Nëse thuhet se një nga format më të hershme letrare është tregimi atëherë për ta shpjeguar dhe gjetur veten, shkrimtarët i rikthehen në vazhdimësi kësaj gjinie “të veçantë” duke i ngritur vlerat e të shprehurit rrëfimtar në majat e botës krijuese në miniaturë. Tregimet e “Një mijë e një netëve” erdhën përmes librit në kohën moderne. Naim Frashëri e vjershëroi historinë e Skënderbeut. Mijëra vjet më parë Homeri rrëfeu për një udhëtim plot gërshetime ndjesish e përjetimesh, të cilat u kthyen në një odisejadë sakrificash rrëfimtare për të gjithë brezat. Xhovani Bokaçio, Henri Xhejms, Franc Kafka, Horhe Luis Borhes dhe të tjerë. Tregimi erdhi në teatër nga anë të tjera të dramatizimit skenik. Në romane, si formati më i madh letrar, nëpër fragmente. Po, destopia e “pastër” e librit në tregim?! Me këshillën e Arbërit, tregimi “Ur-Libri” i Kadaresë në analogji me rileximin e munguar të tre tregimeve të Jorge Luis Borges “Biblioteka e Babilonit”, “Utopia e një burri të lodhur” dhe “Libri i rërës”…
Rrëfimi dhe artifici fotografik i Arbër Salihut: Kur miku im Arbëri[1] fotografoi xhamin e dritares së trenit të linjës Durrës-Tiranë ishin në proces “parlamentar” që hapësirat e hekurudhave të asfaltoheshin. Vite më pas, u rrënua stacioni i trenit në Tiranë, sikurse edhe aksi hekurudhor në hyrje të Pogradecit. Ishin të njëjtë shina që nuk ekzistojnë më. Tonelata çelik derdheshin për skrap. Pak ditë më pas sivëllai i asaj fotografie u prezantua në Explorer Geographic, një artific i shpërfytyrimit të egërsisë ndaj lëvizjes të një treni!
Poeti Arbër Salihu mori shkas nga ribotimi i tregimit të Ismail Kadaresë “Ur-libri” në ExLibris, të më përkujtojë se ky tregim duhet rilexuar nëse do ta njohësh jo vetëm Borgesin në shqip por “diskursin akademik të llojit të artificit në letërsi”. Dita e diel ishte e largët dhe mbi komodinën “e punës së përditshme” përveç të gjitha botimeve të tregimeve në shqip të Borges (“Rilindja”, “Onufri”, “Botimet enciklopedike”, “Eugen”, “Botimet Dudaj”, “Mësonjëtorja”, “Bargjini”, “Bota Shqiptare”, “Dudaj”, “Zenit”, “Ilar”, “Pika pa sipërfaqe”) vura vëllimin e 9 të kompletit të Ismail Kadaresë dhe numrin 124 te “ExLibris”…
Nën shembullin e një kërkese të një politikani nga provinca[2], të gjithë deputetet e Parlamentit të Ri i duhej t’i nënshtroheshin një regjimi prove 48 orëshe në një bunker nëntokësor me një titull libri të përzgjedhur për lexim, si akt prove besueshmërie dhe sakrifice në mbrojtje të kërkesave të vetave që e kanë votuar dhe në shërbim të mirëqenies së tyre. Shëmbëlltyra i ngjasonte një rileximi të Ferrit të Dantes dhe përjetimit të inkuizicionit mesjetar. Ishte një mënyrë besueshmërie për vigjilencën që kanë deputetet dhe banorët që e rrethonin. E drejta e lejimit të një libri ishte një uverturë që ju gëzua fillimisht çdo deputet kur dihet se vdekja nuk të lë asgjë në varr. Pas një kohe shndërrohesh në kalcium dhe qindra vjet më pas në grimca të imëta bashkëdyzuar me dheun dhe asgjë. Ky “Dikushi” në tregim përballet me Eudoro Asevedon që është personazhi që i ngjason Borgesit, edhe pse shkrimtari argjentinas jo vetëm është i papërsëritshëm nga labirintet e pasardhësve por edhe i paarritshëm nga juria e nobelistëve para 14 qershorit 1986. Këtë nuk arriti as Umberto Eco për të gjallë, kur ngjarjet i vendosi në abacinë e trëndafiltë të shekullit XV.
Dy personazhet e “Utopia e një burri të lodhur” përplasen tek “Ur-Libri”. Edhe si matematikë përmes algjebrës deskriptive.[3] Në vend që të thoshte si personazhi “Mua s’më do gruaja” e përgjithësoj konfliktin e çastit. Klithi “Mua nuk do t’më duan lexuesit!” Ndoshta jam çliruar nga vetja për t’i torturuar ata. Jo pa shkas njëri nga gazetarët më tha se tregimin kushtuar prindit dhe 17 Janarit “Njollat e hirit pas shiut të akullt” duhet rilexuar disa herë. Nuk pata guxim t’i them se edhe unë vet duhet rilexuar, pa mundur të ndryshoj a plotësoj!
Biblioteka totale dhe libri universal: Sipas shënimeve, tregimin Ismail Kadare e ka shkruar në korrik 1986, një muaj pas vdekjes së Jorge Luis Borges. Mund të jetë menduar kohë më parë, por ç’koincidencë, vjen si homazh post mortum!?
Ndoshta, me vdekjen e Enver Hoxhës çlirimi ëndërrohej më bindshëm, por historia e popullit shqiptar vështirë se do të shkruhej nga vet ata. Do të mungojnë portretet e jetës imagjinative që do t’i ngjasojnë veprës së shkrimtarit simbolist francez Marcel Schwob (1867-1905) “Jetë imagjinare” shkruar dhe i botuar tre vite para lindjes së Lasgushit dhe Borgesit.
Këshillën e mikut, Arbërit, se “Ur-Libri” i ngjason “Bibliotekës së Babelit” e anashkalova për një çast. Por ishte i pashmangshëm. Qoftë edhe si hapësirë e faqeve dhe numrit të shkronjave.
Vërejtja e Borges se njëri nga tregimet nuk përkthehet dot në gjuhët e tjera nuk kapërdihet lehtë. As në shekullin XXI. Me qindra e mijëra përkthyes në të gjitha gjuhët e folura të botës janë në kërkim të gjetjes së tregimit. Ishte përkthyer edhe në gjuhën e vdekur, siç është latinishtja, për ta rilexuar farmacistët. As titullin nuk e përcaktojnë dot. U dyshua për një kohë në “There Are More Things”. Në gjuhën shqipe “Ka edhe gjëra të tjera” por edhe pse shkronjat dallonin, kuptimi mbetët i njëjtë. Kulminacioni i kritikut: Teksti është tekst! Dhe më tej diskursi akademik lartësonte krijimtarinë e shkrimtarisë së “Çarkut të Prishtinës” që tash(më)[4] nuk ekziston “më”.
Përmes mendimfjalisë pyetëse “A s’është kjo gjë, shpikja, gjetja, risia, kinserisia, kriptokinserrisia, me fjalë të tjera, marifeti (merre si të duash) më i madh që ka shpikur njerëzimi, në krahasim me të cilin gjithë freskimet e mundshme të gjinive letrare s’janë veçse çikërrima?” dhe “A nuk e kishte joshur mendjen e kaq krijuesve të mëdhenj ëndrra e librit të përgjithshëm, përmbledhës, total, me fjalë të tjera, të një ur-libri?” Ismail Kadare e shtron dilemën për të shtrirë çështjen ekzistenciale në “një libër” tashmë si lidhje shpirtërore imagjinative të materiales reale.
Në tregim vijnë “egërsimi i tiranit” e “netët me hënë” dhe rrinë afër “komunizmi” dhe “internimet”.
Librin e hamendësuar “Historia e Perandorisë Osmane me TV” e kishte braktisur.
Librin e vogël alla George Perec e kishte pëlqyer “rrëfimtari” domethënë Tjetri.
Libri i synuar, libri total, në pjesën e dytë të tregimit.
Shkallëzimi krahasimtar dhe hutia e rrëfimtarit: Tregimi “Ur-libri” ndahet në tri pjesë.
Pjesa e parë, si hyrje, dialog i dy personazheve në gjetjen e temës së nga shembulli i librit të hamendësuar, librit të vogël për librin e synuar, librin total.
Pjesa e dytë përmes pyetjes së personazhit shpjegohet përbërja dhe përmbajtja e librit total që thotë se “më tepër se pasuria e të dhënave, librin tim e bëri total e kundërta e tyre, domethënë mungesa.” Zbrazësia e botës është pjesa tjetër “e mbetur” e plotënisë.
Hutia si mohim “s’po kuptoj asgjë” dhe buzëqeshja ironike e autorit (jo i Kadaresë por i personazhit në tregim-vër. e. s. m.) citojmë: “… sa më tepër që libri të shkaktonte habitje, mundësisht, shastisje të bashkëbiseduesit, aq më origjinal ishte” dhe “… mungesa, heshtja, shkretimi, sidomos për tre-katër mijëvjeçarët e fundit të njerëzimit, atëherë kur ai ka qenë edhe më i zhurmshëm, është karakteristika kryesore, baza e ngrehës së librit tim.”
Shpërfaqja e krahasimit si figurë është funksionale dhe kontekstuale njëkohësisht në terrinën dhe jetësimin e projektit të përkohshëm të shkrimtarisë. “… si të ishte shtatzënë me djallin” del si një figuracion ndërlidhjeje të kredos së shkrimtarit e jo si konflikt i errët. Megjithatë, krejt vepra mund të jetë një pakt me djallin që fundi do jetë asgjëja. E pamundshmja.
Pjesa e tretë, si një “shkencë rigoroze” borgesiane. Origjinaliteti. Jo përmbajtja por forma, jo bota dhe njerëzimi “nga njeriu i Neandertalit gjer në ditët tona” por un-i krijues u shkrimtarit “sasia e faqeve ose e rreshtave që i kushtohej çdo periudhe.”
Mijëvjeçarët-dy faqe, çdo shekulli-gjashtë rreshta, historia e qytetërimit-tetë faqe, shekullit njëzet-pesë rreshta.
Nënteksti shpjegues i autorit në librin total sikur na kthen tek njëqind faqet e “mërzitshme” shpjeguese të fillimit të romanit “Emri i trëndafilit”. Të dhënat “e tepërta” dhe “të errëta” sikur na mërzisin. A nuk janë monotone e lodhëse ajo hyrje e gjatë në abacinë e shekullit XV? Kështu duhet të jetë edhe libri total 200 faqesh në të cilat 192 faqe përshkruhet mprehja e kockave, fërkimi i drurëve për të ndezur zjarrin, në kërkim të origjinalitetit dhe provës matematikore. “Gjithë shpikjeve të mëdha të botës, më vështirësi u takonin një ose dy rreshta, mprehjes së kockës në trajtë thike i kushtoheshin gati dhjetë faqe të librit.”
Marrëzia dhe pikëllimi shkojnë bashkë në këtë tregim, siç veprojnë bashkë përsosmëria krijuese rrëfimtare e Kadaresë me zbrazësinë përmbajtësore të një shekulli në gjysmërresht a dyzet shkronja.
Libri si urëlidhje dhe dy citate: Dëlirë për një projekt-libër total jo vetëm që janë të pavdekshme por edhe i njëjtësojmë me përpjekjet që kjo të jetë arritur me Biblën, por edhe dromcat e palimpsesteve në një të ardhme të largët që mund të jenë sizifiane, shterpe dhe të munguara.
Kthimi në tokë, tokësorja, arrihet përmes autorit të librit total kur thotë se “Mua s’më do gruaja”, një refleksion si anë e kundërt e projektit imagjinar, përmes veçimit të librit në çantë dhe porosisë për kafenë e tretë të autorit rrëfimtar me njeriun e pasionuar pas librit total, si ur-libër kadarean.
Me mikun Arbërin, pimë vetëm nga një kafe. Përplasja vazhdon në të drejtën e krahasimit të tregimit “Ur-Libri” me “Bibliotekën e Babelit” dhe “Utopia e një burri të lodhur”. Nuk doja ta bezdisim njëri tjetrin për diç që na mungon. Të dhënat e tjera na plotësojnë. Kur mësova moshën e mikut u ndjeva i tepërt të vazhdoj më tej. Këmbë u ktheva në shtëpi për ta plotësuar boshllëkun e harresës që tashmë është bërë rutinë e pritshme. Për t’mos i ngjarë Godosë dhe rikthimit të shikuesve në kinema e teatrot moderne.
I Treti ndërhyri në mbrëmjen e të nesërmes së takimit kur na urdhëroj të lexojmë tregimin “Libri i rërës” duke klithur si një psikiatër në çmendi: “Mos shpresoni kot të “Biblioteka e Babilonit”, Njëri dhe të “Utopia e një burri të lodhur”, Tjetri! Origjinalet janë bashkëvarrosur me Borgesin. Vetëm Ai mund t’i ndryshoj!”
Në shënimin në kopertinën e prapme të botuesit “Pika pa sipërfaqe” për “Tregimet” (2021) shkruan edhe “Libri i librave” ishte një temë e preferuar dhe e ripërsëritur e Borges-it përgjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë së tij. Ky është libri i librave të tij.”
Dhe këshilla e fundit nga një citat në postimin e fundit të prof. Dr. Zahrie Kapllanaj te Umberto Eco: “Kisha vendosur t’i lexoj kronikat mesjetare, për të marrë ritmin e tyre dhe pafajësinë e tyre. Ato do të flisnin në vend timin dhe unë do të lirohesha nga dyshimi. Liruar nga dyshimi, por jo nga jehona e intertekstualitetit. Kështu zbulova çfarë shkrimtarët kanë ditur gjithmonë (dhe na e kanë thënë përsëri e përsëri), librat gjithmonë u flasin librave tjerë dhe çdo histori tregon një histori që tashmë ka qenë treguar më parë.”
Po lexuesi? Le të rilexojnë!
Krahasimi dhe paradigma borgesiane: Të gjitha veprat imagjinative janë krahasime. Edhe vet citati është krahasim në “përballje” me dukurinë, ngjarjen, personin a individin. Janë të shumta krahasimet në një vepër letrare, siç janë edhe në tregimin “Ur-Libri”. Edhe vet personazhi rrëfimtar dhe vepra e tij 200 faqe është krahasim. Sipas personazhit tjetër që të dal “përpara universit për të dëshmuar”, atë që nuk e arriti Bibla, Floberi[5], Ezra Paundi[6], Borgesi, një institucion në SHBA, në një format origjinal shkrimi kishte arritur tek Ai i cili kishte hartuar një libër të vogël.
Krahasimet e përgjithshme ndërtekstuale:
–freskimet e gjinive letrare s’janë veçse çikërrima…
–shkrimi i një libri total me projektin e parë kishte dështuar…
Krahasimet “mekanike”:
-… brezat e ardhshëm do të qeshin me ne si me të mëparshmit…
-… njeriu rrinte me orë të tëra seriozisht, si i lajthitur...
-… Ishte njëlloj si të përpiqeshe ta kuptoje këtë botë vetëm nëpërmjet leximit të fjalorit ose të enciklopedisë…
-… ngjanin si vocërrima…
-… një libër i vogël alla George Perec …
-… si të ishte shtatzënë me djallin…
-… Si të qe kapur në grackë…
Figura tjetër mbizotëruese është refleksioni parandjejor në të cilin Ismail Kadare ndërton përsëritjen pararendëse, të pashmangshme. Derisa në romanet e tij të mëdha vijnë imazhe të tëra në këtë tregim këto bëhen urë lidhëse e mendimit të personazheve, dukurive e ngjarjeve.
“S’është hera e parë që flasim për këtë.”, thotë njëri personazh. Dhe e përsërit si shpjegim: “Në të vërtetë, s’ishte hera e parë që bisedonim lidhur me artificin në letërsi.” “Tregoma më në fund atë djall”, mendon, por i thotë “Tregoma më në fund librin.”
Po cilat janë e veçanta dhe karakteristika kryesore e librit? Citojmë: “…mungesa, heshtja, shkretimi, sidomos për tre-katër mijëvjeçarët e fundit të njerëzimit, atëherë kur ai ka qenë edhe më i zhurmshëm, është karakteristika kryesore, baza e ngrehinës së librit tim.”
Me paradigmën borgesiane, sikur rrëfimtari ka ndërhyrë për të qenë i pranishëm vet Borgesi në tregimin e Ismail Kadaresë, edhe pse është shkruar një muaj pas vdekjes së shkrimtarit argjentinas. Personazhi Librin e Rërës e quan libër djallëzor te Borges, Ur-librin e krahason me djall te Kadare.
Shkrimtarëve që njohin gjuhë të huaja nuk ju besohet! Fjalë të mëdha, pabesia ndaj tyre, por janë vjedhjet, retushimet dhe në fund vet krijimtaria e tyre është palimpsest, është citat për të vetdëshmuar në heshtjen e lexuesit për ndikimet dhe un-in krijues. Këtë e ka thënë e përsëritur i pavdekshmi Jorge Luis Borges. Pse mos ta trashëgojmë Ne paraardhësit që për popujt e zhdukur as që kemi ekzistuar ndonjëherë. Ne të vdekurit!
Epilog që nuk përfundon dhe libri në proces: Shkrimtari shpalli vdekjen e tij. Të gjithë studiuesit flisnin që duhet ta ketë marr çmimin Nobel për letërsi! Nuk jepet çmimi për “dhunën” që ushtron në jetë. Ne nuk e dimë saktësisht për veprat “terroriste” te Platonit! Nuk e dimë se ka bërë ndonjë vepër që do të dënohej, siç u dënua Sokrati. Përkundrazi.
Jorge Luis Borges vdiq me 14 qershor 1986. Tregimi i Ismail Kadaresë është shkruar rreth një muaj më pas, me 11 korrik 1986.
Borges te tregimi “Libri i rërës” shkruan për Librin e Librave, për Librin e rërës, për Librin e pafundmë, për Librin e padurueshëm dhe për Librin e përbindshëm.[7]
Te “Për kultin e librit” përveç që flet për … librin që ‘s’mbaron kurrë …” Borges citon: “Mos u jepni qenve për ushqim gjëra të shenjta! Mos u hidhni derrave margaritarët tuaj, sepse ata vetëm do t’i shkelni me këmbë, e pastaj do të hidhen kundër jush për t’ju sulmuar!” (Mateu, 8:6). [8]
Kadare te tregimi “Ur-Libri” shkruan për Librin “asgjë”, Librin për gjithçka, Librin e përgjithshëm, Librin përmbledhës, Librin total për Ur-Librin.
Tre citate origjinale për fusnotën e shtatë:
…Kur lind ideja për diçka, ajo diçka është në prag. (377-378)[9]
… ndoshta njerëzimi s’ka nevojë për librin total, kjo është ndoshta edhe arsyeja që ai s’është shkruar. (378)
… Shumë gjëra njerëzimit s’i ka arritur ende, po kjo s’do të thotë se s’ka nevojë për to. (378)
[1] Arbëri nuk ka të bëj me personazhin tashmë të rr’nuar dhe hapësirën në pritje të rr’nimit nga libri i parë dhe i fundit me tregime shkruar në moshën 33 vjeçare e botuar në atë 55 vjeçare.
[2] Në të vërtetë politikani ishte i ardhur në kryeqytet nga fshatrat e braktisura nga njerëzit, rrënuar nga periudha e demokracisë.
[3] Algjebrës deskriptive, në vend të përshkruese në urbanistikën arkitektonike kishte munguar si lëndë në shkollimin edukativ universitar tek objekti në lindje të kishës ortodokse serbe në Prishtinë.
[4] Kllapat në funksion të shpjegimit të përsëritjes më pas.
[5] Shkrimtari francez Floberi (Gustave Flaubert 1821-1880) sipas njërit personazh të Kadaresë në tregim për tjetrin “merrte veten më shpejt, se ç’e prisja, për të më kujtuar Floberin, i cili, i pakënaqur nga ato që kishte krijuar, ëndërronte të shkruante një libër “për asgjë”, por që do të ishte në të vërtetë një libër për gjithçka…” (Faqe 375, sipas vëllimit 9 të kompletit, botim i “Onufri”)
[6] Pikëpamjet politike bënë që puna e poetit dhe kritikut amerikan Ezra Paundi (Ezra Pound, 1885-1972) të mbetej në hije. Ernest Hemingëay, megjithatë shkroi se “vepra më e mirë e tij-Cantos-do të qëndrojë për aq kohë sa ekziston letërsia”
[7] Në pasthënie të librit për tregimin, Borges thotë: “Libri i rërës”, një vëllim faqesh të panumërueshme…” (përktheu Azem Qazimi).
[8] “Sfida e krijimit”, libër me ese, studime, kujtime e biografi të autorëve të shquar hispanikë, të përzgjedhur dhe të përkthyer nga spanjishtja nga Bajram Karabolli, “Ilar”, Tiranë, 2013)
[9] Faqet sipas vëllimit të nëntë të veprave të plota të Ismail Kadaresë (“Onufri”, Tiranë, 2008)