Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Drita Isufaj: Erotizmi përmes flokut në krijimtarinë popullore

Dr. Drita Isufaj: Erotizmi përmes flokut në krijimtarinë popullore

ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

Hyrje

Floku përbën një ndër veçoritë e para fizike identifikuese të një njeriu, për shkak se vizualisht është më i dukshëm se tiparet e tjera; ngjyra dhe forma e tij dallohen që prej së largu. Ky tipar dhe mënyra e mbajtjes së tij mund të na tregojnë për moshën, prejardhjen, statusin shoqëror të një personi, etj. Mendohet se flokët mbartin një esencë apo forcë jetësore që është pjesë e zotëruesit të tyre, edhe kur janë të shkëputura prej tij, prandaj dhe fija e flokut është përbërës thelbësor në ritualet magjike që shërbejnë për të fituar pushtet mbi dikë.

Floku i gjatë i femrës ka një funksion të veçantë në plotësimin e pamjes së saj; ai është një tipar tipizues i gjinisë femërore, ndaj dhe në letërsinë folklorike përbën një element thelbësor të feminilitetit. Një fjalë e urtë shkodrane thotë: Nji qyme e flokut të grues ka ma shum fuqi se gjashtë kual, që do të thotë se ndërfutja e një gruaje të bukur në një çështje është një nga mjetet më të fuqishme që mund ta çojë atë drejt një zgjidhjeje të suksesshme. Theksi i bukurisë e i joshjes në këtë proverb, të cilin e gjejmë në disa gjuhë kryesore evropiane (it.: Tira piu un pello di donna che cento paio di buoi; gjerm.: Ein fraunenhaar zieht strӓker, als ein Glok kenseil, One hair of a woman can draw more than a hundred pair of oxen), vendoset tek floku si një nga tiparet kryesore përfaqësuese të bukurisë.

Erotizmi përmes ngjyrave të flokut

Bukuria e vashës nuk mund të perceptohet pa flokë të gjatë, të drejtë, të butë, të zezë, etj. Në lirikën erotike gojore hasim krijime të shumta, të larmishme, në të cilat vihen në pah gjatësia, butësia, forma (e drejtë ose e dredhur) dhe ngjyra e flokëve. Që në këngët e motmotit gjejmë vargje ku vajzat, luten që flokët t’u rriten sa më shumë, për t’u dukur sa më bukur:

Maji, maji, rritna leshtë,

si vlastareja në vreshtë,

si bishti i kalitë,

si drurët e malitë,

si kut i pazarit. [1]

Për ta realizuar sa më mirë përshkrimin artistik të këtij elementi të portretit, poetët popullorë shpesh kanë krijuar neologjizma në trajtën e kompozitave, si p.sh leshverdhë, ballukeprerë, flokëzezë, etj. Protagonistet e lirikës erotike, flokët herë i mbajnë lëshuar, herë të zbukuruara me ornamente të ndryshme, herë gërshet e herë na shfaqen si vajza me balluke. 

Flokëzezat

Tradicionalisht, në këngët e dashurisë, ngjyra dominuese e flokut të vajzave, është e zeza. E zeza, është shumë e përhapur edhe për sytë, vetullat e qerpikët, por jo për pjesët e tjera të trupit. Shprehja e shijes estetike nëpërmjet të zezës, pa dyshim nuk është rast i veçantë vetëm te shqiptarët. 

 Në këngën e mëposhtme, shohim se si vajza, është një nga ato të bukurat që rrinë në derë të oborrit. Zylyfi i saj i krahasuar me ngjyrën si penna e korbit, është në qendër të vëmendjes:

E bukura n’derë t’oborrit,

zylyfë si penna e korbit [2]

Ngjyra e zezë është shprehëse dhe ngacmuese e ndjenjave, zgjon asociacione të bukurisë tërheqëse të flokëve të vashës.

Leshverdhat

Në vargun e një kënge të botuar nga Hani në Albanesischen Studien thuhet:

Leshverdha si venetiku [3]

 Krahasimin me “venetikun” apo Venedikun si simbol e hasim herë pas here në lirikën tonë folklorike. Domethënia e këtij shënjuesi lidhet me historinë e Republikës së Venedikut, si përfaqësuese e luksit, fisnikërisë, mirëqenies, bukurisë, etj. E gjithë bukuria e vajzës së këngës së Hanit përmblidhet tek floku i verdhë, si ari i Venedikut. “Ari” si shënjues mungon, por asociimi me të vjen vetiu pasi ngjyra e verdhë dhe e shndritshme e flokut na lidhet menjëherë me pamjen e këtij metali. Gjithashtu kemi hasur tekste të tjera lirikash ku ky shenjues nuk mungon dhe kjo është një arsye më shumë që një asociim i tillë të na vijë natyrshëm.

Flokëkuqet

 Në lirikën erotike, edhe pse janë të rralla, nuk mungojnë krijimet mbi vajzat flokëkuqe, tri të tilla, fragmente nga të cilat do t’i shqyrtojmë më poshtë, i kemi gjetur në Visaret e Kombit:

Oj e mirë si ljulë në bahçe,

Fljokët e kuq e goj’n dukate,

Kalavesht flokët për faqe; Kalavesht e fije-fije.

Kadal djalë se po i përzie! [4]

 Në këtë tekst kemi të bëjmë me një vajzë flokëkuqe, kaçurrele, përderisa flokët krahasohen me “kalaveshët e rrushit”. Djali dëshiron t’i prekë ata flokë, vajza e kupton këtë dëshirë të tij dhe e ndalon me naze. 

Një këngë tjetër me titull Ça t’ka mlue kasaveti, mbledhur po në Sarinë të Medgjevës, protagonistja flokëkuqe është në prag të martesës. Kënga i referohet një mbrëmjeje kanagjegji (festë rituale që zhvillohet në shtëpinë e nuses ku asaj i lyejnë me këna gjymtyrët duke besuar se kjo do t’i sjellë mbarësi dhe dashuri në jetën bashkëshortore; turq. kana-këna, xheç-festë). Vajzën “e ka mbulue kasaveti”, ajo thotë se po i digjet zemra sepse do të shkojë te burri. Dasmorët, janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e ritualit të kënasë ndaj e quajnë të kotë këtë “kasavet” të saj dhe e mallkojnë duke i thënë:

“flokët e kuq t’i shitoftë zana”, duke menduar se ajo ka merakun e ndarjes familja: 

Flokët e kuq t’i shitoftë zana, Hall po kan kah t’ngjitet kana.

A po t’dhimen baba e nana? [5]

 Një mallkim i tillë ndaj flokëve është diçka e rrallë. Nga veçanësia e këtij mallkimi kuptojmë se flokët e kuq janë emblema e bukurisë së kësaj vajze nga ku buron fuqia e joshjes së saj. Ajo nuk vuan se po largohet nga familjarët, por për shkak se po ndahet nga një fqinj me të cilin ka zënë “jaraní” -me këtë fjalë kjo flokëkuqe përmbledh pengun e erotik të së shkuarës që po e lë pas:

As s’po m’dhimën baba e nana,

Baba e nana e vllazënija;

Por po m’dhimet kjo kojshi

Se kam pasë m’ta jarani! [6]

 Sigurisht që ky nuk është një rrëfim i hapur përballë dasmorëve që e rrethojnë, por një rrëfim i brendshëm shpirtëror. Martesa e saj është e vendosur nga familja dhe nga fjalët që thotë ajo duket që e ndjen se kurrë më nuk do ta gjejë atë pasion të cilin e ka përjetuar me fqinjin. “Flokët e kuq”, vijnë si simbol i gjithë përjetimit pasionial të kësaj vajze.

Më poshtë po shqyrtojmë një tjetër tekst që sërish bën fjalë për një flokëkuqe që martohet pa dëshirën e saj. Edhe kjo vajzë ka një peng dashurie me një trim me të cilin para martese zhvillon këtë dialog:

Moj e mira flokët e kuq-e

A e din ditën kur shkon nuse?

Pasha vllan s’e di as vetë,

Kam ndi nanën kah ban dert,

Kah ban dert nana me vlla:

Apin çikën sot ni javë. [7]

 Shohim se kemi të shprehur qartë rastin e një martese patriarkale, ku gjithçka e kanë vendosur nëna dhe vëllai i vajzës. Djali i kërkon së dashurës t’i lerë një shenjë për të shuar mallin e ajo menjëherë i përgjigjet se do t’i lerë “kablosh’n e ballit” (një tufëz nga balluket e kuqe) dhe një palë shapka të qëndisura me fije ari: 

Shka po m’len ti shej për mall?

Shej t’a k’lanë kablosh’n e ballit 

Ni parë meste me kllapodan.[8]

Mirëpo siç vërtetohet edhe në vargjet që vijojnë, pavarësisht shqetësimit fillestar dhe pavarësisht martesës së vajzës duket se çifti do ta vazhdojë lidhjen, pasi ata nisin të bëjnë plane për mënyrën se si do të takohen andej e tutje e për sinjalet me të cilat do të merren vesh: 

Kur të bijë ndërmendi i em, Kap manxerren, qit në shej.

Mos t’a shkoftë manxerrja huj’n

Kap e shpraz gjashtë herë alltin! [9]

 Pra siç e shohim në këto tri këngë, simbolika e flokut të kuq në lirikën folklorike erotike lidhet me joshjen e fuqishme të ngjyrës së kuqe si dhe me rebelizmin. Kujtojmë se që në mitet më të hershme personazhet me flokë të kuqe kanë përfaqësuar pikërisht joshjen dhe rebelizmin, p.sh. Lolita nga mitologjia hebreje, përfytyrohej me flokë shumë të gjatë të kuq. Lolita flokëkuqe, është gruaja që nuk u bindet dëshirave të burrit. Ajo përfaqëson epshet dhe në përgjithësi gruaja flokëkuqe simbolizon pikërisht këtë gjë, femrën e lirë në epshet e saj. Edhe Djalli, si pjesë e miteve religjioze përfytyrohet me flokë të kuqe.[10]

Pikërisht këto domethënie të personazheve flokëkuqe i hasëm edhe në këngët e mësipërme. Tekste të tilla, përbëjnë një dëshmi më shumë të faktit se në mjediset shqiptare, ku shtrëngesa patriarkale ka qenë e fortë (në zonat rurale vazhdon të mbetet e tillë edhe sot), kënaqësia erotike nuk ka munguar, por ka qenë e pranishme më së shumti në fshehtësi. 

Floku magjepsës i vajzave të përrallave

Në prozën popullore e sidomos në përrallat, të cilat janë krijime me motive të lashta pagane, nuancat mistike të elementit të flokut shfaqen edhe më dukshëm. Në përralla kemi më shumë flokarta. 

Në një nga përrallat e përmbledhjes“Prralla shqiptare” thuhet: E dashura e tij e veshur në të zeza me flokët t’arta të shprishura, qante.[11]. Më tej, në vazhdim të së njëjtës përrallë shohim se si floku i artë i princeshës shndërrohet në një vend fshehjeje teksa djali kthehet në milingonë: 

Me të shpejtë trimi u bë milingonjë dhe u fsheh në flokët e së dashurës që uli kryet dhe u shti sikur po qante…I fshehur në flokët e së shoqes i mori vesh të gjitha, e kur Dreqi iku, ai u bë prap njeri i u fal së bukurës, e puthi në të dy faqe  [12] 

Në përrallën tjetër me titull “Cmiri ndër dy motra”, kemi figurën e vajzës së bekuar prej fative së cilës i derdhen diamante nga flokët kur i kreh, margaritarë nga sytë kur qan dhe trëndafila nga faqet kur qesh: 

I erdhën të tri fatiat për të lidhur fatin e çupës edhe zunë të flasin shoqmeshoq për atë. E vogla tha: “unë do te bëj këtë çupë që, kur ta krehnjën, t’i derdhen diamande nga lesht e saj.” E dyta tha: “unë do ta bënj që, kur të qanjë t’i derdhen margaritarë nga sytë”. E treta tha: “edhe unë do ta bënj që, kur te qeshnjë, t’i dalë trëndafil i ndriçëmë nga faqetë, edhe që ta marrë i bir i mbretit për grua” [13]

 Shohim se në përralla, ndryshe nga lirikat, mbizotëron floku në ngjyrë të artë. Me sa duket ai konsiderohet si simbol i bukurisë dhe i luksit, përderisa princeshat janë të gjitha flokarta, por përpos kësaj, duke qenë se përrallat janë ndër krijimet me motivet më të lashta, nga pikëpamja antropologjike, ndoshta ato na flasin edhe për një dominim të hershëm të këtij tipari në popullatën e trojeve tona.

Krehja dhe modelimi i flokut si tipar i sensualitetit

(Grusë së krehme dhe udhës së rrehme, mos iu tut) [14]

Gërsheti

Modelimet e flokëve të vajzave me gërsheta ose bistekë zënë një vend të rëndësishëm në shprehjen e erotikës së flokut në letërsinë popullore. Në përgjithësi, duke iu referuar edhe veprave të traditës së artit pamor, vërejmë se gërsheti është një nga elementët më përfaqësues të portretit femëror shqiptar. Stili i mbajtjes së flokëve, veçanërisht në shoqëritë tradicionale, mund të na flasë shumë për popujt e këtyre shoqërive. Në Indi, të mbajturit e flokëve me dy gërsheta është shenjë e një gruaje të pamartuar, përkundrazi, në Rusi, një gërshet i vetëm është shenjë e virgjërisë, ndërsa një palë gërsheta tregojnë një grua të martuar. [15] Në mënyrë analogjike mund të themi se edhe në shoqërinë shqiptare e cila karakterizohet gjithashtu nga një kulturë tradicionale, stili i mbajtjes së flokëve e më konkretisht gërsheti i gjatë e i lëshuar mbi kraharor, me gjasë mund të ketë qenë një tregues i vajzërisë përderisa atë e hasim kaq dendur në portretet vajzërore të letërsisë folklorike e më gjerë. Kjo hipotezë përforcohet edhe me faktin se gjithashtu në popuj të tjerë të Ballkanit si p.sh. në Bullgari, gërsheti i vetëm ose disa syresh në numër tek, kanë simbolizuar vajzërinë.[16]

Ndër më të njohurit prej teksteve të lirikës erotike që përmbajnë elementin e gërshetit është ai i këngës korçare me titull Njëzet e pesë gërsheta. Varianti që po paraqesim, i ndryshëm nga ai që këndohet sot, është regjistruar që herët nga Th. Mitko në përmbledhjen Bleta shqiptare:

Ndë portë të trokëllita,

Fishek nga dera të qita.

Asaman moj leshkurorë,

Qasu të të zë me dorë.

Qasu të të zë për këmbe,

Pa më vraj me dorën tënde.

Qasu të të zë për gjishti,

Pa le të më dalë shpirti

O der, o bir i derit,

Më theve paftat e brezit.

Mbi jastëk derdhurë leshtë,

Si vllastareja në vreshtë.

Njëzet e pesë gërsheta,

T’i numurova pa fjeta.

Hypi luleja mbi shtëpi,

E puthi një mustaqezi.

Filli i mustaqe së zezë,

Mbi faqe të jaranesë.

Këto syzezat kur flenë,

Syn e zi qysh e mbërthejnë.

Qasu të të puth një herë,

Me dy grushtet më bjerë.

O lele, oji, oji,

Bardhushkat me lahuri,

Më kënda t’i mbanj në gji.

Asaman, oh edhe oh,

Më kënda të los me to.

I mjeri ç’u mbusha vrer,

Bie të fle, gjumi s’më merr [17]

Dymbëdhjetë vargjet e para na flasin për një takim të beftë, e të vrullshëm midis një çifti, që nis tek porta e shtëpisë së vajzës dhe menjëherë vazhdon në dhomën e fjetjes përderisa flitet për flokë që derdhen mbi jastëk. Na sugjerohet se vajza ka flokë të vëllimshëm e të bukur, sepse ajo cilësohet si një “leshkurorë”. Duket qartë se kemi të bëjmë me zhvillimin e një skene të ngjeshur, që kulmon me thyerjen e paftave të brezit e me flokët e derdhura mbi jastëk. 

Paskëtaj vjen qetësimi, djali luan me flokët e vajzës duke i thurur asaj njëzet e pesë gërsheta. Pas dashurisë ai nuk shkëputet prej saj por rri e i ledhaton flokët duke i thurur gërsheta. Përmes shënjuesit “gërshet”, kuptojmë se mes këtij çifti ndodh diçka më e thellë se sa një marrëdhënie fizike; në mbyllje të skenës erotike kemi një lojë të gjatë e të durueshme me flokët. Numri njëzet e pesë i gërshetave tregon pikërisht këtë. Loja me flokët nuk përmban në vetvete asgjë seksuale, por vetëm ëmbëlsi erotike dhe çlodhje. Në këtë rast shohim se është më e fortë dëshira për një lojë të ëmbël e të ngadaltë me flokët e dendur të vajzës se sa fjetja. Jo më kot djali thekson: t’i numërova, pa fjeta, pra ai e sheh këtë veprim si diçka që ka përparësi e që i fal më shumë kënaqësi se sa gjumi. 

Të bën përshtypje në këtë këngë përplasja mes dy prirjeve: padurimit për të bërë dashuri dhe shijimit të ngadalësisë së të thururit jo pak, por plot njëzet e pesë gërsheta. Gjithashtu është e pazakontë dhe ndoshta unike në krijimet tona të letërsisë popullore apo edhe të asaj të kultivuar skena poetike ku pas klimaksit erotik një djalë rri zgjuar duke i thurur flokët gërsheta të dashurës së tij. Me sa shohim kemi të bëjmë me një marrëdhënie dashurore, ku erosi shijohet në plotësinë e tij. 

 Tek përmbledhja e De Radës, “Rapsodi të një poemi arbëresh” përmasën erotike të procesit të thurjes së flokëve gërshet e gjejmë të ngritur në një tjetër nivel të shprehjes poetike:

Një të diel menatë

mora udhën e vajta vet,

hyra në dhomat

ku krehte gërshetat,

i krehte dhe i plekste,

i plekste me fije ari

të ardhur nga Napoli

e në qafë i vinte palë.[18]

Në këtë fragment kemi pikturën poetike të një çasti të pastër sensual. Djali e gjen vajzën e dashur në dhomë teksa është duke krehur flokët e duke i thurur gërshet, e gjithë skena përshkruhet me detaje. Kuptojmë se vajza i ka mbajtur flokët në vazhdimësi me gërsheta përderisa po thur “gërshetat e shprishura”. Ajo i pleks gërshetat me fije ari, domethënë ndërfut fije ari në tufëzat e tyre. Gërshetat e kësaj vajze janë shumë të hijshme pasi nuk janë thurur vetëm me flokë, por edhe me fije të arta. Ajo pasi i thur gërshetat i vendos pas qafe me kujdes; dinamizmi i ngadaltë i lidhjes flokë-qafë është një tjetër detaj që përcjell sensualitet e që nuk i shpëton syrit të kundruesit. Sensualiteti i ndërveprimit të vajzës me flokët si dhe kënaqësia e kundruesit që shikon vajzën e dashur teksa me ëmbëlsi e durim kujdeset për veten, përbëjnë thelbin e erotizmit të kësaj pamjeje poetike.

Më tej pamja pasurohet edhe më shumë me sensualitet, pasi vajza emocionohet dhe ky emocion i saj përkthehet në lot të nxehtë që i bien mbi gjinj. Djali vendos ta rrëmbejë. Si një lloj katalizatori i këtij veprimi të beftë shërben erotika e ngadaltë e krehjes dhe modelimit të flokëve. Shohim këtu gjithashtu dhe kontrastin midis ritmit të ngadaltë të krehjes së flokëve dhe vrullit të beftë të rrëmbimit, çka i shton tekstit edhe më tej densitetin ndjesor.

Në këtë këngë, pothuajse si gjithkund në përmbledhjen e De Radës, kemi të bëjmë me personazhe që i takojnë shtresës fisnike, për këtë arsye si dhe duke qenë se vetë De Rada është përkujdesur për formën poetike të këngëve, kemi një nivel vargëzimi dhe shprehie poetike kaq të rafinuar.

Tek një tjetër rapsodi arbëreshe të sjellë po nga De Rada, shohim se prekja e gërshetit të vajzës konsiderohet si diçka tepër intime, si një thyerje e rregullave shoqërore, pothuajse si zhvirgjërim, çka na bën sërish të mendojmë se ndoshta gërsheti edhe në kulturën tonë mund të ketë qenë simbol i vajzërisë:

Shkoi një trim nëpër rrugë

me një frushkull në dorë,

u përpoq me një vajzë;

ngriti djali frushkullin

dhe i preku gërshetin.

Ndodhi e jëma në dritare:

-Trim, që ngave time bijë,

po s’e dije tani mësoje:

një djalë që nget një vajzë

do ta marrë atë për grua.[19]

Për sa i takon erotizmit të krehjes dhe modelimit të flokut në prozën popullore shembulli më i mirë vjen përmes personazhit hibrid të Gërzhetës ose Floçkës: …Ksheta rri në ujë e herë-herë del në breg e krihet, ngrohet në diell. Është shumë e bukur.[20]

Dy variantet kryesore emërtuese të këtij personazhi, Floçka dhe Gërzheta, edhe etimologjikisht janë të lidhura me rrënjët flok dhe gërshet: Gërshetëza. Figurë në mitologjinë shqiptare. Kjo qenie në trajtë nimfe, vajzë me flokë të verdhë e të gjatë, gjithashtu kshetë dhe kshetëz, e lidhur me shqipen gërshet, mund të shihet anës lumenjve e liqeneve duke krehur flokët, me çka dallohet në radhë të parë. Gërshetëza thirret edhe me floçkë, nga shq. flokë ose nuse e ujërave. [21]

Sikurse dëshmon një nga variantet e kësaj përralle, djali që e rrëmben magjepset pas saj në çastin që e sheh duke krehur flokët buzë liqenit, në shullë, nën shkëlqimin e rrezeve të diellit:

N’at liqen jetonte një Gërzhetë, qi gja ma e bukur se ajo nuk ishte mu pa mbi ftyrë të tokës. Djali, pa e hetue kush, i avitej liqenit. Mshehej mbas nje kaçube e knaqej tuj pa gërzhetën, qi lahej n’ ata ujë e delte në shulla e krehej [22].

Tek “Visaret e Kombit” në shpjegimin për Gërzhetën na thuhet se ajo (Ksheta): …del ndonji herë jashtë ujit në breg per me u krehë e me goditë flokët…[23], pra sipas këtij burimi, krehja dhe rregullimi i flokëve jepet si arsyeja kryesore për të cilën ajo del në tokë.   Joshja, nis dhe kulmon pikërisht në këtë çast i cili na paraqet erotizmin e femrës që shijon vetveten. Gërzheta e bukur është sfiduese, është e frikshme në një kuptim, sepse është një femër unike që ka një veçori e cila është vetëm e saj; shijimin e vetvetes. Ajo nuk ka nevojë për një burrë, përkundrazi është burri që mahnitet pas saj dhe e rrëmben. Kjo mahnitje erotike nxitet nga “personaliteti” i saj unik që përfaqësohet nga një shënjues shumë i hollë siç është gjesti i krehjes së flokëve. 

Edhe tek ky fragment përralle sikurse dhe tek fragmenti i lirikës së mësipërme të rapsodive arbëreshe kemi kontrastin midis ngadalësisë së përkujdesjes për flokun dhe vendimit të vrullshëm që merr djali: — Kjo — thotë vedi me vedi — asht për mue e tjetër nuk marr! …[24], procedim ky që sjell të njëjtin efekt tek lexuesi apo dëgjuesi: rritjen e densitetit ndjesor.

Ballukja

Duke qenë se ballukja është një element i cili lidhet edhe etimologjikisht edhe fizikisht me ballin, në syrin e një vëzhguesi, shndërrohet gati-gati në një tipar të fytyrës dhe shpesh asociohet menjëherë me syrin ose me vetullën. Në këngën Gushëbardha si dëbora vërejmë një mjeshtëri të lartë të gjuhës poetike:

 Të isha zog të fluturoja

Mbi balluke të qëndroja [25]

Veprimi i një kontakti të dëshiruar fizik me vajzën shprehet me një gjuhë të sofistikuar. Djali uron të jetë zog që të mund të qëndrojë mbi balluken e vajzës. Balluket e saj duhet të jenë të plota e të vëllimshme, derisa sa supozohet figurativisht se zogu mund të qëndrojë mbi to. 

Në një tjetër këngë të jugut me titull “Ballukeprerë”, balluket kthehen në tipar identifikues të vajzës. Ndoshta ajo është ndër të paktat vajza me balluke që djali ka hasur dhe kjo gjë i ka bërë aq shumë përshtypje sa që është krijuar epiteti-kompozitë ballukeprerë, i cili përsëritet në fund të çdo strofe, duke u kthyer në një lloj “nofke” për vajzën:

Më jep një pikë ujë Moj ballukeprerë.

S’kam me se ta jap

O trëndafil me erë![26]

Në një këngë të Visareve të Kombit, balluket e vashës krahasohen me ato të një djali beqar:

Krehun baluket si djalë beqarë [27]

Midis morisë së figurave elegante stilistikore që përcjellin feminilitet në përshkrimin e bukurisë së vajzës, të hasura kudo në lirika, ky krahasim duket i çuditshëm, por megjithatë ai sjell pamjen e një vajze që u ngjason djemve nga stili i mbajtjes së flokëve.

Në një këngë të botuar në Valët e Detit të Spiro Dines, balluket e mikes janë krahasuar me tendën:

Mike shkurtër një pëllëmbë,

Derdhur balluket si tëndë [28]

Në një këngë tjetër të Valëve të Detit kemi këtë krahasim të ndërtuar për balluket si pendë pëllumbi të Hamides së bukur:

Balluket e tua si pendë pëllumbi,

Hamide të thirra, të zgjova nga gjumi [29]

Në këta dy shembuj kemi dy krahasime të afërta, por edhe të ndryshme. Në të parin, është pjesorja derdhur që sugjeron bukurinë e një ballukeje të gjatë, ndërsa në të dytin krahasimi na flet për një balluke të dendur. Në tri rastet e përmendura na përshkruhet vetëm forma e ballukeve: si djalë, si tendë dhe si pendë

Zylyfi-cullufet

Në paraqitjen e këtij elementi, siç e vërejtëm edhe në shembujt e dhënë më lart kur folëm për ngjyrat, mbizotëron ngjyra e zezë. Te S. Dine cullufet e fryra të një nuseje të bukur shoqërohen me ndjesitë që përcjell një fustan i shkurtër mbi gju: 

Bejka cullufetumbë

na mban fustanë mbi gjunjë [30]

Në një tjetër tekst djali i kërkon vajzës cullufet që t’ia vendosë pushkës për zbukurim: 

As m’i jep ato cullufe

T’ia vë martines xhufkë! [31]

Pra këtu cullufja shërben si shenjë përkujtuese e vajzës, atë djali dëshiron ta vendosë në një objekt me të cilin është shumë i lidhur siç është “martina”.

Siç e vërejmë, zylyfi apo cullufet, në lirikë, janë një shënjues i pëlqyeshëm për ndërtimin e figurave poetike që përcjellin erotizmin e modelimeve të flokut. Shembujt e dhënë dëshmojnë se cullufet e kanë rrumbullakuar paraqitjen e bukurisë së vashës dhe kanë ndikuar në formimin e shijes sonë estetike për të bukurën.

Prerja e flokëve

Prerja e flokut të gjatë apo prerja e gërshetit janë gjeste që universalisht, simbolizojnë heqjen dorë nga feminiliteti. Shpesh ato përcaktojnë shndërrimin e femrës në një figurë luftarake, që heq dorë nga “bota e brishtë femërore”. Në një numër këngësh e epike na paraqiten një sërë personazhesh vajza që në çastin që vendosin të luftojnë për të mbrojtur nderin vetjak apo atë të familjes, presin flokët.  

Shkuarja e vajzave në dyluftim në këngët epike ndodh në rastin kur babai plak, nuk mundet të luftojë për shkak të moshës dhe nuk ka trashëgimtarë djem. Një rapsodi e tillë është ajo me titull Çika e plakut Emin Agë pret në mejdan Baloze Delinë, ku plaku ndjehet ngushtë, sepse një bajloz i ka kërkuar të ndeshen dhe ai e di se nuk mundet të përballojë dyluftimin, por në rast se nuk shkon në dyluftim do të duhet t’i çojë bajlozit vajzën në këmbim. Në këto kushte, e bija vendos të dalë në mejdan në vend të të atit për t’u ndeshur me bajlozin, por ajo kurrsesi nuk mund të paraqitet në duel si vajzë, i duhet të maskohet dhe gjëja e parë që bën është të shkojë tek berberi Gjon, që e ka kumbar, për të prerë flokët, duke qenë se ato janë tipari kryesor dallues i feminilitetit:

Ku je ti, ore Gjon, m’i kish thamun-e

Ti qi t’thojn’ Gjoni i Lleshit-e?

Qeto flok-o ti-o me m’i rrumun-e

Se kumar-o ti o besa, qi t’kam-e, pra,

se tjetër kuj-o besa, qi t’kam-e, pra,

se tjetër kuj-o besa, s’un-o po i besoj-e, pra [32]

Por shikojmë se vajza sado që është e vendosur, nuk e bën pa dhimbje këtë veprim përderisa i kërkon berber-kumbarit që t’ia ruajë flokët e prerë: 

Edhe flokt-o n’sanik me m’i rujtun.

Qyre flokt n’sanik ia kish myllun! [33]

Sipas Frojdit, në nëndërgjegjjen femërore prerja e flokëve, simbolizon një proces të ngjashëm me kastrimin e meshkujve, prandaj cilatdo qofshin arsyet e ndërmarrjes së këtij veprimi ai kryhet jo pa keqardhje.[34]

 Më tej, teksa niset për dyluftim, rrugës vajza ndesh të fejuarin e saj Ali Bajraktarin i  cili nuk e njeh. Alija lidh miqësi  me të dhe e fton në kullë. Pasi qëndrojnë një farë kohe së bashku, ky i fundit nis të dyshojë se mos miku që ka ftuar është në të vërtetë nusja e tij dhe këtë ia shpreh së ëmës, por e ëma e vendosur ia kthen:

E nuk ka çika flokt qi me i hjekun-e,

Ka nis’ mendja ty-o për me të lanun-e [35]

 Pra ideja i një vajze që bën veprimin e prerjes së flokëve është aq e largët dhe e papranueshme sa që na shfaqet si një mendim i paperceptueshëm nga një mendje me logjikë të shëndoshë; Alija kurrsesi nuk mund të mendojë se nusja e tij ka prerë flokët. 

 Në vijim shohim se vajza pasi largohet nga shtëpia e Alisë dhe pasi del fitimtare në dyluftim, vajza kthehet tek berberi Gjon dhe i kërkon flokët sërish:

Kishte shkue tu berberi kumara:

-A i kie ktu, ore, flokt-o qi t’kam lanun-e?

Edhe flokt’-o besa i kish marrun-e [36]

Këto vargje konfirmojnë atë çka thamë më sipër: vajza vazhdon të ketë një marrëdhënie shumë të ngushtë me flokët edhe pse i ka shkëputur nga trupi. Floku është jo vetëm një tipar kryesor në dallimin e feminilitetit, por siç e thamë edhe më lart, ai ruan cilësitë e mbartësit të tij edhe pasi është shkëputur nga ky i fundit. Këto motive shpjegojnë edhe dëshirën e vajzës për t’i ruajtur flokët në mënyrë që t’i rimarrë si dhe faktin që ajo nuk zgjedh të shkojë tek një berber i çfarëdoshëm, por tek dikush që e njeh mirë dhe e ka kumbar, tek një njeri që i ka prerë flokun e parë që në foshnjëri dhe që e di rëndësinë e ruajtjes së flokut. 

 Pasi ka mbaruar misionin e saj të dyluftimit, vajza duhet të bëhet sërish vajzë e duhet t’i rikthejë vetes feminilitetin, sepse ndër të tjera ajo shumë shpejt do të martohet. Veshjet mund t’i ndërrojë në çast, por flokët e prerë janë të parikuperueshëm. Si mund të zgjidhet ky problem? Vërejmë se ndodh diçka e papritur; jemi në epikë, ku elementi fantastik mbizotëron, prandaj vajzës ia ngjit flokët i ati fije për fije duke i bërë “duà”: 

Edhe plaki duan’ po ja bojke, pra,

Qime për qime flokt-o ju kan’ ngjitun-e,[37]

Të njëjtin motiv, atë vajzës që qeth flokët e vishet si djalë për të shkuar në dyluftim në vend të të atit, e gjejmë edhe në rapsodi të tjera, si p.sh. tek ajo me titull Kuna e plakut tetdhet vjeç pret në mejdan Bajlozin e Detit, apo tek rapsodia e njohur Omeri i Ri, mirëpo në tekstet e këtyre dy rapsodive nuk gjendet detaji narrativ i rikuperimit të flokëve të prera të cilën e hasëm tek rapsodia e mësipërme.[38]. Ndoshta tek kjo e fundit kemi të bëjmë me një krijues më të kujdesshëm i cili kujtohet për faktin se vajza nuk mund të bëhet nuse me flokë të rruar e që në mënyrë artificiale, duke shfrytëzuar fantastikën epike, e zgjidh këtë “mangësi” me idenë e ngjitjes së flokëve. 

Në këto rapsodi floku nuk është një element erotik, por gjithsesi e përmban erotizmin pasi është shënjues kryesor i feminilitetit. Djali nuk e njeh të fejuarën kryesisht sepse ajo ka prerë flokët, e merr për burrë dhe nuk e konsideron si femër edhe pse dyshon. Gjykimi që shprehet është krejt i shkurtër e praktik siç ndodh rëndom në epikë; me flokë të gjatë je vajzë, me flokë të shkurtër je djalë.  

Vërejmë se kemi të bëjmë me atë stad të zhvillimit shoqëror ku konvencioni fizik gjinor i flokut të shkurtër për meshkuj dhe të gjatë për femra është i përkufizuar qartë e ku pështjellimi i pamjes fizike të burrit me atë të gruas konsiderohet si diçka e jashtëzakonshme, alogjike. Dallimi gjinor përmes këtij konvencioni daton të paktën që nga grekët dhe romakët e lashtë. Sipas arkeologes Elizabeth Bartman, në këto qytetërime antike, gratë si rregull kishin flokë më të gjatë se sa burrat. Nëse një burrë i kushtonte shumë vëmendje flokëve të tij “rrezikonte të përçmohej sepse dukej femëror” [39]. Kjo traditë u mbështet dhe u përforcua më tej edhe në shkrimet biblike ku thuajse u sanksionua. Kështu, në letrën e Shën Palit drejtuar Korintasve, shohim se si flokët shfaqen edhe si një tregues i hierarkisë që nis nga Zoti dhe zbret drejt njeriut. Aty gjejmë porosi të veçanta për mënyrën e mbajtjes së tyre nga burrat dhe gratë.

Traditat të lashta e rregullat fetare, në shekujt vijues, kanë ndikuar mbarë civilizimin evropian e botëror prandaj mund të themi se dukuria kulturore e gruas me flokë më të gjatë se sa burri është diçka universale. Rrjedhimisht, siç e pamë, edhe në krijimtarinë tonë popullore, floku, si element fizik, zë një vend të rëndësishëm sidomos në përcjelljen e erotizmit, prandaj prerja e tij nga ana e gjinisë femërore është thuajse tabu. 

Megjithatë janë vetë këto rapsodi që na dëshmojnë se kur e ka dashur nevoja, në raste skajore, gratë janë maskuar si burra. Kjo sakrificë, kjo thyerje e normave të ngurta kanunore nga ana e gruas mund të bëhet vetëm për një ideal shumë të lartë siç është mbrojtja e nderit vetjak dhe familjar, sepse nderi është baza e së drejtës zakonore shqiptare; ai përbën një ndër institutet kulmore te Kanunit dhe ka qëndruar gjithmonë mbi çdo pushtet dhe ide tjetër. 

Përfundime

Floku përbën një ndër veçoritë e para fizike identifikuese të një njeriu, për shkak se vizualisht është më i dukshëm se tiparet e tjera; ngjyra dhe forma e tij dallohen që prej së largu. Ky tipar dhe mënyra mbajtjes së tij, siç e pamë, mund të na tregojnë për moshën, prejardhjen, statusin shoqëror të një personi, etj.

Floku i gjatë i femrës ka një funksion të veçantë në plotësimin e pamjes së saj; ai është një tipar tipizues i gjinisë femërore, ndaj dhe në letërsinë folklorike përbën një element thelbësor të feminilitetit.

Për ta realizuar sa më mirë përshkrimin artistik të këtij elementi të portretit, vërejtëm se shpesh poetët popullorë kanë krijuar neologjizma në trajtën e kompozitave, si p.sh leshverdhë, ballukeprerë, flokëzezë, etj. Protagonistet e lirikës erotike, flokët herë i mbajnë lëshuar, herë gërshet e herë na shfaqen si vajza me balluke.

Bukuria e vashës nuk mund të perceptohet pa flokë të gjatë, të drejtë, të butë, të zezë etj. Në lirikën erotike gojore gjetëm krijime, të larmishme, në të cilat vihen në pah gjatësia, butësia, forma (e drejtë ose e dredhur) dhe ngjyra e flokëve. Në shumë këngë flokët e vashës shfaqeshin si objekt i nismës dhe i shpalimit të erotizmit.

Në prozën popullore e sidomos në përrallat, duke qenë se ato janë krijime me motive të lashta pagane, vumë re se si nuancat mistike të elementit të flokut shfaqeshin edhe më dukshëm.

Në përralla, ndryshe nga lirika, mbizotëronte floku në ngjyrë të artë. Me sa duket ai konsiderohet si simbol i bukurisë dhe i luksit, përderisa princeshat janë të gjitha flokarta, por përpos kësaj, duke qenë se përrallat janë ndër krijimet me motivet më të lashta, nga pikëpamja antropologjike, ndoshta ato na flasin edhe për një dominim të hershëm të këtij tipari në popullatën e trojeve tona.

Simbolika e flokut të kuq në lirikën folklorike erotike lidhej me joshjen e fuqishme të ngjyrës së kuqe si dhe me rebelizmin. Në këtë kontekst, sollëm në vëmendje, se që në mitet më të hershme personazhet me flokë të kuqe kanë përfaqësuar pikërisht joshjen dhe rebelizmin, (Lolita nga mitologjia hebraike, djalli si pjesë e miteve religjioze). Pikërisht këto domethënie të personazheve flokëkuqe i hasëm edhe në dy prej këngëve të shqyrtuara më sipër, ku na shfaqeshin dy flokëkuqe rebele që kishin pasur lidhje dashurore para se të martoheshin.

Tekste të tilla përbëjnë një dëshmi më shumë të faktit se në mjediset shqiptare, ku shtrëngesa patriarkale ka qenë e fortë, kënaqësia erotike nuk ka munguar, përkundrazi, ka qenë dendur e pranishme, por më së shumti në fshehtësi.

Gjatë studimit, arritëm në përfundimin se modelimet e flokëve të vajzave me gërsheta zënë një vend të rëndësishëm në shprehjen e erotikës së flokut në letërsinë popullore.

Për sa i takon erotizmit të krehjes dhe modelimit të flokut në prozën popullore shembullin më të mirë e sollëm përmes personazhit hibrid të Gërzhetës ose Floçkës. Dy variantet kryesore emërtuese të këtij personazhi, Floçka dhe Gërzheta, edhe etimologjikisht ishin të lidhura me rrënjët flok dhe gërshet.

Ballukja, duke qenë i element i cili lidhet edhe etimologjikisht edhe fizikisht me ballin, në syrin e një vëzhguesi, në vargje shndërrohej gati-gati në një tipar të fytyrës dhe shpesh asociohej menjëherë me syrin ose me vetullën.

Zylyfi apo cullufet, në lirikë, janë një shënjues i pëlqyeshëm për ndërtimin e figurave poetike që përcjellin erotizmit e modelimeve të flokut. Shembujt e dhënë dëshmuan se cullufet e kanë rrumbullakuar paraqitjen e bukurisë së vashës dhe kanë ndikuar në formimin e shijes sonë estetike për të bukurën.

Prerja e flokut të gjatë apo prerja e gërshetit janë gjeste që në mendësinë tonë, sikurse edhe në shumë kultura të tjera, simbolizojnë heqjen dorë nga feminiliteti, shndërrimin e femrës në një figurë luftarake, që heq dorë nga “bota e brishtë femërore”. Në një numër këngësh epike, por edhe në disa përralla hasëm një sërë personazhesh vajza që në çastin që vendosnin të luftojnë për të mbrojtur nderin vetjak apo atë të familjes, pritnin flokët.

Bibliografi

Bartman, Elizabeth, Hair and the Artifice of Roman Female Adornment. American Journal of Archaeology, 105 (1), The University of Chicago Press, Chicago, 2001

Bytyçi, Xhevdet, Përmbledhje 1200 tekste këngësh shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese, Litografia, Gjakovë, 2006

De Rada, Jeronim, Rapsodi të një poeme arbëreshe, Milosao, Tiranë, 2020

Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908, në: Visaret e kombit, III, Tiranë, 1937

Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908, në: Visaret e kombit, IV, Tiranë, 1939

Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908; në: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, III, k. 90, v. 1 e 2, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1962

Elsie, Robert,  A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture, C. Hurst & Co. Publishers, London, 2001

Epika legjendare 1, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1966

Epika legjendare 2, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1966

Freud, Sigmund, Interpretation of dreams, Manchester University Press, Manchester and New York, 1999

Hahn, Johann Georg, Albanesische Studien, Cornell University Library, Wienn, 1856

Lirika Popullore 1, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1988

Mitko, Thimi, Bleta Shqiptare, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1981

Nozedar Adele, Encyclopedia of secret signs and symbolism, HarperCollins Publishers, London, 2009

Pralla shqiptare, Instituti i shkencave, Tirane, 1954

Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004

Veleva, Maria G.; Snezhana, Dancheva-Blagoeva,  Bulgarian National Costumes and Folk Jewellery, Septemvri,  Sofia, 1983

Visaret e kombit III, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1937

Visaret e kombit IV, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1939

Visaret e kombit VI, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1940


[1]  Lirika Popullore 1, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1988, f. 184

[2]  Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908; në: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, III, k. 90, v. 1 e 2, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1962, f. 35

[3]  Hahn, Johann Georg, Albanesische Studien, Cornell University Library, Wienn, 1856, f. 42 

[4]  Visaret e kombit III, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1937, f. 228

[5]  Po aty

[6]  Visaret e kombit III, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1937, f. 229

[7]  Po aty

[8]  Po aty

[9]  Visaret e kombit III, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1937, f, 231

[10]  Shiko: Nozedar Adele, Encyclopedia of secret signs and symbolism, HarperCollins Publishers, London, 2009, f. 287

[11]  Pralla shqiptare, Instituti i shkencave, Tirane, 1954, f, 77

[12]  Po aty, f. 79

[13]  Po aty, f. 163

[14]   Proverb nga Lugina e Preshevës, Kosovë

[15]  Veleva, Maria G.; Snezhana, Dancheva-Blagoeva,  Bulgarian National Costumes and Folk Jewellery, Septemvri,  Sofia, 1983, f. 100

[16]  Nozedar, Adele, Encyclopedia of secret signs and symbolism, HarperCollins Publishers, London, 2009, (Hair)

[17]  Mitko, Thimi, Bleta Shqiptare, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1981, f. 122-123 

[18]  De Rada, Jeronim, Rapsodi të një poeme arbëreshe, Milosao, Tiranë, 2020, f. 41

[19]  De Rada, Jeronim, Rapsodi të një poeme arbëreshe, Milosao, Tiranë, 2020, f. 85

[20]  Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 134

[21]  Elsie, Robert,  A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture, C. Hurst & Co. Publishers, London, 2001, f. 63

[22]  Visaret e kombit VI, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1940, f. 34

[23]  Po aty

[24]  Po aty

[25]  Bytyçi, Xhevdet, Përmbledhje 1200 tekste këngësh shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese, Litografia, Gjakovë, 2006, f. 245

[26]  Po aty, f. 583

[27]  Visaret e kombit IV, Botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1939, f. 132

[28]  Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908, në: Visaret e kombit, III, Tiranë, 1937, f. 100

[29]  Dine, Spiro, Valët e detit, Sofje, 1908, në: Visaret e kombit, IV, Tiranë, 1939, f. 135

[30]  Po aty, f. 40

[31]  Po aty, f. 44

[32]  Epika legjendare 2, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1966, f. 128

[33]  Epika legjendare 2, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1966, f. 128

[34]  Freud, Sigmund, Interpretation of dreams, Manchester University Press, Manchester and New York, 1999, f. 170

[35]  Epika legjendare 2, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1966, f. 129

[36]  Po aty, f. 133

[37]  Po aty

[38]  Shiko përkatësisht: Epika legjendare 2, f. 147 dhe Epika legjendare 1, f. 119  

[39]  Shiko: Bartman, E. (2001). Hair and the Artifice of Roman Female Adornment. American Journal of Archaeology, 105 (1), 1-25. doi:10.2307/507324

Exit mobile version