Kreu Letërsi Shënime mbi libra Emi Krosi: Universi dhe zëri dashuror në lirikën e Preç Zogajt

Emi Krosi: Universi dhe zëri dashuror në lirikën e Preç Zogajt

Dashuria nuk është vetëm një “ushqim” shpirtëror por edhe një “ushqim”poetik. Nje koncetrat i veçantë, që shijon “gatimet” poetike, kur e përdor me masë. Poezia dhe dashuria janë më përtej  tundimit, janë përherë në konflikt mes fizikes dhe metafizikes, mes shpirtërores dhe hyjnores, janë si një mahnitje dhe penetrim, një forcë e njohjes shpirtërore dhe e tundimit drejt/ prej së epërmes (zhanri shkrimor i poezisë). Kjo lloj poezie në shtratin e saj ka një thurimë Erosi dhe Psike, që nuk u duhet drita për të prekur shpirtin në errësirë, për të prekur dashurinë si një koncept tokësor (Parker: 2011). Temat e dashurisë të trajtuara nga shumë studiues botërorë në sonetet e Shekspirit (tema soneteve të tij, trajtojnë dashurinë, jo si një koncept tokësor, por si koncept i përjetësisë hyjnore) mes trupores dhe shpirtërores. Kurse, poeti latinoamerikan i dashurisë, Pablo Neruda, është poeti që e skalit trupin e femrës me “daltë”, plot bukuri, hirësi, sharm  dhe vërtetësi, duke shëndërruar botën e artit, të bukurisë, të ndienjës si një asociacion mes narrativës dhe shijes (Fraj: 1990). Imazhet erotiko-dashurore, që mëtojnë si një bashkim të drejtpërdrejtë me qartësinë dhe tour de force e habitshme, për të përplotësuar dhe vlerësuar poezinë lirike të dashurisë (Zogaj: 2021), se motivet erotike jo vetëm si përcaktesa të objektit krijues, por edhe në trajtimin poetiko-estetik të poezisë shqipe, janë të hershme. Jo vetëm vizioni femëror si emancipim shpirtëror i popullit tonë, por edhe kushtet socio-shoqërore dhe historike, si në diakroni ashtu edhe në sinkroni, tematika e poezisë erotike është zgjeruar në dy rrafshe:

a) rrafshi erotiko-dashuror (një rrafsh i njohur shumë më herët, made që me sibilat e Bogdanit), b) rrafshi erotiko-pornografik, (letërsia shqipe nuk e ka pranuaras si nën/substrat të saj), por dashuria mbetet gjithmonë, një etje asnjëherë e shuar, një etje e zhuritur (Aliu: 1990).

***

Libri më i fundit me lirika dashurore, “Një e tretë dashuria” e Preç Zogaj-t, ndahet në gjashtë cikle:

1. Cikli i parë: një e tretë dashuria, (një imazh dashuror i skalitur imtësisht me 17,

(shtatëmbëshjetë) lirika), me poezitë: “Në qejfin e saj dashuria”, “Të herës së parë”, “Pjekuria”, “Kur e kujtoj sa të kam dashur ty”,  “Netët tona”, “Në këmbë na mbajti dashuria”, “Ne na njohu një e tretë, dashuria” etj. Imazhet dashurore të Zogaj-t, përplotësojnë rrethin e kalimi nga vetia tek tjetri, nga Idi tek Libido, duke mos iu frikësuar as kohës, aa moshës, as largësisë, se vetë dashuria, është përditshmëria jonë, pania fizike apo atraktivia (tërheqja), ajo që poeti e quan “të pafajshme” përmes vargjeve: isha i rritur, trembëdhjetë vjeç,/nata i kishte mposhtur të gjithë veç meje/Këndonin gjelat, padisnin, tallnin,/pagjumësinë time të parë, të pafund./…/Në qejfin e saj dashuria/shtronte qilimin/midis fëmijërisë dhe vdekjes time, poezia: “Në qejfin e saj dashuria”, më përtej lëvizjeve të sferave qiellore (cikli natë/ditë), se dashuria mund të kapërcejë thjesht fizikun, por kurrë shpirtëroren. Ata janë bashkuar, se dashuria është e bazuar në pikën qendrore, duke bashkuar dy  rrathët e jetës fëmijëria (ciklin e jetës adoleshenca, burrëria) se përmes dashurisë kalon jeta deri në vdekje, çon në bashkimin fundor të përsosur. Vargjet: netët tona…sa u bënë?/qindra, mijëra si një natë e vetve/nën një tavan nën një jorgan/duke u parë me gishta, duke folur me puthje, nga poezia:  “Netët tona” këtu poeti kalon në fushën më intime të dashurisë, një marrëdhënie që duket shekullore. Dashuria shpirtërore e filluar nga “mendja” nuk mund të reduktohet nga distanca fizike se dashuria, fillon të përqendrohet tek “gishtat  dhe pudhjet”, pra përmes perceptimit mishtor, që mishëron simbolizmin e dashurisë (John:1975). Poezia:“Ne na njohu një e tretë, dashuria” nga ku ka marrë edhe titullin libri, vargjet: ne na njohu një e tretë: dashuria/ajo qëndronte mes heshtjes tonë/kur shiheshim gjatë si dy të pagojë/dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri/dhe flisnim dyshe dhe kur flisnin me vete… dashuria dhe “zëri” i poetit përmes “zërit të tretë”, zëri dashuror, i “konceptuar” si i shenjuar dhe imazhi i shenjuesit, (perceptimi i dashurisë si njeri/individ), sëbashku me të gjitha aspektet e gjuhës për të  kuptuar mesazhin e ndienjës. 

2. Cikli i dytë: vitet e fundit të nënës, (imazhet e fundit të asaj që na ka dhënë jetën prej 7 (shtatë) lirikash); përmes poezive: “Nëna ime po e kalon mërzinë”,  “Epilog”, “Pashkë në Lezhë”, “Histori”, “Nuk jam më në kujtesën e nënës”, “Nëna dhe qielli”, “Vdekja e nënës” etj. Poezia “Nëna ime po e kalon mërzinë”, përmes vargjeve: nëna ime po e kalon mërzinë/për burrin e saj që vdiq dimrin e shkuar/S’kemi ç’të bëjmë,- më thotë, -s’kemi ç’të bëjmë/Po ta di se më pret, do të luaja mendsh/që po vonohem…Si mendon ti?, vjen në formë dialogu.  Poezitë janë si një porosi për nënën, pasi lidhja e fëmijës me nënën (djali), herë -herë e përmbys strukturën frojdiane të “kompleksit të Eipit”, pasi shumë herë Pema e Tamblit (trasmentimi përmes gjirit/qumështit), është dhumë më e fortë sesa Pema e Gjakut (lidhja me babin). Vargjet: ka gjëra që shihen para se të ndodhin/Këtë këngë e nisa të premten,/nëna u shua të martën/Gishtat e dorës m’u zhdukën/pasi mbaruan së numëruari/ditët e saj të fundit nga poezia: “Vdekja e nënës”, përmes shenjëzimit të kohës ciklike, në momentin e pranimit dhe përfaqësimit  të poetit me vdekjen e nënës, përmes përsëritjeve (trembëdhjetë herë /13) të fjalës semë nënë na sugjeron: krijimin e njësive të reja leksikore, funksioni i të cilave është të përmbledhin dhe të kondensojnë tiparet kryesore të tekstit (Riffaterre: 1983), që paraqitet në rrafshin sintagmatik me kryesemën shenjë nëna:

 nëna si besim                                              

nëna si dhimbje   

nëna si grua/femër

 nëna si mungesë 

nëna si kujtesë/dashuri/bekim

Poeti shpalos të gjitha aspektet subjektive ose fenomenale të përvojës, vetëdijes dhe Unit poetik.  Ky përkufizim thekson në mënyrë të arsyeshme strukturimin e poezisë,  në vend të subjektivitetit ose emocionit ose koherencës metrike, si “emërues i pareduktueshëm” i lirisë poetike, ku dallohet një lloj evidence strukturore ose përmbajtësore (Bloom: 1982).

3. Cikli i tretë: shpagimi po vjen me fytyrën me të bukur, (njëkohësia dhe njëmendësia e thyer përmes surreales dhe marrësisë tonë shqiptare me 11 (njëmbëdhjetë) poezi), me ciklin poetik: “Baladë trishtimmi për Noçen”, “Shpagimi po vjen me fytyrën më të bukur”, “Mallkimi”, “Aliemët”, “Pamje shqiptare”, “Gratë nuk na duan më” etj., poeti kapërcen të gjitha “panelet” poetike. Nga lirika dashurore, tek lirika e dhimbjes, mungesës, humbjes së nënës, në kalimin e teknikës postmoderniste duke shpërbërë individualen dhe absoluten, domosdoshmërisht si vizion dhe si dëshmi, përmes pikëpamjeve kaq modreniste, me vargjet: me shpinë nga ekrani duke mërmëritur/duke mbytur lemzat e profecisë…/Vazhdon se s’ka të ndaluar reklamimi/i supërofertave, supërmashtrimeve/ supertralalave, superlarjevelyerjeve,  nga poezia: “Shpagimi po vjen me fytyrën më të bukur” poeti,  si imazhi e ekraneve (analist dhe panelist në shumë studio të TV-ve), ku fasada e ekranit është vetëm një dukje, por njeriu prapa tij është një shpërfytyrim i surreales, absurdit dhe neverisë shoqërore. Titulli i poezisë, si  “një dëshpërim vizionar”, që nuk është gjë tjetër, veçse dëshpërimi siç mund ta përjetojmë në jetët tona të përditshme, është dëshmi për të gjitha pikëpamjet poetike moderniste (Ashton: 2005). Mënyra e  fjalëformimit të fjalëve me [parashtesën-super] si edhe aliteracioni por edhe aconancat dhe kosonancat,[ supërofertave/ supërmashtrimeve/ supertralalave/ superlarjevelyerjeve], duke i dhënë poezisë karaktere si: dehumanizmi, ironia dhe  sarkazma ku dukshëm vinë përmes poezisë: “Pamje shqiptare” me vargjet: dielli, i vetmi që nuk u tërheq vëmendjen/ këtyre njerzve/edhe pse kokën lart e mbajnë/dhe të mendosh, të parët e tyre/i dhanë një emër shumë miqësor, përmes togfjalështi: dielli, i vetmi që nuk u tërheq vëmendjen/ këtyre njerzve, ku supërrealia, që do të thotë kuptimi mbi të vërtetën, shenjohet me konvencionin e realitetit si stimulim i të vërtetës.

4. Cikli i katërt; dhe kaloi fëmijëria jote, rreze dielli ( kujtimet nga fëmjëria, vendlindja, deti, shokët  me 11 (njëmbëdhjetë) lrika), një cikël me poezi kryesisht katërvargorë, gjashtë vargorë por edhe triptikë. Poezi, ku dallohet rrokja e stilit klasik, modern dhe postmodern. Në këtë cikël janë poezitë: “Njëherë tjetër”, “Testamenti i gjyshes”, “Përbindëshi”, “Shokët” e fëmijërisë”, “S’ma japin kurorën”, “Vuan që është e errët nata”, “Dhe kaloj fëmijëria jote”, “Bujaria”, “Ti je ti”, “Bota është rinore”, “Dashuria nuk flet” . Poezia triptik “Bota është rinore”:  bota është rinore/ këtë nuk e dija/ kur isha i ri.

5. Cikli i pestë: dy përjetësi dhe asnjë jetë, (përditësia që “zhvesh” çdo vlerë njerëzore dhe letrare  me 13, (trembëdhjetë) lirika) me poezitë: “Pema e natës dhe territ”, “Vetëm për ty kalon koha, mbaron koha”, “Pjetër Bogdani”, “Me Rudolf Markun, në kafe “Çokolatino”, “Teposhta”, “Çast nudo” “Zgjim përsëri”, “Ecce homo”, “Greqia” etj. Janë poezi jo vetëm si poetikë në kuptimin stukturalist  të fjalës, që përçon më tej ligërimin letrar, bashkë me njohjen e teorive kulturore të elementeve postmoderniste, ku shumësia e diskurseve, nuk na shfaq përkufizime fikse, por poetikat e stukturave të hapura, shumë herë janë të përceptueshme dhe të  ndryshueshme (Culler: 2004). Poezia: “Pema e natës dhe territ”,  me vargjet: kam kënduar ditën e re duke bërë kryqin/por sot u kujtova të këndoj lavdërimin/e territ që më pruri përsëri/në këtë shtrat, shikim, vetëdijësi/Të falem, o terr, ti më merr n’garkim, triptiku: drita/ dita/terri dhe besimi, përmes metaforës së Kryqit (përtej besimit të poetit), janë zërat që e  thërrasin lexuesin  për një  “lexim të dukshëm”, duke e imagjinuar “hapësirën boshe”  ku thelbësorja “artikulon poezinë”. Poezia  propozon,  që errësira vizuale nuk mund vetëm të lexohet, por edhe të ftojë në mënyrë aktive dhe të kërkojë një zë: vizatimet e rastësishme, format e errëta, duke u përdorur në qëllimin e përfaqësimit dhe në dukje të parregullta në përmbajtje (Harshav: 2007). 

6. Cikli i gjashtë: e skuqura thotë diçka që nuk thuhet, (imazhe dhe copëra kujtimesh ngamiqtë, dhe marrëdhëniet familjare, motra, vëllezërit, miqtë etj.,  me 13 (trembëdhjetë) poezi). Ky është cikli i fundit, që përfaqësohet me poezi kryesisht në formë dedikimesh dhe me dy balada (nëse mund të quhen ashtu). “Njerëzit me të cilët u rrita”, “Krishti dhe unë”, “Pikturë fëminore”, “Moj bashkëshortia ime besnike”, “Porosia”, “Lutia për tim vëlla”, “Balada e skuqjes”, “Kaq shumë plane, kaq shumë mëdyshje” etj. Poezia që hap këtë cikël quhet: “Njerëzit me të cilët u rrita” me dedikim, (Gjergj Kthellës) përmes vargjeve: njerëzit me të cilët u rrita/vdesin, vdesin, më i fundit Gjergji/…/njerëzit me të cilët u rrita po vdesin/, zmadhohet, vjetërohet vetmia ime/O Gjergj, o Pashk, o shokë të fëmijërisë, poeti përmes  kujtimeve apo [o-së thirrmore] thërret me emra shokët e  fëmijërisë.  Folja  ata “po largohen” formon çiftin: vdekje/vetmi, që nuk e fragmenton rrëfimin me diskurse të ndryshme poetikash, por nxit aspekte kundërshtie, rastësies, thyerje etj., pastaj përsëri zgjon një double voice, (zë i dyfishtë) si trillim i postmodernitetit, si marrëdhënie, mes raportit të zërit të brendshmëm,  (të shenjuarit si kuptimi i jetës njerzore), dendurisht lidhet në raportin e asaj, që mund të kishte qenë ndryshe, strukturë e realizuar e figurimit të lirikës (Paund: 1968). “Naiviteti fëmijëror” i rrëfimit mund t’i referohet veçanërisht, një tjetre mënyre rrëfimi, për të rregulluar lidhjen e vargut me lirinë poetike, dhe përsëritjen në kohë, kemi një ndjenjë déjà vu. Fuqia  kohore e retrospeksionit dhe projeksionit varet nga aftësia për të mbajtur parasysh dhe ngjashmëritë, përsëritjet, sekuencat e kujtimeve,  nga rimimi i marrëdhënieve që përmbysen dhe zhvendosen në një plan tjetër me kuptueshmëri të përgjithshme. Poezia: “Moj bashkëshortja ime besnike” përmes vargjeve: moj bashkëshortja ime besnike/kërkoj të më falësh flirtet, arratinë/…/kërkoj ndiesë që këta sytë e mi/pahishëm nga prapa gra kanë parë, tregon se poeti “është në borxh” me bashkëshorten, ku përveçse kohës së krijimit, poetët janë “të pabesë”, flirtues, por poetët kanë natyrë rebele, dhe u “pranohen” prapsitë por edhe ndiesat e tyre të sinqerta.

BIBLIOGRAFIA:

1.Aliu, Ali. (1990) : Kërkime – Studime, kritika, ese, “Naim Frashëri”, Tiranë.

2.Ashton, Jenifer. (2005): From modernism to Postmodernism, Cambridge University Press.

3.Bloom, Harold. (1982): Agon: Toward a Theory of Revisionism: New York: Oxford University Press.

4.Culler, Jonathan. (2004):  Supozimi i intertekstualitetit, “Jeta e re”, Prishtinë.

5.Harshav, Benjamin. (2007):  Explorations in Poetics: Stanford: Stanford University Press.

6.John P. Broderick. (1975):  Modern English Linguistics: New York: Thomas Y. Crowell.

7.Parker, Fred. (2011): The devil as muse : Blake, Byron, and the adversary, Baylor, University Press.

8.Perloff, Majorie & Dworkin, Craig. (2009): The Sound of Poetry The Poetry of Sound.  University of Chicago Press.

9.Pound, Ezra. (1968), The Spirit of  Romance: New York: New  Directions.

10.Riffaterre, Michael. (1983): Text Production, New York: Columbia University Press.

11.Zogaj, Preç. (2021). Një e tretë dashuria, “UET PRESS”, Tiranë.

Exit mobile version