Kreu Intervista Elif Shafak: Libri që nuk arrita ta përfundoja? “2666” i Roberto Bolaño-s.

Elif Shafak: Libri që nuk arrita ta përfundoja? “2666” i Roberto Bolaño-s.

Libri që jam duke lexuar

Po rilexoj “Mendja e robëruar” e Czesław Miłosz-it. Poeti dhe eseisti polak shkroi shumë për mërgimin, atdheun, përkatësinë, kujtesën, historinë, autoritarizmin… Duke ardhur nga një vend si Turqia, që është një vend i amnezisë kolektive, e kam lexuar gjithmonë Miłosz-in me një ndjenjë afrie dhe miqësie.

Libri që më ndryshoi jetën

Orlando i Virginia Woolf-it. Isha studente kur e lexova për herë të parë. M’u duk sikur zbulova një kontinent të ri. Orlando është një histori e shumë shpërndërrimeve dhe udhëtimeve magjepsëse. Është univers i i paqëndrueshëm. Duke guxuar të shkoj përtej të gjitha kufijve – kulturës, gjeografisë, kohës, gjiniisë, lindjës/perëndimit, të shkuarës/të ardhmes – Orlando më dha atë që mund ta japë vetëm letërsia e mirë: një ndjenjë të vërtetë lirie.

Libri që do të doja ta kisha shkruar

Projekti i harqeve prej xhami mbi rrugica i Walter Benjamin-it. Të ecësh përgjatë gjithë atyre rrugëve, të shikosh një qytet dhe njerëzit e tij të ndryshëm, të jesh një flâneur (shëtitës) i vërtetë, që vëzhgon modernitetin me të gjitha iluzionet dhe premtimet e tij të pambajtura… Më pëlqen Walter Benjamin-i. Është mendimtar i jashtëzakonshëm, një rebel i vetmuar që nuk i përshtatet asnjë grupi etnik, njeri me intelekt të madh dhe ndoshta me dëshpërim më të madh, dhe sipas fjalëve të Hannah Arendt-it, “një mistik i dështuar”. E  admiroj për të gjitha këto.

Libri që ka ndikuar më shumë tek unë

Kaq shumë libra dhe përralla popullore kanë ndikuar. Më pëlqen të krijoj një urë lidhëse midis kulturës së shkruar dhe botës së përrallave të rrëfyera me gojë; midis historive të Lindjes së Mesme dhe kanonit perëndimor. Një mijë e një netë pa dyshim kanë ndikuar tek shkrimet e mia, me stilin dhe strukturën e tyre lojcake që lejon tregimin e rrëfenjave brenda historive. Gjithashtu, Odisea e Homerit. Udhëtimi i kthimit pasi ka ndryshuar gjithçka: jo vetëm rruga dhe heroi, por dhe destinacioni, por siç na krijojet ndjesia edhe ne, ka ndryshuar edhe rrëfimtari.

Libri që mendoj se është më i nënvlerësuari

Motra e huaj, e Audre Lorde. Sigurisht që nuk u nënvlerësua kur u botua, por është harruar gati plotësisht nga brezat e rinj. Askush nuk shkruan si Lorde për lidhjen me motrave, guximin dhe qëndresën.

Libri që më ndryshoi mendjen

Ura mbi Drina e Ivo Andriqit. Isha shumë e re kur e lexova për herë të parë dhe deri atëherë, e vetmja histori që dija ishte versioni nacionalist, zyrtar që mësohej në shkollë. Kisha mësuar se ne otomanët kishim qenë një perandori e fuqishme që kishte sjellë drejtësi e qytetërim kudo që kishin vajtur. Megjithatë, leximi i Andriqit më bëri të kuptoj se si ndryshon historia në varësi të asaj se kush e tregon atë.

Libri i fundit që

 më bëri të qaj

Çdo libër nga James Baldwin. Emocionohem edhe kur ia dëgjoj zërin, kur dëgjoj bisedat dhe intervistat e tij. Baldwain-i është i shtrenjtë për mua.

Libri i fundit që

më bëri të qesh

Çdo gjë nga David Sedaris-i më bën gjithmonë të qesh, dhe është lloji i humorit që nuk i shikon njerëzit nga lart, por i përqafon qeniet njerëzore me të gjitha të metat dhe marrëzitë e tyre.

Libri që nuk arrita

ta përfundoja

2666 i Roberto Bolaño-s. Dhe ky është një autor për të cilin kam shumë respekt. Por nuk e di se çfarë ndodhi me 2666. Mund të provoj përsëri. Kam një ndjesi faji.

Libri që më vjen turp

që nuk e kam lexuar

Interpretimi i ëndrrave i Sigmund Frojdit. Në njëfarë mënyre s’mund ta lexoja, ndoshta edhe kjo është krejt frojdiane!

Libri që mund të jap

si dhuratë

Amatori nga Thomas Page McBee. Ose Murmurima e Will Eaves-it.

Libri i parë që mbaj mend

e kam lexuar

Unë kam lindur në Strasburg, Francë, në një shtëpi plot me emigrantë dhe studentë të majtë ku zakomisht lexonin Louis Althusser-in në një mjedis të mbytur nga  tymi i cigares. Pasi prindërit e mi u ndanë, nëna më çoi në Ankara, Turqi. Ishte një lagje shumë konservatore, kishte pemë qershie në oborret e shtëpisë… Ishte një kohë dhune politike me bomba në rrugë, kështu që s’mund të dilje e të luaje jashtë. Ulesha pranë dritares dhe lexoja për orë të tëra: Gra të vogla  të Louisa May Alcott-it,  Rrëfenja për dy qytete të Dikensit, Konti i Monte Kristos… histori që nuk kishin të bënin me jetën që jetoja dhe megjithatë personazhet ishin shoqëruesit e mi.

Leximet për qejf

Librat e gatimit! Meqenëse ka shumë detaje të kuzhinës, shije dhe aroma në letërsinë time, shumë lexues hamendësojnë se duhet të jem një kuzhiniere e hatashme. Për fat të keq, nuk jam, por më pëlqen të lexoj libra gatimi.

Përktheu Granit Zela

Exit mobile version