Kreu Letërsi Shënime mbi libra Elsa Skënderi: Loja metanarrative e Orhan Pamukut në “Netët e Murtajës” ose...

Elsa Skënderi: Loja metanarrative e Orhan Pamukut në “Netët e Murtajës” ose Një princeshë osmane për Shqipërinë

Për shkak të aftësisë sonë njohëse për botën, dukuritë e realitetit dhe kategorizimet që iu bëjmë fakteve të botës, priremi që edhe kryeveprat e shkrimtarëve e të artistëve, sistemet filozofike të mendimtarëve, t’i asociojmë me një thënie të vetme që shndërrohet devizë ose lajtmotivin që ndizet fill me të përmendur emrin e autorit. Këtu mjaft të kujtojmë “Cogito ergo sum”të Dekartit, “To be or not to be”të Shekspirit “Më jepni një dhimbje, t’ju jap një kryevepër”të Dostojevskit, “Ceci n’est pas une pipe” të Magritte-it, etj. etj. Kur vjen fjala te shkrimtari Orhan Pamuk, thënia e tij më e famshme është: “Një ditë lexova një libër dhe gjithë jeta ime ndryshoi”. Këtë e pata përshtatur në një shkrim për Librin e zi, duke thënë Një ditë lexova Pamukun dhe kuptova çështë letërsia e mirë. Me këtë bindje për shkrimtarin e letërsisë së mirë, të cilën e lexon dhe të përmbush çdo lloj pritshmërie për të epërmen, të vlerën, të bukurën letrare, e mora ta lexoj edhe Netët e murtajës së Pamukut.

Romani, i njëmbëdhjeti i nobelistit turk, i shkruar në 2020-n, është përkthyer në shqip nga Stefan Vuçani, i cili, duhet thënë, ka bërë një punë të denjë në përkthimin besnik të kësaj vepre voluminoze (639 faqe) dhe të dendur. Të këtillat janë tipike për Pamukun, i cili shkruan me ngenë përshkruese të shkrimtarëve të shekullit të 19-të, me detajimet e përbirimet karakteristike të letërsisë së realizmit dhe me sentimentalizmat shenjuese të letërsisë romantike. Këtë larushi shfaqjesh letrare e hasim edhe në Netët e murtajës, ku Pamuku nuk lë pa ndërkallur edhe motivet tipike të intrigës së letërsisë së verdhë, me krime për t’u hetuar e zbuluar.                 

Në frontespic të romanit, Pamuku vendos dy citate, një të Tolstojit nga Lufta dhe Paqja dhe tjetra nga Të fejuarit e Alesandro Manzonit, ku thuhet: “Asnjë shkrimtar i ditëve të sotme nuk e ka marrë mundimin të shkruajë një histori të vërtetë të mynxyrës së murtajës, duke shqyrtuar këto dokumente dhe duke i krahasuar me njëri-tjetrin”. Ky citat të bën të mendosh që Pamuku po shkruan një roman për t’iu përgjigjur pikërisht kësaj mungese – shkrimit për mynxyrën e murtajës, por Netët e Murtajës është shumë më tepër se një roman për dramën njerëzore të mbijetesës në kushte të një epidemie, ai është një roman për shoshitje të modës për bashkëkohësinë – nacionalizmi, lindja e shteteve pas shkërmoqjes së Perandorisë Osmane, përplasjet dhe bashkëjetesa mes islamit dhe krishterimit, luftërat politike dhe diferencat kulturore. Tema që tjetërkund janë historike a pastërtisht politike, trajtohen këtu në syzhetin e një vepre fiksionale.

Gjithë trilli romanor i Pamukut ka të bëjë me lojën metanarrative, që realizohet përmes ndërhyrjeve, shpjegimeve e përsiatjeve të autorit për natyrën e tekstit. Pamuku e nis romanin Netët e Murtajës duke e cilësuar librin “roman historik dhe një histori e shkruar në formën e romanit” dhe duke i dhënë atij edhe një autore (fiksionale), Mîna Mingerli. Përmes hyrjes së Mînës, Pamuku na grish në një lojë semiotike joshëse si për lexuesin e nivelit të parë (ata që nuk lexojnë thjesht duke ndjekur besnikërisht rrjetin e shenjave të tekstit për të mësuar si shpalosen ngjarjet, personazhet edhe fatet e tyre), ashtu edhe për lexuesit e nivelit të dytë (ata që lexojnë në mënyrë kritike, duke hetuar në çdo procedim mënyrën si është ndërtuar teksti si një i tërë, si realizohet trillimi, si ftohet të bëjë sikur beson lexuesi). Thënë thjesht, lexuesit e nivelit të dytë janë ata, ‘të djallëzuarit’, që ndërsa lexojnë thonë: “aha, e di se çfarë po bën Pamuku këtu!”, “e ka bërë dhe herë të tjera këtë manovër semiotike”, “e di se ç’pritshmëri kërkon të tejkalojë me këtë ndërhyrje”. Dhe për këta lexues, denduria tekstuale e librit, cilësuar nga Pamuku (përmes fjalëve të autores e rrëfimtares së tij fiksionale, Mîna) si një det shenjash, është llokmë e shijshme për të ngulur dhëmbët kritikë-semiotikë.

Në të vërtetë, në Mesdheun e botës jashtëfiksionale, mes Kretës dhe Qipros, nuk ekziston ndonjë ishull me emrin Minger, por Pamuku na e ilustron madje ekzistencën e tij edhe me një hartë të rrugëve e të lagjeve të ishullit, të vendosur në nisje të romanit. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1901, në vilajetin e Mingerit, që sapo është prekur nga sëmundja e murtajës, dhe që kërcënon popullsinë greke dhe turke të ishullit. Në luftë me murtajën, gjatë përpjekjeve të mundimshme për vendosjen dhe respektimin e karantinës, lind vetëdija për identitetin kombëtar, autokton të Mingerit. Në një shtjellë të ethshme lufte me vdekjen dhe lufte për pushtet, brenda pak muajsh nga shfaqja e murtajës, Mingeri shpall pavarësinë nga Perandoria Osmane.

Sensi i pretenduar historik i romanit përforcohet nga përfshirja e disa personazheve historike të fillimshekullit XX (sulltanesha Pakize —vajza e vëllait të shfronësuar të Abdylhamitit, Pasha Bonkovski— mjeku i famshëm epidemiolog, Sami Pasha—guvernatori me origjinë shqiptare i ishullit) si dhe nga referencat e pretenduara nga historianët e burimeve të kronikanëve të kohës.

Sulltanesha Pakize dhe i shoqi Nuriu, një mjek i njohur, nisen për në Kinë, të shoqëruar edhe nga Pasha Bonkovski, por anija e tyre ndalon në ishullin e Mingerit. Atyre iu ngarkohet detyra që të merren me vendosjen e karantinës dhe ndalimin e përhapjes së murtajës, që ka prekur kryesisht lagjet myslimane, ku thuhet se është më vështirë të respektohet karantina dhe masat parandaluese. Delegacioni i Sulltan Abdylhamitit, fillimisht akuzohet se e ka çuar murtajën në ishull, ndërsa sulltanesha Pakize dyshon që dërgimi i tyre në ishull ka të bëjë me synime të fshehta të xhaxhait të saj. Me të mbërritur në Minger, pasha Bonkovski gjen vdekjen në mënyrë të mistershme dhe doktor Nuriut i duhet që ta zbulojë këtë vrasje sa më shpejt, mundësisht me teknikat zbuluese të Sherlock Holmes-it. Krimi misterioz, tentativat për helmim, vdekjet e njëpasnjëshme e përforcojnë atmosferën e nderë e të ankthshme, tipike për një vepër të letërsisë policeske.

Në kapërcyell të letraritetit dhe historicitetit të pretenduar, personazhet letrare dhe shkrimtarët kanë emigruar nga vepra të tjera te Netët e murtajës, për t’i dhënë romanit nivele të tjera leximi. Një teknikë e tillë, e njohur hershëm në traditën letrare, në veprat e letërsisë bashkëkohore konsiderohet si shenjë e postmodernes – areal në të cilin Pamuku operon gjerësisht në veprat e tij. Rrëfimtarja na thotë që ndër veprat e parapëlqyera të Abdylhamitit janë ato të letërsisë policore, ku mbizotëron Sherlock Holmsi. Këto vepra edhe përktheheshin posaçërisht për Sulltanin, me shënimin “përkthyer për Abdylhamitin”, ndërsa përkthimi i tillë, në ndonjë rast bëhej objekt i censurës ndaj tekstit, për të fshehur ato çelësa leximi që do të çonin në zbulimin e krimeve të caktuara. (I tillë, në vepër, është rasti i përkthimit “Tre Mosketierët”, ku censurohet fakti që bari i miut për helmim, merret nga farmaci të ndryshme, për të mos mbërritur dot te dora e krimit).

Pa u ndalur te ritregimi skematik i fabulës së romanit, duhet thënë se në Netët e murtajës në miniaturë riprovohen motivet e njohura historike për sendërtimin e vetëdijes kombëtare, gjetjen dhe vendosjen e simboleve kombëtare, përfshirë edhe përvijimin i politikave gjuhësore  (emërtesat e rrugëve, krijimi i fjalorëve dhe mbledhja e folklorit, plane shpëtimi për rijetëzimin e gjuhës së paprishur), shkrimi i historisë së lashtë të popullit të Mingerit – të një vendi tashmë të pavarur, me identitetin e vet kombëtar. Gjithë sipërmarrjet nacionaliste tipike të vendeve që dikur kishin qenë nën Perandorinë Osmane.

Intriga e romanit shkon e zgjidhet, kur ishulli nga sistemi republikan kalon te sistemi monarkik. Pasi pretendentët religjiozë e joreligjiozë të pushtetit, gjejnë vdekjen ose prej vrasjeve të kundërshtarëve ose prej murtajës, radha për t’u ngjitur në fron i vjen Sulltaneshës Pakize, të cilën e propozojnë të bëhet tashmë mbretëreshë e Mingerit, me shpresën që një lëvizje e tillë do ta mbronte ishullin e pavarësuar nga ndonjë sulm hakmarrës prej Perandorisë. Me ardhjen në pushtet të mbretëreshës Pakize dhe të bashkëshortit të saj, doktor Nuriut, si kryeministër, falë zbatimit me përpikëri të karantinës, murtaja fillon të bjerret dhe vendi shpëton prej kthetrave të sëmundjes. Por përmes veprimeve dredharake të një prej ministrave të qeverisë (besnik i Abdylhamitit) mbretëresha Pakize dhe i shoqi, përcillen nga ishulli, për në destinacionin e tyre fillestar, në Kinë. Pas kësaj ishulli i Mingerit rishpallet republikë dhe madje tani që Mîna Minger, stërmbesa e Pakizes i rrëfen ngjarjet, në vitin 2017, Mingeri ka fituar edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Ironia ndërtekstuale e Pamukut do të ishte skematike, po të mos qe gjenia e tij krijuese, që e bën të thurë në mënyrë mbushamendëse një strukturë të tillë masive subjekti, personazhesh, nivelesh shenjash e leximesh. Teksa shfaq personalitetin e vet krijues të njohur për parapëlqimin e temave të përplasjes dhe të ballafaqimit mes lindjes dhe perëndimit, islamit dhe krishterimit, politikave nacionaliste e perandorake, shpesh me nota ironizuese, ai nuk lë mënjanë as lojërat tekstuale; një më dy e tërheq vëmendjen e lexuesit duke e bërë rrëfimtaren t’i flasë atij në mënyrë eksplicite përmes frazash si:  “Për t’i bërë kureshtarë lexuesit tanë, le të shtojmë se këto fjalët e fundit të Guvernatorit, përmbanin diçka profetike” ose “që të kuptohet më mirë historia jonë, le të kujtojmë një të vërtetë për Padishah Abdylhamitin, të cilin e dinin të gjithë specialistët e historisë osmane të gjysmës së dytë të shekullit të 19-të. Padishahu i fundit i madh osman, kishte pasion për romanin policor”. 

Loja semiotike e Pamukut shkon deri te përmendja e drejtpërdrejtë e vetes në roman, si person të cilit rrëfimtarja i referohet: “Dashuria për muzetë është një pasion tjetër i imi që e kam ndarë me shkrimtarin Orhan Pamuk”. Këtë lojë referimi ndaj ngjarjeve dhe emrave konkretë e hasim dhe në rastin kur në roman përmendet Shqipëria, për të cilën kërkohej një princ. Sipas rrëfimtares së Pamukut, një ndër emrat e diskutuar për t’u caktuar si princeshë e Shqipërisë, ishte sulltanesha Pakize, e cila e bluan jo pak idenë, madje shkon dhe konsulton dhe një vëllim të Encyclopedia Britannica për Shqipërinë, “aty kishte mësuar se ky vend nuk ishte ishull, kishte një reliev malor, se sipas historianit dhe gjeografit antik grek, Strabonit, banorët në këto troje ishin shtatlartë, të shëndetshëm dhe të ndershëm, ndërsa në zërin e dytë ishte shkruar se ky end ishte pjesë e Perandorisë turke”, por ka vetëm një shqetësim, që nuk e di gjuhën e shqiptarëve. E teksa ajo e sheshon këtë ide, thotë rrëfimtarja, Pakizja dhe i shoqi, lexojnë në gazetë se princ për shqiptarët tashmë ish zgjedhur Vilhelm Vidi, i cili “Pas gjashtë muajsh do të përmbysej nga një puç dhe rebelim mysliman”.

Të gjitha këto lojëra që nuk e cenojnë të vërtetëdukshmen e romanit, as teksa Pamuku, shkrimtar i letërsisë elitare, flirton me teknika e motive të letërsisë policore që është letërsi masive. Lojërat e këtilla, në fakt, janë shenja të qarta të veprës postmoderne, që e bën bashkë librin e pretenduar historik, burimet e personazhet historike me letërsinë, zhanret e saj, madje edhe me tekstin joletrar të kërkimit shkencor. “Tani jemi në një pikë ku është zhdukur dallimi midis historisë dhe letërsisë, midis legjendës dhe realitetit, midis ngjyrës dhe kuptimit të saj. Do t’i ndjekim ngjarjet me një vështrim më të vëmendshëm dhe pak më të thellë”, shkruan diku në mes të romanit Pamuku, i cili edhe këtë herë përmes një vepre pastërtisht fiksionale ia ka dalë të shtjerë prapë në kurth ata që e gjykojnë për paragjykime, ata që e fajësojnë për urrejtje, ata që e hetojnë për shtrembërime historike, ata që e akuzojnë për djallëzi.

Exit mobile version