Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ermira Xhomaqi-Godo: Përkthimi si akt lirie

Ermira Xhomaqi-Godo: Përkthimi si akt lirie

Kjo vepër e Victor Hugo-së kushtuar Shekspirit, vjen në shqip për herë të parë. Vjen si një amanet e një dëshirë e fundit e tim gjyshi, si një akt lirie më shumë se letërsi. Ajo shënon në dy rrafshe konvergjente kohën dhe realitetin e pamundshëm në të cilin u realizua dorëshkrimi i këtij përkthimi e mbi të gjitha përzgjedhjen kuptimplote të tij, prej një intelektuali vizionar të mbrujtur me etjen për liri, me dëshirën e arratisjes prej një bote të prangosur, duke i dhënë kuptim fillit të shprehjes së një të vërtete e cila mori udhë mes atyre ditëve që jetonte, e të tjerave që Abdulla Rami kish lënë pas në internimin e tij…

Dhe imagjinata më sjell përpara syve imazhin e atij burri në të 60-tat i cili ngrihej herët në mëngjes, kur të gjithë ende flinin, i paqtë, e i pazhurmët, zinte vend në tavolinën e drunjtë, ulur në një karrige të vjetër atje në fundin e dhomës, ai fillonte të shkruante nën dritën e feksur të agut, me frymën e shpresës së dëlirë, me ëndrrën e pritjes së një dite të re, me kujtimet e Montpëljesë në zemër, nën kërcitjen e llozeve a rënkimin e çelësave të qelisë strukur diku në mendje, vazhdonte të përkthente Hygonë në ritualin e tij.

Dita i zbriste ngadalë ndër fletët e lidhura me fije spango dhe ai kujtohej se duhej të merrte saora shatin e të shkonte të hapte kanale e të prashiste në vreshta. Dhe nisej sërish me Hygonë në trastën e bukës, në mendje e në mendime, mbetur në fillin e një vegimi të cilit nga rraskapitja dhe lodhja e orëve të gjata, s’mundej t’ia kuptonte më kthjelltësinë.

***

Ky përkthim nisi në vitet e internimit të Ramit dhe dorëshkrimet e para të lëna prej tij u takojnë fundit të viteve ’60, kur i sapo liruar nga burgu i Burrelit, dhe i detyruar të punojë në punë tejet të vështira, ai projektoi sjelljen në shqip të kësaj vepre. I dëbuar në Gosë të Kavajës, në një shtëpi të zbrazët, të zymtë e të trishtë, në pamundësinë totale të botimit apo edhe të deklarimit të kësaj pune, dorëshkrimet e tij u ruajtën prej vajzave të tij për vite e vite me radhë në një sënduk të vjetër prej druri dhe u rikopjuan tërësisht me shkrim dore nga tezja ime e mirë. Është kjo një përpjekje shumëvjeçare për t’ju përcjellë pasardhësve jo vetëm një kryevepër të Hugo-it por edhe gjurmë e një pjese të shpirtit të tij, të cilat shënojnë arratisjen e një mendjeje drejt një bote të lirë, drejt një bote të munguar por të ëndërruar, shënojnë mundin e tij për të reflektuar veten në trajtën e fjalës së Hugo-së, si një varg dëshirash, idealesh e ëndrrash të pashprehura të cilat kërkojnë të mbijetojnë, të mos humbasin e të pulsojnë… Dhe pikërisht kështu të mund të mbetet ajo më e mira, më e vërteta, e ndoshta më e bukura e asaj kohe të trazuar e të vështirë.

***

Mërgimi i Hygoit dhe internimi i Ramit, këto dy realitete paralele të cilat në harkun kohor të 150 viteve ngjizën ardhjen e kësaj vepre fillimisht në frëngjisht e më pas në shqip, i japin kësaj vepre simbolikën e një homazhi të dyfishtë dhe e bëjnë atë të mbërrijë si një dhuratë e çmuar ardhur prej një nxënësi të Liceut Francez të Korçës, një studenti  të Montpëljesë, një juristi të së drejtës kombëtare, një intelektuali e avokati antikonformist, një burri qëndrestar e të palodhur të cilit, njëzet vitet më të shndritshmet të jetës së tij iu grabitën padrejtësisht. Vjen si një dhuratë falur atdheut e kombit të vet, me dëshirën e detyrën fisnike për t’ia shtuar thesarit të përkthimeve të shqipes, ndonëse shkruar mes dhimbjesh e pamundësish, kjo vepër mbart në çdo paragraf, në çdo fletë e në çdo kapitull diçka përtej reales, përtej materiales dhe letërsisë.

***

Të përkthesh Hugo-në me besim, me thjeshtësinë e ndershme dhe krenarinë entuziaste, duke u lëshuar i tëri mbi të, pa iu trembur asgjëje, pa anashkaluar e fshehur detajin, duke ia zhveshur mendimin deri në lakuriqësi, pa ia përdorur penën për të gënjyer nën të, larg zbukurimeve të panevojshme, e duke ia drejtuar çdo gërme, çdo fjale, çdo paragrafi e fjalie pareshtur pyetjen: A jam prej tij, a jam e tij? Pa u tkurrur përballë penës së këtij gjeniu e kësaj mendjeje kolosi, të pranohet sikur vetë Hugo të fliste në shqip, duke e derdhur në forma transparente mendjen dhe gjuhën e tij, të përkthehet frëngjishtja e vitit 1864, duke mos i vënë aspak maskën kirurgjikale përkthimit, e duke i mbetur besnik urnës së madhështisë së tij, e cila në këtë ese mbart njëkohësisht e të shtresëzuar krejt përkufizimin individualist e kolektiv të artit të angazhuar si thelb të demokracisë! Ç’ndërmarrje e bukur, por sa e vështirë! 

Çfarë ndjesie të lexosh Hugo kur shkruan: “Lajkatimi i popujve është më i keq se lajkatimi i mbretërve. Njëri është i ulët, tjetri është i poshtër… Jo, popujt s’kanë të drejtë t’ua hedhin gjithnjë fajin qeverive! Pranimi i shtypjes nga i shtypuri përfundon në bashkëfajësi… ka solidaritet të konsiderueshëm dhe turp të ndarë midis qeverisë që e bën të keqen dhe popullit i cili ia lejon atë. Vuajtja është për t’u nderuar, ndërsa nënshtrimi për t’u përbuzur. Vijojmë.”

***

Vdekja e papritur e Abdulla Ramit, në 29 Janar 1973, nuk i dha atij mundësinë ta rishikonte dorëshkrimin, megjithëse edhe në hartimin fillestar të tij, ai transmeton qartazi, elementet thelbësorë të kësaj vepre-manifest, filozofinë e saj, e cila, duke shpalosur një letërsi hygoiane krejtësisht të angazhuar, fshikullon mbarë mbështetësit e sistemeve diktatoriale e autoritare, diktatorët e tiranët, mbretërit e lakejtë e tyre. Kjo vepër është e vetmja ese dhe reflektim i Hugo-së mbi letërsinë.

“Uiliam Shekspir” shënon në rrjedhën e shekujve pikëtakimin e mendjeve më të ndritura me të vërtetën dhe historinë. Ndaj për të hyrë në botën hygoiane e në frymën e saj, të duhet një bibliotekë e tërë. Duhen shfletuar gjenitë e kohërave: nga Homeri, tek Jobi, nga Eskili, tek Isaiu, nga Ezekjeli, tek Lukresi e Juvenali, nga Tasiti, tek Pavli, Jani, e Dante, nga Rabëleja, tek Servantesi, e Shekspiri, duke përshkuar kritikë, botues, komentatorë, novela, romane, kronika, drama, komedira, mbarë veprat e tyre… Dorëshkrimi duhej plotësuar e përmbyllur. E kështu mbi bazën e tij, fillova punimin dhe redaktimin e çdo kapitull i cili është punuar disa herë mbi origjinalin në frëngjisht, e kompletuar me shpjegime dhe footnotes të nevojshme në zbardhjen e kuptimësisë më të plotë të tij, duke u bërë njësh me idenë e Ekos (Umberto Eco) se përkthimi është një “proces vendimesh e negocimi”[1].

Puna ka qenë e vështirë, e lodhshme dhe thuajse e frikshme… Në brendësi të këtij  dorëshkrimi sa të koduar po aq edhe të ndriçuar ku shfaqej historia, filozofia, gjenia, shpirti, ringjallja, mbreti e mbretëria, ajo që prekja në duar ishte një thesar i brishtë, në aspektin brendatekstor të të cilit herë lëkundesha e vallëzoja në morinë e kohës së foljeve të cilat përplaseshin lirshëm në ndjeshmërinë e spektrit të shqipes, e herë pengohesha e gati rrëzohesha në pafundësinë e proverbave, anekdotave, lojërave të fjalëve, përemrave pronorë, prapashtesave, fleksioneve “-onjëse”, etj, etj,  pasi ky dorëshkrim ishte punuar përpara vitit 1973, domethënë përpara Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Dhe puna kërkonte sërish hulumtime, përqasje në kohë, e përsëri reflektime, pse këto janë probleme të cilat padyshim i dalin përpara çdo përkthyesi, e bëhen edhe më komplekse pasi kjo vepër, përpos gjithçkaje, është një nga më të vështirat, e më filozofiket të Hugo-së. Arsye për të cilën një konsultim me kritikën franceze dhe një ripunim me versionin anglisht të saj m’u paraqit mjaft frytdhënës dhe produktiv. Rrafshi i këtyre dy gjuhëve nuk është i njëjtë: anglishtja është saksone, frëngjishtja është latine. Aksi i padukshëm i valëvitjes së reve në përkthim qëndron shpesh i pakapshëm në fjalinë frënge, dhe bota e ndjesisë anglosaksone i jep asaj, pa e shpërndarë e deformuar, një fllad qartësimi duke e integruar në mënyrë të rafinuar në frymën e shqipes. Sepse në fund të fundit çfarë është përkthyesi? Nëse është fjala për ta nderuar,  – pak; nëse është fjala për ta persekutuar, – gjithçka. Ndaj të kesh lexuar Homerin nuk mjafton, duhet lexuar Jobi, të kesh lexuar Eskilin nuk mjafton, duhet lexuar Isaiu, të kesh lexuar Ezekjelin nuk mjafton, duhet lexuar Lukresi, të kesh lexuar Juvenalin nuk mjafton, duhet lexuar Tasiti; të kesh lexuar Pavlin nuk mjafton, duhet lexuar Jani, të kesh lexuar Danten nuk mjafton, duhet lexuar Rabële, të kesh lexuar Servantesin nuk mjafton, duhet lexuar Shekspiri, të kesh lexuar Shekspirin nuk mjafton, duhet lexuar Hugo, të kesh lexuar “Të mjerët”,  “Njeriu që qesh», «Katredralja Notre-Dame”, “Viti 93”… nuk mjafton, duhet lexuar domosdoshmërisht “Uiliam Shekspiri”!

***

Të rrokësh gjeninë, të kapësh fillin e gjigantit është tronditëse. Një thirrje e hapur për luftë, një dëshirë e pamatë dhe sfiduese, pasi në duar ke jo vetëm dorëshkrimin e një përkthimi, por edhe një emër, një histori, një ndjesi, një përjetim. Hugo është kolos, Hugo është stoik, Hugo është i saktë e i përplotë, Hugo të ikën, Hugo të shpëton, Hugo në ekstazë të rrjedh si ai lumi i rrëmbyeshëm i emocioneve njerëzore që derdhet pafundësisht e vrullshëm në thellësinë e urnës së lotëve. Hugo duhet ndjekur… Për shkrimtarët viganë duhen lexues e përkthyes atletë… Hugo të tejmbush me idenë, me shprehjen e pamatë, me klithmën kumbuese të një Olimpiani, përmes stilit, përmes gjuhës, përmes kepave mes oqeanit, mes vetmive të ftohta, mes hapësirave të errëta e plot silueta të papërcaktuara, mes vendeve të nxehta, të shndritshme e të zbehta; thurur mes hënës e diellit të tij, ku spikat jugun mes veriut, ditën mes natës; rrezen mes mjegullnajës, kuptimin metafizik, filozofik e politik, kundrejt atij historik e legjendar.E gjithë kjo përpjekje për të transmetuar në më të mirën e mundshme këtë manifest hygoian, ku nga fleta e parë e deri tek e fundit, mbi tastierën e kompjuterit, më mbetej gjithnjë e pranishme pesha e përgjegjësisë së madhe, si ajo mjeshtëria në farkëtimin e një çelësi të artë shkence, për të çelur portën e kësaj proze-poetike në gjuhën shqipe e mundësisht në nivelin e saj më të mirë.

E gjithmonë me besimin në zërin e heshtur të tim gjyshi, i cili në përzgjedhjen e kësaj vepre shfaq njëkohësisht mirënjohjen ndaj dy kombeve e dy gjenive: Francës me Hugo-në dhe Anglisë me Shekspirin; admirimin ndaj dy gjuhëve: asaj burimore tek e cila qëndron admirues e i ftuar, dhe asaj pritëse në të cilën banon dhe mbetet biri. Ky përkthim përcjell një mesazh të përshpirtshëm dhe hyjnor, mesazhin e një akti lirie, të një bashkëbisedimi në heshtje, midis dy kohëve, dy epokave, dy botëve, me dëshirën dhe punën e një Sfinksi, me guximin dhe vullnetin e përbashkët, sepse për ta sjellë këtë vepër të Victor Hugo-së në shqip, u deshën jo pak, por një gjysëm shekulli… dhe Tre Breza!

Paris, Janar 2022


[1]  “Të thuash gati të njëjtë gjë” – Umberto Eco.

Exit mobile version