Kreu Letërsi Shënime mbi libra Fadil Kajtazi: Kadare

Fadil Kajtazi: Kadare

Nuk mund ta them me saktësi se kur jam njohur për herë të parë me veprimtarinë letrare të Ismail Kadaresë. Me siguri kjo ka ndodhur gjatë shkollës fillore, në klasën e gjashtë ose të shtatë, kur, sipas planprogramit të lëndës Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, kishimmësuar dy poezi të tij: “Portreti i Skënderbeut” dhe “Ikja e Moisi Golemit”. E para duhet të ketë qenë pjesë e programit të klasës së gjashtë, ndërsa e dyta e klasës së shtatë.

Natyrisht, pjekuria e një nxënësi të shkollës fillore nuk është e mjaftueshme për t’i kuptuar dhe vlerësuar plotësisht vlerat letrare të një poezie. Por mbresat, emocionet dhe ndikimet që më lanë ato vargje duhet të kenë ardhur, para së gjithash, nga thurjae tyre e përkryer, nga një stilistikë që, me thjeshtësi, përcillte mesazhe të fuqishme atdhedashurie.

Së dyti, ndikimin e tyre e forconte lidhja që kjo pjesë e programit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe kishte me lëndën e Historisë. Pikërisht në atë kohë kishim filluar të mësonim Epokën e Skënderbeut.

E mbaj mend orën e parë kur mësuesi i historisë, Ganiu, filloi ligjërimin për Skënderbeun.

Hyri në klasë dhe nuk na e ktheu përshëndetjen “Mirëdita!”, siç e kërkonte rregulli. Sipas zakonit, e gjithë klasa duhej të ngrihej në këmbë dhe ta përshëndeste mësuesin. Ai vetëm bëri me dorë që të uleshim. Nuk e shënoi as orën në ditar. Pa thënë asgjë, iudrejtua dërrasës së zezë dhe filloi të shkruante.

Gjesti i tij i pazakonshëm na bëri të kuptonim se ajo orë do të ishte ndryshe. Me shkrimin e tij të bukur kaligrafik, mësuesi shkroi në dërrasë vargjet e Naimit për Skënderbeun:

O Krujë, o qytet i bekuar,
Prite, prite Skënderbeun,
Po vjen si pëllumb i shkruar,
Ta shpëtojë mëmëdheun.
Pasi mbaroi së shkruari, i lexoi vetë me zë të lartë. Pastaj na kërkoi t’i përsërisnim të gjithë së bashku. Klasa ushtoi. Me siguri, ushtima jonë u dëgjua edhe jashtë saj, sepse mësuesi na kërkoi që përsëritjen ta bënim me zë sa më të lartë. I përsëritëm pesë herë radhazi. Kur u bind se të gjithë i kishim mësuar, ra një heshtje e shkurtër. Mësuesi mori qëndrimin e tij të zakonshëm, gati-gatitu, dhe na tha se po fillonte ciklin e mësimeve për Epokën e Skënderbeut, kryetrimit shqiptar, emrin e të cilit me krenari e mbante edheshkolla jonë.

Ndoshta pikërisht ai moment ishte shkëndija që më bëri t’i përpija me më shumë ëndje poezitë e Kadaresë dhe të filloja të interesohem për shkrimtarin.

Vargjet e poezisë për Skënderbeun:
“Çka mangut linte ditën Gjergji, plotësonte natën Skënderbeu…” dhe ato të poezisë për Moisiun: “…veç ndërgjegjes sate,

prapa s’të ndjek kush…
Në kalldrëme shekujsh,
troku yt i zi,
Moisi i Golemëve,
Gjeneral Moj-Zi…”, u ndërthurën në mendjen time me historinë e Skënderbeut që po mësoja në shkollë dhe, më vonë, me jehonën e demonstratave studentore të vitit 1981.

Ato vargje filluan të mbushnin brenda meje një burim që nuk e njihja ende mirë: atdhedashurinë.

Dhe bashkë me të, edhe një ndjenjë tjetër, më e ashpër: urrejtjen ndaj tradhtisë.

Diku nga fundi i klasës së tetë, dikush në klasë solli romanin e ilustruar “Kështjella”. Ishte një befasi e këndshme për mua. Në garën për ta marrë i pari, ia dola. Sapo u ktheva në shtëpi, gjëja e parë që bëra ishte ta lexoj. E lexova me pasion dhe shpejtësi,pasi ishte i konceptuar për lexues të rinj, ishte i ilustruar dhe nuk kishte shumë faqe. E përfundova shpejt, por iu ktheva edhe disa herë.

Më pas fillova ta kërkoja për ta blerë në libraritë e qytetit. Ishte shitur. Në atë kohë, Gjilani kishte tri librari. Në asnjërën nuk gjeta ndonjë vepër tjetër të Kadaresë. Ndërkohë, me bashkëmoshatarët e mi, lexonim dhe qarkullonim libra të shkrimtarëve nga Shqipëria. Ndër më të lexuarit dhe më të komentuarit ishin “Me valët e jetës” i Vedat Kokonës, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Zgjimi” dhe “Afërdita” të Sterjo Spasses, “Përsërinë këmbë” i Dhimitër Gjuvanit, “Shembja e idhujve” e Skënder Drinit, “Njeriu me top”, “Komisari Memo” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit, “Për mëmëdhenë” e Thoma Kacorrit, “Para agimit” e ShefqetMusarajt, “Fshati midis ujërave” i Kolë Jakovës e të tjerë. Por, nga Kadareja, përveç “Kështjellës” së ilustruar, ende nuk më kishte rënë në dorë asgjë tjetër.

Në qershor të vitit 1982 e përfundova klasën e tetë me sukses shembullor. U ktheva në shtëpi me dëftesën të mbushur me pesa.

Familja u gëzua pa masë.
Në kulmin e gëzimit, babai nxori nga portofoli një bankënotë dinari me vlerë të madhe. Nuk kishte ndodhur më parë që të më jepte aq shumë para.

– Dil në qytet dhe blej çfarë të duash! – më tha, pasi më përqafoi dhe ma dha bankënotën.

Për dy-tri ditë e mbajta atë shumë në xhep dhe shëtita vërdallë qytetit pa ndonjë adresë të caktuar. Shikova vitrinat e dyqaneve të rrobave dhe këpucëve, kryesisht në qendër të qytetit. Pastaj u drejtova nga dyqani i pajisjeve sportive, në rrugën e shkollavetë mesme. Me paratë që kisha mund të blija një top futbolli dhe një palë atlete. Më pëlqenin shumë. I shikova gjatë. Ndoshta tepër gjatë, sepse shitësi, një burrë tullac i moshës së mesme, më qortoi me neveri:

– Nuk janë për reklamë. Këtu vjen vetëm kush ka para. Blej ose ec! I ktheva atletet në vend.

Për një çast mendova ta fusja dorën në xhep dhe t’ia tregoja paratë. Por ai e kishte shqiptuar fjalën “reklamë” në versionin serb, me atë “ll”-në karakteristike. Më irritoi. Dola menjëherë nga dyqani.

Ndoshta ngjarjet politike pas demonstratave të vitit 1981, që tashmë ishin bërë pjesë e debateve rutinë të ndejave të mbrëmjes në familje, bashkë me letërsinë që lexoja, kishin bërë që të irritohesha nga ata që e konsideronin serbizimin e shqipes si diçka normale.

Mora drejtimin për nga qendra. Në cep të rrugës së tregut ndodhej libraria. Aty punonte Jakupi, një burrë trupmadh, të cilit pamja nuk ia jepte aspak atë që do të prisje nga një librashitës. Por ai ishte jashtëzakonisht dashamirës me klientët. Zakonisht, bashkë me babanë, aty blinim librat shkollorë. Por edhe kur shkoja vetëm, ai mëpriste me mirësi. Pyetjeve të mia për librat e letërsisë u përgjigjej pa përtesë:

– Po, këtë libër e kemi.
– Ky është shitur.
– E kemi porositur, vjen javën tjetër.
Sapo hyje në librari, në anën e majtë ishte një vitrinë elegante me libra letërsie, e mbyllur me xham. U afrova. Dhe e pashë. Brenda vitrinës ishte ekspozuar një komplet librash me kopertina luksoze, ngjyrë çokollate. Në pjesën anësore të secilit vëllim ishin të shënuara me ngjyrë ari numrat nga një deri në dhjetë dhe titujt e veprave.

Lexova: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E kuptova menjëherë. Kadare. Nuk hezitova.

– Sa kushtojnë?
Jakupi ma tregoi çmimin. Ishte pikërisht aq sa kisha në xhep. Nxora paratë dhe ia zgjata.

Ai buzëqeshi lehtë:
– Ke fat. Është kompleti i fundit.
Nuk e dija atëherë se po blija më shumë se dhjetë libra. Po blija një verë. Ne nuk bënim pushime në bregdet. Kështu, nga qershori deri në shtator, gjatë gjithë pushimit veror, ia dola t’i lexoja të dhjetë librat e kompletit të Kadaresë. Ishte vera e përjetimeve të veçanta. Një verë në të cilën, më shumë se në çdo kohë tjetër deri atëherë, u mbusha me dije për trungun tonë kombëtar, për historinë e tij, për lavdinë dhe tragjeditë e shumta të shkaktuara nga pushtuesit. Ishte koha kur përjetova më shumë emocione. Koha kur u mbusha me atdhedashuri. Koha e frymëzimeve për të ardhmen.

Nga ajo që lexoja, fitova edhe një lloj sigurie të re. Në intervale të shkurtra, fillova të komentoja ndonjë fragment në ndejat rutinë të mbrëmjeve familjare. Por ndejat nuk ishin më ato të dikurshmet. Situata politike ishte rënduar. Edhe audienca ishte më e zgjedhur. Edhe fjalët mateshin më shumë.

Në shtator të vitit 1982 fillova vitin e parë të shkollës së mesme. Ditën e dytë ose të tretë, në klasë hyri një burrë elegant. Fliste një shqipe të pastër, me një theks dhe intonacion jo-kosovar.

U prezantua: – Jam profesori Bardhyl. Jam me origjinë nga Dibra.

Do të na ligjëronte Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe. Pas prezantimit të tij dhe të nxënësve, erdhi pyetja që, me sa duket, ishte pjesë e mënyrës së tij të njohjes me klasën:

– Çfarë keni lexuar gjatë pushimit veror?
Kur më erdhi radha, u prezantova dhe u përgjigja: – Kompletin e veprave të Kadaresë.

Përgjigjja ime sikur e stepi. Në fytyrën e tij kaloi për një çast një habi. Nga ajo grimcë dyshimi, mendova se i lash përshtypjen e një nxënësi joserioz, ndoshta edhe problematik, që po fliste kuturu. M’u kujtua një legjendë që qarkullonte për lëndën e filozofisë:një nxënës i kishte thënë profesorit se kishte lexuar “Kapitalin” e Marksit, ndërsa profesori i ishte përgjigjur:

– I ndërrojmë vendet, sepse unë nuk kam arritur ta lexoj!

Por profesori Bardhyl nuk u kënaq me përgjigjen time. Më pyeti: – Cilat vepra e përbëjnë kompletin e Kadaresë të botuar nga Rilindja?

Për të mos lënë asnjë mëdyshje se i kisha lexuar, fillova t’i numëroja me shpejtësi e vetëbesim, nga e para, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, deri te e dhjeta, përmbledhja poetike “Buzëqeshje mbi botë”.

Mënyra si u përgjigja duket se i solli një freski në fytyrë. Ajo ngrysje e çastit të parë u zëvendësua me një pamje miqësore, admiruese, madje entuziaste. Në klasë ra një qetësi e veçantë. Sikur të gjithë prisnin të shihnin se ku do të përfundonte kjo bisedë.Profesori filloi të më pyeste për secilën vepër. Për njërën më pyeti për ngjarjen. Për tjetrën për personazhet. Për një tjetër për vendin dhe kohën. Dhe kështu me radhë.

Në fund më pyeti:
– Cilat vepra të kanë lënë më shumë përshtypje?

I kisha renditur në mendje. E para: “Kronikë në gur”. E dyta: “Komisioni i festës”, përmbledhje e tri novelave: “Breznia e Hankonatëve”, “Komisioni i festës” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. E treta: “Kështjella”. E katërta: “Pashallëqet e mëdha”. E pesta:“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

I shpjegova për secilën përse e kisha vendosur në atë renditje. Profesori shkoi te tavolina. Deshi të më shënonte notën. Por në ditar ende nuk ishin shënuar emrat e nxënësve. Më pa dhe tha:

– Sapo të shënohen emrat në ditar, do ta lë pesë për tërë vitin. Besoj se nxënësi që e lexon komplet veprën e Kadaresë, i mëson edhe mësimet që zhvilloj gjatë vitit. Ti do t’i mësosh!

Pohova me kokë. U ula. Nuk e dija nëse ai e do ta mbante premtimin. Por atë ditë fitova diçka tjetër. Një profesor që e kuptoi se çfarë kishte ndodhur brenda meje gjatë asaj vere.

Vitet kalonin e mishërimi im me veprën letrare të Ismail Kadaresë vetëm sa thellohej. Shpesh rilexoja pjesë të veçanta ose romane të tëra. Kisha arritur të mbaja në mend personazhe, ngjarje dhe situata të panumërta. Më kujtoheshin edhe paragrafë të tërë: “Ishtenjëherë një gjeneral dhe një prift, që kishin dalë për kësmet. Jo, nuk kishin dalë për kësmet…” Edhe: “Po ariu?…” Në rrethet e mia shoqërore ishte bërë modë të flitej për letërsinë ku letërsia e Kadaresë spikaste. Na përshtatej me kohën. Në tërësinë e saj, ishte letërsi historike që fliste për mbijetesën e popullit tonë ndër shekuj; për plane e komplote; për fushata të panumërta ushtarake; për përpjekjet për ta gjunjëzuar një popull dhe për përpjekjet e tij shekullore për liri.

Përshkruante tragjeditë e kësaj përpjekjeje titanike. Por edhe lavdinë. Edhe krenarinë. Në gjendjen politike të jashtëzakonshme që mbretëronte atëherë, letërsia shqipe në përgjithësi dhe ajo e Kadaresë në veçanti na brumoste me atdhedashuri. Ishte një shkëndijë lirie në fund të tunelit. Përveç dhjetë librave që tashmë i kisha në bibliotekën time, në libraritë dhe bibliotekën e qytetit nuk kishte shumë tituj të rinj. Edhe ato që vinin kohë pas kohe ishin, në pjesën më të madhe, titujt që përfshiheshin në kompletin e botuar në Prishtinë në vitin1980.

Kompleti ishte shitur shumë shpejt. Nuk gjendej për ilaç. Por sa herë që vinin tituj të rinj nga Tirana, i blija. Kështu fillova të krijoja koleksionin tim të veprës së Kadaresë, të botuar nga botues të ndryshëm. Ndërkohë, rrethanat politike pas vitit 1981kishin bërë që informacionet për gjithçka që ndodhte në Shqipëri të ishin të pakta. Përfshirë edhe veprimtarinë kulturore.

Sinjali i televizionit të Tiranës pengohej. Dritaret tona drejt Shqipërisë ishin të mbuluara me perde të dendura. Përmes tyre shihnim vetëm imazhe të zbehta. Radio Tirana. Radio Kukësi. Edhe ato dëgjoheshin me vështirësi për shkak të zhurmimit që u bënin njësitë e specializuara të regjimit jugosllav. Dhe ekzistonte edhe frika e ndëshkimit nga UDB-ja për ata që i dëgjonin.

Prandaj, në shumë raste, radiot dëgjoheshin me roje. Informacionet për shkrimtarin tim të preferuar ishin të pakta. Nuk dinim çfarë botonte. Nuk dinim çfarë ndodhte me të. Nuk dinim ato gjëra që një lexues në një vend normal do t’i dinte për një shkrimtar tëadhuruar. Herë pas here, “Rilindja” jepte ndonjë copëz informacioni për botime të reja. Por librat nuk vinin. Represioni i shtetit serb i kishte dhënë dinamikë një stuhie ngjarjesh që na shpërqendronte nga veprimtaritë kulturore.

Edhe nga Kadareja. Por jo nga ajo që kishte mbjellë letërsia e tij. Shpirti i qëndresës, në masë të madhe, ishte mbushur me energji nga letërsia e shkrimtarëve atdhedashës, këndej e andej kufirit. Kadareja ishte ndër më të spikaturit. Qysh nga “Kështjella”, kisha marrë një lloj kushtrimi për qëndresë: “Ne qëndruam dhe poqëndrojmë. E dimë që kjo qëndresë po na kushton shtrenjtë dhe ndoshta do të na kushtojë edhe më shtrenjtë. Po dikush duhet të qëndrojë”.

Me kalimin e viteve, e shihja se letërsia nuk kishte shkaktuar efekt vetëm brenda meje. Ajo po shfaqej edhe përreth në mënyra të ndryshme. Edhe në emrat e fëmijëve të lindur në atë kohë: Qëndresa, Qëndrim, Qëndron. Shkrimtarët kishin arritur të na e skalitnin,me finesë, shpirtin e vetëmohimit dhe kulturën e atdhedashurisë. I kishin dhënë qëndresës një dimension të ri. Nga historia e së kaluarës, e kishin sjellë në të tashmen. Dhe, pa e shpallur veten prijatarë, shumë prej tyre u bënë pjesë e frymës që do t’i paraprinteproceseve të çlirimit. Njëri prej tyre, çdo të premte, në konferencat me gazetarë, përcillte një mesazh të thjeshtë:

– Këtu jemi. Po punojmë.
Fjalë të thjeshta. Por, në atë kohë, fjalët e thjeshta kishin peshë.

Diku kah fundi i vitit 1990, shoqata “Migjeni” në Lubjanë botoi “Vitin e mbrapshtë”. Libri erdhi në Kosovë në rrugë gjysmë ilegale. Ma shoi sadopak etjen e letërsisë së munguar të Kadaresë. Por afshi i përmbushjes mbeti në hijen e fillimit të nëntë viteve tëmbrapshta të Kosovës, të rrethuar nga një unazë e hekurt në formë patkoi.

Si lexues i Kadaresë, në ato vite rrethimi, e dija shumë mirë se çfarë po ndodhte. Çfarë mund të na priste. Dhe çfarë duhej bërë në “Kështjellën” e vjetër dardane, sikur e dëgjoja përsëri: “Ata provuan çdo gjë kundër nesh, duke filluar nga topat gjigantëgjer te minjtë e infektuar”.

Prandaj nuk më përfshiu paniku. Duhej qëndruar brenda rrethimit. Rrethuesi do të lodhej.

E dija se: “Gjergji ndodhej jashtë mureve të kështjellës dhe priste çastin për të goditur”. Ishte njësoj sikur pesëqind vjet më parë. Të rrethuarit, kështjellarët, përveç furisë së sulmeve nga ushtria e madhe armike, përballeshin me të gjithë artin epushtimit: me lajkat, me kërcënimet, me joshjet, me bisedimet, me helmimet, me epidemitë, me acarin, me vapën, me urinë, me etjen.

Edhe ne kishim rrethimin tonë. Edhe ne kishim minjtë tanë. Edhe ne kishim dimrin dhe urinë. Edhe ne kishim frikën. Por kishim edhe muret. Dhe brenda tyre, kujtesën. Letërsi nuk lexoja. Kishte ardhur koha kur edhe librat ishin bërë luks. Por isha i motivuar nga ajo që kisha lexuar. Çdo mëngjes e ngrija kokën për të parë se kur do të vinte shpëtimi nga qielli. Dhe vërtet, qëndresa e kështjellarëve e lodhi rrethuesin. Pastaj erdhën “pikat e para të fillimit të stinës së shirave”. Rrethimi u hoq.

Në atë çast e kuptova edhe një herë magjinë e fjalës së shkruar. Shkrimtari, përmes stilizimit artistik, mund ta fusë një ide në shpirtin e një populli dhe ta bëjë atë të qëndrojë edhe kur libri nuk është më në dorë. Të presë pikën e parë të shiut. Të mos dorëzohet. Të jetojë.

Dhe ja, qershori i vitit 1999. Qëndresa jonë dhe ata për të cilët armiku shekullor, pesëqind vjet më parë, na kishte ngritur akuzën se “u jemi shitur frëngjve, domethënë Evropës”, këtë herë erdhën nga qielli dhe e çanë rrethimin e hekurt. Na shpëtuan nga shfarosja. I ekzaltuar nga dalja në liri, u ktheva në shtëpi, nga e cila kishim qenë dëbuar për gjashtëdhjetë ditë.

Çfarë gjeta? Tmerr. Nga shtëpia nuk kishte mbetur pothuajse asgjë. Nuk kishin mbetur as skutat ku fshihesha kur luanim kukafshehtas me vëllain, me fëmijët e xhaxhallarëve dhe kushërinjve. Nuk kishte mbetur as dhoma e madhe e ndejës, ku dikur zhvilloheshin debatet politike dheku zërat e burrave dëgjoheshin deri në gjysmën e oborrit. Gjithçka ishte kthyer përmbys. Nga çatia deri në themele. Trishtim dhe gëzim njëkohësisht. Sepse në këmbë kishte mbetur vetëm dhoma ime e fjetjes. Aty ishte edhe biblioteka. Ishte hera e pestë që, që nga viti 1878, trungu im familjar, nga i njëjti armik, ishte shkatërruar përtokë dhe duhej ta fillonte jetën nga hiçi. Si Feniksi. Tash kishim vetëm atë dhomë. Një strehë të përkohshme. Një vend ku të fusnim kokën. U sollëm rreth saj për të parë nga dritarja se çfarë mund të kishte brenda. Por nuk shihej asgjë. Xhamat kishin shpëtuar. Perdet ishin të mbyllura. Hapëm derën. Një kundërmim i rëndë gati na mbyti. Qeni i shtëpisë ishte ekzekutuar në shtratin tim. Mbi mur, me gjakun e tij, kishin lënë një porosi në serbisht: “Kështu do ta pësosh edhe ti”. Nuk kishte nevojë për përkthim.

Librat nga dollapi ishin hedhur në një grumbull në një qoshe të dhomës. Pastaj ishin bërë shoshë nga rafalët e automatikëve. Gropat në mur dhe në dysheme tregonin se ushtarët serbë kishin harxhuar municion mbi libra, sikur po luftonin me një batalion.

Dhe ndoshta, në njëfarë mënyre, e dinin se nga ata libra ishin frymëzuar mijëra njerëz për të qëndruar. Librat ishin ekzekutuar. Disa kishin nga dy-tri vrima. Disa ishin shqyer. Disa ishin shkelur. Pak kishin shpëtuar. Në mesin e atyre të dëmtuar rëndë ishte edhe kompleti i Kadaresë. Por tri libra kishin mbijetuar më mirë se të tjerët: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, botim i Tiranës, dhe “Viti i mbrapshtë”, botim i Lubjanës.

Secili kishte marrë vetëm nga një vulë të çizmes së ushtrisë serbe. Vetëm një. Dhe ishin ende aty. Atëherë m’u kthye në mendje vera e vitit 1982. Një djalë i ri që kishte hyrë në një librari me paratë që ia kishte dhënë babai. Një komplet me dhjetë vëllime. Një verë e tërë leximi. Një jetë e tërë e ushqyer nga ato faqe. Dhe tani, shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, disa prej atyre librave kishin dalë gjallë nga një dhomë e qëlluar me automatik.

Në atë plojë, disa libra kishin vdekur. Disa ishin plagosur. Disa kishin shpëtuar dhe ata që shpëtuan kishin ende punë. Sepse duhej të tregonin. Duhej të dëshmonin. Dhe, mbi të gjitha, duhej të frymëzonin që gjithçka të fillonte rishtas.

Si Feniksi.

Exit mobile version