i mbronte interesat e vendit dhe të qeverisë shqiptare në Gjenevë, veç Nolit, sikurse dhe i përfaqësoi me dinjitet, falë dhe gjuhëve që njihte. Kush do t`i mbronin interesat e Shqipërisë, kolltukofagët, që s`dinin as shkrim e as këndim dhe bëheshin ministra të arsimit? Pikërisht në kohën, kur Noli negocionte në kancelarit evropiane, Markagjoni, i cili s`dinte shkrim e këndim, në emër të krerëve të 12 bajrakëve u dërgon Fuqive të Mëdha dhe Lidhjes së Kombeve nga Prizreni një letër, ku njoftonte shpalljen e Mirditës republikë autonome dhe protestonte kundër “regjimit të padurueshëm myslimanë” të Tiranës, e cila po mbështeste xhonturqit dhe bolshevikët për të luftuar popullsinë e krishterë. Të flasësh keq për vendin tënd në kancelarit e huaja, pse qeveria ua ndërpreu “qesen me florinjë” krerëve, është një reminishencë e dukshme dhe tek e sotmja. Në këtë pozitë do binte dhe Bajram Curri, kur t`i prekeshin intersat.
Ndërkohë grekërit protestonin për ndërhyrje të ushtarakëve në kishën e Korçës, ku myslimanët me gjasa i kishin detyruar besimtarët të këndonin shqip dhe kur ata s`kishin pranuar me gjasa i kishin masakruar, se peshkopi grek Jakovi qe mbajtur dy ditë në burg, e tjerë e tjerë. Kjo gjuhë akuzash vazhdon edhe sot. Kur qeveria shqiptare e kohës luftohej me kartën e islamizmit, si nga krerë vendas dhe qarqet shovene ku kish më të përshtatshëm nga një peshkop si shkëlqesia e tij, Fan Noli, të përfaqësonte palën shqiptare në sytë e Europës së krishter?! Myslimanët kanë dhanë para dhe për themelimin e kishës, do ishte një prej argumentave të Nolit.
4
Ja dhe një paralele tjetër me të sotmen. Serbia kërkon nga kancelarit Evropiane “korrigjim të kufijve”. Noli i quante të kotë, pa rezultat negociatat e drejtpërdrejta midis dy qeverie: asaj shqiptare dhe serbe. “Jugosllavia ka zakon të krijojë republika atje ku ka lakmi.”-reagon ai ndaj Republikës së Mirditës. (Vetëm Kosovën Republikë nuk e donte.) Anglia e mbronte idenë e korrigjimit të kufirit. “Tek ju ka shumë gjak ilir dhe shqiptar, ashtu si në damarat tanë ka gjak serb.”-tentoi ai t`i zbuste gjakrat, ndërkohë që trojet e shqiptarëve të shpërngulur po zëvendësoheshin me bjellogardistë. (Në Rambuje, kur luftohej për pavarësinë e Kosovës, ata që ishin në vijën e parë të diplomacisë, aty ku negociohej fati i Kosovës ishin: Ismail Kadare (shkrimtar), Ibrahim Rugova (shkrimtar), Adem Demaçi (shkrimtar), Rexhep Qose (shkrimtar) dhe Hashim Thaçi (UÇK). Noli dhe shkrimtarët në fjalë janë një shembull i kontributit të elitës në fatet e atdheut, duke bërë dallim më parinë, që për pushtet hedh atdheun në greminë.
Tirana allaturka që po tentonte të bëhej allafrenga i duhej të zgjidhte midis zisë për vdekjen e Leninit dhe të Uillsonit. Ishte propozimi i Konicës, që Noli donte ta vinte në jetë si kryeministër, që Shëngjinit t`i ndryshohej emri dhe të njihej me emrin e presidentit amerikan Uillson. (Komunistët do e quanin Kuçovën, “Qyteti Stalin”.) I pari që tërhoqi vëmendjen e qeverive evropiane për Shqipërinë ishte Konica, i cili pasi siguria një takim me mundim të madh me ministrin anglez dhe ai pranoi ta priste, duke mos shfaqur interes. Teksa po merrej me shkresat në tavolinë, Konica i afrohet dhe i thotë me zë të ultë: “Në Shqipëri ka naftë.” Ministri ndryshoi menjëherë qasje dhe i tha të ulej dhe bisedoi gjatë me Faik beun, duke mos e fshehur interesimin. (Noli në Gjenevë: “Jemi i vetmi shtet që s`përdorim kartomonedha, por ende qarkullon floriri.) Nëse Zogu në dhënien e koncensioneve anonte nga kompanitë angleze, Noli ishte për kompanitë amerikane të naftës. “Edhe pse shqiptarët janë ndër më të prapambeturit ndër racat e Ballkanit, ata janë, për mendimin tim, më premtuesit.”-i referohet Ilir Ikonomi një përfaqësuesi të Departamentit të Shteti Amerikan. Koha i dha të drejtë. Sot politikanët derdhin dollarë për një foto me një president amerikan, ndërsa falë takimeve të Nolit me presidentin Ëillsoni dhe Zonjën e Parë, sikurse njohjet personale të tij me presidentin Teodor Ruzvelt apo lobimi me personalitetet amerikane të kohës, ushqyen dashamirësinë amerikane ndëj vendit tonë. (Në libër sqarohet mirë e bukur dhe pa gabime raportet e “peshkopit të kuq” me sovjetikët. Bolsheviku që interesohej për marrëdhëniet me Shqipërinë ishte një ish aristokrat dhe kushëri i largët me Pushkinin.)
5
Kur Noli mbërrin për herë të parë në Tiranë i bëjnë përshtypje kopshtet, gjallëria dhe burrat që shëtisnin me trandafil në dorë. 17 llamba, që ndriçonin Tiranën, ishte krenaria e saj. Autori citon një shkrim të Mit`hat Frashërit për kryeqytetin shqiptar në gazetën “Dielli”: “Kafenet ishin vendi ku bëheshin pazaret e zyrave, ku hartohej politika e jashtme dhe e brendëshme e shtetit. Hatëri, rushfeti dhe miqësitë zgjidhnin çdo problem privat ose zyrtar. Mjerë ai që nuk kishte miq. Dëgjoje veçse fjalë dhe ide të dështuara, kurdoherë një përzjerje me inate, pasion, smirë dhe zili, mbase fare rrallë të thënë me qëllim të dlirë.” Besoj se i keni hequr paralelet pa pritur nga unë. Gjashtë vite pas arratisë së Nolit, Tiranën e vitit 1930 Gjergj Bubani do e përshkruajë me tone edhe më interesante: “Nga koha e haneve Tirana po ka hotele luksoze. Në hotelin “Internacional”, banon kryeministri i Shqipërisë, ministra, punonjës bashkie, kolonelë, tagrambledhës. Ku mund të jetë feudalizmi shqiptar? Mund të jetë në Myzeqe, nëpër çifliqe, por jo këtu. Në Tiranë klasat shoqërore, gradat politike ngatërrohen aq fort në rrugë, restorante, hotele, kafene sa të duket sikur je në një republikë sovjetike. Në restorant të tërheq vëmendje një burrë i shkuar në moshë, ekspresiv, i cili mban tavolinën me muhabet. Nuk e njihni? Është Abdurrahman Krosi!” Tirana nga alla turka kish filluar të bëhej allafrenga.
Në këtë kryeqytet laraman zjente jeta politike, ku si dorë e fshehtë njihej “klika”, ky komitet i fshehtë ku bënin pjesë: Sotir Peci, Eshref Frashëri, Ahmet Zogu, Bajram Fevziu, Sejfi Vllamsi, Rexhep Mitrovica. “Klika” ishte kundër çdo qeverie. Revolucioni i Qershorit mendohet se u kurdis prej “klikës”, ngaqë arritën të bënin për vete ushtrinë. “Klika” grindej dhe për Kosovën, ku disa kërkonin t`i rimerrej Jugosllavisë dhe të tjerë se duhej pritur të paktën 10 vjet. Kjo histori do të përsëritej pas luftës së Dytë Botërore me Titon. Hasan Prishtina urdhëroi arrestimin e “klikës” dhe shkarkon Zogun si komandant të veprimeve ushtarake. Për pasojë mandati i tij si kryeministër zgjati vetëm disa ora. Konica nuk ua përton, duke akuzuar për trazira: “klikën e Dudumëve”, të “palaçova” dhe të “hajdutëve”, një gjuhë fyese aq shumë e përdorur dhe sot. Noli s`kishte qenë asnjëherë anëtar i “Klikës”, edhe kur ishte në krye të Partisë Popullore. Arma e tij ishte fjala. I vetmi, që s`mbante armë në parlament, nëse kujtoni skenën e atentatit të Beqir Valterit kundër Zogut, kur njerëzit e tij futen në parlament me armët gati për të qëlluar, ku të gjithë i shihje me armë në dorë, veç Nolit.
Në libër Noli përmendet si i dyshuar për një urdhër vrasje të një greku, që s`u vërtetua kurrë. “Duhet t`i mësojmë fëmjët tanë se vrasjet në shumicë janë po aq kriminale sa dhe vrasjet në pakicë.”-citohet Noli. Zor se besohet ky dyshim, kur mendon që, Fan Noli, është autor i poezive kushtuar Luigj Gurakuqit, Bajram Currit të vrarë në pritë, duke i dënuar si vrasje politike, si larje hesapesh. Shihni reagimin e Nolit, ndaj një qeverie ku mungon shteti: “Jeniçerllëku i memurëve, kapadaillëku i mizorëve, padrejtësia e shtypsit. Dhe këto të liga, për fat të keq, i gjejmë të gjitha në shpirtin e nëpunësve tanë, të cilët kujtojnë, ndofta nga edukata e tyre, që kanë për detyrën të shkelin, të shtypin, të tmerrojnë, të terrorizojnë popullin e mjerë. Është deyra jona që, pasi e shpëtuam popullin nga tiranët e huaj, ta çlirojmë nga memurët dhe xhandarët kapadainj.” Fjalët e Rebelit i pason dhe “sfidanti i lindur”, Konica: “Një popull që ul kryet përpara kapadainjve, që u lë shesh të lirë intrigantëve, spiunëve dhe hajdutëve, që nuk përkrah luftëtarët politikë me kurajo civile, ai popull do të qeveriset keq, qoftë nën një mbret apo në një president.” Paralelet janë të dukshme. Koha u dha të drejtë të dyve.
6
Kur Ahmet Zogu priste të rikthehej në pushtet nga Beogradi, do t`i deklaronte një gazetari të huaj arritjet e tij, sikurse: hapjen e shkollave për vajzat, që s`kish as në Turqi, se ishte ai që prishi varret shekullore myslimane në mes të Tiranës, që ndaloi gjakderdhjen, poligaminë, e cila ishte në modë dhe midis katolikëve, urdhëroi që në dasma dhe vdekje të shërbehej me sheqer, limonadë, kafe dhe cigare, therreshin 50 dele. (Një masë të tillë ushtruan dhe komunistët.) “U dhashë mundësi kundërshtarëve të kuptonin se sa e vështirë është ta shtysh Shqipërinë përpara në kushtet e sotme.”-e mbyll ai intervistën. (“Është e vështirë ta drejtosh Shqipërinë siç duhet, por sa mundesh.”-do shprehej Esat Pashë Toptani me të drejtë.) Zogu I kish filluar betejën me realitetin allaturka, duke mos hequr dorë nga mentaliteti i pashait, ndërsa programi liberal i Nolit në pikat kryesore ishte: thjeshtim të burokracisë shtetërore dhe emërime të reja në bazë të aftësisë (kujtoni meritokracinë e Nanos), zyrtarë të moralshëm dhe patriotë. (Nëpunësit i daun patriot, ndërsa krerët akuzojnë njëri-tjetrin për tradhëti. Si mund të jenë nëpunësit të moralshëm, kur ata vetë vjedhin?) Kursime radikale, si në socializëm. Pavarësia e gjykatave, si temë e ditës dhe sot. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, që ende s`po arrihet. Qeveria e Nolit duhet të përmirësonte pozitën kushtetuese, të bënte zgjedhje, e këshillonte Konica mikun e tij, por Noli i shpërfill këshillat jetike. Siç e shihni “burrat e shteti” pa shtet shpallin kauza, që kalojnë dora-doras deri në ditët tona, duke na kujtuar “mollën e Tantalit”.
A nuk do t`i shkonin si pasthënie vëllimit “Rebeli” vargjet e poezisë “Anës lumenjëve”: “Arratisur, syrgjynosur,/Rraskapitur dhe katosur/Po vajtonj pa funt, pa shpresë,/Anës Elbë-s, anës Spree-së”? Të kapërcesh oqeanin me gëzim dhe të mbetesh anës lumenjëve i pashpresë? Midis këtyre dy poezive shtrihet jeta e rebelit, që niset për në atdhe si një profet dhe përfundon i përzënë. I lexoni librat e Ilir Ikonomit, nëse doni të dini se prej kujt duhet t`i prisim të mirat. A po perëndon koha e pushtetarëve për të ardhur ajo e shtetarëve?