Kreu Intervista Ernesto Sábato: Duhet të zbulojmë ndjesinë e të mrekullueshmes

Ernesto Sábato: Duhet të zbulojmë ndjesinë e të mrekullueshmes

Përktheu Granit Zela

Ju keni shkruar shumë ese, veçanërisht një përmbledhje me titullin “Njeriu dhe ingranazhet” (1951), për efektet dehumanizuese të shkencës dhe teknologjisë. Si ndodhi që një shkencëtar si ju i sheh gjërat në këtë këndvështrim?

Ndonëse kam studiuar fizikë dhe matematikë, disiplina të cilat më ofruan një lloj strehimi abstrakt dhe ideal në një “parajsë platonike” larg kaosit të botës, shumë shpejt kuptova se besimi i verbër që disa shkencëtarë kanë te mendimi i “pastër”, tek arsyeja dhe progresi (zakonisht me “P” të madhe) i ka bërë të anashkalojnë dhe madje të përçmojnë aspekte të tilla thelbësore të jetës njerëzore si pavetëdija dhe mitet që janë në origjinën e shprehjes artistike, me pak fjalë, ana e fshehtë e natyrës njerëzore. Gjithçka që mungonte në veprën time thjesht shkencore e gjeta te romantizmi gjerman dhe, para së gjithash, te ekzistencializmi dhe surrealizmi. Duke larguar sytë nga logaritmet dhe sinusoidet e mia, shikova fytyrën e njeriut, nga e cila nuk e kam larguar kurrë vështrimin.

Disa shkrimtarë të mëdhenj bashkëkohorë kanë arritur të pajtojnë shkencën dhe krijimtarinë…

Mund të jetë kështu, por kjo nuk e lëkund bindjen time se epoka jonë karakterizohet fort nga kundërvënia midis shkencës dhe humanes, e cila sot është bërë e papajtueshme. Që nga iluminizmi dhe ditët e enciklopedistëve dhe para së gjithash që nga shfaqja e pozitivizmit, shkenca ka pësuar një lloj tërheqjeje olimpike, duke u shkëputur nga njerëzimi. Sovraniteti absolut i Shkencës dhe Progresit në pjesën më të madhe të shekujve XIX dhe XX, e ka zvogëluar individin në statusin e një ingranazhi të një makinerie gjigante. Si teoritë kapitaliste edhe ato marksiste, kanë kontribuar në përhapjen e këtij vizioni fatkeqësisht të shtrembëruar, në të cilin individi shkrihet në rrëmujë dhe misteri i shpirtit zvogëlohet si pjesë e një rrezatimi fizikisht të matshëm.

Megjithatë, edhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ekzistonte një rrymë e fortë filozofike që vinte në dyshim ngrehinën racionale monumentale të ndërtuar nga Hegeli, pesha e së cilës dërrmonte individin. Mendja më shkon te Kierkegardi, për të cilin keni shkruar shumë.

Kierkegardi ishte mendimtari i parë që pyeti nëse shkenca duhet të ketë përparësi ndaj jetës dhe u përgjigj me vendosmëri se jeta është e para. Që atëherë, objekti i hyjnizuar nga shkenca është zhvendosur si qendra e universit dhe është zëvendësuar nga subjekti, njeriu prej mishi dhe gjaku. Kjo çoi tek Karl Jaspersi dhe Martin Heidegeri, te filozofia ekzistencialiste e shekullit të njëzetë, sipas së cilës njeriu nuk është më një vëzhgues shkencor “i paanshëm”, por një “un” prej mishi, “qenia e paracaktuar të vdesë” për të cilën kam shkruar dhe që është burimi i tragjedisë dhe i metafizikës, format më të larta të shprehjes letrare.

Por jo të vetmet…

Sigurisht që jo, por për mendimin tim janë më të rëndësishmit për shkak të dimensionit të tyre tragjik, transcendent. Duhet të mendojmë për “Shënime nga nëndhesa” e Dostojevskit, atë akuzë të përgjakshme me të cilën, me urrejtje pothuajse të çmendur, ai denoncoi epokën moderne dhe kultin e saj të përparimit.

Jemi pikërisht te letërsia tani…

Po, sepse romani mund të shprehë gjëra që janë përtej qëllimit të filozofisë apo esesë, siç janë pasiguritë tona më të errëta për Zotin, fatin, kuptimin e jetës, shpresën. Romani u përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve, jo thjesht duke shprehur ide, por përmes mitit dhe simbolit, duke u mbështetur në vetitë magjike të mendimit. Gjithsesi, shumë nga personazhet në romane janë po aq realë sa vetë realiteti. A është Don Kishoti “joreal”? Nëse realiteti ka ndonjë lidhje me qëndrueshmërinë, atëherë personazhi i tij i lindur nga imagjinata e Servantesit është shumë më real se objektet që na rrethojnë, sepse ai është i pavdekshëm.

Pra, letërsia e interpreton realitetin?

Fatmirësisht, arti dhe poezia nuk kanë mëtuar kurrë të shkëputin racionalen nga joracionalja, ndjeshmërinë nga intelekti, ëndrrën nga realiteti. Ëndrra, mitologjia dhe arti kanë një burim të përbashkët në të pandërgjegjshmen, ato zbulojnë një botë që nuk mund të kishte asnjë formë tjetër shprehjeje. Është absurde të kërkosh nga artistët të shpjegojnë veprën e tyre. Mund ta imagjinoni Bethovenin duke analizuar simfonitë e tij apo Kafkën duke shpjeguar se çfarë donte të thoshte në të vërtetë në “Gjyqi”? Nocioni se çdo gjë mund të “shpjegohet” racionalisht është shenja dalluese e mentalitetit pozitivist perëndimor, tipik i epokës moderne, një epokë që mbivlerëson vlerën e shkencës, arsyes dhe logjikës. Megjithatë, kjo formë e kulturës përfaqëson vetëm një moment të shkurtër në historinë e njerëzimit.

Ju duket se e shihni epokën tonë si fazën përfundimtare në një linjë të mendimit modern që fillon në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe përfundon në kohën tonë.

Moda letrare nuk duhet të ngatërrohet me prirjet kryesore të mendimit. Në lëvizjen e gjerë dhe tragjike të ideve ka përparime dhe tërheqje, ekskursione anash dhe kundër-rryma. Është e qartë, megjithatë, se jemi dëshmitarë të fundit të një epoke. Ne po jetojmë një krizë qytetërimesh në të cilën ka një lloj konfrontimi midis forcat të përjetshme të pasionit dhe rendit, të patosit dhe etosit, të Dionisiakes dhe Apolonianes.

A mund të zgjidhet kjo krizë?

E vetmja mënyrë se si mund të shpëtojmë nga kjo krizë rrënqethëse është duke e larguar njeriun e gjallë e të vuajtur nga makinera gjigante pjesë e së cilës është bërë dhe që po e shtyp atë. Por nuk duhet harruar, se në agimin e një mijëvjeçari të ri, një epokë nuk përfundon në të njëjtin moment për të gjithë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur Progresi ishte triumfues, shkrimtarët dhe mendimtarët si Dostojevski, Niçe dhe Kierkegardi nuk ishin “të kohës së tyre”, sepse tashmë, megjithë optimizmin e shkencëtarëve, ata kishin një parandjenjë të katastrofave që na prisnin dhe që duhet të portretizoheshin nga Kafka, Sartri dhe Kamy.

A është kjo arsyeja pse e refuzoni konceptin e “progresit” në art?

Arti nuk mund të përparojë më shumë se një ëndërr, dhe për të njëjtat arsye. A janë makthet e bashkëkohësve tanë më të përparuara se ato të profetëve të Biblës? Mund të themi se matematika e Ajnshtajnit është më e mirë se ajo e Arkimedit, por jo se “Uliksi” i Xhojsit është sipëror ndaj Uliksit të Homerit. Një nga personazhet e Prustit është i bindur se Debussy është kompozitor më i mirë se Bethoveni për arsyen e thjeshtë se ai lindi pas tij. Nuk ka nevojë të jesh muzikolog për të vlerësuar ironinë satirike të Prustit në këtë fragment. Çdo artist gjakon drejt asaj që mund të quhet një absolute, ose drejt një fragmenti të Absolutit, me shkronjën “A”, qoftë ai një skulptor egjiptian në kohën e Ramsesit II, një artist grek i epokës klasike, apo Donatello. Kjo është arsyeja pse nuk ka përparim në art, por vetëm ndryshime dhe nisma të reja që i detyrohen jo vetëm ndjeshmërisë së secilit artist, por edhe vizionit të heshtur apo të qartë të një epoke apo kulture. Një gjë të paktën është e sigurt; asnjë artist nuk është në pozitë më të mirë se një tjetër për t’i arritur këto vlera absolute thjesht sepse ka lindur më vonë.

Pra, nuk besoni se mund të ketë një estetikë universale?

Relativiteti i historisë pasqyrohet në estetikë. Çdo periudhë ka një vlerë mbizotëruese – fetare, ekonomike apo metafizike – që ngjyron të gjitha të tjerat. Në sytë e njerëzve të një kulture fetare të angazhuar me të përjetshmen, kolosi hierarkik dhe gjeometrik i Ramsesit II do të përfshinte më shumë “të vërtetën” sesa një statujë krejtësisht realiste. Historia na tregon se bukuria dhe e vërteta ndryshojnë nga një periudhë në tjetrën, se kultura e zezë dhe kultura e bardhë mbështeten në kritere të ndryshme. Reputacioni i shkrimtarëve, artistëve dhe muzikantëve i nënshtrohet lëkundjeve të lavjerrësit.

Pra, nuk ka asnjë alibi të flasësh për epërsinë e një kulture ndaj një tjetre?

Sot ne kemi bërë një rrugë të gjatë që prej sigurisë pozitiviste dhe “mendimi i ndritur” në përgjithësi. Duke ndjekur punën e Levy – Bruhl, i cili pas dyzet vjet kërkimi pranoi me sinqeritet se nuk mund të shihte asnjë “përparim” në lëvizjen nga magjikja te mendimi logjik dhe që të dyja duhej të bashkëjetonin në mënyrë të pashmangshme tek njeriu, të gjitha kulturat duhet të shihen si kultura që meritojnë respekt të barabartë. Më në fund kemi ardhur në pikën e dhënies së drejtësisë për ato që dikur quheshin me përbuzje “kultura primitive”.

Megjithatë, ju jeni të pakënaqur me edukimin në shkolla dhe universitete. Çfarë i mungon sipas jush?

Kur isha i ri, më detyronin të gëlltisja një mal me fakte që i harroja sa më shpejt të mundesha. Në gjeografi, për shembull, mbaj mend vetëm Kepin e Shpresës së Mirë dhe Kejp Hornin[1], dhe ndoshta vetëm sepse përmenden shpesh në gazeta. Kanë thënë dikur se kultura është ajo që mbetet kur ke harruar gjithçka tjetër. Për një qenie njerëzore, të mësuarit do të thotë të marrësh pjesë, të zbulosh dhe të shpikësh. Nëse njerëzit duan të përparojnë, duhet të formojnë mendimin e tyre, edhe nëse, ndonjëherë, kjo do të thotë të bësh gabime dhe të duhet të kthehesh përsëri në fillim. Ata duhet të eksplorojnë shtigje të reja dhe të eksperimentojnë me metoda të reja. Përndryshe, ne, në rastin më të mirë, thjesht do të krijojmë një racë studiuesish ose, në rastin më të keq, krimba librash ose papagaj që nxjerrin fraza të gatshme nga librat. Libri është një mjet i mrekullueshëm, me kusht që të mos na pengojë të vazhdojmë kërkimin tonë.

Si e shihni rolin e edukatorit?

Sipas etimologjisë, të edukosh do të thotë të zhvillosh, të nxjerrësh atë që ekziston në formë embrionale, të përmbushësh potencialin. Kjo “punë”, ky proces nga mësuesi rrallëherë realizohet plotësisht dhe kjo ndoshta është origjina e të gjitha gabimeve të sistemeve tona arsimore. Nxënësit duhet të detyrohen t’i bëjnë vetes pyetje dhe të binden për padijen e tyre dhe tonën, në mënyrë që të jenë të përgatitur jo vetëm të bëjnë pyetje, por të mendojnë vetë, edhe nëse nuk janë dakord me ne. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që ata të jenë në gjendje të bëjnë gabime dhe që ne të pranojmë pyetje dhe qasje që mund të duken të çuditshme. Duke pasur parasysh këtë gjendje shpirtërore, studentët do të kuptojnë se realiteti është pafundësisht më i ndërlikuar dhe më misterioz se zona e vogël që përfshin njohuritë tona. Çdo gjë tjetër do të pasojë vetvetiu. Kjo është ajo që krijon pyetje dhe siguri, përzierja e traditës dhe risisë që përbën dinamikën kulturore. Siç ka thënë Kanti, njerëzve nuk duhet t’u mësohet filozofia, por duhet t’u mësohet të filozofojnë. Kjo është metoda e “Dialogëve” të Platonit, e mbështetur në shkëmbimin e drejtpërdrejtë, spontan, gjatë të cilit lindin pyetje nga vetëdija jonë për padijen tonë themelore.

Mund të na jepni një shembull konkret?

Shumë kohë më parë, udhëtova nëpër Patagonia[2] hipur në xhip me një pylltar i cili më tha se sa shumë po zvogëlohej pylli pas zjarrve të njëpasnjëshëm. Ai më tregoi për rolin mbrojtës që luanin selvitë, të cilët i krahasoi me heronjtë stoikë të gardës së ushtrisë, pasi ato sakrifikohen për të vonuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur pemët e tjera. Kjo më bëri të pyes veten se si do të ishte mësimi i gjeografisë nëse do të lidhej me luftën midis specieve, pushtimin e oqeaneve dhe kontinenteve dhe me historinë e njerëzimit, e cila varet nga mjedisi tokësor. Në këtë mënyrë, nxënësi do të krijonte idenë e një aventure të vërtetë, të një beteje emocionuese kundër forcave armiqësore të Natyrës dhe të historisë. Larg peshës së vdekur të njohurive enciklopedike, vëllimeve të pluhurosura dhe ideve të gatshme, njohuritë e ripërtërira kësisoj do t’i jepnin çdo nxënësi vazhdimisht ndjenjën e zbulimit dhe pjesëmarrjes në një histori shekullore. Për shembull, të gdhendësh në mënyrë të pashlyeshme në mendjet e studentëve gjeografinë e ndërlikuar të kontinentit amerikan, si përvojë e jetuar dhe jo e mësuar nga libri, a nuk do të ishte mënyra më e mirë për ta mësuar përmes aventurave të eksploruesve të mëdhenj si Magelani apo konkuistadorë të tillë si Kortesi? Duhet të jemi të formuar, jo të informuar. Siç ka thënë Montaigne, “duke mësuar përmendësh, nuk mëson”. Çfarë manuali emocionues i gjeografisë dhe etnologjisë për adoleshentët do të ishte “Rreth botës në tetëdhjetë ditë” i Zhyl Vernit! Duhet të ngjallim habi për misteret e thella të universit. Po ta mendosh, çdo gjë në univers është e habitshme. Por njohja na ka bërë të dëshpëruar dhe asgjë nuk na habit më. Duhet të zbulojmë ndjesinë e të mrekullueshmes.

Ju rekomandoni mësimdhënien “me prapavështrim”, duke filluar nga e tashmja për t’u kthyer në të kaluarën.

Besoj se mënyra më e mirë për t’i bërë të interesuar të rinjtë për letërsinë është të fillojmë me autorë bashkëkohorë, gjuha dhe shqetësimet e të cilëve janë më afër shpresave dhe frikës së studentit. Vetëm më vonë ata mund të kenë interes për atë që shkruan Homeri ose Servantesi për dashurinë dhe vdekjen, shpresën dhe dëshpërimin, vetminë dheheroizmin. Enjëjta gjë mund të bëhet me historinë duke gjurmuar rrënjët e problemeve aktuale. Është gjithashtu një gabim të përpiqesh të rrokësh gjithçka. Duhet të jepen mësim vetëm disa episode dhe probleme thelbësore, të mjaftueshme për të siguruar një strukturë. Duhet të përdoren pak libra, por duhet të lexohen me pasion. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur që leximi të duket si një shëtitje në një varrezë të botëve të vdekura. Leximi është i vlefshëm vetëm nëse shkakton një shkreptimë mendjen e lexuesit. Ekziston një lloj mësimdhënie pseudoenciklopedike, e lidhur me mësimin e librit, e cila është një formë vdekjeje.  A thua se nuk kishte kulturë para Gutenbergut!

Për vite me radhë keni vënë në dukje rreziqet e qenësishme të armëve bërthamore, në garën e armatimit dhe në konfrontimin ideologjik në mbarë botën. A nuk janë trazirat e viteve të fundit, dhe veçanërisht muajt e fundit, duke e hequr një pjesë të forcës nga ky mesazh?

Nuk jam i sigurt për këtë. Para së gjithash, përhapja e armëve bërthamore është një fakt. Shumë vende tashmë kanë “mini-bombat” e tyre atomike dhe një reaksion zinxhir që fillon me disa veprime terroriste të papërgjegjshme nuk mund të përjashtohet. Por ky është vetëm aspekti thjesht “fizik” i çështjes, ai i përbindshmi. Ajo që më shqetëson vërtet është katastrofa shpirtërore me të cilën përballet epoka jonë, e cila është rezultati i trishtuar i shtypjes së forcave të pavetëdijes në shoqërinë bashkëkohore. Jetojmë në një epokë të ankthshme, neurotike, të paqëndrueshme, prej nga vjen shpeshtësia e çrregullimeve psikosomatike, rritja e dhunës dhe e përdorimit të drogës. Kjo është një çështje filozofike dhe jo policore. Deri vonë, rajonet “periferike” të botës ishin të paprekura nga ky fenomen. Në Lindje për shembull, si dhe në Afrikë dhe në Oqeani, traditat mitologjike dhe filozofike ruanin një harmoni të caktuar midis njeriut dhe botës. Kjo katastrofë mendore po na çon drejt një shpërthimi të tmerrshëm psikologjik dhe shpirtëror, i cili do të shkaktojë një valë vetëvrasjesh dhe skena histerie dhe çmendurie kolektive.

Nuk shihni asgjë pozitive në këtë bilanc?

Ndoshta po, por sinqerisht dyshoj se i përkas një race që është në rrugën e zhdukjes. Unë besoj te arti, dialogun, liria dhe dinjiteti i qenies njerëzore si individ. Po kujt i interesojnë sot marrëzi të tilla? Dialogu ia ka lënë vendin fyerjes dhe liria burgjeve politike. Cili është ndryshimi midis një shteti policor të krahut të majtë dhe atij të djathtë? Sikur paska tortura të mira apo të këqija! Duhet të jem reaksionar sepse ende besoj në demokracinë e mërzitshme, mediokre, të vetmin regjim që, në fund të fundit, e lejon njeriun të mendojë lirshëm dhe të përgatisë rrugën për një realitet më të mirë.

Revista, Art Nouveau, Gusht 1990


[1]  Pjesa më jugore e arkipelagut Tierra del Fuego e Kilit jugor, në ishullin e vogël Hornos.

[2]  Rajon gjeografik që përfshin skajin jugor të Amerikës së Jugut.

Exit mobile version