Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Gëzim Puka: Poezi për artistët në vëllimin “Love” të autorit Skënder...

Dr. Gëzim Puka: Poezi për artistët në vëllimin “Love” të autorit Skënder Sherifi

Ndërsa lexoja poezitë e vëllimit me poezi “Love” të shkrimtarit Skënder Sherifi, m’u kujtua një thënie e studiuesit Roland Barthes në librin e tij “Aventura semiologjike”. Ky studiues i njohur, duke trajtuar stilin si mjeshtëri, pohon se një klasë e tërë shkrimtarësh të vendosur që ta marrin mbi vete tërësisht përgjegjësinë ndaj traditës, do ta zëvendësojnë vlerën-përdorim të shkrimit me një vlerë-punë. Shkrimi do të shpëtohet jo në sajë të qëllimit të tij, por në sajë të punës që ka kushtuar. Atëherë fillon të përpunohet një përfytyrim për shkrimtarin artizan, i cili mbyllet në një vend legjendar, si punëtori në dhomë, gdhend, pret e pastron formën e vet, pikërisht si gurgdhendësi që e nxjerr artin nga materia, duke kaluar në këto punë orë të tëra vetmie dhe përpjekjeje. Një autor si Skënder Sherifi mendoj se është pjesë e një lloj “esnafi” letrar, ku punimi i formës përbën shenjën dhe veçorinë e kësaj shtrese “artizane” intelektuale.

Poezia “Portret” që përshkruan një artist ose një personalitet të madh intelektual përbën një tipologji poetike, e cila riafirmohet nga Sherifi në epokën tonë postmoderne si një përfundim i kremtimit romantik të gjeniut dhe të heroit. Bëhet fjalë për një lloj poezie e cila edhe pse nuk praktikohet gjerësisht ka jehonë. Të bën përshtypje se një pjesë e poezive te “Love” i përkasin kësaj tipologjie poezie. Vargjet vijnë në një hark kohor dhe në një hapësirë kronologjike shumë të gjerë dhe së bashku kanë si rezultat disa tipare të veçanta, në mënyrë që të bëjmë portretizimet e këtyre artistëve. Teksti poetik i Sherifit do të lëvizë në kahjen e karakterizimit të “poezisë për  artistin”, në rrënjët historike dhe motivimet estetike.

Le të ndërmendim disa vargje nga poezitë me titujt e tyre të veçantë:

“Jennifer Lopez (II)”, “E qeshura shijon si bajame karremi…

Do të ketë ardhje e riardhje në luginën e luleve plot all,

pamja jote një pikturë e bukur nën gushën që pret”.

“Nicole Kidman II”,  “Leshverdha trëndelinë që mbjell ekstaza gjithandej,

Nuk ka rëndësi muzika, nëse muzikanti të përkëdhel.”

“Claudia Cardinale II”,  “Bukuria jote zgjohet në historinë e gjërave të pathëna

Ku shkëlqejnë kujtimet tona,

Mes çekanit dhe gozhdëve të lëna.”

“Monica Vitti III”,

“O Monica: e dua të gjithë misterin tënd … pa shpirtin tënd thuajma mos është gjë si shumë.”

“Lucia Bose IV”, “… Ti je gjithë Italia!

Ti ke shkëlqimin e Venecias, dritën e Parisit.”

“Zemra të kryqëzuara (n.66), Greta Garbo I”, “Ti shpalos flokët dhe unë shpalos qenien

Hija dhe drita e jetës sime grinden erosit pafund

Albatros i Albanisë: ti më përshkon të gjithin me rreze,”

“Marlène Dietrich II”, “Ti ndryshon ashtu sikurse dunat, megjithëse peizazhi mbetet”

“Rita Hayworth IV”, “Ti hiqje dorezat e tua të zeza si një dhelpërushe e vjetër.”

 “Uma Thurman II”, “Ti je agimi i lulëzuar në Gizë”

 “Elisabeth Taylor IV”, “Princeshë rebele,”

“Meryl Streep VI”, “Magji engjëjsh shpëtimtarë, gati për të bërë mirë.”

 “Penelope Cruz II”, “Si një yll që shndrit për një kohë të gjatë

Ndriçoi jetën time që të të dua i mahnitur”.

 “Asia Argento V”,  “Çdo ditë ti rinovon imazhin e një mirësie,” etj.

Hetimi i këtyre poezive të dokumentuara dhe të një stili të lartë e bëjnë këtë poet që në mënyrë legjitime të marrë statusin e poetit të ëmbël, i cili na zbulon një rrugëtim të privilegjuar për të kuptuar poetikën e tij. Praktika e përshkrimit të një artisti në një vepër arti është e lidhur ngushtësisht me një dukuri estetike që karakterizon epokën moderne dhe është reflektimi mbi artin. Interesi për figurën e artistit nuk kufizohet vetëm në idealizimin apo trillimin e personazheve që i përkasin fantazisë autoriale, por nganjëherë është zgjedhur të jetë vetë biografia e artistëve, të cilët në të vërtetë ekzistojnë dhe kanë ekzistuar. Poeti na paraqet artistin me tiparet e gjeniut individual, i vënë në kundërshti me botët e vogla banale dhe prozaike. Kulti i gjeniut artist ka qenë një nga trashëgimitë më të vazhdueshme të romantizmit.  Kërkimi i një referenti letrar të dallueshëm apo një alternative, siç është portreti i artistit, përmes poezisë që ka në domethënien e vet përsosmërinë individuale, kontribuon në identifikimin dhe ekzaltimin e këtyre figurave. Në qoftë se në estetikat e klasicizmit, perfeksionizmi i kodit ishte prioritet dhe krijimi personal ishte i tëri në përputhje me respektin ndaj vlerave e modeleve, në estetikën romantike personaliteti i artistit vlen më shumë se kodi gjuhësor me të cilin ai shprehet, nga kjo merr vlerë rritja e individualitetit artistik të poetit. Portretin e artistit e gjen të shprehur shpesh edhe në prozë, por në poezi, siç është ajo e Skender Sherifit, e tërë ekzistenca e artistit mund të jetë shtrirë në një skenë ose në një situatë të veçantë. Individualiteti i papërsëritshëm dhe i përzgjedhur është një pikë e thjeshtë fillestare për konsiderata të natyrës poetike dhe ekzistenciale. Një vlerësim i ngjashëm mund të shprehet me shumë arsye për poezitë portret, që u kushtohen njerëzve të mëdhenj të artit, që janë njerëz  të guximit, të veprimit, por edhe të meditimit. Falë specifikimit ligjërimor poetik të Sherifit, që është i aftë të ushqejë fjalën nga kjo tokë e mirë dhe prodhimtare, vijnë këto vargje për artistët.  Individët artistë që përzgjedh poeti nuk varen prej peizazhit, por varen humusi që ushqen rrënjët. Portretet e artistëve në poezinë e Sherifit vendosen mbi pafundësinë e kozmosit dhe vrojtohen si një moment epifanie. Artisti shfaqet paradoksalisht si çelësi i portretit universal njerëzor. Po e përfundoj me Barthesin duke e cituar atë në koherencë me tekstin e Skënder Sherifit: “Poezia zë një pozicion të kundërt me mitin. Miti është një sistem semiologjik që pretendon të kalojë në sistem faktik, ndërsa poezia është një sistem semiologjik që pretendon të tërhiqet në sistemin thelbësor.

Këto mite faktike të artistëve të përbotshëm të skenës dhe ekranit, të cilët ekzistojnë në mendjet e lexuesve, përmes poezive së Skënder Sherifit, lënë më shumë gjurmë të qenien tonë.

Exit mobile version