Kreu Letërsi Shënime mbi libra Enxhi Naumi: “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, muzeu i ndjesive që më...

Enxhi Naumi: “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, muzeu i ndjesive që më mungonte në një realitet plot muzeume objektesh.

– Do të më doje ti, po të mos ishte diktaturë?

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” m’u soll për të më shkundur rreth një konteksti fatkeqësisht gjysmëshekullor real, ku Perënditë dhe Dashuria nuk ishin të lira as të përkufizoheshin, le më të pretendoje se mund të ishe një Perëndi, apo më keq akoma, i/e dashur(uar).

Sot, mund të zgjohemi e të jemi ç’të duam; qoftë Perëndi, qoftë ankth, qoftë të dyja bashkë.

Realiteti i kësaj vepre ka në qendër një dashuri që lind në “tempullin” e atij lloj sistemi – në një sallë gjyqi.

Ema dhe Feliksi.

Ema, një gjimnaziste e cila guxoi t’i jepte zë vizionit dhe ambicies së ditëve (ende duken të largëta) që do të vinin.

Dhe sigurisht do të ndëshkohej për këtë.

Dhe sigurisht dashuria nuk i meritohej.

E për të dyja këto, sigurisht u kujdes shteti më së miri deri në ditët tranzitore demokratike, deri në fundin e qënies fizike të saj.

Feliksi, studenti që e ndjeu blitcin e dashurisë që sapo shkrepi foton për së largu të Emës në gjyq, si për t’i thënë Emës së tij (metonimisht gjithë Emave që ishin, kishin qenë apo do të vinin) që dashuria dhe revolta për liri ecin për dore kryelartë edhe kënetave, edhe burgjeve, edhe kampeve,edhe internimeve, edhe kafeneve, edhe përdhunimeve, edhe padrejtësive, edhe shtypjeve… deri edhe vdekjeve.

Me këtë blitc ja kish dhënë përgjigjen Emës para se ajo të krijonte pyetjen. 

Nëse dikur fotografohej për të kujtuar ku jemi dhe cilët jemi,

sot fotografojmë për të fshehur cilët kemi qenë (dhe shifrat flasin për shkrepje të panumërta/ditë-natë).

Feliksi na la dy fotografi:

– Emën gjimnaziste të shëndetshme mjaftueshëm fizikisht dhe shpirtërisht për t’iu kundërvënë sistemit, dhe njëkohësisht për të veshur pallton e ëndrrave për një botë në përpjekje ideale, të hapur, të lexuar,me flokë të kuqe.

Kjo ështe fotografia e bukur.

-Kemi dhe një fotografi të hidhur helm, që na duhet po aq fort sa e para gjithsesi. Është shija e Vetëvdekjes së tij mbi lumin e Danubit, ndonëse ai kish vdekur që prej ditës kur pasqyra shumëvjeçare në formë zemre u thye nga cepi i arkivolit të Emës.

Ciflat e vdekura të pasqyrës do të ngjallnin një Hermes tek Feliksi, i cili në vend të flatrave tundi dosjen mbi supet e tij, duke gjezdisur me motiv nëpër E-u-(r)ropë,

E në vend të deleve, ruajti dokumente padrejtësish si barí i urtë e besnik.

Feliksi është një mardhënie e ndjerë edhe tmerr komplekse mes qytetarit dhe qytetarisë, mes qytetarit dhe Shtetit, mes birit dhe nënës, mes vëllait dhe motrës, mes shokut dhe shokut, mes dëshirës për dije dhe Kafkës me shokë, mes të dashurit dhe Dashurisë, mes mërgimtarit dhe shtetit, mes të mërguarit dhe dheut të huaj…

Visari, na ka sjellë përmes “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” fotografinë që askush prej nesh nuk duhet ta harrojë,

Jo për rregjimin e pisët dhe të pamëshirshëm, (me pasoja që ua ndiejmë aromën edhe sot),as për mallengjim,

Por për ato shkarpa të rrëzuara, gjysmë apo plotësisht të thara, që gjithsesi deri në fund e mbajtën prushin ndezur (qoftë edhe veç përmes ëndrrash) që ne sot të fotografojmë ç’të duam.

Por ç’është më e rëndësishmja, Visari na zhvesh nga manualet e të dashurit:

“Jeta që s’mjafton për dashurinë,

e si gjendet kohë për t’u urryer” ?

Exit mobile version