Kreu Histori Epokat e Atë Gjergj Fishtës në shtypin e shkruar–Shkrime për Fishtën...

Epokat e Atë Gjergj Fishtës në shtypin e shkruar–Shkrime për Fishtën nga Poradeci, Stërmilli, Spasse, Repishti

Nga Andreas Dushi

Sipas studimit bibliografik të Lili Sulës me titull “100 vjet shkrime për Fishtën” (Skanderbeg books, 2009) shohim se për Atë Fishtën shkruhet për herë të parë në vitin 1904 në rubrikën Nel clero cattolico Albanese të gazetës La nazione albanese ku në faqen 9 të numrit që mban datën 15 prill 1904, njoftohet se Padër Fishta është dërguar në Mal të Zi për të bindur P. Leonardo Goiano të kthehet përsëri në Shqipëri. Një vit më vonë, fillon të shkruhet për Lahutën e Malciis, bleu i parë i së cilës ishte botuar po atë vit. Pastaj, përgjatë viteve, sa më i njohur bëhej Fishta dhe vepra e tij letrare e studimore si dhe aktiviteti diplomatik e politik, aq më të shpeshtë ishin shkrimet për personalitetin e tij, duke hapur herë pas here edhe polemika apo duke krijuar debate.

Pjesa më e madhe e njerëzve të kulturës dhe të letrave shkruajtën për të, në thuajse të gjithë periodikët dhe organet e shtypit që koha mundësonte. Në vijim, kemi përzgjedhur një pjesë të vogël, shkruar nga njerëz që me emrat e tyre krijuan një bazë të qëndrueshme mbi të cilën u ngrit letërsia shqiptare si Lasgush Poradeci, Haki Stërmilli apo Sterjo Spasse.

Por më përpara, po paraqesim pjesë nga dy poezi, pengje nderimi për Padër Gjergjin, botuar në numrin e posaçëm të “Zani i Shna Ndout” kushtuar atij me rastin e njëzet e pesë vjetorit të meshtarisë. E para është nga Atë Vinçens Prennushi dhe e dyta, nga Kristo Floqi.


Pêngu i nderimit – P. V. Prênnushi

T’falem, Atë Fishta: kandshem

Rrezet i reshi qilli

Mi ty, qi votra mkâme

Me msim qi nep Unjilli.

Me msim me vepra t’mara

Fjalët t’ua kjene fara

E nji uzdajës qi s’bjen.

Ty të lumtë! mahît e shekllit

Tu’i vû me kohë nên themer,

Me popull t’and ti deshte

Me kênë perherë nji zêmer:

Per popull ti qindrove,

Me popull veç jetove:

Shqypnija marë t’a rrfen.

Nên hije t’pagjët t’kuvêndit

Madhnove armët fatose;

Atdheu ty t’ndjeu, t’ndjeu bota,

E u bind. Ti vetë rropose

Pa shpatë idhujt e mndershëm,

E i dbove vêndit t’ndershem;

S’i lae kund me xânë vênd…

… Por s’hupin, jo, tokët t’ona:

Na i fali Perendija;

S’â tokë pa zot kjo e jona,

S’â tokë pa Zot Shqypnija.

Shqyptár, nuk ke pse tute;

Der sa nji jonë “Lahute”

T’kumojë, Shqypnija rrnon!


Kushtim mikut të dashtun e vjershtorit kombtar në zâ Atë Gjergj Fishtës – Kristo Floqi

… Mburret sot plaknesha Albiona,

Për byron e Milton Sakespearin

Mburren Teutonët per nji Goet’ e Schiller

Edhè Gallatët për Corneille e Racinin,

Për nji Cervantes Spanja Ibirike

E Poertogali me Camoens për Luisiadat,

Por se kujtonj nj’ashtû dhe Arbenia

Ka psè të mburret me ty, o At-Fishtë,

Qi me Lahutën e Malciis e aq të tjera

Vjersha lyrike e gjith farë zânit.

Atdheut nji shpirt të rii i fal’ e dritë.

Me lyrën e Xanonit e harpen e Naimit

Me të Kamardës luttën e lahutën t’ande

Kumoj dhe nj’hera Xana Arbnore,

-Qi sllig’e namun vllaget ja kish shterrë –

E deri lamsh i Dheut t’kthehet rrotull boshtit,

E të vettojnë hyllet nen të Qiellës kubë

Ka me gumxhitë e kjartë, madhshtore,

Mest shekujve, saa dit’ e Ruzullimit.


Dy janë shkrimet e njohura të Lasgush Poradecit për Padër Gjergjin: Gjergj Fishta lirik, shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar dhe At Gjergj Fishta vazhdimtar në mendimin e kombit. Ngase shkrimi i pare është goxha i njohur, në vijim mund të lexoni shkrimin e tij të dytë, botuar në Tomori i Vogël, janar 1943.

Nga Lasgush Poradeci

Fryma, Parim i perëndishmë që përpara herës, Mendim krijonjës dhe përmbajtës i bërë fjalë për të urdhëruar të-vetat, qëndronj, si në fillim të qënies, mi faqen e valëve në fillim të Ringjalljes shqiptare. Ky ish Mendimi Kombëtar, Fryma, përmbushëse e destinit të një Kombi. Ishte Shpirti i përmbajtjes që u bë Fjalë dhe njeri për t’u lajmëruar. Me këtë Frymë në gojë, Parim jetëdhënës, u dërguan Dërgimtarët shqiptarë në botën shqiptare, lajmëtarët e Mendimit të Kombit.

Ç’ishte ky Mendim – Frymë, Fjalë, Parim drite i pavdekur? Ish Mendimi i vetëdijes. Fjala e jetës shqiptare. Ajo ndrit errësirën dhe hap të fshehtën e punrave. Gjen dhe shpall të Vërtetën. Bisedon, për të njohur të Vërtetën shqiptare, edhe Zotin vetë, të Cilin e parashtron kombëtarisht mi tryezë. Dhe gjen pra kësisoj prej ndarjes dhe përçarjes së vjetëruar, bashkimin kombëtar më fenë dhe më Zotin.

Ky ish mendimi i bërë Fjalë në gjuhën e Dërgimtarëve të Kombit, të atyre që parapërgatitnë Rilindjen, të atyre që e ndërtuan, dhe të atyre që e vazhduan me Frymën e parë, e cila do të mbetet, siç është, e përgjithnjëshme. Me këtë mendim në zemër e në gojë u vërsulë drejt qiellit të Kombit, si parathënës të perëndishmë, Naum Veqilharxhi në Rumani, Efthim Mitkua në Egjipt, Anastas Kullurioti në Greqi, Hallaramb Koçi në Rusi, me gjithë vargun e bashkëvalletarëve brenda dhe jashtë Atdheut. Me këtë Mendim, Mendim të Kombit në zemër e në gojë, muar hov Dërgimtarët e Frashërit, në ballë Naim Frashëri, Pashko Vasë Pasha Shkodrani, Mihail Gramenua, ndërtimtarë të Rilindjes. Me këtë Mendim vetëshugurohet At Gjergj Fishta vazhdonjës në udhën e Dërgimtarisë shqiptare.

Vjershëtori Naim Frashëri, një bektashi shqiptar, puth Krishtin në emër të Kombit dhe dyke e adhuruar, lajmëron përmbledhjen e madhe të Shqiptarëve në Fenë e përbashkët të atdhedashurisë. Fjala e tij është Frymë, Parimi, Shpirti i përjetshëm i Dërgimtares shqiptare:

Djalëth, njeriu i Perëndisë,

Zot, ti ke vuar.

Dhe dashurinë e bëra besë,

Të qofsha falë!

Diplomati Pashko Vasa, një katolik shqiptar, sodet vetëveten për të gjetur Mendimin e Kombit, dhe dyke e gjetur lajmëron gas të rëndë, në atë Vajën e tij që është vërtet Himni i math shpëtimtar, marshi bashkonjës i fateve shqiptare në Mendimin e Kombit, në Fenë e përbashkët të Shqiptarisë:

          Çohni, Shqiptarë, prej gjumit çohni,

          Të gjith si vllazën në nji bes’ shtërngohni

          Edhe mos shikoni kisha e xhamija,

          Se feja e Shqiptarit asht Shqiptarnija.

Kryengritësi Mihal Grameno, një orthodhoks shqiptar, këndon vjershëtorët dhe dëgjon veteranët, mëson Mendimin e Kombit dhe shpall Shpirtin, Vëllazëri e pandarë, Fe kombëtare:

          Njëri në kisha, tjetri në xhamija,

          Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot.

(poshtë) Atë Gjergj Fishta, Asdreni (lart) Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi.

Edhe prifti Gjergj Fishta, Vazhdimtar në udhën e Kombit, Frymëtar i Fjalës, solli Dhuratën e vet në Adhurimtoren e Atdheut – Shpirt, Mendim i Parathënësve të Shqipes. Ay e solli me gjith vargun e shprehjeve bashkimtare dhe vëllazërmitare fetare të falura në gojë të polemit shqiptar dhe të krerëve shqiptarë dhe të udhëheqësve shqiptarë, të cilët lidhin besë e fe shqiptare ndaj Rezikun – Mendim i kombit, Parim atdhedashurije. Më shumë, sepse dyke bërë dorëzim pavdekësisë, ay i-a pruri dhuratën Lahutës së tij me kombëtarësimin e fatosit shkodran Oso Kuka, të Ali Pashë Gusinjës dhe të Hajrijes në pavetëdije, të ridhënë Atdheut përngahera nga humbja e mosqënies. Veprimi krijimtar i Gjergj Fishtës, i këtij krijimi kombëtar të vetëdijshëm prej kombësisë shqiptare së pavetëdijëshme, është ay i endjes, së pari, nëpër Purgatorin e vetëvetes spastronjës, ay i faljes në Adhurimtoren e Mendimit të Kombit. Si një kushtimtar i vyer për punën e kushtimit të tij, m’a pat bërë Fishta, vetë ay me gazin e fjalës së vet, këtë Apokalipsë të madhe shqiptare. Vajta t’a shoh rishtas më 1937, në Shkodër në Kuvend. S’e gjeta… Ardhi më mori… Folmë mi mjeshtëri të vjershës në atë tryezë përallore. Në librën t’ime të falur, i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:

          Njeriut të Zotit meditans dhe militans,

          Burrit shqiptar përfaqësonjës,

          Më të madhit epik të shekullit.

Si shpërblim fisnikërije për këtë të vërtetë, Fishta më përkëdheli – toskërisht: “Lasgush, unë mirë të lexoj, mirë kuptoj. Ajo mënyrë e brëndshme është mundim, vojtje. Edhe unë do të mundja të shkruaj ashtu, veçse druhem…”. “Pater, shkruaj pasi e kam mundur dhëmbjen dhe vojtjen, pasi jam pastruar – në kujtim…” Atëherë, Fishta pohoj dyke u zbuluar: “Vërtet, kam bërë unë kështu me Oson, Alinë, Hajrijen…”

M’a shpjegoj pastaj i çelur në zemër atë vepërim kurreshtjeje të fshehtësirave të punëtorisë vjershëtore, që është fshehtësija e forcës dhe e fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar, Frymë, Parim, Fjalë e përjetshme e Mendimit të Kombit.

Një prift tjetër, Fan Noli, Dërgimtar shpirt Dërgimtari i Shqipes, bëri më vonë prej këtij Mendimi të Kombit Mendimin e Flamurit të therrorisë dhe të Bashkimit të shentë kombëtar:

          Flamur! që linde Shen Kostandinë!

          Bashkon Islaminë me Krishtërimnë!

          Flamur: altar për therrori!


Po aty, në atë numër të posaçëm për Fishtën, gjendet edhe shënimi i shkurtër i Haki Stërmillit:

Deri n’agimin e lumtun të lëvizjes s’onë kombëtare që nisi me Ligjën e Prizrendit, mund të thuhet sa të pakë qenë poetët që kënduen e vajtuen për kët popull të strukun në kët kand të siujdhesës Ballkanike. Poetët popullorë, si e dijmë të gjithë, nuk qenë në gjëndje e n’at nivel kulturuer që të mund të shpreheshin në mënyrë të shkëlqyeshme për me ngacmue ndërgjegjen e këtij Kombi të flijuem gjatë shekujve për lirin e adhurueme. Vetëm mbas Lidhjes së Prizrendit, Shqipnia pat fatbardhësin me e ndigjue zanin e ambël të poetit të vërtetë që kumboj ndër vargje të harmonishme për lirin e shtrenjtë. Dy yj u dukën atëherë, me të tanë shkëlqimin e vet, në Qiellin e kaltërt t’Atdheut të Kastriotëve të squllosun mija herë me gjak martyrësh e herojsh. At Gjergj Fishta në Veri dhe Naim Frashëri në Jugë.

Prodhimi poetik i këtyne dy viganëve të letërsis s’onë, e zgjoi, e mëkoi dhe e flakëroi ndërgjegjen kombëtare të popullit, i cili me të tanë hovin burrnuer që e shquen dhe me të gjitha forcat e shpirtit që e pasunojnë, u hudh në luftën e shenjtë për rifitimin e liris së humbun qysh nga perendimi i epokës së lavdishme Skenderjane.

At Gjergj Fishta, me zotësin e vet të pashoqe, dijti me e argëtue shpirtin e ganduem të Kombit dhe me e përtëri me forca të pashterruna bese e burrnije, pajë e trashëgueme prej stërgjyshavet t’onë krenarë. Lahuta e Malësis, Mrizi i Zanave dhe Anzat e Parnasit përbajnë tre diamantët e shkëlqyeshëm në kunorën e lavdis së tij të përjetshme dhe e ngjisin në kikël të poezis shqiptare. Ai luejti, me anë të veprave të veta poetike, nji rol kryesuer e të shënuem në përgatitjen e Kombit për ngadhnimin e 1912-ës.

Zbrazësia që la At Gjergji, tue u largue nga mezi i jonë për në jetën e amshueme, urojmë të mbushet sa më parë e të zavendësohet prej ndonji të riu që t’i napi fund mâ vajit dhe t’i këndojë liris, bukuris e virtytit të racës s’onë të pandragun kurrë.

Tue e përkujtue humbjen e këtij poeti të madh që polli nana Shqiptare, përulemi përvujtnisht para shpirtit të tij dhe lusim t’a lusë Hyun për Kombin e Atdheun t’onë që ai aq fort vajtoi e këndoi.


Ndërkohë, pak pas vdekjes së autorit, Shkolla Shqiptare e hap një numër të hartuar posaçërisht për këtë rast me një shkrim të Sterjo Spasses me titull “Me lyrën e me veprën e A. Gj. Fishtës”:

… Dikur Naim Frashëri me lyrën e vet këndoi zulmën e Skënderbeut, atë zulmë që duhej të përtrihej në rembat e të gjithëvet për t’u-ringjallur kombi i ri. Bota gëzohej për famën e dikurëshme të shqiptarvet, mirpo n’ata të soçmit nuk gjente asnjë dell Kastrioti. Thua se raca e jonë kishte mbaruar që përpara pesë shekujvet! Por ky mohim ishte padrejtësija më e madhe që i bëhej racës s’onë. E klithmën e fortë t’ankimit e të dëshpërimit, klithmën alarmonjëse për armiqtë e për atdhemohonjësit e nxorri A. Gjergj Fishta:

Por po kisht’ besa, Shqyptarë,

Kisht, Shqyptar’ zemër bujarë…

Burra t’urt’, trima luftarë,

Qi s’po u tutshin kta me dekë

M’erz a m’tok’ me pas’ me i prekë.

Klithma e Fishtës ishte klithma e Kombit vetë! E Poeti i Math kapi Lahutën e malësisë edhe nëpër telat e saja të ngrehura me dorë mjeshtri të përsosur na zbulon shpirtin e vërtetë kombëtar. Me zërin e fortë të njëj ngadhënjonjësi Ay na tregoi nëpërmes të vargjevet të Tij të panumërta se Shqipërija e vërtetë, Shqipërija e kreshnikëvet e të shqiponjavet, Shqipërija kult i bujarisë, i trimërisë, i nderit edhe i besës gjindet e gjindet atje tej ndër malësitë t’ona! Andej, po, në fellësirat e malevet, nëpër shkrepat maja – maja, nëpër gërxhet shumëformëshe, nënë hijësirat e dendura të pyjevet, mbi gjelbërimet e lëndinavet, gjatë shushurimës së projevet edhe nënë ledhatimet e këngës së bilbilavet shekuj me radhë ishte strukur origjina e vërtetë e racës s’onë. Fryjtën murrlanët e rrobërisë me shekuj, armiku shkeli e çnderoi, dogji e poqi me qindra vjete mbi kurrizin e Shqipërisë, por andej ku shtrihej kufija e malësivet as gëk nuk bëri dot. Atje në vetmin e përhershme, larg botës që sillej e përsillej nga frynte era, mendja e pastër shqiptare punonte me thjeshtësinë e saj, lyra ruhej e gjallë si kurdoherë edhe nëpër buzët e virgjëra të vashës malësore e nëpër zemrën trime të djemvet të papërkulur kurrë, Muza Shqiptare qendiste gjatë kohëvet trimërinë, bujarinë, besën, nderin, zakonet e vallet shqiptare. Këto të qendisura Muza ia dorëzoi A. Gjergj Fishtës e Ky me këto thurri epopenë më madhështore “Lahutën e Malcìs”. Kjo Lahutë çfaq ndiesitë më të thella edhe karakteristikat më të kristalizuara, që i ka ruajtur raca shqiptare përmes shekujvet plot shtrëngata. Dhe ç’mrekulli e gjallë: Vargu kumbonjës e nxjerr malësinë me tërë thjeshtësinë e origjinalitetin e ‘saj: Ja mikpritjet tradisjonale, ja nderi, ja burrërija, ja besa tek burrojnë nga çdo veprim i thjeshtë i malësorit aty nëpër majat e thepisura e ndërmjet kopevet të bagëtivet. Përmes kësaj jete të thjeshtë flakërojnë heronjtë si Marash Uci – tipi më i përsosur i urtësisë e i bujarisë shqiptare – Oso Kuka, – simboli i trimërisë – e radhazi ngjallen gjithë kreshnikët e tjerë, që s’dijnë të tronditen as të zbrapsen përpara rrezikut për hir të lirisë kombëtare, të besës e të nderit! Ndërmjet këtyre episodevet ndërlikohen Zanat, Orët, Shtojzovallet e bestytnít e ndryshme. Vargu i math i protogonistëvet të kësaj lahute mendojnë, ndjejnë e veprojnë shqiptarisht; nga goja e çdo Marashi e Osoje del ajo fjalë burri, që ka symbolizuar krenarin t’onë kombëtare përmes shekujvet.

©MKFM, Kel Marubi, Gjergj Fishta

Jehona e botës malësore së pari ndihet lehtë dhe e harmonishme, hë – hë pastaj e rëndë dhe tingëllonjëse edhe së mbrendëshmi, kur fillojnë të veprojnë viganët e racës, jehona del e rrufeshme përmes barutit, martinavet e gjakut! Vargu vetë të trondit, fjala sakaqë të huton edhe veprimi i tërë episodeve të jep shpirt, të ngjall, të thëthit: vehten e ndjen kreshnik edhe fillon vet-vetiu të heqish vallen e viganëvet bashkë me protagonistët. E ja: Lahuta fluturon nga goja e nga dora e Poetit me krahë shqiponje mal më mal, bjeshkë më bjeshkë, pyll më pyll e zemër më zemër.

… Zemra e Fishtës është një vullkan, që ndjen e që vuan: nga kjo zemër vullkanike derdhen si lava lyrikat e odet e Tij të pavdekura. “Mrizi i Zanavet” të poetit është kulti nga flakërojnë ndijesit me të thella atdhedashurije, hymnet më të përsosura për Shqipërinë, rruferat më të tmerrshme për armikun edhe përmbi këta ngre krye pasurija, bukurija e harmonija më e përsosur e gjuhës shqipe…

… Gjuha në çdo varg pasqyron thesarin e saj më të math, stili kudo merr rrjedhshmëninë e dlirësinë më të plotë, forma poetike kudo bëhet më e harmonishme edhe dufi i zemrës në çdo fjalë çfaqet më i fortë: Lyrikat e Odet rrëmbehen e bëhen prona e të gjithë shqiptarvet.

… Jeta e tërë e A. Gjergj Fishtës është symbol i genisë së racës s’onë: me veprat e veta heroike, satirat dramatike Poeti hymnizon kreshnikët, ndezi zëmrat e shqiptarvet për ideale të lartëra, drodhi e përdrodhi si rymë ilektrike lithargjinë e ndjenjës kombëtare, pasuroi e harmonizoi sa s’ka më bukur gjuhën, i dha shkas edhe nxiti me furri të jashtëzakonshme përparimin e shkollës shqiptare, këndoi e lavduroi urtësinë edhe drejtësinë nëpër rrugën e Zotit edhe përmbi të gjitha ringjalli trimërinë, bujarinë, nderin edhe besën t’onë tradisjonale.

***

Sikurse dihet, ardhja e komunizmit solli ndalimin e veprës së Fishtës. Për të fundit herë, nën regjinë e Zef Zorbës u vendos në skenë një tragjedi e tija, Juda Makabe, me rastin e pavarësisë, 28 nëntor 1945. Shfaqja u dha tri herë, e mandej u ndërpre me urdhër direkt nga Mehmet Shehu. Gjatë kësaj kohe, në shtypin e shkruar shqiptar, ka një heshtje thuajse totale për të, përveç rasteve kur përmendet duke u parë si reaksionar apo shkrimtar i dobët nga figura të njohura të letrave, por edhe politike, deri edhe vetë diktatori Enver Hoxha.

Konferencën III të Lidhjes së Shkrimtarëve (9 – 12 tetor 1949), Sejfulla Malëshova del në mbrotje të tij, duke thënë mes të tjerash, “Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë figurat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës”. Ai ishte kundër ndarjes që bëhej mes Mjedës dhe Fishtës nga pushteti. Si përgjigje, ndër të tjera, Shefqet Musaraj i kthen “Krerët reakcjonarë të klerit katolik (ne e dimë se ç’krerë aprovonte Vatikani për të udhëhequr klerin katolik në Shqipëri) nuk e mirrnin ashtu kot nëpër këmbë Mjedën, po për arësyen e vetme se nuk gjenin tek ai shërbëtorin besnik që u duhej siç e gjetën te Fishta”. Në vitet e mëvonshme, janë studiues të tillë si Virion Koka, Rakip Beqaj etj., të cilët në librat e përgatitur si dëshmi e “veprimtarisë antikombëtare të klerit katolik” përfshijnë rolin e Fishtës të parë në këtë drejtim.

Pak para konferencës së lartpërmendur, Enver Hoxha, sikurse shkruan në vëllimin IX të veprës së tij, në diskutimin e mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike më 7 qershor 1949, mes të tjerash ka thënë “Por sipas pikëpamjes sime, Fishta me satirat e tija nuk pin ujë përpara ‘Epopesë së Ballit Kombëtar’ të Shefqet Musarajt. Veprat e shokëve tanë që shkruajnë për luftën, për jetën dhe punën e popullit qëndrojnë më lart, janë me një përmbajtje më të shëndoshë.”

Ama kjo rrymë ekzistonte në Shqipëri, por jo mes shqiptarëve! Të gjithë organet e shtypit jashtë atdheut bënë një punë të madhe në ruajtjen, promovimin dhe studimin e pasurisë së jashtëzakonshme letrare që la Padër Fishta. Mes tyre, punën më të çmuar e bëri “Shêjzat” në Romë ku u botuan me dhjetra artikuj për të nga Ernest Koliqi, Martin Camaj, Karl Gurakuqi, Daniel Gjeçaj, Giuseppe Schiró, Maximilian Lambertz etj.. Por edhe të përkohshmet shqiptare në Amerikë dhanë kontribut në këtë aspekt. Mes tyre përmenden Shqiptari i lirë, botuar në New York apo Dielli, botuar në Boston.

Krist Maloki, në një shkrim të botuar në këtë gazetë më datë 21 dhjetor 1960, mes të tjerash shkruan:

Sa për Gjergj Fishten emigrata shqiptare nuk ka ba shumë… Jan shkrue, po, aty e këtu do artikuj me pak e aspak substancë, ma teper sa per sy e faqe, si asht zakoni nder ne nder disa raste që nuk mund të perkalohen…

Gjithsesi, kjo nuk e hedh poshtë punën e periodikëve të lartpërmendur, përkundrazi: sikur e nxit të bëjë më shumë në këtë aspekt.

Në dy numra rresht të vitit 1966, përkatësisht nr. 47 dhe nr. 48 të “Dielli” është Sami Repishti ai që shkruan për Atë Fishtën. Fillimisht i bën një jetëshkrim të shkurtër duke përkujtuar 25 vjetorin e vdekjes së tij:

… At Gjergj Fishta lindi në katundin Fishtë të Shkodrës me 23 tetuer 1871. Mësimet e para i mori në seminarin katolik të Troshanit… I frymëzuem nga ndjenja fisnike dhe dashunija për këtë turmë të vorfënish dhe të paditunish, entuziast per visaret e zbulueme në treva të harrueme, Fishta i u vu punës me shkrue, me folë, me tregue. Tribuna e tij e parë qe ALBANIA e Faik Konitzës në Bruxelles… Në 1908 Fishta qe nder kontribuesit ma të çquem, në punen e Kongresit të Manastirit. Pikërisht në këto vite vendimtare per fatin e Shqipnisë, Fishta filloi perpunimin e kangëve të para të LAHUTES, nji thirrje madhështore ndjesive atdhetare për shembulltyrën në fëtyrat heroike të Oso Kukës, Marash Ucit, Abdyl Frashërit, Ali Pashë Gucisë etj..

Pastaj tregon aktivitetin e tij letrar e politik duke u ndalur në fillimin e botimit të “Hylli i Dritës” si dhe vitbotimet e veprave të tij. E mbyll me mënyrën se si po trajtohej ai në Shqipërinë e kohës.

Mbas ardhjes në fuqi të komunizmit, emni dhe veprat e At Gjergj Fishtës u perbuzën dhe u eleminuen. Fishta u quejt reaksjonar, dekadent dhe sherbëtuer i klasës feodalo – bajraktare. Leximi i veprave të tij u konsiderue nji krim kundër Shtetit. Sulmi kundër Poetit Kombëtar ishte veçanërisht i fortë gjatë perjudhës së kontrollit jugosllav në Shqipni (1944 – 48).

Sot njizet – e – pesë vjetë mbas vdekjes së tij, At Gjergj Fishta mbetet nji figurë kombëtare e dashtun nga të gjithë shqiptarët, dhe i çmuem nga rrethet letrare të vendit t’onë dhe botës së jashtëme. Shterpësija e prodhimit letrar, nen rregjimin komunist, ka revelue, edhe ma shumë se perpara, vlerat e mëdha të poetit, shkrimtarit, atdhetarit At Gjergj Fishta. Me gjithse ende i fyemë e i përbuzun nga rregjimi komunist, Frati i pervuejtë Françeskan vazhdon të jetë persri burim frymzimi dhe gurrë ushqyese per breznitë e sotëshme ashtu siç qe dje, ashtu siç do të jetë edhe nesër.

Sepse emni i At Gjergj Fishtës, i përket atyne, që nuk vdesin, kur trupi rrëzohet.

New York 30 Dhetuer 1965

SAMI REPISHTI

Po në atë faqe të po asaj gazete është një rubrikë tjetër e quajtur “Të njofim At Gjergj Fishten” ku shkruhen vlerësime të ndryshme për të.

          At Gjergj Fishta:

          “… asht Orfeu i Shqipnisë.”

          La Revue de deux Mondes

          “… asht ma i miri shkrimtar i Ballkanit”

          La Giovine Europa, 1919

          “… asht Rabintranath Tagore”

          Dr. Erwin Tranik

          “… asht Apostulli i Atdheut të vet.”

          Antonio Baldacci

          “… asht prodhimi i gjenisë së fisit Shqiptar.”

          Dr. R. Petrotta

          “… asht i ngjashëm me GOETHE dhe SCHILLER”

          Dr. Karl Steinmetz

          “… asht fat i jasht-zakonshëm i Shqipnisë.”

          Dr. Max Lambertz

          “… asht nder e lumni e Urdhnit Françeskan.”

          Papa Pius XII

          “… Poeti i madh i popullit të lavdishëm Shqiptar.”

          Gabriele d’Annunzio

          “… ‘Lahuta e Malcisë’ krahasohet me ma të naltat vepra poetike të popujve tjerë.”              

          M. A. F. von Godin


Një javë më vonë, është po Repishti ai që boton kujtimet e tija nën titullin “Kujtimet e nji nxanësi kur vdiq Pater Gjergji”:

Ka vdeke Pater Gjergji! (Kujtime të nji nxanësi)

Njizet e pesë vjetë ma parë në nji mbramje Dhetori, vdiq në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore – dhe frymëzuese – të popullit t’onë, liriku i çqmuem, dramatiku i fuqishëm, dhe padyshim autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe.

At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimevet dhe shembullit të Shen Françeskut, zëmra e dhanun pa kushte dashnisë për Shqipni, mendja që synoi pa-pushim zgjimin dhe ngritjen e ndergjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta, kur ma shumë se kurrë, zjarri i fjalës dhe forca e pendës së tij i duhej nji populli të mashtruem me nji atdhe të robnuem.

Ishe student i klasëve t’ulëta të Liceut n’atë kohë, të shkollës që ma vonë u quejt Lyceu At Gjergj Fishta, në shej nderimi per shkrimtarin e rrallë. Që në mëngjez lajmi u hap menjiherë. Në klasët gjysëm – të – ngrohta të ndertesës shkollore, efekti i vdekjes së Fishtës kishte prekë të gjithë ne, ashtu siç ngjet me nji ngjarje që kalon kufijt e zakonëshme të jetës së perditëshme.

Ka vdekë Pater Gjergji! Ndoshta kjo asht forma ma familjare që në Shkoder e kishim zakon me thanë kur shqiptojshim emnin e Poetit. Ndoshta edhe vetë ky familjaritet i ndiemë e i pergjithshëm tregon ma shumë se çdo shprehje tjeter sa afër nesh jetonte Fishta, sa ngushtë me mendimin t’onë, dëshirat e shpresat t’ona, jetonte Poeti që perjetësoi epopenë vigane të nji populli që nuk desht të jetonte i skllavnuem.

E kam pa Fishten per të paren herë në vjetin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra, përcolli në nji banesë mortore të re, trupin, pa skelet i këputun, të Hasan Riza Pashës. Në nji pod të ngritun me nxitin pikërisht mbi trollin ku kishte ra gjaku i të vramit me tradhëti, folësit hypen e zdrypen pa mujetë me shkëputë turmen nga pesha, që ceremonija e permortëshme kishte randue mbi to. U desht Fishta at-herë, me thanë fjalen e vet. Aty kam pa fëtyrat, me mija, drejtue nga Ai që i terhiqëte, pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta permbanin nji mbëshehtësi të paditun. Asnji herë ma vonë gjatë jetës s’ime, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk m’asht paraqitë ma e qartë.

Radhen tjetër kur e pashë, Fishta ndehej, pa-lëvizje e pa-za, ndëhej pa shpirtë mbi podin mortuer të vendosun në mesin e Kishës Françeskane, banesa e tij per shumë vjetë të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi nji vend të qetë per pushimin e perjetëshem.

Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshim rrotull arkës mortore, në nji proçesjon dhimbje dhe nderimi. Mbështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq, me të bardhin litar ngjeshun që tre premtime të bame të kumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duert bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që per ne xanësit zente nji vend n’Olimp me të pa-vdekshmit, nuk mund t’ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesija që na mbushte zemrat t’ona rinore n’ato ditë, nuk mund t’a tham me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkakton pamjen e kufomës palëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerzit e mëdhaj? Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjallin ndjesitë fisnike, na nxisin per veprim, na bajnë me nji fjalë me qenë diçka ma shumë se nji frymuer që lëvizë pa synim, nji qenje me ide e vullndet, ata pa dyshim e vejnë vehten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që per ne njerzit e thjeshtë paraqitet si stoli i pamërrijtëshem: nji seli që i takon të pavdekëshemve.

Por Fishta kishte vdekë! Dy ditë ma vonë nji qytet mbar e percolli, veshun në zi, njeriun që ma shumë se asnji tjetër ndoshta – në mes t’atyne që jetojshin – kishte unjisue emnin e vet me kryenaltësinë e nji turme që kurr nuk deshti të njohë peruljen

SAMI REPISHTI

New York 30 Dhetuer 1965

***

Pas viteve ’90, me fillimin e tranzicionit, vërehet një qasje krejt ndryshe në raport me Atë Fishtën. Fillimisht në revistën Jeta e re në Kosovë, Anton Berisha flet për dramatikën e tij e më pas, edhe Martin Camaj i cili boton një shkrim rreth shndërrimeve e përpunimit të thënieve popullore në Lahutën e Malcis me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së poetit. Po atë vit, në gazetën Drita të Tiranës, Skënder Buçpapaj boton shkrimin Njëri ndër sovranët e letrave tona.

Nga ’91 e në vijim, shkrimet për të do të ishin të pafundme, në të dy anët e kufirit që ndan shqipfolësit. Stefan Çapaliku, Aurel Plasari, Tonin Çobani, Rudolf Marku, Atë Zef Pllumi, Atë Konrad Gjolaj e sa e sa të tjerë, do të shkruanin për Fishtën aq shumë, me synim rivendosjen e tij në piedestalin ku i takon si dhe për të krijuar një kontekst studimor në të cilin mund të rimerrej për lexim dhe shqyrtim vepra e tij letrare.

Sot, Padër Gjergj Fishta, studiohet gjerësisht, nga klasat më të hershme të arsimit të detyruar, deri në disiplinat ku përfshihet epoka e krijimtarisë së tij në profilet letrare të studimeve universitare. Ka një numër të madh doktoraturash të mbrojtura rreth temave që lidhen me letërsinë e tij si dhe artikuj të shumtë në të përkohshmet (duhet thënë, të pakëta!) që merren me studime letrare. Sepse tani është e qartë për këdo që letërsinë e ka seriozisht: Pa Padër Gjergjin, letërsia shqipe është e mangët. Këtë përfundim nuk e nxjerr unë, e kanë thënë me dhjetra të tjerë para meje, edhe kur merreshin në pyetje nga hetuesia gjatë gjyqeve komuniste.

Sheshe, bulevarde, biblioteka, shkolla e të tjerë institucione kulturore, duke mbajtur emrin e tij nuk nderojnë atë, por vetveten sepse e krijojnë identitetin e tyre të mbështetur mbi parvazin e dritares pas së cilës shfaqet botëkuptimi i Fishtës. Tanimë, pas një tjetër parvazi, nën hajat t’Parrizit sikurse titullohet një poezi e tij, vetë Padër Gjergji sheh me buzëqeshje e dhimbje se pickimet e anzave të Parnasit nuk po pickojnë më njeri, pasi modeli i shoqërisë shqiptare, më shumë se kurrë i ngjan kujtdo personazhi të Gomari i Babatasit, përveçse vetë Babatasit!

P.S: Shkrimet janë marrë nga periodikët “Tomorri i vogël”, “Zani i Shna Ndout”, “Shkolla Shqiptare”, dhe “Dielli”. Punimi bibliografik i prof. as. dr. Lili Sulës “100 vjet shkrime për Fishtën” ishte një ndihmesë e çmuar në evidentimin e këtyre shkrimeve.

Exit mobile version