Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Rudina Vrioni: Përmirësimi i aftësive të të folurit të një gjuhe...

Dr. Rudina Vrioni: Përmirësimi i aftësive të të folurit të një gjuhe të huaj nëpërmjet veprimtarive në grup dhe atyre individuale; Një studim krahasues.

ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

Vitet e fundit, gjuha angleze është kthyer në një prioriet për studentët tanë. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, një numër i madh studentësh nga departamente të ndryshme, zgjedhin të studiojnë gjuhën angleze si gjuhë C, duke besuar se kjo gjuhë ndërkombëtare do t’i ndihmojë për një karrierë të sukseshme pas diplomimit. Me gjithë dëshirën e këtyre studentëve për të mësuar gjuhën angleze, vihet re vështirësia që ata hasin në zhvillimin e aftësive të mira të të folurit në këtë gjuhë.

Duke pasur parasysh se klasa është vendi ku studentëve u krijohet mundësia për të folur një gjuhë të huaj, është detyra e mësimdhënësit që të zgjedhë atë metodë mësimdhënieje e cila rrit mundësinë e përdorimit të gjuhës nëpërmjet komunikimit.

Qëllimi i këtij punimi është të analizojë dhe krahasojë dy metoda të ndryshme mësimdhenieje, duke vlerësuar më tej  ndikimin që ato kanë në përmirësimin e e aftësive të të fourit  të një gjuhe të huaj. Kemi ngritur hipotezën se veprimtaritë në grup ndihmojnë studentët të përmirësojnë aftësitë e tyre të të folurit më shumë se veprimtaritë individuale, duke besuar se aplikimimi i punës në grup në fushën e mësimdhënies së një gjuhe të huaj eshtë thelbësor, pasi ai krijon një situatë ku studentët priren të përvetësojnë aftësi sociale e akademike duke u përpjekur të ndihmojnë njëri-tjetrin, të diskutojnë dhe argumentojnë, të vlerësojnë njohuritë e bashkëmoshatarëve dhe të ndërtojnë njohuri duke komunikuar së bashku.

Fjalë kyçe: gjuhë e huaj, student, të folurit, mësimdhënie, grupe

Një nga përgjegjësitë kryesore të mësimdhënësve të një gjuhe të huaj, është të bëjnë të mundur përdorimin e saj nga ana e studentëve nëpërmjet komunikimit. Për studentët është e rëndësishme të mësojnë të flasin gjuhën e huaj dhe për mësimdhënësit të dijnë se si t’i ndihmojnë studentët ta praktikojnë atë.

Aftësia për të komunikuar në një gjuhë të huaj në mënyrë të qartë, kontribuon në suksesin e studentëve, jo vetëm gjatë periudhës së studimeve, por në çdo fazë të jetës. Të folurit është një aspekt mjaft i rëndësishëm i të nxënit të një gjuhe të huaj. Në shumë kontekste arsimore, mësimdhënësit zgjedhin të fokusohen në shpjegimin e gramatikës dhe të fjalorit, sepse janë pikërisht këto dy elementë të gjuhës që testohen në provime. Studentët mund të kalojnë provimet me njohuritë që kanë në përdorimin e gramatikës dhe fjalorit, por e kanë të vështirë të përdorin fjalët e reja dhe të komunikojnë në gjuhën e huaj. Për këtë arsye, mësimdhënësit duhet të ndryshojnë fokusin e tyre dhe të zhvillojnë aftësitë e studentëve për të folur gjuhën e synuar, nëpërmjet komunikimit.

Sipas Edge (1993) komunikimi është mjeti kryesor i mësimdhënies moderne të një gjuhe të huaj, dhe një pjesë e rëndësishme e të nxënit.  

Kompetenca komunikative përfshin strategji të ndryshme të të mësuarit të një gjuhe, si shprehitë gjuhësore, sociale dhe ndërpersonale. Të folurit ndryshon nga aftësitë e tjera të gjuhës.  Për t’i ndihmuar studentët që të kapërcejnë pengesat që ata hasin për të arritur nje nivel të mirë të të folurit, duhet të përzgjidhet ajo metodë mësimdhenieje që  rrit mundësitë e përdorimit të gjuhës së huaj  dhe organizimi  i klasës në grupe është një nga metodat që nxisin komunikimin.

Veprimtaritë në grup në orën e gjuhës së huaj, i japin mundësinë studentëve për tu përfshirë në një komunikim ndërpersonal krijues dhe kuptimplotë. Sipas Krashen dhe Terrell (1983), komunikimi midis studentëve konsiderohet shumë më efektiv në rritjen e aftësive komunikative, sesa thjesht fokusimi në rregullat gramatikore. Duke u përfshirë në bashkëbisedime, studentët mund të përfitojnë strategji për të komunikuar dhe për të lidhur formën me funksionin, brenda një konteksti të caktuar. Grupet i ndihmojnë studentët për të rritur kompetencën gjuhësore. Long dhe Porter (1985) shprehen se puna në grup krijon më shumë mundësi për  të folur sesa mësimdhënia e drejtuar nga mësuesi.

Çfarë është të folurit?

Sipas Kramsch (1983), të folurit është përdorimi i gjuhës për të transmetuar një mesazh në situata dhe në kontekste të ndryshme.

Të folurit ndodh në prani të një dëgjuesi, sepse dëgjuesi i përgjigjet komunikimit të folësit.  Sipas Byrne (1986), komunikimi është një proces dy drejtimësh midis folësit dhe dëgjuesit dhe përfshin afësinë produktive të të folurit dhe aftësinë receptive të të kuptuarit.

Për shumë studentë, perfeksionimi i artit të të folurit është faktori më i rëndësishëm i të nxënit të një gjuhe të huaj dhe suksesi matet me aftësinë për të bashkëbiseduar në këtë gjuhë.

Nëse studentët perfeksionojnë të folurin, ata mund të aplikojnë gjithë aftësitë e tjera duke shprehur mendimet, idetë, emocionet dhe problemet e tyre.

Sipas Thornbury(2008), aftësia për të folur një gjuhë të huaj kalon në tre faza;

1. Ndërgjegjësimi – të kuptuarit e karakteristikave të gjuhës së synuar;

2. Përshtatja – kombinimi i karakteristikave të gjuhës me njohuritë egzistuese;

3. Autonomia – Aftësia për të përdorur gjuhën në mënyrë individuale.

Thornbury (2008), përmend disa veprimtari që nxisin pjesëmarrjen e studentëve dhe rrisin interesin e tyre, të cilat mund të përdoren nga mësimdhënësit për të nxitur te studentët aftësinë për të folur. Të tilla janë: diskutimet, puna në role, stimulimet, hedhja e ideve, ritregimi i ngjarjeve me role, intervistat, raportimet, përshkrimet në grup etj

Puna në grup e aplikuar në klasë, jo vetëm që promovon arritje më të mira në komunikim, por rrit edhe bashkëveprimin social mes studentëve dhe rezulton në krijimin e një mjedisi pozitiv të të mësuarit në klasë. Duke patur parasysh faktin se shumë prej studentëve e kanë të pamundur përfshirjen në situate të përdorimit të gjuhës jashtë klasës, pasi gjuha nuk flitet në komunitet, veprimtaritë dyshe ose në grup mund të përdoren për të maksimizuar bashkëveprimin mes studentëve.

Johnson (1991) shprehet se nuk ekziston asnjë praktikë tjetër e cila në mënyrë të njëkohëshme arrin kaq shumë rezultate. Interesi për të mësuarin në grup është rritur në këto 3-4 dekada, duke patur parasysh që gjithmonë e më shumë studime e punë kërkimore janë kryer e botuar, të cilat në mënyrë të qartë kanë demonstruar përfitimet që kanë studentët të cilët bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, krahasuar me studentët që mësojnë në klasat tradicionale.

Skema e studimit

Bazuar në gjetjet dhe pretendimet e studiuesve të shumtë, veprimtaritë në grup duket se u krijojnë studentëve mundësinë për të zhvilluar shprehitë e të folurit. Këto shprehi janë të nevojshme për sukses në të nxënin e një gjuhe të huaj dhe në lëndë të tjera. A janë aspektet pozitive të veprimtarive në grup njëlloj të aplikueshme edhe për studentët shqiptarë?

Si e perceptojnë studentët përdorimin e punës në grup në orët e mësimit të gjuhës angleze? A i mbështesin përvojat e tyre të mësimdhënies në grup studimet e mëparshme? 

Për t’i kthyer përgjigje këtyre pyetjeve, përpiluam një skemë eksperimentale, e cila do të na ndihmonte të perceptonim nëse diskutimi në grup jep rezultate më të mira në të folurin e studentëve se  veprimtaritë individuale.

Subjektet e studimit tonë ishin 74 studentë në nivel universiteti të cilët zhvillonin lëndën Gjuhë C.

Lënda Gjuhë C, zhvillohet semestrin e parë dhe të dytë. Në të përfshihen dymbëdhjetë tema të cilat zhvillohen gjatë  tre orëve mësimore në çdo javë. Teksti i përdorur është Opportunities, Education for life, me autorë M. Harris, D.Mower dhe A. Sikorzynska. Opportunities është një metodë që i ndihmon studentët të përforcojnë katër shprehitë  që ndihmojnë në të nxënin e një gjuhe: të lexuarin, të folurin, të dëgjuarin dhe të shkruarin.

Lënda realizohet nga 4 pedagogë të gjuhës angleze, me 74 studentë, në katër klasa paralele. Studentët ndiqnin vitin e dytë, të degës gjuhë Gjermane, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe kishin zgjedhur në preferencat e tyre të fillim semestrit gjuhën Angleze si gjuhë të huaj ose si gjuhë C. Studentët kishin një moshë mesatare prej 21,2 vjeç. Kursi dominohej nga vajza sepse tradicionalisht, pjesa më e madhe e studentëve të regjistruar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë vajza.

Brenda javës përpiluam një skemë e cila do të na ndihmonte të perceptonim nëse veprimtaritë në grup japin rezultate më të mira sesa puna individuale dhe i ndihmojnë studentët të praktikojnë të folurin. Do të vëzhgonim sesi këto dy metoda, ndikonin aftësinë e studentëve për të folur gjuhën e huaj e do të vlerësonim perceptimet e studentëve për shkallën e pëlqyeshmërisë së dy metodave.

Nisëm të modifikonim mënyrën se si do të zhvillonim orët që mbulonin seksionin Speaking, pra të folurin, për ta përshtatur atë me specifikën e studimit tonë.

Temat për diskutim u ndanë në dy grupe: gjashtë prej tyre do të zhvilloheshin duke i lejuar studentët të punonin individualisht  dhe gjashtë të tjera duke i nxitur ata të diskutonin në grupe të vogla, të përcaktuara paraprakisht nga mësimdhënësi. Në rastin e grupeve shumë të mëdha është mirë të bëhet një nënndarje në grupe më të vogla të cilat duhet të ndahen që në fillim të lëndës.

Procedurat u zbatuan gjatë dy  semestrave, duke mbuluar të gjitha temat e planifikuara në këtë modul.

Rezultatet e studimit

Bazuar në gjetjet tona, pas përpunimit të të dhënave të pyetësorëve, ky studim ka për qëllim të përshkruajë perspektivat e studentëve në lidhje me aplikimin e punës në grup për rritjen e aftësisë për të folur një gjuhë të huaj si edhe të krahasojë efikasitetin e veprimtarive në grup dhe atyre individuale në përmirësimin e aftësive të të folurit te studentët.

Në përfundim të semestrit, të gjithë studentëve iu kërkua të plotësonin një pyetësor për vlerësimin e lëndës, i cili u përdor për të vlerësuar preferencën e studentëve për një nga metodat e zhvillimit të mësimit, në seksionin Speaking dhe Discussion. Është mjaft e rëndësishme për pedagogët të kuptojnë preferencat e studentëve sepse në këtë mënyrë ata krijojnë ide më të qarta në lëndët e tyre.

Pyetësori ishte përpiluar me pyetjet e mëposhtme në fokus:

Si e perceptojnë studentët shqiptarë aplikimin e punës në grup ose dyshe në klasë? A kanë ata qëndrime pozitive apo negative ndaj punës në grup dhe në dyshe gjatë diskutimeve?                                                 

Cilat veprimtari në grup parapëlqejnë ata, që procesi i të folurit të jetë i sukseshëm dhe domethënës?

Cila nga metodat kërkon më shumë përgatitje nga ana e studentëve?

A do t’u pëlqente ta përsërisnin këtë përvojë edhe në lëndë të tjera?

Cili është roli i mësimdhënësit në aftësimin e tyre për të folur një gjuhë të huaj?

Në pyetësorët e vlerësimit të studentëve për dy metodat e përdorura në zhvillimin e lëndës u përftuan këto rezultate:

71,3% e studentëve kanë qëndrime pozitive ndaj veprimtarive në grup dhe në dyshe. Ata mendojnë se gjatë diskutimeve ndërtohen marrëdhënie më të mira midis tyre. Përpjekjet e përbashkëta, rezultojnë në nivele më të larta të kompetencës në gjuhën e folur sesa në përvojat individualiste.

62,7% e studentëve u shprehën se veprimtaritënë grup kërkojnë më shumë punë, durim dhe njohje të përgjegjësive nga ana e tyre.

81% e studentëve deklaruan se do t’u pëlqente ta përsërisnin këtë përvojë edhe në lëndë të tjera.

Disa nga pyetjet e pyetësorit ishin të hapura për opinione. Studentët sugjeronin një njohje më të mirë të hapave që duhet të ndiqnin. Një pjesë e mirë e tyre parapëlqenin punën dyshe, pasi në grupe me shumë studentë, ulej ndjenja e përgjegjësisë. Studentët që kishin një nivel më të përparuar, preferonin të punonin individualisht, pasi mendonin se duke u zgjedhur përfaqësues të grupit, duhet të merrnin përsipër më shumë ngarkesë.

Veprimtaritë në grup mund të përdoren edhe në lëndë të tjera të cilat i zhvillojnë në gjuhën B. Përgjigjet e studentëve tregojnë se ata do t’i preferonin ato, nëse do të kishin mundësinë të zgjidhnin.

Përfundime

Ky studim krahason dy metoda të rëndësishme të përdorura gjatë mësimdhënies për  përmirësimin e shprehive të të folurit. Ne ngritëm hipotezën se veprimtaritë në grup i ndihmojnë studentët për të rritur kompetencën e tyre gjuhësore dhe për ta përdorur gjuhën angleze më rrjedhshëm sesa nëpërmjet veprimtarive individuale. Aplikimi i punës në grup në fushën e mësimdhënies së një gjuhe të huaj është thelbësor për rritjen e aftësive të komunikimit sepse krijon një situatë ku studentët priren të mësojnë shprehi sociale e akademike si: të ndihmojnë njëri-tjetrin, të diskutojnë dhe argumentojnë, të vlerësojnë njohuritë dhe të plotësojnë hapësirat në të kuptuarin e njëri-tjetrit.

Në fund të studimit, rezultatet e përftuara konfirmuan hipotezën se puna në grup i ndihmon studentët më shumë se ajo individuale për të përmirësuar aftësitë e tyre të të folurit. Gjetjet pozitive të përmbledhura në këtë studim, tregojnë se puna e organizuar në grup është një teknikë efikase për përmirësimin e kompetencës së të folurit të studentëve që mësojnë gjuhën angleze.

Studimi tregoi se është përgjegjësia e mësimdhënësit të krijojë një klimë miqësore që studentët të mund të përdorin gjuhën e synuar pa hezitim dhe t’u tregoje studentëve hapat që duhet të ndjekin për realizimin e veprimtarive. 

Nëpërmjet këtij studimi sugjerojmë se kalimi nga mësimdhënia me në qendër pedagogun në mësimdhënien me në qendër studentin, nxit studentët të komunikojnë dhe rrit aftësinë e tyre për të folur një gjuhë të huaj.

Ky studim është i dobishëm si për studentët pasi  ndihmon ata të përmirësojnë shprehitë e të folurit, por edhe për  mësimdhënësit duke kontribuar për të maksimizuar të kuptuarin e tyre të dinamikës së grupeve dhe përdorimit të tyre në kontekstin arsimor për të arritur efektshmëri maksimale gjatë procesit të mësimdhënies. Studime të mëtejshme duhet të realizohen për të testuar aplikimin e gjetjeve në klasa të mëdha.

Referencat

Edge, J (1992). Cooperative development: Professional self-development through cooperation with colleagues. Hong Kong: Longman.

Brown, H. D. (2000). Teaching by Principles: An Interactive Approach to Language Pedagogy. Francisco: Pearson Education.

Byrne, D. (1986). Teaching oral English. Long man

Bygate. M. (1987). Speaking: Oxford university press.

Carter, R. & Nunan, D. (Eds.). (2001). The Cambridge guide to teaching English to speakers of other languages. Cambridge: Cambridge University Press.

Chong, Q. K., Kan, G. Y., & Chan, C. (2012). Independent learning resource facility for English Language Learners. The International Academic Forum, 6(7), 1267-1277.

Harmer, J. (2001). The Practice of English Language Teaching. (3rd Ed). London:     Longman.

Hedge, T. (2000). Teaching and learning in the language classroom.US: Oxford University Press.

Johnson, D.W., Johnson, R.T., and Smith, K.A. 1991b. Active learning: Cooperation in the college classroom.

Kramsch, C. (1983). Language and Culture. Widdwoson, H.G (ed). Oxford: Oxford University Press.

Littlewood D.A (Communicative Language Teaching, Psycholinguistics and Language Teaching Methodology)

O‟ Malley, J & Valdez, P.L.(1996).Authentic Assessment for English Language Learners: M D Addison-Wesly. 

Thornbury, S. (2005). How to Teach Speaking. Harmer, J. (Ed). London: Longman.

Exit mobile version