Libri “Populli i pandalur” i prof. Agim Vincës është shumë më tepër se një koleksion shkrimesh polemike – ai është një dokument i ndërgjegjes së gjallë kombëtare, një akt proteste ndaj dhunës politike, kulturore dhe shpirtërore që shqiptarët përjetuan në hapësirën e ish- Jugosllavisë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX.
Ribotimi i këtij libri pas 33 vjetësh nuk është një veprim i zakonshëm editorial. Përkundrazi, është një mundësi rifreskimi i kujtesës kolektive, një rikujtim i nevojës për të mos harruar se rrugëtimi i shqiptarëve drejt barazisë, lirisë dhe dinjitetit nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Ky libër paraqet kredon e një artikulimi qytetar e patriotik për të kuptuar jo vetëm të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi sfidat e tashme dhe të ardhshme.
Në rrafshin argumentues, “Populli i pandalur” paraqet një model të shkëlqyer të publicistikës së angazhuar, ku fjala shkrihet me argumentin, ku emocionet nuk e zbehin objektivitetin analitik, por përkundrazi e forcojnë atë. Në këtë vepër, gjejmë një kombinim të suksesshëm të qasjes hermeneutike (interpretimit të narrativave të tjetrit), të dekonstruktimit të diskurseve shoviniste dhe të analizës kritike të realitetit politik dhe kulturor. Për rrjedhojë, ky libër kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushën e studimeve të identitetit, të politikave të diskriminimit, të sociologjisë së shtypjes dhe të historisë së rezistencës kulturore. Ai duhet të jetë pjesë e literaturës ndihmëse në programet universitare që trajtojnë çështjet e identitetit kombëtar, të drejtave të njeriut dhe të analizës së diskurseve historike e politike.
Zbërthimi semantik i titullit “Populli i pandalur”
Vetë titulli i librit “Populli i pandalur” është një metaforë e fuqishme që bart peshën e një historie të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe qëndrese. Ai nuk është thjeshtë një sintagmë stilistike-gjuhësore, por një zë i betejave identitare, që na e bën të qartë se ky popull, përballë çdo stuhie historike, ka refuzuar të dorëzohet. Është populli që ka marshuar përtej kufijve të padrejtësisë, përtej dhunës sistematike, përtej përpjekjeve për ta zhdukur nga harta politike dhe kulturore.
Ky titull nuk është fryt i retorikës, por produkt i një realiteti të hidhur, ku shqiptarët ishin të detyruar të jetonin mes mohimit institucional, dhunës kulturore dhe përpjekjeve për asimilim. Është histori dhe identitet, është metaforë e një kombi që, përkundër përpjekjeve të pareshtura për ta gjunjëzuar, vazhdoi marshimin drejt lirisë, dinjitetit dhe rrugës shtetformuese.
Ky popull i pandalur, sipas autorit, nuk është thjesht një nocion abstrakt. Ai ka emra konkretë – janë ata që nuk u pajtuan me heshtje, ata që u ngritën kundër sistemit të dhunës dhe mohimit, ata që i
dhanë zë së vërtetës përmes fjalës, rezistencës dhe veprës. Në këtë kontekst, libri i prof. Vincës bëhet një monument i pavdekshëm i përpjekjes për të ruajtur kujtesën dhe për ta projektuar atë si mekanizëm intelektual kundër harresës dhe deformimit historik.
Struktura, përmbajtja dhe mesazhet e librit
Libri është një mozaik shkrimesh polemike, reagimesh publike dhe analizash kritike, të cilat janë publikuar në shtypin e kohës si përgjigje ndaj një realiteti të hidhur politik e kulturor. Shkrimet janë të ndërtuara me një qasje të dyfishtë: nga njëra anë, ato janë pasqyrë besnike e realitetit politik të kohës, ku shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe trevat tjera përballeshin me një fushatë të egër albanofobe, dhe nga ana tjetër, ato janë edhe reagim intelektual, rezistencë e artikuluar ndaj deformimeve dhe dhunës sistematike që vinte nga aparati shtetëror jugosllav dhe veglat e tij lokale.
Kjo vepër është një tribunë ku autori jo vetëm që denoncon shovinizmin serb dhe maqedonas, por edhe ngre zërin për rolin e munguar të inteligjencës shqiptare të asaj kohe. Ai nuk kursen as kritikën ndaj burokracisë shqiptare, e cila, për arsye konformizmi apo frike, zgjodhi rrugën e heshtjes apo të përkuljes, duke e lënë fjalën publike në mëshirën e propagandës antishqiptare.
Shkrimet e prof. Vincës prekin një spektër të gjerë tematik: nga mbrojtja e figurave kombëtare si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, e deri te reagimet ndaj sulmeve të paskrupullta ndaj shqiptarëve si komb. Autori denoncon mitet e rrejshme të ngritura mbi shqiptarët, mitin e natalitetit “kërcënues”, mitin e dhunës “së natyrshme” shqiptare, madje deri te shpifjet monstruoze mbi incestin e kriminalizimin kolektiv.
Maqedonia, një laborator i politikave antishqiptare që dirigjohej nga Beogradi
Libri “Populli i pandalur” është një dëshmi e gjallë e një kohe të mjegullt, ku dhuna institucionale ishte shndërruar në mekanizëm shtetëror për të shtypur çdo gjurmë të identitetit shqiptar. Në këtë kontekst, autori nuk kufizohet vetëm në një narrativë viktimizuese, por paraqet edhe rezistencën aktive të shqiptarëve përmes mbrojtjes së kulturës, gjuhës, historisë dhe personaliteteve kombëtare. Ai na kujton se Maqedonia e atëhershme ishte një laborator i metodave të politikës antishqiptare që dirigjohej nga Beogradi, ku gjithçka shqiptare, nga emrat e fëmijëve, deri te qeleshet e bardha dhe qëndismat me motive kombëtare, ishte vënë në shënjestër të dhunës kulturore dhe simbolike.
Aktualiteti i mesazhit
Ndonëse shkruar mbi tri dekada më parë, libri është edhe sot aktual. Diskriminimi institucional, revidimi i proceseve demokratike, margjinalizimi politik dhe përpjekjet për të zbehur identitetin shqiptar, janë plagë ende të hapura në shumë segmente të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Në një kontekst ku historia ende kontestohet, ku simbolet kombëtare vihen në pikëpyetje dhe ku të drejtat kolektive shpesh reduktohen në retorikë formale, ky libër mbetet një manual i domosdoshëm për vetëdijen kombëtare dhe qytetare.Dhe, ashtu siç dëshmon edhe ky libër, populli i pandalur ecën përpara, pavarësisht pengesave të kohës.
Vepra e Agim Vincës sublimon rolin e intelektualit të angazhuar, që nuk e sheh penën si dekorim akademik, por si armën më të fuqishme në mbrojtje të identitetit, të dinjitetit dhe të së vërtetës.
Thirrje e fuqishme e ndërgjegjes, si përgjigje ndaj dhunës
Ka libra që nuk lindin vetëm si produkt i një nevoje intelektuale, por si thirrje e fuqishme e ndërgjegjes, si përgjigje ndaj dhunës, padrejtësisë dhe përpjekjes për të fshirë identitetin e një populli. I tillë është edhe libri “Populli i pandalur” i profesorit Agim Vinca, i cili, edhe pas 33 vitesh nga botimi i tij i parë, ruan po atë peshë emocionale dhe historike si në kohën kur u shkrua.
Ky libër është më shumë se një tekst publicistik, ai është një akt proteste, dhe një dëshmi e gjallë e rezistencës intelektuale shqiptare përballë një makinerie shoviniste që kishte për qëllim mohimin, denigrimin dhe asimilimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ai është rrëfim i një kohe të errët, por edhe i një dritëzimi që buron nga vendosmëria për të mos u dorëzuar, për të mos u përkulur dhe për të mos heshtur.
Struktura e veprës dhe temat bosht
Libri përbëhet nga një varg shkrimesh polemike, eseistike dhe publicistike, të cilat janë prodhuar si reagim ndaj realitetit të rëndë politik dhe kulturor të shqiptarëve në vitet ’80 e ’90. Shkrimet janë të renditura në mënyrë kronologjike, duke ndjekur zhvillimet dramatike në Kosovë, Maqedoni dhe hapësirat tjera shqiptare.
Në qendër të shkrimeve qëndron një betejë e madhe: beteja për të vërtetën historike dhe për dinjitetin kombëtar. Autori polemizon fuqishëm me narrativat antishqiptare të prodhuara nga akademikë, gazetarë dhe propagandistë serbë dhe maqedonas, të cilët përmes tezave pseudo-shkencore tentonin të kriminalizonin ekzistencën shqiptare.
Vinca dekonstrukton me precizion pseudo-argumentet e tyre mbi natalitetin shqiptar si “kërcënim biologjik”, mbi traditat dhe kulturën shqiptare si “regresive”, mbi gjuhën dhe historinë shqiptare si “produkt artificial”. Në të njëjtën kohë, ai ngre zërin për mbrojtjen e figurave kombëtare, të cilat u sulmuan jo vetëm simbolikisht, por edhe fizikisht (përmes shembjes së busteve, mohimit të kontributit të tyre dhe shkatërrimit të kujtesës kulturore).
Midis kujtesës dhe rezistencës
Ky (ri)botim nuk është vetëm një pasqyrë e së shkuarës, por edhe një apel për të tashmen dhe të ardhmen. Ai është një kujtesë e fuqishme se rruga e mbrojtjes së identitetit kombëtar kalon përmes edukimit, përmes kultivimit të mendimit kritik dhe përmes fuqizimit të ndërgjegjes kolektive.
Në këtë aspekt, libri fiton edhe vlera të mëdha dokumentare dhe pedagogjike. Ai mund të lexohet jo vetëm si dëshmi historike, por edhe si manual i mendimit kritik, si udhërrëfyes për të kuptuar mekanizmat e mohimit, të diskriminimit dhe të manipulimit kulturor, si dhe format e rezistencës kundër tyre.
Libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar
“Populli i pandalur” është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish.
Në kohën e sotme, kur sfidat kanë marrë forma të tjera – nga globalizimi i pakontrolluar deri te kolonizimi kulturor dhe marginalizimi i heshtur – mesazhi i këtij libri është më i domosdoshëm se kurrë. Ai na kujton se nuk mjafton të mbijetojmë si kolektivitet biologjik, por se duhet të mbijetojmë dhe të zhvillohemi si subjekt politik, kulturor dhe historik.
Në këtë kuptim, “Populli i pandalur” është më shumë sesa një libër: është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Është dëshmi se fjala, kur lind nga ndërgjegjja dhe nga dashuria për të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo armë, më e qëndrueshme se çdo pushtet dhe më e pavdekshme se çdo kohë.
Shkup, gusht 2025