Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Fabio M. Rocchi: Lindja e imagjinarit femëror italofon: gjyshja, nëna, bija...

Dr. Fabio M. Rocchi: Lindja e imagjinarit femëror italofon: gjyshja, nëna, bija moderne. (Udha e dorës, E: 6)

Letërsia e hershme italofone – dhe jo vetëm ajo me prejardhje shqiptare – në Itali u përfaqësua fuqishëm nga shkrimtaret femra. Prandaj, në fazën fillestare, kjo tipologji tekstesh u identifikua me çështjet gjinore si përfaqësimi i trupave, tema e emancipimit nga ligjet e patriarkatit, karakterizimi i personazheve në një këndvështrim brezash, ndërtimi i një identiteti të ri, rezistenca ndaj dhunës mashkullore. Edhe rryma tjetër, më pak konsistente për sa i përket titujve dhe autorëve, por ende e rëndësishme në kontekstin e letërsisë bashkëkohore italiane, pra ajo somaliko-eritreane, përbëhej, në fillim të viteve Dymijë, nga një pluralitet zërash (Cristina Ali Farah, Igiaba Scego, Ingy Mubiayi), i cili nga njëra anë pasuroi letërsinë tonë dhe, nga ana tjetër, na prezantoi me imagjinarë nderkulturorë deri në atë moment të pabotuar ose të kufizuar në dimensionin e ekzotizmit. Përpara se të kaloj në episodet e ardhshme – siç pata bërë në rastin parapritës të Ron Kubatit – në analizimin e fazës së dytë shumë më të artikuluar të italofonisë shqiptare, akoma në zhvillim dhe të përbërë nga fabula e personazhe ku mbizoteron uni rrëfyes dhe perspektivat mashkullore, do të doja të ndalesha edhe pak në disa mekanizma narrativë që e kanë bërë mjaft kompakt kanonin ndërkulturor të fillimeve.

Perceptoj, në radhë të parë një veçori unike në konstantet e brendshme të kësaj mënyre rrëfimi, një veçori e aftë të dallojë zërat me origjinë shqiptare nga të tjerët: shumë shpesh shkrimtaret shqiptare, që prej fazës së parë të lëvizjes italofone, i janë shmangur ose kanë prekur vetëm në mënyrë tangjenciale një temë e cila për shkrimtarët e tjerë ishte shndërruar në një obsesion. Urgjenca për të përkufizuar atë që ishte imazhi i gruas së “huaj” në shoqërinë italiane duket se nuk i kontaminon shumë personazhet e Vorpsit, Dones, Ibrahimit dhe, siç do të shohim sot, Alketa Vakos. Problemi i integrimit social, marrëdhënia e tyre me familjen e origjinës në lidhje me traditat fetare për shembull, ose me formimin politik, përmenden, por në mënyrë margjinale; pra, nuk përfaqësojnë pikën kryesore në të cilën përqendrohet interesi i vërtetë narrativ. Përkundrazi, ky interes i dedikohet tërësisht personazhit duke i përshkruar dhe përcaktuar dinamikat dhe fushat emocionale, duke i portretizuar psikikën dhe mendimet. Për këtë arsye, pra duke pasur parasysh këto tipare të theksuara origjinaliteti, nuk kam menduar asnjëherë t’i përkufizoj romanet apo tregimet me prejardhje nga bota shqiptare nën etiketën “letteratura della migrazione”. Kjo mund të ketë ndodhur – shpesh, me thënë të vërtetën – për letërsinë e dëshmisë, pra, për atë lloj rrëfimi që, i inkurajuar dhe në shumë raste madje i udhëhequr nga botuesit, hidhte në letër, ndonjëherë në mënyrë të shpërndarë dhe të çorganizuar, historitë e diasporës të ndërtuara rreth udhëtimit në det apo peripecive të integrimit në një shoqëri të re. Por, më shumë se një operacion ideologjik dhe në të njëjtën kohë editorial, kjo lloj letërsie u përpoq menjëherë të kishte një qasje autentike, pra, t’u jepte jetë skenarëve të besueshëm, që kishin të bënin drejtpërdrejtë me realitetin social bashkëkohor dhe që në të njëjtën kohë përpiqeshin të formonin krijesa të plota, realiste, të vëna në lëvizje më tepër nga një mendim letrar i afërt me logjikat e jetës, sesa nga një tezë për t’u demonstruar. Edhe dëshira për të rindërtuar historinë e vendit të origjinës duhet parë nën këtë këndvështrim: ajo i jep thellësi personazhit dhe e lidh me rrënjët e tokës amtare në mënyrë të artikuluar, të dokumentuar dhe autentike.

Përpara se të filloj me analizën e thelluar të një galerie ideale tipologjish personazhesh të cilëve dëshiroj t’ju referohem, do të doja të ezauroja premisën nga e cila u nisa, duke shqyrtuar më në detaje kuptimin e një dukurie që rezultoi e papritur për ekuilibrat e sistemit botues italian. Nëse një përqendrim kaq i lartë i shkrimeve, të ardhur nga askundi pothuajse, u formua duke konvergjuar drejt një këndvështrimi gjithnjë e më femëror, nuk duhet të befasohemi më pas nëse dominantet dhe karakterizimet e personazheve ndoqën të njëjtin drejtim, duke eksploruar një koralitet zërash të përcaktuar totalisht nga përkatësia gjinore. Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj rrethane nuk mund se të ishte vetëm një numër shumë i lartë personazhesh që pasqyronin atë univers dhe cilësitë e lidhura me të. Personalisht, kur lexoj një roman bashkëkohor, e konsideroj të tillë – dhe për rrjedhojë të mirë apo të keq – pavarësisht se kush e ka shkruar. Perspektiva biografike – e cila e ka dëmtuar shumë mirëpritjen në Shqipëri të kësaj përvoje krijuese, për shkak se lidhet me një të kaluar ende të afërt dhe shpesh të mbuluar nga thashethemet, madje edhe nga fjalët e këqija – nuk më intereson aspak. Mundohem vetëm të përcaktoj nëse ajo vepër është e mirë apo e keqe, përmes një sërë parametrash gjykimi që marrin parasysh historizimin e atij teksti brenda asaj letërsie kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe aktualitetin në lidhje me periudhën sociale që po kalojmë. Këtë dëshiroj ta them për të evituar çdo lloj keqkuptimi që mund të lindë përgjatë diskutimit që po shkruaj. Letërsia, nëse është e tillë, është thjesht letërsi, dhe nuk ka nevojë për etiketa apo prezantime që i frenojnë kuptimin. Ama, është një e dhënë faktike: deri në atë moment – fillimi i viteve Dymijë – panorama botuese italiane trajtonte shkrimet e femrave si një lloj kategorie të veçantë (përveç ndonjë përjashtimi jo plotësisht të integruar në kanonin e autorëve që përkundrazi, konkurronin për çmime prestigjoze dhe artikuj në revistat kryesore kulturore), në kufi me zhanret editorialë qartësisht të identifikueshëm: detective-story, romani sentimentalo-erotik, autobiografia. Duke qenë se bëhej fjalë për një fenomen goxha të ri, jo vetëm në panoramën e letërsisë migratore (edhe pse distancohem prej kësaj etikete, vazhdoj ta përdor si konvencion për arsye se është shumë e pranishme në bibliografinë kritike) të sapolindur ato kohë, por, pikërisht në brendësi të dinamikave editoriale të gjithë vendit, do të doja të përpiqesha të jepja disa shpjegime mbi arsyet se përse në ato vite ishin femrat ato që përshkoheshin nga një instinkt që i çonte në masë dërrmuese drejt shkrimtarisë.

Në këndvështrimin tim, vajzat shqiptare që në këtë fazë marrin fjalën, në një gjuhë jo të tyren dhe duke shkrirë në mënyrë origjinale imagjinarë kulturorë thellësisht të ndryshëm, kryejnë, në shumë mënyra, një revolucion madhor. Ato bëhen protagoniste të një momenti të caktuar historik. Sapo kishin kaluar të njëzetat në atë përiudhë; ishin formuar nën hijen e ideologjisë real-socialiste, por edhe kishin përpirë, ndonjëherë fshehurazi, klasikët e një letërsie që konsiderohej armike: asaj perëndimore. Të lindura nga fundi i viteve Gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve Shtatëdhjetë, ato janë gati rreth fundit të shekullit dhe në agimin e mijëvjeçarit të ri, për të nisur një rrugë rilindjeje të jashtëzakonshme kulturore, në të cilën rishpikja e vetvetes do të jetë thelbësore.

Në bazë të tregimeve të tyre gjen vend padyshim një levë e fuqishme psikologjike. Struktura e fortë patriarkale dhe prezenca shtypëse e Partisë së Hoxhës i kishte kufizuar, në një strukturë të ngurtë shoqërore, në një rol gjithmonë mbështetës, dytësor. Zhvendosja gjeografike dhe takimi me një botë të karakterizuar nga rrjete sociale më të gjera, përkon më në fund me fillimin e një procesi ndërgjegjësimi mbi çlirimin e vetes nga një heshtje e gjatë, proces i lehtësuar nga aftësia për t’u shprehur në një gjuhë të ndryshme nga ajo amtare. Kjo gjuhë e re përkon me një lloj oazi të mbrojtur brenda të cilit mund të përjetonin plotësisht veten. Në këtë mënyrë, nostalgjia për tokën mëmë mijëra kilometra larg, nuk bëhet – si në shembujt e tjerë të së njëjtës periudhë – një kujtim i dhimbshëm, por i mbivendoset një të shkuare me të cilën duhen bërë llogaritë përmes filtrit të humorit dhe rishikimit kritik.

Por, kjo marrje e fjalës, e papritur dhe e verifikuar pak a shumë në të njëjtin moment për shumë individualitete, nuk merr vlera të tilla vetëm në lidhje me raportet me Shqipërinë. Ajo shënon një kufi edhe në Itali, duke bërë të dukshme praninë e një faze tranzicioni në të cilën femrat ftoheshin për t’u bërë protagoniste në mënyrë të qëndrueshme dhe përfundimtare. Në vlerësimin e letërsisë me origjinë shqiptare nuk kaloi pa u vënë re ai që dukej si një rekord i vërtetë, pra fakti që ishin kryesisht femrat ato që flisnin, në masë mbizotëruese krahasuar me zërat mashkullorë. Vëzhgimi i një tendence që historikisht nuk i kishte përkitur kurrë traditës letrare italiane, arriti të transmetonte një sinjal të rëndësishëm dhe pa asnjë dyshim shërbeu si stimul për një seri të tërë përvojash krijuese që do të lindnin së shpejti në sasi shumë më të konsiderueshme sesa në të kaluarën.

Matriarkat

Dialektika gjeneracionale e figurave femërore të rrëfyera në romanet dhe tregimet italofone me sfond shqiptar zhvillohet ndjeshëm përmes parashtesës tra-, një parashtesë me origjinë latine (trans), e cila, në italisht dhe në shumë gjuhë të tjera, tregon – jo rastësisht – një situatë kalimi, tranziti më saktë, duke shprehur edhe në terma gjuhësorë spostimin nga një gjendje në tjetrën. Për këtë arsye, në figurën e matriarkave, do të gjejmë la tradizione (traditën). Në atë të nënave la transizione (tranzicionin). Në atë të bijave la trasgressione (trasgresionin). Bëhet fjalë për kapërcime që implikojnë një vetëdije të përsosur të dimensionit kohor. Figurat e referimit – në vazhdimësinë e brezave – ndryshojnë, duke treguar për një ekuilibër të vështirë midis së shkuarës dhe së tashmes dhe duke reflektuar mbi modele të ndryshme të cilëve mund t’u përshtatesh ngadalë ose t’u largohesh.

Figura e parë që takojmë është ajo e matriarkes. Heratike, pak e prirur ndaj komunikimit, me fytyrën e shënuar nga rrjedha e kohës, prezenca e saj përkon me një evokim të tensionuar të rrënjëve antike, të lidhura me idenë e një Shqipërie paramoderne, arkaike, në të cilën ritualet e oralitetit alternohen me sugjerime misterioze të liga. Ndjellja e së mirës, po ashtu edhe e së keqes, nëpërmjet pranisë së shpirtrave, është një lloj fuqie e fshehur që motivon shfaqjen në skenë të kësaj tipologjie personazhi. Funksionon kështu Moma e Vorpsit (Bevete cacao Van Houten) dhe figura e jashtëzakonshme e Saba-s në Rosso come un sposa të Ibrahimit, sa për të sjellë dy shembuj. Funksioni antropologjik i paraardhëses së fisit në linjë matrilineare – atribut i një kocepti të fuqishëm të fisit ku gruaja kishte rol primar – perceptohet me gjithë forcën e saj në këto figura, duke përkuar spontanisht me një sferë simbolike në të cilën ruhen sekretet familjare, njësoj siç ruhen ato falë të cilave trashëgohet vetë jeta. Në këtë drejtim, është interesante të vërehet se si një dritë e brendshme, primitive dhe krejtësisht e pandotur, arrin të burojë nga këto duar të rrudhura që nuk gjejnë kurrë prehje, në kontrast të përsosur me imazhin e një trupi të lënë pas dore që tashmë ka arritur fundin e përvojës së vet fizike. Matriarkat e vendosin veten mbi kohën dhe ndërtojnë një urë që bashkon të kaluarën e largët dhe të tashmen në një gjest të vetëm që magjeps dëshmitarët që kanë fatin të kenë kontakte me ato.

Nënat e pikëlluara. Një stereotip mesdhetar të cilit i shtohet edhe mëria.

Në anën tjetër të historisë, e nëkuptuar si evoluim i linjës së kohës, qëndron nëna e pikëlluar. Figura e nënës është, sidomos nëse analizohet nga këndvështrimi i tranzicionit historik, më fatkeqja, pasi ajo vuan ende pasojat e botës së vjetër – të ndikuar nga obskurantizmi dhe ideologjia e Partisë së Punës së Shqipërisë, si dhe nga normat e ngurta sociale që karakterizuan vendin për më shumë se dyzetë vjet. Nga ana tjetër, për shkak të disa limiteve gjeneracionalë dhe të kushtëzimit të mendimit, ky status i veçantë nuk i lejon nënës të marrë pjesë në revolucionin e ri kulturor, duke e lënë si të bllokuar në një greminë nga e cila nuk do të arrijë të dalë. Ndoshta edhe për këtë ngushtësi dhe si pasojë e mungesës së trashëguar të hapësirës, nënat në italofoninë shqiptare janë shpesh të pikëlluara, të pakapshme, por, pothuajse duke vënë në veprim një kontradiktë në terma, edhe të afta për gjeste inati dhe mërie ndaj vajzave të tyre.

Lista është tejet e pasur: mjafton të konsiderojmë stereotipin e nënës së Vorpsit që përshkon në mënyrë konstante të gjithë krijimtarinë e saj; apo figurat amësore të Dora-s apo Lila-s te Ibrahimi; apo nënën e gjorë që ndërron jetë në Piccola guerra perfetta të Dones për shkak të një infarkti, e bllokuar dhe e pafuqishme brenda një apartamenti, ndërkohë që jashtë konflikti etnik serbo-kosovar ashpërsohet. Nëna nuk merr pjesë në ndryshim, përkundrazi, mundohet pjesërisht ta kundërshtojë, duke u përpjekur t’i frenojë vrullin në emër të dekorit dhe ruajtjes së stabilitetit shoqëror. Për më tepër, në qëndrimin e saj takojmë tiparet e një figure të njohur për të gjithë kulturën mesdhetare, me prejardhje judaiko-kristiane dhe greke: gruaja që vajton. Të shumta janë në fakt skenat, të mbivendosshme në mënyrë të përkryer mes tyre, të nënave që dëshpërohen para fëmijëve që largohen, shumë herë për mos t ‘u kthyer më.

Në këtë fushë semantike dëshiroj të përmend një libër mjaft intensiv, shkruar në italisht nga Alketa Vako dhe botuar nga Shtëpia Botuese Besa në vitin 2016 me titullin Briciole. Bëhet fjalë për mikro-histori – shpesh herë janë thjesht fragmente dhe episode të mbajtura së bashku nga një kornizë – të cilat duan të vënë në skenë, pothuajse gjithmonë duke filluar nga e para, një un rrëfimtar shqiptar të paspecifikuar, të shumëfishtë dhe në të njëjtën kohë të pajisur me karakteristika të sferës së dëshmimtarit, me prejardhje nga një qytet verior ku është i pranishëm një liqen. Tregohen episode që lidhen me jetën e tregimtarit, si dhe zbulohet evolucioni i fateve të ngjashëm me të tijin. Në fazën tranzitore të Shqipërisë së viteve 1990 tregohet ashpërsia e botës mashkullore, e cila shfryhet për shembull në edukimin e një qeni për të qenë i egër (Vita, morte e miracoli di Xhufi); përshkruhen me pjesëmarrje të theksuar emocionale përpjekjet e një mërgimi jo gjithmonë të suksesshëm, ku fundosjet e anijeve dhe mbytjet në det i japin fund para kohe një dëshire legjitime për ringritje dhe përparim social (Arrivano i nostri). Hetohen pa shumë dhembshuri mërgimet e detyruara të të rinjve të destinuar pa dijeninë e tyre për prostitucion (Pelle, Fratello Sole Sorella Luna), të shfrytëzuar dhe ofenduar nga duar që nuk falin. Pikërisht në këto dy momente të fundit mund të admirojmë nënat punëtore të Vakos: ato vihen në skenë si viktima të patriarkatit dhe si spektatore të dëshpëruara të anulimit të pjesës më fatkeqe të brezit të fëmijëve. Nëpërmjet metaforës së përsëritur të duarve që nuk reshtin së punuari duke torturuar njëra-tjetrën në lëvizje të vazhdueshme, përsëritet skena e pritjes në stolin e një porti të vogël përballë hapësirës kërcënuese të detit, në pritje të lajmeve që nuk do të mbërrijnë (Mani, Cielo).

Personalisht, konsideroj një mëkat të vërtetë faktin që, pas një debutimi aq premtues (shkrimtarja ka fituar në vitin 2009 çmimin e parë në konkursin letrar Lingua Madre, dedikuar teksteve të shkruara nga femra të huaja të rrënjosura në Itali), mbi Alketa Vako nuk dihet më asgjë. Nuk më rezulton të ketë botuar më tej, por, mënyra e saj e të shkruarit, e pastër, thelbësore, autentike në momentin që bëhet mjet njohës, mbetet një shembull i qartë stili për letërsinë italofone. Një lloj shkrimi i saji, i prirur natyrshëm drejt lirikes dhe i aftë për të izoluar një fakt të vogël duke e shndërruar në objekt reflektimi ekzistencial, i cili kurrsesi nuk dukej se kishte arritur të shpaloste gjithë potencialin e vet.

Bijat. Nga viktimat e dinamikës historike te formimi i identiteteve të reja.

Viktimat e para të dinamikës historike që po përpiqem të përvijoj duke nisur nga rindërtimi i disa linjave tregimtare të pranishme në tekste, janë ato të reja që nisen drejt së resë plot iluzione dhe besim. Do ta kuptojnë shumë shpejt në lëkurën e tyre sa i shtrenjtë është çmimi që duhet paguar për të hyrë në bashkëkohësinë sociale të një bote në proces globalizimi, deri atëherë e ndaluar. Teuta – te Mario di Via dei Gracchi i Vorpsit – zbulon shumë vonë mashtrimin e pësuar nga një italian në keqbesim dhe e gjen veten të braktisur në një Romë të mbytur nga zagushia e verës. Në të njëjtën mënyrë, por në një skenar më të përgjakshëm që nuk i ndahet lexuesit, vajzat e vëna në skenë nga Dones në Sole bruciato (i përkthyer në italisht pas draftit të parë në shqip nën titullin sugjestionues Yjet nuk vishen kështu) vuajnë një shfrytëzim fizik cnjerëzor pasi kanë rënë në duart e tutorëve të prostitucionit dhe janë të detyruara të jetojnë në kushte gati burgimi në fshatrat gri të asaj Italia provinciale që, në mënyrë iluzive, kishte përfaqësuar më herët një Eldorado për të arritur. Pozicioni i viktimës është padyshim një gjendje e zakonshme për disa fate që i përkasin valës së parë migratore. Megjithatë, pak nga pak, në një mekanizëm emancipimi racional, i cili është, për shembull, shumë i dukshëm në evolucionin e romaneve të Ibrahimit, gjendja e vajzës së re merr karakteristikat e rebelimit dhe ndërgjegjësimit mbi një fat i cili duhet në mënyrë të pashmangshme të ndryshojë rrjedhën për t’i lënë vendin rezultateve të ndryshme.

Që nga historia e veçantë e Hana-s së Dones – Burrnesh e cila rikuperon vetveten pas një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara në Vergine giurata – tentativa e vazhdueshme për pushtimin e një individualitet të ri shndërrohet në tipar dallues të vajzave të reja të cilat, në mënyrë graduale, bëhen të vetëdijshme për forcën dhe vendin që u takon në botë. Duke përmbysur stereotipin e gruas së, pra, të një subjekti femëror të përcaktuar gjithmonë në relacion me një figurë mashkullore – nëna e, gruaja e, bija e – këto heroina, në lindjen e një agimi të ri, gjenden gati. Braktisin atdheun – si në trillimin romanesk, edhe në jetë – dhe përcaktojnë përvojat e tyre jetësore me një trajektore krejtësisht të ndryshme në krahasim me ata që i paraprinë. Metamorfoza e fundit, në një parabolë evolucionare që shfaq kuptimet e saj në harkun kohor të pak më shumë se një dekade, do të jetë ajo e një individualiteti femëror të plotësisht të formuar dhe të pavarur. Nuk është rastësi që në “Il mare è rotondo” (2020) të Elvis Malaj gjejmë një personazh shumë të ri dhe magjepsës, Irenën, e cila nuk ngurron të rrahë protagonistin, Ujkanin, një djalë që varet nga ajo në shumë aspekte, viktimë e forcës së brendshme të saj.

Siç shpresoj ta kem demonstruar me këtë seri të shkurtër shembujsh që rendit në mënyrë kronologjike lojën e ndryshimeve të brezave, imagjinari i figurave femërore të letërsisë italofone me prejardhje shqiptare nuk merret shumë me pozitën e gruas në vendin pritës; përkundrazi, kujdeset që të marrë menjëherë fjalën për të reflektuar dhe në të njëjtën kohë për të përfunduar një proces historik që lidhet me pozicionin e subjektit femër brenda horizontit kulturor të origjinës. E përsëris me të njëjtën metaforë të përdorur disa faqe më parë, sepse vërtet nuk arrij të gjej një shprehje më të përshtatshme: në këtë rast, larg shtëpisë dhe nga femrat, u realizua një revolucion kulturor me përmasa madhore, i aftë për të prezantuar një këndvështrim të ri, një vështrim inovativ ndaj ekzistencës i cili rezultoi pjesërisht i aftë për të ndikuar – ose parashikuar, në varësi të pikëpamjes që dëshirohet të adoptohet – llojin e shoqërisë që do të zinte vend së shpejti, edhe në Shqipëri.

I konsideroj të shteruara reflektimet që doja t’i kushtoja lindjes së letërsisë italofone-shqiptare në Itali. Prej episodit të ardhshëm vështrimi do të spostohet drejt horizonteve të tjera, duke u përpjekur të analizojë atë që mund të përkufizohet në të gjitha aspektet një periodizim i dytë i kësaj lëvizjeje tejet të pasur zërash dhe autorësh. Siç do ta shohim, zgjedhjet e zhanrit do të mbizotërojnë. Dhe, në interpretuesit më të mirë, një mënyrë më mendjemprehtë përshtatjeje ndaj nevojave të tregut botues italian.

     Përktheu nga italishtja Kriselda Beqaj

Exit mobile version