Kreu Letërsi Shënime mbi libra Elida Buçpapaj: “Lulja e Vlorës” që nuk vyshket kurrë e Anna Kohen...

Elida Buçpapaj: “Lulja e Vlorës” që nuk vyshket kurrë e Anna Kohen dhe Johanna Jutta Neumann e Anna Frank

Libri i parë që kam lexuar për Holokaustin ka qenë “Ditari i Anna Frank”. Anna lindi në Frankfurt am Main në 1929. Më 1933 i jati Otto Frank për shkak të represionit të Hitlerit kundër hebrejve në Gjermani e merr familjen dhe e çon në Amsterdam, por më 1940 Gjermania naziste e pushton Holandën duke aplikuar menjëherë ligjet antihebreje dhe kështu familjes së Anës iu desh të fshihej për dy vjet e gjysmë, kohë gjatë së cilës Ana mbajti ditarin që e quajti Kiti. Kitit Ana i tregonte gjithçka, ia besonte të gjitha sekretet e zemrës, edhe dashurinë e saj të parë, edhe frikën, edhe ëndrrat të cilat mbetën të parealizuara kurrë, sepse një ditë dikush i spiunoi dhe familjen e Annës e deportuan në kampet e përqendrimit. Mbijetoi vetëm i jati i Annës dhe Kiti. Sikur Otto Frank në vitin 1933 do të zgjidhte për të udhëtuar në Shqipëri në vend të Amsterdamit, natyrisht që e gjithë familja e tij do t’i kishte mbijetuar Holokaustit.

Gjatë diktaturës në Shqipëri nuk flitej as për Shoah as për Holokaust. Pas rënies së diktaturës lexova një nga veprat monumentale të të mbijetuarve të Holokaustit. Autobiografinë e Elie Wiesel  të titulluar “Nata”, ku në 100 faqe tregohet e gjithë tragjedia e miliona viktimave. Elie Wiesel rebelohet dhe pyet: Se ku ishte Zoti që i lejoi këtë gjëmë të njerëzimit! Ndërsa një personazh në libër thotë “Këtu nuk ka më as etër, as vëllezër dhe as miq”.

Vlerat e Perëndimit ishin groposur në varrezat masive bashkë me viktimat !

Që kjo katastrofë e njerëzimit të mos përsëritej, për të ndërgjegjësuar botën për çfarë kishte ndodhur, u fillua të dëshmohej për Holokaustin nga vetë dëshmitarët dhe të mbijetuarit. Dëshmitarët që i mbijetuan Holokaustit i treguan botës për shfarosjet masive nëpër dhomat e gazit të miliona hebrejve, për vrasjen e dhjetra mijë fëmijëve, për varrezat masive si në Babi Yar etj.

U krijuan kryevepra të kulturës botërore si The Pianist apo Shindler’s List, ku në atë kataklizmë morale u shpalos mrekullia e forcës të individit si Oscar Schindler, si Sir Nicholas Winton George, i njohur si “Schindleri Britanik”, apo Ëngjëlli i Budapestit, sikur njihet Raoul Wallenberg, diplomati suedez që shpëtoi 100 mijë hebrenj. Oscar Schindler, Nicholas Winton George, Raoul Wallenberg vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë!

Këta emra që përmenda me sipër dhe plot të tjerë janë heronj të vërtetë, sepse ata u udhëhoqën nga ndërgjegjia e tyre, ndërsa Perëndimi e kishte humbur edhe fytyrën edhe ndërgjegjen pasi Holokausti ndodhi në zemrën e Europës.

Diktatura komuniste e mbuloi me terr mbrojtjen e hebrejve gjatë Holokaustit

Në historinë e Shoah, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku edhe kur  ishte e pushtuar nga Gjermania naziste nuk kanë funksionuar ligjet naziste antihebreje. Në Shqipëri hebrejtë i mbrojti Mbreti, kryeministri, ministri i brendshëm deri tek banorët e fshatarët e thjeshtë. Prandaj a nuk meriton të thuhet se gjatë Holokaustit çdo shqiptar ishte një hero sepse kreu detyrën. Në Shqipërinë e periudhës së Holokaustit Zoti ishte aty !

“Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrejve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla sot në Evropë ku nuk ekzistojnë paragjykimet dhe urrejtja fetare, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime.” Këto janë fjalët e Herman Bernstein, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, 1934.

Por, mjerisht, kjo pjesë e ndritur e historisë shqiptare është mbajtur tërësisht në errësirë nga diktatura komuniste, e cila ishte po aq barbare se nazizmi dhe Hitleri. Hitleri shfaroste hebrejtë, regjimet staliniste në Europën Lindore, me në krye Shqipërinë vrisnin dhe shfarosnin shqiptarë! Regjimi komunist nuk ishte i interesuar të zbardhte atë faqe të ndritur të historisë, sepse shpëtimtarët e hebrejve diktatura Hoxhiste i kishte damkosur si “tradhtarë” e “kuislingë”, duke i zhdukuar e vrarë.

Në prag të rrëzimit të diktaturës, Ramiz Alia për herë të parë, për të rehabilituar biografinë e sterrosur nga krimet e regjimit hoxhist do t’i jepte një dosje me fakte ish Kongresmenit Joe DioGuardi, i cili shoqërohej nga Kongresmeni amerikan i mbijetuar i Holokaustit Tom Lantos, ku zbulohen të dhëna se si shqiptarët gjatë Shoah u kanë dhënë strehë dhe mbrojtje hebrejve.

Por një vepër të mirëfilltë sensibilizuese rreth kësaj të vërtete ka dhënë fotografi Norman Gershman me ekspozitën dhe filmin e tij kushtuar Besës, Kodit të Nderit të Shqiptarëve Myslimanë, të cilët shpëtuan Hebrej gjatë Holokaustit.

Kjo pjesë e ndritur e historisë po del nga errësira në dritë falë vetë hebrejve, një pjesë si dëshmitarë, një pjesë të prekur nga e vërteta, të cilët duan t’i përjetësojnë me mirënjohje veprat e shqiptarëve në Yad Vashem.

Në jetën time unë personalisht kam njohur pak hebrej. Në fillore deri në tetë vjeçare kam patur një shoqe shkolle që quhej Stela Levi. Më pëlqenin shumë flokët e saj të kuqe. Kishim marrëdhënie shumë të mira. Sot Stela jeton në Izrael. Kam njohur Dr.Rashel Kohen Cikuli, miken e familjes sonë, një mjeke humaniste dhe personalitet i shkëlqyer. Kam njohur Robert Shvarzin, motra e të cilit ishte martuar me kunatin e një mikes time me të cilën punoja në Institutin e Kulturës Popullore, sikur edhe me zonjën Sandra Gani, e cila pas rrëzimit të diktaturës bashkë me familjen shkoi në Izrael. Babai më tregonte me entuziazëm për një mikun e tij Mark Menahem, inxhinier i cili tim eti i fliste në mes të diktaturës për projekte madhështore si hapja e Tunelit të Krrabës që do ta kthente Elbasanin lagje të Tiranës, vepër që do të realizohej gjysmë shekulli më vonë. Në Tiranë komuniteti i hebrejve ishte i vogël dhe mbahej nën hije nga diktatura.

Me rënien e diktaturës bota u hap dhe ne shqiptarët mësuam të vërtetën se çfarë u kishte ngjarë hebrejve nga nazizmi, ndërsa kishim si eksperiencë se çfarë u kishte ngjarë shqiptarëve nga komunizmi, dy djaj që ushqehen me gjak njerëzor.

Fati deshi që të jemi  takuar me Johanna Jutta Neumann. Librin e zonjës Johanna, që sot mban autografin e saj, të titulluar shqip “Në sajë të Shqipërisë, Rrëfime për vete” ( Escape to Albania: Memoirs of a Jewish Girl from Hamburg) e kisha lexuar gjashtë vjet përpara se të takoheshim dhe ta përqafoja në Bazel, në pranverën e vitit 2014.

Johanna Jutta Neumann kishte lindur në Hamburg në vitin 1930, një vit e ca më vonë nga Anna Frank. Të dyja ishin hebreje të Gjermanisë. Otto Frank dhe prindërit e Johanna Neumann i largojnë fëmijë nga Gjermania kur Hitleri do të niste Natën e Kristaleve, preludin e Shoah, duke djegur Sinagoga e dyqanet e banesat e hebrejve gjermanë. Otto Frank me drejtim Hollandën, babai dhe nëna bashke me Johannan drejt Shqipërisë, ku Mbreti Zog dhe qeveritë e mëpasme të konsideruara “kuislinge” nga historiografia komuniste morën në mbrojtje dhe shpëtuan sipas dokumentave jetën e rreth 3200 hebrejve.

Johanna Jutta Neumann u bë si Ambasadore e shqiptarëve për të nxjerrë në pah të vërtetën. Nëpër intervista dhe në takimet me publikun ajo ka treguar se si kryeministri Mustafa Kruja u takua me Jakomonin dhe i tha se shqiptarët do t’jua hapnin kufijtë hebrejve, do t’i mbronin e strehonin duke u ndryshuar emrat. Dhe ashtu u veprua. Po kështu Ministri i Brendshem i asaj kohe Kol Bib Mirakaj u lëshoi hebrejve rreth 2000 pasaporta që të kalonin në Italine jugore të çliruar nga forcat aleate, ndërsa populli shqiptar i strehoi nëpër shtëpitë e veta. Qëndrimi në Shqipëri i familjes të Johanna Jutta mbyllet me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore kur kjo familje në fillim shkon në Itali dhe prej andej drejt SHBA-ve. Por mirënjohja e Johanna Jutta Neumann nuk rreshti kurrë.

“Lulja e Vlorës” e Anna Kohen

Pikërisht kur Johanna teenager do të largohej nga Shqipëria, në Vlorën buzë detit do të lindte Anna Kohen, e cila do ta tregojë historinë e familjes të saj hebreje në librin e saj titulluar Lulja e Vlorës, The Flower of Vlora, që më 6 shtator ka filluar të shitet në Amazonë në tri versione, ndërsa përkthimi në shqip nga Edvin Robert Shvarz del në nëntor.

“The Flower of Vlora” e lexova me një frymë.

Anna Kohen do ta vazhdojë historinë aty ku e kishte lënë Johanna Neumann, duke plotësuar pazëllin e saj jo si e mbijetuar por si dëshmitare.

Në kohë të ndryshme, të dyja Johanna dhe Anna, emigruan në Amerike, Johanna më 1945, Anna më 1971. Në Amerikë ato do të takoheshin duke i caktuar vetes misionin t’i tregojnë botës se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që i mori në mbrojtje hebrejtë.

Në librin e saj Lulja e Vlorës, Anna Kohen ua atribuon këtë meritë gjithë popullit shqiptar.

Libri është autobiografik, i shpalosur përmes një narracioni që të rrëmben, ndërthurur me historinë e shqiptarëve që është fshehur nga konjunkturat e regjimit totalitar.

“Lulja e Vlorës” ka një vlerë historike dhe dokumentare, pasi aty rrëfehet jo vetëm për jetën e një familje dhe komunitetit hebrej në Vlorë, por hidhet dritë se kur e qysh komuniteti i hebrejve ka nisur të vendoset në trojet e Shqipërisë aktuale. Prej mbi dy mijë vitesh përpara, gjatë inkuizicionit spanjoll deri tek Holokausti. Sepse janë mikpritur.

Anna Kohen hedh dritë për hebrejtë Romaniotë, degë e lashtë e hebrejve nga e ka edhe prejardhjen. Romaniotët, vendosur që në kohën e bizantit nëpër qytetet e Greqisë të sotme si Janinë, Artë, Kavallë, (dikur ishin qytete të vilajetit të Janinës), kishin ardhur në Shqipëri prej shekullit XVIII, duke jetuar, punuar, ruajtur fenë, gjuhën dhe traditat hebreje. Familja e Annës jetonte në Janinë si pjesë e komunitetit Romaniot me rreth 2000 vetë. Vetëm rreth 200 prej tyre mbijetuan sepse gjatë Holokaustit u deportuan nga Janina nëpër kampet e përqendrimit. Vetëm e jëma dhe daja mbijetuan nga familja e nënës së Annës.

Ndërsa gjyshi nga babai i Anna Kohen vendosi që bashkë me gruan e djalin, Davidin 18 vjeçar, të emigrojë në Vlorë për të ndërtuar aty jetën duke iu bashkangjitur komunitetit Romaniot dhe atij hebre.

Historiografia shqiptare e diktaturës ka fshehur gjithçka, duke mbjellë terr dhe injorancë. Anna Kohen, bën me sukses edhe historianen, sepse historia e familjes të saj është fragment i historisë të komunitetit, që konservoi kulturën e hebrejve Romaniotë, traditat, gjuhën dhe fenë edhe në Shqipërinë e diktaturës që e ndalonte besimin fetar.

Komuniteti i hebrejve ishin ngulitur në trojet shqiptare kohë pas kohe, në kohë kritike dhe dramatike për t’i shpëtuar persekutimeve, sikur edhe komuniteti i armenëve që u vendos në Shqipëri për t’i shpëtuar genocidit të perandorisë osmane.

Shqipëria ishte Parajsë për Hebrejtë

Anna Kohen tek Lulja e Vlorës zbulon të vërtetën e madhe se gjatë Holokaustit, Shqipëria ishte Parajsë për Hebrejtë. Anna nuk e ka përjetuar Holokaustin se nuk kishte lindur ende, por familja e saj po. Gjyshërit, prindërit dhe vëllai bebe po, të cilët gjatë pushtimit nazist u larguan nga Vlora për tek familja e Kadri e Vera Lazaj në fshatin Trivëllezër. Aty imami Musa Sinani u kishte ndryshuar emrat, pra kuptohet se ishte orientim i qeverisë, sikur e tregon edhe Johanna Jutta Neumann. Gjyshi Elia, mori emrin Muhamet; gjyshja Anetta, Fatime; babai nga David, Daut; nëna Nina u quajt Bule dhe vëllai Elio, Ali.

Ndërsa në anën tjetër të Europës, Elie Wiesel ngrinte zërin duke parë se qytetërimi Europian kishte humbur çdo vlerë, Anna Kohen i është për jetë mirënjohëse Familjes Lazaj dhe shqiptarëve. Dhe, për ta bërë mirënjohjen të mbijetojë, Anna Kohen shkruan “Lulja e Vlorës”, si një trashëgimi që ua le pasardhësave të saj, por falë plotfuqishmërisë që gëzon e vërteta, edhe si pjesë e jetës edhe si letërsi, “Lulja e Vlorës” sjell vlera historike, dokumentare dhe letrare. Sepse, duke lexuar autobiografinë e Anna Kohen, kupton se letërsia dhe realiteti janë binjakë. Jeta e Anna Kohen dhe familjes së saj i ngjan një romani me happy end, që meriton një dorë mjeshtri si Steven Spielberg për t’u xhiruar, për t’i treguar botës mbarë se gjatë Holokaustit pati një vend të vetëm në Europë si Shqipëria ku asnjë hebre nuk u spiunua, nuk u dënua dhe nuk u deportua në Auschwitz, Treblinka, Buchenwald a gjetkë, falë Besës dhe kodit të nderit të shqiptarëve.

Libri ka momente shumë emocionuese, kjo falë sinqeritetit dhe dashurisë me të cilin është shkruar nga Anna Kohen. Anna Kohen ka lindur në Vlorën e saj që e do fort, ku familja kishte filluar ta ndërtonte aty jetën prej vitit 1938. Anna Kohen shkruan “Megjithëse nuk kam patur kurrë shtetësinë shqiptare unë e kam konsideruar veten një hebreje shqiptare apo hebreje shqiptaro-greke.”

Më emocionon shumë ky pohim i Anna Kohen dalë nga shpirti i saj dhe vuaj e qaj me lot që ky komunitet tashmë është shpërngulur për shkak të diktaturës komuniste dhe tranzicionit. Mendoni hebrejtë prej rreth dy mijë vjetëve kishin filluar të nguliteshin në Shqipëri dhe po shpërngulen pothuaj të gjithë.

Është shumë e trishtë dhe e dhimbshme se si një personalitet si Anna Kohen, që e konsideron veten hebreje shqiptare, iku nga vendi që e deshi dhe e shpëtoi! Por me këtë rast duhet të vlerësohet guximi i babait të saj që e largoi familjen nga regjimi komunist drejt botës së lirë, sepse diktaturat janë njëlloj, si ato të zezat ashtu edhe të kuqet, pasi mbështeten në persekutimin e njeriut.

Me figurën e Anna Kohen si personazh kam mbi tre dekada që njihem, prej vitit 1989 kur u kthye në Shqipëri për herë të parë pas largimit  në 1966, ashtu edhe për faktin se Anna Kohen është shumë e përfshirë në jetën sociale të komunitetit Shqiptaro-Amerikan, si një mjeke shumë e suksesshme, si veprimtare e shquar në mbështetje të gruas me shoqatën Motrat Qiriazi që ajo e drejtoi mbi dy dekada, për mbështetjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit, për sensibilizimin mbi rolin e shqiptarëve në mbrojtje të Hebrejve gjatë Holokaustit. Ndërsa historinë e jetës nuk ia dija dhe as nuk mund ta merrja me mend. Histori romani.

Të dyja, Johanna Jutta Neumann që u largua nga Shqipëria kur në Vlorë sapo kishte lindur Anna Kohen, fati i bashkoi në SHBA. Të dyja këto zonja të nderuara jo vetëm u bënë avokate të shqiptarëve, por edhe e treguan të vërtetën e kulluar, ndërsa ishte manipuluar nga regjimi komunist dhe lënë në errësirë nga tranzicioni i komprometuar. Të dyja tregojnë dy anë të së njëjtës monedhë,  të ndaluar e censuruar nga regjimi komunist. Johanna Jutta Neumann hedh dritë se shpëtimtarët e tyre ishin “kuislingët” apo armiqtë e regjimit Hoxhist, të cilin Anna Kohen e përshkruan si një diktaturë me të gjitha atributet e një shteti totalitarist.

Anna Kohen dhe Johanna Jutta Neumann janë dy hebreje që i bashkon mirënjohja dhe dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por midis tyre ka një ndryshim. Jutta Neumann është hebreje gjermane nga Hamburgu, ndërsa Anna Kohen hebreje shqiptare nga Vlora, që e do fort qytetin ku ka lindur, detin, perëndimin e diellit që ajo vizatonte kur ishte fëmijë  me një varkë me yllin e Davidit duke lundruar bosh pa njerëz mbi Adriatik.

 Familja Kohen nuk pranon të jetojë në regjimin komunist

Anna Kohen shkruan me dashuri të madhe për jetën e familjes Kohen në Vlorë, për gjyshen Anette që mbante timonin e shtëpisë, për biznesin familjar të ngjyrosjes dhe shitjes të shallave plot ngjyra që i prodhonin vetë, për edukatën e punës që Anna e kishte marrë që fëmijë, kur zgjohej në dy të natës e vinte një gur për nënën e saj në rradhën e dyqaneve ushqimore apo kur tre fëmijët ngriheshin në orën 4 të mëngjesit për të ndihmuar në punët e biznesit. Anna tregon me krenari se ajo ishte edukuar për të arritur gjithçka me punë, djersë  dhe ndershmëri.

Anna tregon për Vlorën dhe “Rrugën e Çifutëve” sikur e quanin që banohej nga komuniteti i hebrejve, me të cilët ndanin në sekret të plotë kremtimet e festave dhe traditave hebraike, por Anna tregon se midis hebrejve të Vlorës dhe vlonjatëve kishte marredhenie shumë të bukura dashurie dhe respekti.

Anna Kohen krenohet në libër me Vlorën e saj dhe me komunitetin e hebrejve që kanë jetuar në qytetin bregdetar. Anna tregon se si Ismail Qemali posa u firmos pavarësia e Shqipërisë me bashkfirmëtarët e tjerë shkoi të festonte në familjen hebreje Kantozi, fakt që tregonte se komuniteti i hebrejve në Vlorë ishte me ndikim e gëzonte autoritet dhe emër të nderuar.

“Lulja e Vlorës” e Anna Kohen hedh dritë në realitetin e kohës ku jetoi duke mbajtur qëndrim kritik ndaj diktaturës komuniste Hoxhiste dhe Sigurimit të Shtetit, shkaku që familja Kohen të mos pranonte të merrte shtetësinë dhe me 7 anëtarë, 28 vite pas vendosjes së tyre në qytetin bregdetar, më 1966 do ta linte Vlorën dhe Shqipërinë. Ju kujtohet kur në vitin 1938 gjyshi Elia, gjyshja Anetta dhe biri i tyre Davidi 18 vjeçar nga Janina vendosën të shtrinin rrënjët në Vlorë. Më 1942 Davidi u martua me Ninën dhe më 1943 u lind Elio, fëmija i parë. Familja do të rritej pas Luftës së Dytë Botërore edhe me tre fëmijë të tjerë. Në gushtin e 1945 do të lindte Anna Kohen. Familja Kohen i shpëtoi Holokaustit në Shqipëri, por ata e kuptuan se diktatura Hoxhiste s’kishte ndryshim me nazizmin dhe prandaj vendosin të ikin nga vendi bunker. Familja Kohen nuk e kishte pranuar shtetësinë shqiptare, me pretekstin se do të humbnin pronat në Greqi. Me shumë vështirësi arritën që Elio të niste studimet për inxhinier dhe Anna për mjeke dentiste, por më 1966 David Kohen arriti që bashkë me gjithë familjen të fluturonte me avionin e Alitalia nga Rinasi në Romë dhe prej andej në Athinë e pas disa muajsh nën kujdesin direkt të HIAS, organizatë amerikane në mbrojtje të hebrejve, do të mbërrinin ne New York, SHBA. Anna do të përfundonte studimet për mjeke dentiste në Athinë dhe më 1971 do t’i bashkangjitej përfundimisht familjes në New York. Posa do të zbriste nga avioni, punonjësit e HIAS do t’i jepnin në dorë green card duke i uruar mirëseardhjen në SHBA, që Anna ta shijonte e jetonte lirinë e vërtetë.

Më 1989 Anna Kohen kthehet në Shqipëri, me pretekstin për të sjellë një makineri dhuratë për fakultetin e stomatologjisë, por ka si mision të sajin të realizojë largimin nga Shqipëria komuniste për në SHBA edhe të 37 anëtarëve të rrethit të saj familjar. E gjithë jeta e Anna Kohen është një mision për të ndihmuar! Anna Kohen gjithë jetën ka ndihmuar sa ka mundur, hebrej, shqiptarë, Shqiptarë të Amerikës, të Kosovës, gra, qytetarë të Botës në përgjigje të rebelimit aq të drejtë të Elie Wiesel tek Nata se gjatë Holokaustit “njerëzimi nuk pati as baba, as vëlla, as miq, bile as Zot!”

Anna Kohen tregon në librin e saj se njerëzimi shpëton nga Holokaustet apo nga barbaria, a nuk është duke ndodhur një barbari tjetër në Ukrainë, vetëm duke reaguar e duke hequr dorë nga indifernca dhe heshtja!

Me rrëzimin e diktaturës, Anna Kohen i forcoi lidhjet edhe me Shqipërinë, edhe me komunitetin Shqiptaro-Amerikan ne SHBA, ku shquhet dhe respektohet për kontributin e saj të pandalshëm. Më 2012 Anna Kohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, e ftuar si Mike Nderi nga shteti shqiptar vjen në Shqipëri dhe me këtë rast shkon në fshatin Trevëllezer, tek familja Laze që strehoi familjen e saj. Kadri dhe Vera Lazaj nuk jetonin më, por takohet me Rokon, djalin e tyre. Synimi i Anna Kohen është që emri i familjes Lazaj të përfshihet në Yad Vashem. Dhe është vetëm çështje kohe. Anna Kohen, qytetare Nderi e Vlorës, nuk harron të kujdeset që Rruga e Çifutëve në qytetin e saj të lindjes, sikur njihej, të emërohet denjësisht “Rruga e Hebrejve”. Anna Kohen po ashtu kujdeset që një rrugë në Durrës të marrë emrin e mikes të shqiptarëve Johanna Jutta Neumann.

Një kulm i autobiografisë tek Lulja e Vlorës është edhe familja e Anna Kohen, vajza, djali, dy nipat, mbesa dhe Markusi, dashuria e jetës, i cili bashkë me nënën dhe babain e tij janë të mbijetuar të Holokaustit. Në të njëjtën kohë, por në vende të ndryshme të Europës, gjatë Holokaustit, kur familja e Anna Kohen i shpëtonte duke u strehuar në fshatin Trevëllezër afër Vlorës, familja hebreje me origjinë polake e Markusit të vogël 7-8 vjeçar do të përjetonte të zezat. Markusi fëmijë e sheh me sytë e ballit se si nazistët i vrasin të vëllain e vogël Olekun, emrin e të cilit kur të lindte do ta merrte djali i Markus dhe Anna Kohen. Markusi ka një histori dramatike, rrëqethëse. Kur më në fund pas Luftës së Dytë Botërore do të shkojnë në Amerikë, në fillim Markusi kërkon të vihet drejtësi, duke marrë hak, por pastaj beson tek drejtësia e shtetit të së drejtës.

Tmerret e përjetuara nga Markusi dhe familja e tij, hebrej polakë të mbijetuar të Holokaustit nxjerrin në pah edhe një herë në libër vlerën e mikpritjes shqiptare përmes “Besës, kodit moral të shqiptarëve”, si një mësim për gjithë njerëzimin. “Lulja e Vlorës” që është vetë Anna Kohen kujton në autobiografinë e saj Talmudin se “një jetë e shpëtuar është gjithë njerëzimi i shpëtuar” – “Whoever saves one life saves the world entire.”

Perëndimi sot është përpara një prove. Kjo provë është Ukraina. Në qytetet e çliruara nga ushtria e Ukrainës po zbulohen varreza masive, me fëmijë, gra, burra e të moshuar! Të gjithë civilë! Zoti është lart në qiell, ndërsa ne që jemi mbi tokë nuk mund të heshtim. Ne duhet të jemi prindër, vëllezër e miq të njëri-tjetrit, si qytetarë të civilizimit Perëndimor por edhe si qytetarë të botës mbarë!

“Lulja e Vlorës” e Anna Kohen e bekon Shqipërinë dhe shqiptarët për reagimin ndaj të keqes që e kishte pushtuar botën, por tregon se si familja e saj dhe ajo po ashtu reaguan ndaj të njëjtës të keqe por me emër tjetër. Nazizmi dhe komunizmi apo stalinizmi janë sinonime midis tyre. Jo më kot 23 gushti njihet si Dita evropiane në përkujtim të viktimave të regjimeve totalitare, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet tyre, të nazizmit e të stalinizimit duke dënuar çdo formë të totalitarizmit.

Duke e përfunduar librin, një peng më mbeti dhe m’u mblodhi një lëmsh në fyt për Shqipërinë dhe Vlorën në mileniumin e tretë të zbrazur pothuaj nga komuniteti i hebrejve të vendosur në Shqipëri dy mijë vjet më parë. Anna Kohen në faqet e librit i kthehet rishtas vizatimit të saj  kur ishte një vajzë e vogël vlonjate hebreje të varkës me yllin e Davidit që lundronte në det bosh. Sot Anna ëndërron që kjo varkë të mbushet me hebrej turistë, ndërsa unë ëndërroj që Rruga e Hebrejve në Vlorë të gëlojë nga familjet e komunitetit hebre të kthyer tek rrënjët e tyre. Shqipëria ishte Edeni i hebrejve gjatë Holokaustit dhe ashtu do të duhej të mbetet.

“Lulja e Vlorës” – The Flower of Vlora e Anna Kohen është një libër që duhet lexuar. Ky libër i shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi i ka të gjitha vlerat për t’u përfshirë në bibliotekën e librave të shkruar nga të mbijetuar dhe dëshmitarë të Holokaustit.

           18 shtator 2022

Exit mobile version