Kreu Letërsi Shënime mbi libra Fatbardh Amursi: Fol me shpirtrat e të parëve të tu

Fatbardh Amursi: Fol me shpirtrat e të parëve të tu

Enver Kushin e njihja nga shkrimet dhe parë nga larg. Më ndodhi dy herë t`ma kalonte pranë dhe isha unë, që i dhashë të njohur. Herën e tretë e lamë të takoheshim e të pinim një kafe njohje, e cila ia vlente. Në fund më dhuroi tre librat e tij. E prisja të ndodhte kështu. Edhe takimi ynë i shërben njohjes së shpirtrave.

1

S`është e lehtë të përfshish tre libra në një shkrim, në rast se nuk të ndihmon dhe autori i tyre, i cili, ndoshta pa e kuptuar dhe vetë, i ka të lidhura me fije të padukshme. Dhe ajo që i lidh të tri librat e Enver Kushit: “Zonja nga Parga”-novelë, “Më Moikomin”-ditar, letra e shkrime dhe “Apokalips 6” në prozë, është nekromantia. Ç`është nekromantia? Vendi ku mund ta flasësh me shpirtrat e të parëve të tu, të cilët mund të jenë familjarë, etër shpirtëror, shkrimtarë, etj. “Shko në Nekromantia dhe fol me shpirtrat e të parëve të tu.”-shkruan autori dhe për të rizgjuar një nga ato qindra histori, që i ruante një e mbijetuara e vitit 1944 niset për në Parga, kur “drita që vinte nga deti, dukej sikur largonte të shkuarën”. (Nga Parga e Elena Gjikës, Kol Idromenos, Mitrush Kutelit.) “Kishte të drejtë një nga kolegët e tij në Athinë, kur i kishte thënë se Epiri dhe qytetet e tij kanë një shpirt tjetër të paprekshëm, që vjen nga thellësia e shekujve dhe ka mbetur i njëjtë deri në ditët tona.” Nëse nuk do ekzistonte ky shpirt i mbetur deri në ditët tona s`kishe me kë të flisje në nekromantia.

Në kopshtin e Zonjës nga Parga kishte disa pemë të mbjella nga frutet e të cilave ajo bënte likora dhe limonata, ku tek limoni ishte gjyshi i saj, tek qitro gjyshja, tek nërënxa nuja e saj, tek një tjetër babai, motra, vëllai, nusja. Të gjithë i kishte në kopësht. Gjyshi i saj kishte miq myslimanë, çamë e të krishterë, grekë, vllehë, hebrenj, evgjitë jo vetëm në Parga, por një ditë krijohet një çetë, që u thonin partizane e se ata ishin mpleksur me komunistët grekë, për të luftuar gjermanët. Në Gumenicë vrasin Kristo Pitulin. Flitej, se e kishte marrë në mbrojtje agai Hizër Ahmeti, por ai rikthehet në Gumenicë dhe e vrasin. Vëllezërit e tij betohen mbi varr, se do ia merrnin hakun, s`do të linin këmbë çami myslimanë pa i prerë kokën. Nuk e besoj që Pitulin ta kenë vrarë çamët, thonte gjyshi i zonjës nga Parga, kujton autori. (Në librin “Qyteti dhe krijuesi i tij” shkrimtaria greke Popi Pituli shkruan se Kristo Pituli ia bleu Igumenicën në vitin 1905-1908 Hamdi Beut, gjeneral turk.) Në Parga qarkullonin fjalë: “Do bëhet hataja!” dhe “Dhe ty, moj Adile, të kanë lënë këtu. Pse të kanë lënë, të qashë Pargën?!” Ushtarët e Zervës futen në shtëpi dhe e përdhunojnë. Dhe kur ata e lanë Pargën dhunuesit i vinin shpesh në ëndërr. “Dhe ndjejë se si ulurijnë kujtesat e plagosura. Ka ditë që i dëgjoj.” Kjo është novela që pasqyron një nga tragjedit çame.

2

“Unë, Enver Kushi, rob i bindur i librave dhe i të shkruarit, këtë ditar për Moikom Zeqon, fort të ndritshmin shkrimtar erudit dhe jo vetëm, nisa ta hedh në ca letra të vogla…” e nis ai librin kushtuar mikut të tij, i cili merr formën e plotë në botimin e librit me titull “Me Moikomin”-ditar letra, shkrime. E merr në telefon Thanas Dino dhe i thotë se në Gjirokastër ishin rikthyer një çift lejlekësh dhe se në Divjakë u çiftuan 33 lejlekë, ndërkohë që poeti bëhej gati t`i bashkohej qiellit. Më parë Moikomi i thotë: “Kiço Blushi këtë sëmundje kishte. E takova paradite. Pimë bashkë kafen, siç bënim përditë. Bëri humor, sic bënte ai. Pasditë pati temperaturë dhe…kështu shkoi… E vetmja gjë që nuk po më lë është kujtesa. Edhe zemrën e kam të fortë.

-Ty nuk të mundi i keqja, sepse nuk bëre kompromos me të.-i jep kurajo miku çam.

-Në përgjithësi, me përjashtime të rralla, shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë, kanë qenë dhe janë klientelist. Ah! Migjeni i madh. Ai nuk bëri asnjëherë kompromis.-i shprehet Moikomi. Dhe më tej: “Unë jam djalë partizani, që vdiq i ri nga plagët e marra në luftë.” Këtë çast autori do e shoqëroj me këtë dialog:

-Ti po dridhesh,-tha djali.

-M`u kujtua babai,-tha vajza.

 -Më ke treguar,-tha djali.

-Ai kishte tri plagë dhe vdiq me plumba në trup,-tha vajza.”

Moikomi i flet shpesh për miqtë: “Petro Çerkezi më ka bërë një nder të madh, duke përkthyer dhe botuar në Greqi një libër timin me poezi.”, sikurse në një letër të shkruar më 5 janar 1973: “Letërsia e vërtetë është gjithmonë e shqetësuar. Pse jam gjithmonë i shqetësuar? Gjëja më e pabesueshme sot ishte celja e luleve të mimozave në lulishten e klubit të Lidhjes. Atmosfera letrare është e shqetësuar, ka debate të mëdha, kontradikta.” Ndërkohë librin “Dimri i madh” të Kadaresë do e quaj një çudi letrare. “Gjithë këto ditë kam ndjerë peshën e madhe të letërsisë si kurrë ndonjëherë.” Nuk mund të bëj përshtypje, që nga Uashingtoni ku Moikomi ndodhej pas viteve `90-të, për ta gëzuar do i shkruajë mikut të tij: “Shuteriqi më shkruante një letër për një takim që pati me ty.” Ndërsa autori i librit do shpreh këtë vlerësim: “Që kur u ka hipur kuajve të hazdisur të metaforave, Moikom Zeqo është kalorsi më i madh dhe më i çuditshëm i poezisë shqipe dhe asaj botërore.” Dhe e gjithë kjo miqësi e madhe, do mbyllet më fjalët pikëlluese, kur shkrimtari dergjej në shtrat: “I putha duart dhe dola.”

3

“Apokalips 6” është libri i tretë i botuar nga Petraq Risto, me redaktor Moikom Zeqon dhe korektore letrare Vllasova Mustën. Dikush i hipur në një pemë i bën atentat mbretit, i cili për të pushuar në det kalonte përmes një pylli, nis proza e parë e tij. Pas pushimit mbretit i duhej të kthehej në kryeqytet, që të ushtronte detyrën. Urdhëroi që pemët në të dy anët e shtegut të priteshin. “Drurët binin një e nga një, duke lëshuar ca “Ah! Ah! Ah!” Mendo sikur ato të ishin dru ahu, të cilat mbreti i kishte mallkuar, duke i kthyer në trungjë, që dukeshin si gërmadha shpirti. Nga trungjet e prera do të vinin të qara burrash.

Në tregimin që pason: disa udhëtarë që do ta fluturonin  drejt Tiranës binin në sy për moshën e madhe, mbi 60 vjeç. “Ndoshta shkojnë për të vdekur, mendoi vajza që shërbente tek sporteli i pasaportave.” Princi nuk e mbante mend se kur i qe shfaqur aftësia për t`i dalluar ditët nga aroma e tyre. Nga gërmadhat e shpirtit kalohet varrezat e kryeqytetit, ku me një urdhër qeverie varrezat zhvendosen në periferi. Bëhet fjalë për “Varrin e Bamit”. Gjynaf me i luejt të vdekurit, le ta fillojnë me rrugët që janë beterr. Nuk i kanë hije një kryeqytetit me i patë varret në mes të sheshit, duhen çuar në periferi, shfaqen reagimet e para. Kjo histori e kohës së mbretërisë vazhdon dhe kur në pushtet vijnë komunistët. Më parë vjen lajmi: banorët që jetojnë pranë Varrit të Bamit nuk duhet të pijnë ujë nga puset. Thoshin se po rënkonte dheu. Për ustan e puseve, Zenel Lalën, thoshin se ai para se të gërrmonte flinte tërë natën në tokë. Nuk shtronte asgjë. Rrotullohej e rrotulloj në atë vend, vinte veshin në tokë, fliste me veten dhe kur bindej, me të aguar dita e re, thoshte “këtu”. Dhe ata e hapnin pusin aty thoshte ai, duke dalë garant, se uji s`ishte i infektuar. Nëse do ishte i ndotur rënkimi i pusit do thoshte “jo”. Aty ku do ngrihej pallati parafabrikat, banorët e kateve të para do vuanin nga problemet psiqike. Duke lexuar këto episode, ku dhe të vdekurit s`i lënë rehat m`u kujtua lbri i Spiro Kondos “Shqiptarët dhe problemi pellazg”, ku shkruan këtë episod të çuditshëm: “Pranë Vlorës ruhet dhe sot një varg gurësh, që quhet Varri i Kadmit. Ky është prijsi i stërlashtë pellazg, që futi në popull alfabetin e parë. Sipas dëshmive të kohës na bëhet e ditur: që, varri i Kadmit, të shpëtohej nga ndonjë dhunim i mundshëm i armiqve të tij, u kall nën shtratin e lumit Vjosë, ujë i të cilit u devijua paraprakisht dhe, më vonë, u rilëshua në shtratin e vet.” Klithmën për dhunimin e varreve e ndjejmë dhe tek “Eposi i kreshnikëve”, ndaj na duhet Nekromantia, si një nevojë për të folur me shpirtrat e të parëve tanë…

Exit mobile version