Kreu Letërsi Shënime mbi libra Enver S. Morina: Doracak enciklopedik i variacioneve mbi shkrimin

Enver S. Morina: Doracak enciklopedik i variacioneve mbi shkrimin

Vepra “Variacione mbi shkrimin” mund të jetë edhe si një “Fjalor i shkrimit” a një tjetër “Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit” në proces me titullin “Fjalor elementar i shkrimit”, “Fjalor themeltar i shkrimit dhe i deshifrimit të shkrimit”, “Hyrje në themelet e shkrimit”…

Veprat e Roland Barthes në shqip: Nga semiologu francez Roland Barthes janë këto vepra e libra të përmbledhur të botuar deri më sot në shqip: “Aventura semiologjike” (përktheu Rexhep Ismajli, Prishtinë, 1987 e 2008), “Elemente të semiologjisë” (përktheu Albert Riska, Elbasan, 1999), “Ditari i zisë” (përktheu Anila Xhekaliu, Prishtinë, 2016), “Mitologjitë” (përktheu Persida Asllani, Tiranë, 2016)“Pëlqimi i tekstit” (përktheu Elvis Hoxha, Tiranë, 2021) a “Kënaqësia e tekstit” (përktheu Urime Nerguti, Prishtinë, 2022) dhe “Variacione mbi shkrimin” (përktheu Urim Nerguti, Prishtinë, 2022). Janë tetë vepra në shqip të Roland Barthes: “Shkalla zëro e shkrimit” (1987, 2008), “Elemente të semiologjisë” (1987, 2008, 1999), “Kritikë dhe e vërtetë” (1987, 2008), “Retorika e vjetër” (1987, 2008), “Ditari i zisë” (2016), “Mitologjitë” (2016), “Pëlqimi i tekstit” (2021) në Tiranë e “Kënaqësia e tekstit” (2022) në Prishtinë dhe “Variacione mbi shkrimin” (2022)…

Indeksi tematik dhe Ossola: Parathënia e titulluar “Vegla e hollë” a programi i një avangarde zë një të pestën e veprës të Roland Barthes “Variacione mbi shkrimin” (përkthyer nga frëngjishtja nga Uran Nerguti, botim i “Buzuku”, Prishtinë, 2022). Indeksi tematik i pasur, “i gjetur” dhe i titulluar nga vet Barthes nënkupton që vepra e tij ka përmbajtje të gjerë. Vërejtja e botuesit është edhe një kujdes e vlerë për kronologjinë shkrimore të veprës së Barthes, një vazhdimësi leximi të plotë në shqip. Sipas autorit Carlo Ossola “Kënaqësia e tekstit” dhe “Variacione mbi shkrimin” “janë të lidhura ngushtësisht, si konceptim ashtu edhe në strukturë…” (f. 19) deri aty sa që “të dy tekstet,’’’ i përkasin të njëjtit projekt…”.  Studiuesi i veprës së Barthes, Ossola, me përkushtim fanatik shkruan se dy veprat janë paralajmërim që te “Parathënia e Shkalla zëro e shkrimit” si projekt. Barthes sheh afrinë ndërmjet shkrimit dhe pikturës për tek pikarritja “Qielli shkruhet”…

Forma dhe fjali të gjata: Libri ndahet në katër kapituj: Iluzione, Sistemi, Çështja dhe “Ëndja”. Në nisje është një hyrje shpjegim pa titull dhe “Piketa” me 21 të dhënat e historisë së shkrimit në diakroni dhe sinkroni, në një vijëzim të trashë që nga paracivilizimi deri të shfaqja e makinës së shkrimit, e tërë historia e bukurshkrimit nga vitet 350 000-35 000 deri te viti 1875. Të dhëna të përcaktuara në shekuj, për të ardhur “rreth shekujve e viteve” e në fund për të saktësuar vitin.

Çuditërisht Barthes vazhdon me fjali të gjata të shkrimit kritik që e bënë më të vështirë kuptimin e motos krijuese të “endjes” dhe “të qëndisurit” semiotik të shkrimit në aspektin diakronik dhe sinkronik te tekstit. 1) Te “Rasini është Rasini” thotë që “intelektualiteti i tepërt e vret artin, inteligjenca nuk është një cilësi e artistit, krijuesit e fuqishëm janë empirik… 2) …

Bukurshkrimi dhe lexueshmëria: Ka qenë dekada më parë, ndoshta në përgjithësi, në gjysmën e parë të shekullit XX, një lëndë e quajtur “bukurshkrim”. Të shkruash bukur për syrin. Barthes paralajmëron për studimin. “Do të flasim vetëm për dorëshkrimin” (f. 32) të cilën “do të mund ta quanim dosja e shkrimit manual”. Përvoja e këtij studimi ka “dalë nga lexime të cituara”. “… shkrimi me dorë mbetet mënyrë mitike ruajtëse e vlerave njerëzore, me ndjenjë; shkrimi fut dëshirën në këtë komunikim, sepse ai është trupi vetë.”, shkruan Barthes.

Errësimi i lexueshmërisë nga arsye fetare dhe shoqërore bëhet dije për hyrje në fenomenologjinë e shkrimit e dorëshkrimeve “të para” shoqërore e shkencore. Ana tjetër e shkrimit. “Fshehja”. Shpjegim i palexueshmërisë dhe vështirësia e leximit ecën drejtë pamundësisë dhe pazbërthyeshmërisë  për të depërtuar në anën “tjetër”, të shkrimit, për çka sipas Barthes është “ana e pasme e ferrit-të shkrimit.” …

Rëndësia e një përkthyesi të ditur dhe aktiv: Në faqe 39 kemi dy shënime fusnote të përkthyesit. Njëra e gjatë. Përmes shënimit të përkthyesit shpjegohet (fillimisht) termi “klasimi” që emërtohet kapitulli. Përkthyesi e bënë edhe më të lexuar përmes shembullit të renditjes së librit në bibliotekë. Në “skicën” a kapitullin “Klasimi” kemi katër shënime të përkthyesit. “Klasimi i shkrimeve sipas tre nyjëzimeve të gjuhës: “shkrim fjalie”, “shkrim fjalësh” e shkrim i tingujve. Urim Nerguti është aktiv gjatë tërë përkthimit të veprës “Variacione mbi shkrimin”. Citon dhe shpjegon…

Citate dhe mitologjia:Origjina e shkrimit ka qenë, ashtu siç duhet, objekt ligjërimesh mitike: janë zotat apo heronjtë ata që ua kanë sjellë njerëzve: Thoti, Kadmi, Simonidi nga Keosi, engjëlli Raziel; vetëm zotat e Kinës së lashtë e kanë parë me sy të keq shpikjen e shkrimit nga njeriu: kur Kan-Ji shpiku ideogramet, zotat qanë.3) dhe “Shihet qartë, në këto mite të origjinës (çdo origjinë është mitike: origjina madje, është vetë miti), përplasen në dy kahe: njëri e bën shkrimin rrjedhojë të figurës (nëpërmjet gjestit dhe ideogramit), e tjetri i jep shenjës abstrakte (shenjë në rast nevoje pa përmbajtje) një lloj origjine absolute, sigurimi i së cilës s’do të ishte tjetër veç një rrjedhojë tejet e vonshme.4).

Analogjia, gërshetimet, krahasimi na dërgon tek një tjetër mit, të thënë nga Ismail Kadare: “Gjithmonë më ka habitur legjenda e grekëve të vjetër për zanafillën e alfabetit. Kadmosi mbolli në tokë dhëmbët e dragoit dhe që andej lindëm shkronjat. Asgjë s’mund të jepte më saktë thelbin e kësaj aventure të madhe të njerëzimit: shkrimit të gjuhës. Ka në të po aq ngjyrë sublime, sa dhe tragjike. Ka diçka madhështore e monstruoze njëkohësisht, diçka triumfuese, kërcënuese, kafshuese, të ndritshme e të tmerrshme në të njëjtën kohë. Por, mbi të gjitha, ka një vuajtje, një çlirimi nëpërmjet dhembjes, çarjes.

Kur flitet për shkrimin, e para gjë që na vjen ndër mend është letërsia. Të gjitha çka u thanë më lart për shkronjat i shkojnë pa dyshim asaj. Por i shkon sidomos akti i parë: mbjellja.

Ashtu si dhëmbët e dragoit në fushën e Beotisë, motivet në ndërgjegjen e shkrimtarit mbillen. Nga vjen fara e tyre, në ç’formë, ç’erë e furishme apo e ëmbël i shtyn, kjo është vështirë të përcaktohet. Është koha vetë, epoka, ajo që si një hapësirë plot polen, e shpërndan atë në të gjitha drejtimet.” 5)…

Fjalor themeltar i shkrimit dhe i deshifrimit të shkrimit: Dilemat e studimit të shkrimeve vazhdojnë të jenë në përballje që sipas Barthes “dituria shkrimore luhatet ndërmjet një shkencërizmi të ngushtë dhe një metafizike debile.” 6)

Vepra “Variacione mbi shkrimin” mund të jetë edhe si një “Fjalor i shkrimit” a një tjetër “Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit” në proces me titullin “Fjalor elementar i shkrimit”, “Fjalor themeltar i shkrimit dhe i deshifrimit të shkrimit”, “Hyrje në themelet e shkrimit”. Njësitë tematike mund të lexohen si të veçanta, siç është “Alfabetet”. Me “Dituritë” për shkrimin, sipas Barthes, janë marrë Historia, Fiziologjia, Psikologjia dhe Simbolika.

Shpjegimi i këtyre diturive për shkrimin e dërgon autorin Barthes (studiuesin) tek thënia e pakompromis, si thotë “Shkurt, duhet thënë kjo” se “dituria shkrimore luhatet ndërmjet një shkencërizmi të ngushtë dhe një metafizike debile.” deri tek përvijimi i mitologjisë epistemologjike.

“Palexueshmëria” dhe nënkapitulli “Shkrimi”: Termin “Palexueshmëria” e hasim që në fillim te “Fshehja”. Nga mbikapitulli “Iluzione” autori e vendos tek “Sistemi” me titullin “E palexueshmja”. Thënia në thonjëza të konceptit “i lexueshëm” nënkupton semantikën e një shkrimi hermetik në një anë dhe në anën tjetër enigmën e deshifrimit grafik.

Përherë ndarjet “dallimet” janë të domosdoshme. Te “Tipologjia” (?) Barthes flet për tre shkrime greke me përdorim të ndryshëm”: Një shkrim për libra, Një shkrim për kancelari dhe Një shkrim privat. Duke folur në përgjithësi për shkrimin vë në pah edhe Një shkrim gurësh varri për shkrimin e Perandorisë Romake, pastaj edhe shkrimin arab. Dhe më sublimja diversiteti dekonstruktiv dhe thjeshtësia e qenies, mbijetesës qiellore: “Qielli shkruhet; ose dhe: duke kaluar përsipër gjuhës, shkrimi është gjuhë e pastër e qiejve.” 7) Te “Ekonomia” kemi kuptimin e germës dhe monedhës.

Kapitulli “Shkrimi” i shkruar i vetmi në thonjëza, siç ka shpjegim nga autori në dykuptimësi, ka në vete këtë dykuptimësi edhe si shënim (thonjëzat). Sipas autorit përveç dykuptimësisë në vete shkrimi përmban tre përcaktime kuptimore kryesore. Një nënkapitull që duhet shkruar si i tërë, tri kuptimet si i tërë.

“… shkrimi përmban tre përcaktime kuptimore kryesore: 1. Ai është një gjest manual, përkundër gjestit vokal (këtë shkrim do të mund ta quanim skriptim, dhe rezultatin e tij skripturë). 2. Ai është një regjistër i ligjshëm i gjurmëve të pashlyeshme, të destinuara për të ngadhënjyer mbi kohën, harresën, gabimin, gënjeshtrën. 3. Ai është praktikë pa fund, ku futet i tërë individi, dhe kjo praktikë i kundërvihet atëherë transkriptimit të thjeshtë të mesazheve; Shkrimi hyn në kundërshti tri herë me Fjalën (në dy rastet e para): ai është, herë me Shkrimcërinë (në të tretin). Ose dhe: ai është, sipas përdorimeve dhe filozofive: një gjest, një Ligj, një ëndje.” 8)… 

Leximi i gazetave dhe vepra e Barthes “Kënaqësia e tekstit”: Ne lexuesit në Kosovë, vetëm kur i shuan, kur i zhduken gazetat e shtypura, ne të gjeneratave më të hershme, ne që prisnim me padurim mëngjezin e të mërkurës të blejmë gazetën “Fjala”, ne që çdo ditë kishim të parapaguar gazetën ditore “Rilindja” dhe disa gazeta javore e mujore së paku për një vit, vetëm tash kur tashmë si e shtypur nuk del asnjë gazetë në hapësirën e Republikës, e kuptuam se ç’është kënaqësia e leximit, vetëm tash e kuptuam se pse në vende të tjera, me standard më të lart jetese, ka ende gazeta të shtypura! Duke shfletuar dy përkthime në shqip të veprës së Roland Barthes “Kënaqësia e tekstit” (e përktheu Urim Nerguti, 2021) e “Pëlqimi i tekstit (e përktheu Elvis Hoxha, 2022) dhe leximin i parathënies të veprës tjetër të Barthes “Variacione mbi shkrimin”, përktheu “Urime Nerguti, 2022) të shkruar nga Carlo Ossola është e domosdoshme të shkruhet një libër për kënaqësinë e leximit në kohen moderne të gazetave, të faqeve të shtypura e jo në ekranin e kompjuterit, të lap-topeve a të celularit?!

Epilog dhe “Vdekja e autorit”: Vihet re në çdo botim te “Buzuku” të veprave të Barthes “Ditari i zisë” (2016), “Kënaqësia e tekstit” dhe në këtë botim të fundit “Variacione mbi shkrimin” (2022) pas përmbajtjes jepen shënime shtesë, një domosdoshmëri të dhënash të natyrshme për lexuesin, për botimet e veprave të Roland Barthes në frëngjisht te “Editions due Seuil” dhe të botuesve të tjerë dhe në gjuhën shqipe.

Në rreth 50 tema (nëntituj) të trajtuara me aq ëndje Barthes flet edhe për ç’është leximi, dosja e shkrimit, leximet e cituara, funksioni i shkrimit, mitologjia epistemologjike e shkrimit, pergamenë, shkrimi me bizë, shkrimi penel, palimpsesti, letra etj. Në përgjithësi, si analogji “Variacione mbi shkrimin” mund të jetë si një vazhdimësi, plotësim a “reagim” konstruktiv të kapitullit “Shkrim” (Shënimi grafik) të veprës “Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit” të autorëve Osfald Dykro e Cvetan Todorov. 9)

Barthes tek eseja “Vdekja e autorit” i ikën vlerësimit tradicional të autorësisë, derisa “liria e variacioneve të tekstit” që nga zanafilla, gjënë analizën tek eseja a studimi “Variacione mbi shkrimin” botuar me një parathënie të gjatë nga Carlo Ossola. Në fund bibliografia, ilustrimet dhe shpjegimet tabelare të ilustrimeve e bëjnë këtë vepër doracak për shkrimin, e bëjnë një enciklopedi “të përdorshme” në literaturën e shkencave të ligjërimit shkrimor.

Korrik 2023, Prishtinë

1) Në mes “Ditari i zisë” dhe “Variacione mbi shkrimin” jep të dhëna të tjera analogjie. Te “Ditari …” kemi fjali të shkurtra, shkrim i shkurtër, te “Variacione …” kemi fjali të gjata, shumë të gjata.

2) Roland Barthes “Mitologjitë moderne”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2016, f. 129

3) Barthes, Roland “Variacione mbi shkrimin”, Buzuku, Prishtinë, faqe 53

4) Po aty, faqe 55

5) Kadare, Ismail “Ftesë në studio”, Vepra, Vëllimi i trembëdhjetë, Onufri, Tiranë, 2009, faqe 23-24

6) Barthes, Roland “Variacione mbi shkrimin”, Buzuku, Prishtinë, faqe 56

7) Po aty, faqe 75

8) Po aty, faqe 78

9) Dykro, Osfald- Cvetan Todorov, Cvetan “Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit”, Rilindja, Prishtinë, 1984

Exit mobile version