Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Jolanda Lila: Risitë që solli poezia e Kadaresë

Dr. Jolanda Lila: Risitë që solli poezia e Kadaresë

Në mendimin kritik shqiptar është pranuar gjerësisht se vitet ’60 shënjojnë valën e parë të poetëve që risuan poezinë shqipe. Gjatë kësaj periudhe, gjëllijnë në bllok prirje të ndryshme letrare, me larmi stilesh dhe mjaft të pasura në planin lëndor. Ndryshe nga shfaqjet e modernitetit me tipare ishullore të viteve të mëparshme (vitet ’30), pas viteve ’60 poezia shqipe njohu zhvillime tërësore të rëndësishme, si  në aspektin strukturor ashtu edhe në atë tematik, aq sa segmente të kësaj poezie janë të krahasueshme me poezinë moderne evropiane.

Pjesë e gjeneratës që shënjuan kthesën cilësore të poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të XX, madje një ndër prijësit kryesor të saj, qe edhe Ismail Kadare.

Ndonëse ishte vetëm 18 vjeç kur botoi vëllimin e parë poetik “Frymëzime djaloshare”, ai spikati për origjinalitetin, thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e vargut, gjë që u përvijua më tej edhe me vëllimin me poezi “Ëndërrime”.  Edhe pse në këto dy vëllime poetike, janë të ndjeshme një varg dobësish, të përligjura me moshën dhe përvojën artistike të autorit, sërish një pjesë e madhe e këtyre poezive parashenjuan ardhjen e njërit prej zërave më të rëndësishëm të poezisë shqipe.

Nëse këto dy vëllime mund t’i quajmë si një fazë eksperimentale e autorit, në vitin 1961, me botimin e librit “Shekulli im” mund të themi se shpërfaqet plotësisht individualiteti krijues i Kadaresë. Në këtë fazë, poezia e tij vjen si një gjedhe origjinale në poezinë shqipe bashkëkohore dhe poeti vjen si një revolucionarizues i botëkuptimit letrar dhe si një autor avangard, në një kohë kur nuk lejohej avangardizmi. E për këtë, nga shumë studiues (vlen të përmendim studiuesit Bashkim Kuçuku dhe Agim Vinca) Kadare është quajtur një Majakovsk shqiptar. Jo vetëm përmes krijimtarisë poetike, por edhe përmes shkrimeve kritike të botuara në shtypin e kohës (përkatësisht, gazeta “Drita”, 1961)  ai  doli kundër poezisë anemike, e cila qëndronte larg jetës së gjallë dhe kohës së vet dinamike, apo që qëndronte brenda korniza metrike e fjalorit standard, duke harruar fondin e gjuhës së përditshme, i cili shpreh më së miri zhvillimet e kohës.

Duke përçmuar këtë trajtë uniformizuese të poezisë së ashtuquajtur “tradicionale” , duke qenë i konsoliduar në mendimin e vet poetik e duke pasur si kredo kryesore pasurimin e poezisë në planin përmbajtjesor dhe për pasojë, edhe në mjetet shprehëse të saj, ai lëvroi zhanrin e poezisë për rreth 14 vjet, duke botuar edhe një sërë vëllimesh të tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” 1964, “Vjersha dhe poema të zgjedhura” 1966, “Motive me diell” 1968 dhe më 1976 edhe vëllimin me poezi “Koha”. I gjithë ky korpus veprash sendërton një tërësi të madhe vlerash e risish për poezinë shqipe në përgjithësi dhe një vatër interesante kërkimesh, pikëpamjesh e konceptesh të reja, ende të pastudiuara sa duhet.

Poezia e Kadaresë ka shëmbëlltyra origjinale me forcë të madhe shprehëse për realitetin shoqëror në të cilin jetoi autori, por edhe për botën e brendshme intelektualo-emocionale të tij. Kjo larmishmëri poetike, e komplikon ravijëzimin e tipareve të kësaj poezie, mbi të gjitha nëse rrekemi ta kanonizojmë atë brenda një rryme letrare të caktuar. Megjithatë, duke parë dinamikën e zhvillimit të stilit nga poezitë e para, tek ato më të fundit, rezulton se poetika e Kadaresë karakterizohet nga dy trajta kryesore ligjërimore:

Së pari, nga ligjërimi i drejtpërdrejtë, pa ngarkesa dhe ornamente që krijojnë mjegullnajën semantike. Vargu nuk ngarkohet figurativisht, megjithatë shfrytëzohen dendurisht figurat e diksionit dhe në shumë raste, përdoren edhe figura të mendimit, të sintaksës etj. Kështu, disa nga figurat stilistikore më të shpeshta në vargjet e Kadaresë janë: metafora, metonimia, krahasimi, hiperbola, personifikimi etj.

Së dyti, është ligjërimi abstragues, herë me nivel të thellë e herë disi më sipërfaqësor, me shumë lakadredha metaforike e simbolike dhe nivele kuptimore të ndryshme. Ky lloj ligjërimi vihet re sidomos në vëllimin e fundit poetik “Koha”. Në të dyja trajtat ligjërimore, ai është i pangjashëm me asnjë tjetër, sepse pikëmbështetja krijuese ngrihet mbi disa referenca, herë reale e herë surreale, të cilat ndërtojnë figurën poetike.

Ligjërimi i drejtpërdrejtë sendërtohet kryesisht nga referencat përngjasuese konkrete mjedisore, por që janë të ndryshueshme vazhdimisht. Pikërisht kjo ndryshueshmëri i jep ritëm dinamik vargut, ku nuk mungojnë as tonet shqetësuese e nervoze. Në librin me poezi “Shekulli im” vihet re veçanërisht ndikimi nga futurizmi rus, pasi në vitin 1962 përktheu edhe manifestin futurist “Re me pantallona” të Majakovskit. Kështu, në vargun kadarean të kësaj periudhe ndihet një lloj fryme superioriteti ndaj brezave të mëparshëm dhe një lloj lufte e hapur ndaj të vjetrës e konservatores në jetë dhe në art.

Njëlloj si tek futuristët rusë, edhe tek Kadareja, lufta kundër tradicionalizmit nënkuptonte luftën kundër elementeve penguese të progresit dhe jo nihilizimi i elementëve më të rëndësishme të saj, pasi në poezinë e tij pasqyrohen elementet më të rëndësishme të traditës shqiptare. Madje, shëmbëlltyra e etnitetit shqiptar është mbizotëruese në shumë vëllime poetike. Kjo shëmbëlltyrë formësohet nga ndikimi i folklorit; nga ritet e dasmave, këngëve, valleve, veshjeve popullore; nga traditat e zakonet me vlera morale e kombëtare; nga natyra e bukur shqiptare (malet, shirat, ylberët, gurët etj.) dhe nga historia e lavdishme ndër shekuj. 

Shpesh, në referencat historiko-mitologjike, gjejmë shëmbëlltyra mendimore-emocionale të frikshme e të ankthshme që zhvillohen me ligjërimin e tërthortë dhe abstragues. Kështu në poezinë “Ikja e Moisi Golemit”, tradhtia e Moisiut ndaj Skënderbeut trajtohet në një rrafsh tepër psikologjik, gjë që e universalizon këtë dukuri. Ky lloj ligjërimi është i ndjeshëm veçanërisht në poezitë e fundit të autorit dhe përdoret simbolika e shumëllojshme për të fshehur mendimet politike kundër regjimit diktatorial. Për shembull, në poezinë “Pritja” përfshihemi në një atmosferë surrealiste, ku përzihet e zakonshmja a e përditshmja me mitologjinë e folklorin. Kështu, teksa subjekti lirik pret një personazh/referent të papërcaktuar, telefoni merr një sy gjumë dhe në qilimin e dhomës përbindëshat dremitin. Kur personazhi vonohet, atëherë përbindëshat fillojnë të lëvizin me leshra të kërleshura mbi qilim.

Telefoni po merr një sy gjumë para ardhjes sate

Abazhurët varen të heshtur mbi pritjen.

Përbindëshat mbi qilimin e dhomës dremitin të qetë.

Ora kaloi.

Ti u vonove.

Drita e abazhurëve u bë e keqe.

Si i vrarë telefoni ka rënë përmbys e s’merr frymë.

Tani përbindëshat filluan të lëvizin,

Ja, po zgjohen me leshra të kërleshura mbi qilim.

Ti do vish patjetër të qetësosh gjithçka.

(Poezia “Pritja”, 1966)

Atmosfera poetike e pritjes vërtitet në tre përbërës kryesor: telefoni, abazhurët, përbindëshat dhe në pamje të parë, të krijohet ideja e ankthit të padurimit që e kaplon subjektin lirik për t’u takuar me të dashurën e vet. Megjithatë, shpejt kjo ide të përngjan e pamjaftueshme teksa analizon fushën izotopike të poezisë, ku mjafton të përmendim disa nga fjalët e sintagmat çelës për të nxjerrë në pah nëntekstin e poezisë: gjumi, pritja, përbindëshat, ora, drita e keqe, i vrarë, ka rënë përmbys, s’merr frymë, leshra të kërleshura. Kjo tërësifjalësh krijon klimën e dhunës psikologjike dhe fizike, klimë e cila është shëmbëlltyrë e rrethanave politike në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, kur mendimi dhe veprimi i lirë konsiderohej herezi dhe censura ishte mbizotëruese në çdo skaj të veprimtarisë njerëzore. Dëshmues të këtij konotacioni janë edhe tre elementet poetike: telefoni (akti i dëgjimit), abazhuri (metaforë e dritës, që nënkupton aktin e shikimit) dhe përbindëshi (sistemi totalitarist që mbikëqyr gjithçka, “gjithë sy e veshë”). Këto elemente paraqesin trysninë e censurës dhe aktet makabre të saj për përçudnimin e qenies njerëzore.

Katalizatori i ankthit është i papërcaktuar dhe kjo e rrit akoma më shumë efektin dramatik të  vargut. Efekti bëhet më i fortë përmes kontrastit mes ankthit e trazimit të subjektit lirik dhe heshtjes e ftohtësisë së referentit të jashtëm që shenjohet përmes telefonit që hesht, nga njëra anë dhe përmes abazhurit që varet heshturazi dhe drita i bëhet e keqe. Kjo poezi përshkohet nga një emocionalitet i lartë, ku mbisundon mendimi më shumë sesa ndjenjat. Telefoni është figura që paraqet thelbin e mekanizmit funksionues dhe të realitetit totalitarist, pasi pas çdo shkrimi, botimi, apo veprimi nga ana e krijuesve dhe funksionarëve të atij sistemi, gjithnjë pritej me ankth telefonata “nga lart”, që barte kumtet përkatëse. Telefoni ishte përcjellësi i parë dhe pikënisja e hierarkisë së tmerrit dhe bartësi kryesor i ankthit. Është kjo figurë poetike që sjell humbjen e lirisë së subjektit lirik (i cili shpreh doza vartësie ndaj këtij objekti), shkakton stres, pagjumësi, përndjekje. Sa më shumë kalon koha dhe telefoni hesht, aq më shumë rritet niveli i ankthit të subjektit lirik. Heshtja është pasojë e një shkaku. E, meqenëse nuk ka pasojë pa shkak, atëherë heshtja vetvetiu e përmban edhe shkakun, që është parësori dhe e përcakton pasojën. Sipas kësaj logjike, në poezinë e marrë në shqyrtim, telefoni është një nga trajtat e shkakut, sepse ai është burimi i turbullimit të brendshëm, e njëherësh është shprehës i gjendjes psiko-emocionale të një qenieje të frustruar, si pasojë e dhunës psikologjike. Figura e përbindëshit që herë dremit e herë ngrihet i gatshëm për përleshje, është shënjues i gjendjes së rënduar psikologjike, deri haluçinante, ku nën peshën e etheve të pritjes, herë qetësohesh e herë alarmohesh. Përbindëshi qëndron midis realitetit dhe ëndrrës, midis të përkohshmes dhe të përjetshmes, gjë që dëshmohet edhe nga përdorimi i foljes “filluan” në kohën e pakryer, si kohë që shenjon pafundësinë.

Ëndrra, ankthi, revolta e brendshme për telefonin që hesht, por dhe shumë elemente të tjera përmbajtjesore na çojnë tek thelbi i trinomit surrealist: liri-dashuri-poezi, ku të tria formojnë një realitet absolut që përbën realitetin e humbur të subjektit lirik. Vënia e referencave kohore në fund të poezive (vitit kur është shkruar një poezi, 1966) na orienton për zbërthimin e botës së figurave dhe si lidhen ato edhe me vetë jetën reale të poetit.

Këto tipare të përgjithshme të poezisë së Ismail Kadaresë dëshmojnë se ky autor, është karakterizuar nga guximi për të “pushtuar” hapësira të reja poetike dhe ka sjellë një mënyrë të re të organizimit të poezisë. Kadareja jo vetëm zgjeroi kufijtë tradicionalë të poezisë lirike, ku përmes shprehjes së re theu konvenca të njohura artistike, por solli edhe elemente avanguardiste në përgjithësi dhe futuriste e surrealiste në veçanti, gjë që përbën edhe origjinalitetin e vet poetik, por edhe larminë e poezisë shqipe bashkëkohore shqipe.

Exit mobile version