Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ermira Alija: Përse vazhdon të ribotohet romani “Të çmendur në parajsë” i...

Ermira Alija: Përse vazhdon të ribotohet romani “Të çmendur në parajsë” i Virion Graçit?

Të jep një kompleks ndjesish romani “Të çmendur në Parajsë ” i Virion Graçit. Stuhia e mendimeve dhe e emocioneve që provokon, i ka rrënjët e thella dhe ti si lexues e kupton se ato mbartin shumë gjëra mbas vetes.

Gjithçka fillon me lirinë. Ajo provokon tek personazhet e romanit standardet e tyre të vlerësimit për disa realitete të jashtme dhe të brendshme; provokon një krizë të raporteve të vetjeve të tyre: vetjes ekonomike, familjare, shoqërore, kombëtare… 

Ku po shkoj unë? Unë!?

Pa vendin tim, pa gjuhën time, pa shokët e mi. Pa gruan time, pa djalin tim, pa emrin tim, pa …

Kriza e fortë ekonomike i shtyn personazhet e romanit të shkelin rregulla, të shkojnë për të punuar në një vend të huaj ilegalisht. Kjo i bën të ndeshen me një realitet ndryshe, të pambrojtur nga ligji, në dorë të njerëzisë. E kështu, edhe liria e njerëzisë së huaj (si individë, si opinion shoqëror, si institucion), vihet nën provokim. 

Ky është ambienti në të cilin zhvillohen ngjarjet e romanit, ambient që hap mundësi për shumë shfaqje, përtej emërtimeve: 

Polici shqiptar na shtyn me shkopin e gomës …

Duhet ta lirojmë xhadenë… të kalojnë makinat shumëtonëshe. Makinat e tregtarëve, doganierëve…

Panajoti dhe Rexhepi u pëlqyen shumë shpejt midis tyre.

Madje unë jam tërhequr ca para kësaj miqësie bashkëmoshatarësh të ndryshëm.

Secili bisedon në gjuhën e vet pa e kuptuar tjetrin dhe kështu vazhdon ky komunikim shembullor dhe komik.

E shikoj në bebëza në mënyrë pyetëse. Me ankth. Ai pohon…

Një avull i ngrohtë më djeg lëkurën e zverkut.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin.  Të çmendur në Parajsë  guxon ta prekë atë realitet, të shfaqë caqe të pacekura të tij, ndoshta tabu. Luan me të kundërtat e valencave dhe parapëlqen të paraqesë skaje njerëzore, duke refuzuar pozicionimin:

Merina fiton shumë. Mbledh para … i ngelen dhe për veten …

Sa shumë ngjan me Lorën. Si dy pika uji. Lora u shpërbë.

U nda në disa pjesë: një djalë, një kufomë, një varr dhe një braktisje.

(Lora) Është një planet pa jetë. Një planet që kërkon orbitë.

Kërkon një orbitë të shuar. Një orbitë që nuk ka ekzistuar.

Një orbitë që nuk ka ekzistuar kurrë …

Një orbitë e imagjinuar.

Sana shikon si fajtore. Nuk ka se ku të mbështetet. Gjithçka rrafsh. Rrafsh.

Gjithçka që ndodh në roman vjen tek lexuesi si e vërtetë subjektive, që lëviz:

Nuk di të sillem. Jeta s’gjendet në trupat tanë. Jeta gjendet në lëvizje. Në shtegëtim të pandërprerë.

Gjithandej, asgjëkundi, gjithandej, asgjëkundi?!

Autori rrëfen duke provokuar me fjalë ndjesi, që nuk është e lehtë t’u vihet emër:

Lëshohem i tëri në një humnerë vdekësie.

Në një humnerë të shtruar me mjegull dhe shkurre të gjelbërta.

Në fund të saj është një yll i bukur. Turrem drejt tij. …

 I afrohem pafundësisht. Ai ndalet. Ndahet. Coptohet.

Në qindra pjesë. Në tre pjesë. Qindra yje me të njëjtën fytyrë. Një lloj. Qindra.

Shkas pambarimisht në thellësirat e mistershme të humnerës.

Mjegulla ngjishet dhe forcohet, kurse shkurret më mbajnë copa lëkure.

Psherëtij. Dhe pres sopatën e mprehtë të më godasë në shenjë, në gjoks, në kokë.

Majat e pemëve mbajnë mbi krye zymtësinë e qiellit. Yjet janë shuar.

E çuditshme se si ndjesitë në roman e tejkalojnë mendimin. Të shtrira përgjatë romanit, duket se fitojnë një lloj pavarësie, si një lloj e vërtete që është e paaftë për të qëndruar vetëm. Dhe kjo e vërtetë nganjëherë shfaqet si haraç i lartë i prishjes së raportit konvencional të vetjeve: 

−    Ju doni të më vrisni, − thotë më pas fare qartë.

−    Jo. Lora. Unë të dua.

−    Ti ike.

−    Ika të blinim shtëpi më të madhe.

−    Ti ike.

−    Ika por nuk ju harrova. Gjithmonë mendoja për ju.

−    Ti ike.

Herë shfaqet si haraç i një psikoze shoqërore, që e paguan preja e radhës:

−    Spiro ti nuk ke bërë asgjë të keqe, apo ke bërë? − më pyet ai me inat.

Sytë e kaltër i shkrepëtijnë. O njeri i mirë. O njeri.

−    Po. Kam punuar, kam punuar si skllav, kaq. Ky është faj i rëndë Panajoti.

Ai nxehet kurse unë prisja të qeshte me të madhe. Bërtet:

−    Ah, pushtat, − pastaj zbutet. − Rri urtë se të vrasin. Kjo është puna e tyre.

Herë si limit ekstrem i çbërjes së njeriut deri në mbijetesë:

Sana përdhe përkrah Fationit. Ky i fundit nuk është përmendur ende.

Dikush i ka futur midis këmbëve të mbathurat e gruas së tij, të njomura e të mbledhura shuk.

Sana fle me sy hapur. E shokuar.

Shpirti merr fytyrën e fatit.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin. E si mund të mos pranohet Parajsa?  Apo edhe Parajsa ka honet e saj?!

Gjithsesi romani nuk lexohet për të marrë përgjigje. Ai tejkalon limitet e kuptimësisë në favor të një letrariteti gati poetik:

Tani që Lora ka ikur, më lumturon optika e saj prej të çmendure. Më quajti … djalin … e saj… më quajti … djalin … tim… më quajti … Tori. Dhe unë rashë në duart e saj … i lehtë … si pupël … dhe i turbullt … si kjo … dritë neoni … rashë në duart e saj … dhe pashë si vdesin shekujt në konstruktet femërore… si vdesin teoritë dhe përgjithësimet … si vdesin vdekjet dhe lindjet, si vdes gjithësia dhe vdekja e gjithësisë … si vdes njeriu dhe vdekja e njeriut.

Autori vë në gojën e rrëfimtarit: …unë gjendem në sipërfaqen e gjithësisë. Tapë pluskuese…

Kjo është ndoshta arsyeja që romani përkthehet e vazhdon të ribotohet.

Shkodër, më 7/12/2021

Exit mobile version