Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Martin Camaj si gjuhëtar

Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Martin Camaj si gjuhëtar

Përse nuk njihet Camaj te ne edhe si gjuhëtar?

Krahasuar me njohjen si shkrimtar, kontributi i tij i gjerë si gjuhëtar njihet fare pak te ne, e kjo për disa arsye: së pari, ai jetoi dhe e botoi veprën jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, në: Sarajevë, Romë, Vizbaden, Firence, Munih, Rende, Dyseldorf, Këln e vende të tjera; së dyti, veprat me karakter gjuhësor i botoi vetëm në gjuhë të huaj, si: serbokroatisht, italisht, gjermanisht, anglisht etj.; së treti, jo më pak e rëndësishmja, asnjë prej veprave me kontribut në gjuhësi nuk është përkthyer në shqip deri më tani, edhe pse ato i kushtohen albanologjisë, përveç Albanian grammar (Gramatikës shqipe…), e cila u përkthye në italisht nga Ardian Vehbiu (botuar në Kozenca, Itali, më 1995), ndërkohë origjinali u hartua në gjermanisht dhe u botua në anglisht, përkthyer nga Leonard Fox (botuar në Vizbaden, Gjermani, më 1984). Këtu do të thoshim, se Albanian grammar – një gramatikë e shqipes në tri variante: gegë, toskë e arbëresh – shënon një ndër kontributet më të rëndësishme që M. Camaj na la si gjuhëtar, për vetë faktin se në të përfshihet edhe arbërishtja.

Studimet pasuniversitare e doktorale mbi gjuhën e “Mesharit” të Gjon Buzukut[1]

Po e nis prej fillesave, duke sjellë ndër mend studimet pasuniversitare në “Albanologji”, në Universitetin e Sarajevës, me temën “Gjuha e Gjon Buzukut”. Përmendim edhe një studim të thukët në serbokroatisht, botuar nga revista shkencore e Institutit të Ballkanologjisë në Sarajevë, me titull Kontribut për njohjen e grafisë së Gjon Buzukut[2], për disa germa të veprës së tij.

Më pas, vjen teza e doktoraturës, të cilën e mbrojti në Universitetin e Romës, më 1960, nën udhëheqjen shkencore të Ernest Koliqit. Punimin do ta botonte po atë vit, në italisht,nën titullin Il “Messale” di Gjon Buzuku: contributi linguistici allo studio della genesi[3] (“Meshari” i Gjon Buzukut: kontribute gjuhësore në studimin e origjinës), në të cilin i bën një analizë të thelluar gjuhësore Mesharit të autorit të tekstit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe (1555), duke e vështruar në disa aspekte, si: drejtshkrimin, alfabetin, aspektet fonetike – siç janë, për shembull, zanoret hundore – dhe ato morfologjike, siç janë: formimi i së ardhmes, së pakryerës, infinitivit (paskajores), po edhe elementet dialektore, ndikimet e huaja, kryesisht ato latine, sllave e greke në gjuhën dhe në stilin e Mesharit.

Mbi fjalëformimin e shqipes

Në janar 1965, në Munih, ai fiton titullin akademik të habilitacionit – venia legenti në albanologji (i mbështetur nga fondacioni “Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman” – DFG), me temën “Albanische Wortbildung” (“Fjalëformimi shqip”), e cila do ta shohë dritën e botimit një vit më vonë, më 1966. Camaj sjell kështu një libër mbi fjalëformim shqip, kryesisht mbi formimin e arkaizmave (emrave të vjetër) në gjuhën shqipe, botuar në gjermanisht nën titullin Albanische Wortbildung: Die Bildungsweise der älteren Nomina[4] (Fjalëformimi i shqipes: mënyrat e formimit të emrave të vjetër). Në këtë punim ai u ndal te fjalëformimi i brendshëm: apofonia (gjerm. ablauti), apofonia e rrënjëve me -r, -l, -n, -m, theksi, gjurmët e theksit të lëvizshëm; dhe te fjalëformimi i jashtëm: përbërja emërore, fjalëformimet me parashtesa nga parafjalët ose ndajfoljet, elementet formuese nga rrjedhat dëftore, prapashtesat e shumësit, elementet fjalëformuese nga nyjëzimi etj.

Mbi mësimin e gjuhës shqipe dhe variantet/dialektet e saj

Më 1969, Camaj boton në gjermanisht Lehrbuch der albanischen Sprache[5] (Librin e mësimit të gjuhës shqipe), dhe më 1984, Albanian Grammar: with Exercises, Chrestomathy and Glossaries[6] (Gramatika shqipe: me ushtrime, krestomaci dhe glosarë).

Jo pa qëllim librat po i vendos radhazi, pasi shpesh këta dy libra janë kuptuar nga lexuesit si vijimësi të njëri-tjetrit, por për këtë të fundit, autori thekson në parathënie, se u frymëzua nga botuesi gjerman “Otto Harrassowitz”, për një ribotim të Lehrbuch-it, i cili përfaqësonte një nga tekstet e para moderne shqiptare. Por, ai mendoi të hartonte një libër të ri, duke sintetizuar gjithë punën e vet 20-vjeçare (1971–1990) në Universitetin e Munihut. Në të dy librat janë përfshirë format gramatikore që rrjedhin nga traditat e lashta, tekstet dhe gramatikat e vjetra shqipe, por në vetvete ata përfaqësojnë dy qëllime dhe dy mënyra të ndryshme të prezantimit. Shtëpia botuese gjermane publikoi edhe botime të tjera të përmirësuara të Lehrbuch-it, më 1991 (bot. II) dhe më 1997 (bot. III), në të cilët përfshihen korrigjime dhe shtesa të vogla, çka vërteton se Albanian Grammar është një tjetër botim[7].

Zhdukja e praktikave joadekuate dhe përfshirja e materialit të ri, sqaron Camaj në parathënien e Albanian Grammar, çoi në një marrëveshje të suksesshme në procesin metodologjik të përfshirë. Gramatikë pati si synim studentët e gjuhës shqipe të Universitetit Ludwing-Maximilians të Munihut, shqiptarët e diasporës, si dhe arbëreshët e Italisë së Jugut. Ajo vinte falë vërejtjeve dhe sugjerimeve të studentëve e të kolegëve të tij të universitetit. Ai nuk pa dallimet e tri varianteve vetëm në leksik, por në të gjitha rrafshet gramatikore, si dhe duke i krahasuar këto dialekte me standardin – duke paraqitur një pasqyrë të strukturës themelore të gjuhës, të quajtur prej tij Common Albanian (shqipja e përbashkët).

Me botimin e së parës gramatikë të shqipes në tri variante të saj: gegë, toskë e arbëresh, ai na dha një tekst të gjuhës shqipe, jo vetëm një gramatikë të saj, në të cilën dokumentohen çështjet më të rëndësishme për historinë e gjuhës shqipe dhe varietetet e saj, në mënyrë që struktura e përgjithshme e shqipes të shikohet si një e tërë.

Mbi të folmet arbëreshe

Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Romë, kryesisht gjatë studimeve doktorale, ai kreu ekspedita, kërkime mirëfilli shkencore në terren, në ngulimet arbëreshe për vite me radhë. Ai arriti në përfundimin se forma më e mirë origjinale e shqipes është ruajtur në Greci. Në fillim të viteve ’70 të shek. XX, boton në italisht dy studime për të folmen e Grecit (në gjuhën arbëreshe Katundi[8]) në provincën e Avelinos: La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino dhe RACCONTI POPOLARI di Greci (Katundi) in provincia di Avellino e di Barile (Barili) in provincia di Potenza.[9] Në këto studime bëhet fjalë për traditën e lashtë të një komuniteti që është përcjellë nga brezi në brez, por që rrezikon të zhduket. Për këtë vend, Camaj do të shkruajë edhe novelën Katundi me gjuhë të fshehtë[10].

(pamja nga web-i)

Te Racconti popolari… përfshihet fillimisht sistemi fonetik i të dyja ngulimeve arbëreshe të Katundit dhe të Barilit, si dhe tekste nga trashëgimia gojore e tyre dhe vjen i prezantuar si botim biling: arbërisht–italisht, përkatësisht:

KATUNDI – GRECI: Tregime frymorësh – Raconnti di animali: Zógji e dhélpra – L’ulccello e la volpe, Ulku e dhélpra – Il lupo e la volpe, Gjéli e dhélpra – Il gallo e la volpe; Prrala – Fiabe: Djaléti e Anmalfróshi – Il ragazzo e l’Animale feroce, Márri e qent – Mario e i cani, Kulíni e t’-uázrit – Nicolino e i fratelli, Ndríkua e Mórtja – La comare e la Morte, I-bíri réjit ç-u bë falkún – Il figlio del re che diventa falco, I-uáj e a-mótra – Il fratello e la sorella, Pepnjéli e a-bilja régjit – Peppinello e la figlia del re, Sérvja e i-bíri régjit – La serva e il figlio del re, Stéfni e a-bílja régjit – Stefano e la figlia del re, Djaléti e mághu – Il ragazzo e il mago, Djaléti e fiqt – Il ragazzo e i fichi, Djaléti e ljépurat – Il ragazzo e le lepri, Márri e Anmalfróshi – Mario e l’Animale feroce, Anmalfróshi e djaléti – L’Animale feroce e il ragazzo; Hoka e anekdota – Facezie e aneddoti: Djaléti e móngu – Il ragazzo e il monaco, Parménda ma di vesh – L’aratro con due orecchie, Púla a-zes e prífti – Il pollo nero e il prete, Kríku e Króku – Cricco e Crocco, Múangjit e dérku – I monaci e il porco, Nj-djalé e nj-vazarél – Un ragazzo e una ragazza, Tre t-uázr – I tre fratelli, Ermínia dhópu ç-u-vdiq – Erminia dopo la morte, Kúndi i samárit – Il racconto del basto, Di djalétra ç-ngítshin – Due ragazzi che si assomigliavano, Di pegurálj – I due pecorai, Uljku, délja e lákra – Il lupo, la pecora e il cavolo, Bri-math e bri-suécu – Corna-grandi e corka-pari, Di kumbár – I due compari, Di báthra – I due gardiani delle fave, Búrri ma dúaqit – L’uomo con le bisacce; Vistra fjalësh – Filastrocche: Maçja ç-do martónshi – La gatta che voleva sposarsi.  

BARILI – BARILE: Tregime frymorësh – Raconnti di animali: Dhélpra e úlku – La volpe e il lupo, Gjéli e dhélpra – Il gallo e la volpe, Gjárpri e búrri – Il serpente e l’uomo, Dílli e éra – Il sole e il vento, Akwilla e gjárpri – L’Aquila e il serpente, Dímbri, djálli e zógu – L’inverno, il diavoloe l’uccello; Prrala – Fiabe: Di tríma zhumbát – I due gobbi, Pljaka e Mortja – La vecchia e la Morte; Hoka e anekdotaFacezie e aneddoti: Grúja çë burlój t-shóqin – La donna che si burlava del marito; Vistra fjalësh – Filastrocche: Maçja ç-dish t-martónshi – La gatta che voleva sposarsi.

Tregimet, përrallat e fabulat, hokat e anekdotat janë shoqëruar me fusnota shpjeguese. Për të lehtësuar kuptimin e tregimeve, ofrohet edhe një përkthim literal në italisht. Vëllimi shoqërohet me një parathënie shpjeguese të Martin Camajt, një hyrje dhe disa shënime mbi sistemin fonemik të së folmes së këtyre dy fshatrave arbëreshe.

Më 1991, botohet në italisht nga Qendra e Botimeve dhe Bibliotekave të Universitetit të Kalabrisë, libri La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in provincia di Potenza[11] (E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në provincën e Potenzës). Në fushën e fonologjisë, Camaj do të veçojë përdorimin e hundorësisë dhe dukurinë e izolimit të zërit, ky i fundit tek arbëreshët e Shën Kostandinit nuk zbatohet në dy përdorime:

– kur fjala është femërore dhe mbaron me një bashkëtingëllore të zëshme; dhe

– kur paraprihet nga një bashkëtingëllore tjetër e zëshme.

Në varësi të mënyrës së artikulimit, fonemat anësore në Shën Kostandin ruajnë mënyrën e ndërtimit të lateraleve të lashta shqiptare. Një veçori tjetër del neutralizimi i tingëllimit të bashkëtingëlloreve – shndërrimi i tyre nga të zëshme në të pazëshme në fund të fjalës.

Sa i përket strukturës morfologjike, e folmja e Shën Konstandinit del më konservatore se të folmet e tjera, sidomos në formimin e shumësit apo edhe në formimin e mbiemrave.

Në fushën e dialektologjisë

Më 1977, boton në gjermanisht Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza[12] (E folmja arbëreshe e Fallkunarës në provincën e Kozencës). Sipas së shoqes, zonjës Erika Camaj[13], në katundin arbëresh Fallkunara, në Kalabri, ai ishte marrë edhe me mbledhjen e përrallave (vëllimi Prralla nga Fallkunara).

Vepra e Pjetër Pogdanit

Më 1977, në Munih, me kontributin e Martin Camajt dhe Zef Valentinit (“mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj”) botohet një prej teksteve të rëndësishme të letërsisë së vjetër shqipe, Cuneus prophetarum[14] (Çeta e profetëve) e Pjetër Bogdanit, si fototipi i origjinalit. Libri u shoqërua me një parathënie (vorwort) të dr. Rudolf Trofenikut dhe me një paraqitje (presentazione) të Zef Valentinit, si dhe çelës leximi nga Martin Camaj, duke e cilësuar këtë vepër të Bogdanit si të parën vepër origjinale në letërsinë shqipe, duke pasur parasysh se krijimet e mëparshme ishin më së shumti përkthime e përshtatje.[15]

~

Nëse hedhim një vështrim kronologjik, Martin Camaj ka lënë një kontribut të vyer ndër vite në fushën e gjuhësisë, konkretisht në gramatikën e gjuhës shqipe, në studimin e dialekteve, sidomos për arbërishten, me ekspedita në terren, por edhe duke nxjerrë në pah lidhjet e dallimet mes trajtave të vjetra të shqipes – të dokumentuara tek autorët e vjetër, si: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Pjetër Bograni; autorë të tjerë shqiptarë, si: Hasan Zyko Kamberi, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci etj., por edhe tek autorët arbëreshë, si: Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Jul Variboba, Nikolla Keta – dhe trajtave të mëvona dialektore e të shqipes së njësuar. Një kontribut i tillë si në gjuhësi, por edhe me veprën e tij artistike, shërben si një model për gegërishten letrare, me prirje afruese me toskërishten.

Nuk mund të lëmë pa theksuar, se qasjet e tij u ndikuan edhe nga reforma gjuhësore që ndodhi brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, reformë e cila u finalizua më 1972, në Tiranë, me Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Sipas M. Camajt, shumë elemente të gegërishtes u lanë jashtë standardit të shqipes, ndërkohë që ai shprehet në Albanian grammar se një gjuhë e njësuar nuk do të thotë eliminim i varianteve dialektore, por shumëllojshmëri dhe zgjerim i njohurive historike dhe dialektore të saj.

Një zbulim me interes…

Një zbulim me interes për lexuesin shqiptar përbën sidomos përmbledhja Përralla shqiptare[16] (Albanische Märchen), përpiluar nga Martin Camaj në bashkëpunim me Uta Schier-Oberdorffer. Disa nga përrallat e përfshira do të përmendnim: Djali dhe ëndrra, Vajza me hënë dhe djali me yllin në ballë, Tre gjuetarët, Gjysmëgjeli, Nusja-breshkë, Dhëndri-gjarpër, Tri motrat dhe ujku, Mbreti, shërbëtori dhe vajza flokartë, Tri motra, një vëlla dhe e bija e mbretit, Vajza si qumështi dhe gjaku, Vajza e fasules, Burri që dikur ishte baron, Dy vëllezërit, Drithi, Djali dhe magjistari, Vdekja e kumbarës, Djali dhe burrëngrënësi, Djali i mbretit që ishte skifter, Njerka, Hajduti i Malësisë dhe hajduti i Stambollit, Vajza portokalli, Djalli që quhej Uho, E bija e priftit dhe djali i mbretit, Historia e një gruaje të virtytshme, Mbreti i verbër, Vajza e lëvores, Dhëndri i djallit, Djali që vallëzoi me të vdekurin, Biri i mbretit dhe fantazmat, Dy vëllezërit e motrat e varfër, Djaloshi që iu premtua ujkut, Pashai dhe djali, Fati i një djali, I palumtur është ai që nuk e njeh fatin, Njeriu që dëgjoi gjithçka, Pantofla e artë, Gruaja besnike, Ora dhe gjysmëkungulli, Plaka dhe dhitë e egra, Mbrëmja e Shën Nikollës, Kostandini dhe Garentina, Vëllai dhe motra njihen, Lufta e dragonjve kundër kulshedrës, Në shtëpi gruaja s’më jep qetësi dhe në fushë më ha ariu, Ujku dhe dhelpra, Burri budalla dhe dhitë, Zogu dhe dhelpra, Ujku dhe mushka, Dhelpra dhe korbi, Mbrojtësi dhe kafshët e tij, Mërgimtarët, Dhelpra dhe bilbili, Milingona, miu dhe macja, Gjuetari dhe bilbili, Breshka e madhe dhe e bija e pashait, Si e fitoi burri bastin, Gjykimi i kadiut, Çfarëdo që të bëjë, e bën mirë, Parmenda me dy doreza, Dy barinjtë, Historia e shalës, Murgjit dhe derri etj.

Fillimisht ky botim mund të vijë edhe si përmbledhje e përshtatje për lexuesin e vogël, duke përzgjedhur pjesët që janë më afër botës fëmijërore.

Urojmë që institucionet përgjegjëse ta sjellin sa më parë në gjuhën amë visarin që Martin Camaj na la në fushën e gjuhësisë, vepra që rrokin shembuj nga autorët më të hershëm shqiptarë te bashkëkohësit e tij, duke dëshmuar se gjuha mbetet njësia themelore e letërsisë.


[1] Më 1950–1955 ndjek studimet e larta në degën “Gjuhë-letërsi sllave dhe latine”, në Fakultetin e Shkencave Gjuhësore pranë Universitetit të Beogradit, ku punoi edhe si pedagog pranë këtij universiteti. Më 1956 iu miratua tema “Gjuha e Gjon Buzukut” në “Albanologji”, për të vijuar studimet pasuniversitare në Universitetin e Sarajevës, nën mentorimin e Henrik Barić dhe Rikard Kuzhmić. Më 1960 mbron doktoraturën (“Dottore in lettere con lode”) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, po në fushën e gjuhësisë, mbi gjuhën e Mesharit të Gj. Buzukut. Camaj punoi edhe si pedagog pranë këtij universiteti. Në dhjetor 1960 vendoset në Munih me bursë DAAD – Deutscher Akademischer Austauschdienst (Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik). Punon si pedagog, për 20 vjet me radhë, në Katedrën e Albanologjisë pranë Universitetit Ludwig-Maximilian të Munihut. Në Seminarin e Gjuhësisë, në Munih, përvetëson metodat e studimit historiko-krahasues.

Shih: DEMIRAJ, Bardhyl. Jeta akademike e Martin Camajt, në: https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/jeta-akademike-e-martin-c.pdf

[2] CAMAJ, Martin. Prilog poznavanju grafije Gjona Buzukua. – Në: “Godišinjak” I, Balkanoloski Institut, Sarajevo, 1957, f. 203–211.

[3] CAMAJ, Martin. Il “Messale” di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Roma: “Shêjzat”, 1960.

Përmbajtja: KREU I. Drejtshkrimi; 1. Alfabeti; 2. H-ja si shenjë grafike dhe fonetike. KREU II. Zanoret hundore. KREU III. Aspektet e gjuhës së Gjon Buzukut: 1. Dallimet në gjuhën dhe stilin e Mesharit; 2. E ardhmja; 3. E pakryera; 4. Paskajorja (infinitivi); 5. Elementet dialektore. KREU IV. Ndikimet e huaja në gjuhën e Mesharit; 1. Ndikimi latin; 2. Elementet sllave; 3. Elemente veneciane; 4. Ndikimi grek; Konsideratat përfundimtare; Tri qytete të njohura të Triepshit; Regjistri i fjalorit.

[4] CAMAJ, Martin. Albanische Wortbildung. Die Bildungsweise der älteren Nomina. Wiesbaden: Otto Harrassowitz, 1966.

[5] CAMAJ, Martin. Lehrbuch der albanischen Sprache. Wiesbaden: Otto Harrassowitz, 1969.

[6] CAMAJ, Martin. Albanian Grammar: with Exercises, Chrestomathy and Glossaries. Wiesbaden: Otto Harrassowitz, 1984.

[7] Shih: KRYEZIU (Shkreta), Jorina. “Albanian grammar(1984) nga Martin Camaj: Një gramatikë e shqipes në tri variante: gegë, toskë e arbëresh”. – Në: Pasqyra e t’rrëfyemit – Botim i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë, viti III, nr. 6–7, 2017–2018 (ISSN 2414-5580), f. 49–59.

[8] Kujtojmë se në vitin 1991, komuna e Katundit i akordoi Martin Camajt titullin “Qytetar nderi”, shih: BREU, Walter; SASSE, Hans-Jürgen. “Vepra shkencore e Martin Camajt në fushën e gjuhësisë”, në: Hylli i Dritës, nr. 3, 2008.

[9] La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino. Firenze: Leo Olschki, 1971, dhe Racconti popolari di Greci (Katundi) in provincia di Avellino e di Barile (Barili) in provincia di Potenza. – Në: “Studi Albanesi”, vol. III, Istituto di Lingua e Letteratura Albanese, Università di Roma, 1972.

[10] Shih: KRYEZIU (Shkreta), Jorina. Grahmat e fundit të një identiteti: Mbi strukturën binare të novelës “Katundi me gjuhë të fshehtë”.– Në: “ExLibris”, Tiranë, nr. 89, 25 korrik 2020, f. 5.

[11] CAMAJ, Martin. La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in provincia di Potenza, Centro Editoriale e Librario dell’Università della Calabria, Rende, 1991.

[12] CAMAJ, Martin. Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza. “Albanische Forschungen”, vol. 16, Trofenik, München, 1977.

[13] Shih: https://prointegra.ch/zonja-erika-camaj-nje-fisnike-qe-edhe-pas-30-vjetesh-hap-deren-per-adhuruesit-e-poetit/

[14] CUNEUS PROPHETARUM a Petro Bogdano, PATAVII, MDCLXXXV (Mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj), Rudolf Trofenik: München, 1977.

[15] Shih: CAMAJ, Martin. “Pjetër Bogdani, mjeshtër i gjuhës e i stilit”. – Në: Albanica, nr. 1, 1990, f. 80–89.

[16] Camaj, Martin; Uta Schier-Oberdorffer. Albanische Märchen. Verlag: Düsseldorf, Köln: Eugen Diederichs Verlag, 1974.

Exit mobile version