Kreu Arte pamore Dr. Bledar Kurti: “PASOJAT E LUFTËS” e Rubens, artistit diplomat dhe agjent

Dr. Bledar Kurti: “PASOJAT E LUFTËS” e Rubens, artistit diplomat dhe agjent

Peter Paul Rubens (1577-1640), është një ndër artistët më të dashur nga piktorët, por ndër më të sulmuarit nga kritikët e artit dhe historianët. “Oh, ai piktori, me ato gra tmerrësisht të shëndosha!» komentojnë për Rubens të gjithë ata të cilët duk dallojnë dot artin dhe natyrën, e që nuk mund të ndajnë dot meditimin e bukurisë prej dëshpërimit kafshëror ose dëshirës së posedimit.

Në çdo tablo të tij, brenda kaosit, dinamikës, lëvizjeve të gjalla të figurave, ka një elegancë të pashoqë. Trupat njerëzorë, sidomos të femrave janë të fryrë, të egër, të shëndoshë, me shtresa dhjami dhe një banalitet fizik, por trajtimi i mishit dhe i lëkurës ka një bardhësi të mrekullueshme, e një të kaltër të lehtë në damarët e të gjithë trupit. Dhe, përtej virtuozitetit të tablove të tij, dhe kompozimeve marramendëse ka një stimulim mendor, një tregim apo ilustrim të epokës në të cilën ai jetonte, shoqëruar me simbolika dhe alegori të marra nga mitologjia dhe historitë biblike.

Në tablonë Pasojat e Luftës (1638), një pikturë me përmasa të mëdha, Rubens, piktori flamand i stilit barok, përdori stilin e tij delikat dhe të ndjeshëm për të hedhur dritë mbi një temë të errët si lufta, dhe fatkeqësia që ajo sjell për shoqërinë.

Rubens e pikturoi Pasojat e Luftës, të njohur ndryshe edhe si Tmerret e Luftës, rreth vitit 1638, periudhë në të cilën kishin kaluar njëzetë vjet nga Lufta Tridhjetëvjeçare (1618-1648), një konflikt shkatërrimtar që përfshiu pothuajse çdo fuqi të madhe në Evropë, dhe la disa rajone të Gjermanisë pothuajse të shpopulluara. Rubens përdori mjete të artit barok për të theksuar diagonalet, lëvizjen dhe kontrastet e dritës në mënyrë që të shpaloste koston njerëzore të luftës pa e portretizuar atë në mënyrë të drejtpërdrejt.

E gjithë vepra është alegorike dhe e mbushur me simbole. Përpara se të njihemi me figurat dhe simbolet, vërejmë se si e gjithë piktura lëviz nga e majta në të djathtë. Ajo lëviz me një dinamizëm dramatik, porsi një stuhi që shpërthen papritmazi. Hidheni vështrimin tek këndi i poshtëm në të majtë, imagjinoni një gozhdë nga e cila dalin fije spangoje për nga çdo figurë e tablosë. Të gjitha figurat duket se janë të lidhura me atë kënd. Nga ajo pikë fokale duket se rrezaton çdo lëvizje e çdo figure, porsi një pikë zero prej nga ku buron e gjithë jeta, në këtë rast e gjithë skena.

Në qendër të pikturës, shihet Marsi, perëndia e luftës, me armaturën, helmetën, mantelin e kuq, mburojën e ngritur lart dhe shpatën e përgjakshme. Marsi ka hedhur përpara këmbën e tij të majtë mbi një libër dhe një vizatim për të simbolizuar se lufta dhunon letërsinë dhe artet. Në të majtë të tij, shihet Venusi, perëndesha e dashurisë, e cila mundohet ta frenojë, dhe tërheq krahun e tij. Ajo përpiqet ta joshë atë dhe ta bëjë të tërhiqet nga lufta. Ajo duket provokuese por edhe lutëse. Venusi është e zhveshur dhe ka një rrobë të kuqe midis këmbëve të saj. Ajo rrobë e bashkon atë dhe Marsin, si një simbol që bashkon dashurinë dhe luftën, të dyja të shtyra e nxitura nga pasioni njerëzor.

Poshtë këmbës së djathtë të Venusit gjenden dy kubidë të vegjël me krahë që përpiqen ta ndihmojnë atë. Poshtë këmbëve të tyre shihen të shtrira në tokë disa shigjeta, një skeptër dhe një degë ulliri, të gjitha simbole të paqes, të cilat nën vërshimin e luftës janë rrëzuar përtokë.

Në të majtë të tablosë shihet një grua e dëshpëruar e veshur me të zezë, me krahët e saj që vërtiten në ajër. Kjo grua përfaqëson Evropën, kontinentin e shkatërruar dhe të përgjakur nga lufta. Sytë e saj janë të lotuar, dhe ajo i lutet qiellit që të ndalohet kjo marrëzi njerëzore. Në të majtë të kësaj gruaje është një engjëll i cili mban një glob me një kryq të vogël mbi të. Mbi engjëllin shihet Tempulli i Janusit që gjendet në Forumin Romak në Romë. Rubens apelon përmes simboleve se lufta e ka shkatërruar kontinentin e krishterë që nga koha romake, dhe se prej qytetërimit romak duhej mësuar për të ndërtuar një qytetërim të zhvilluar e jo një epokë vrastare e vdekatare. 

Në të majtë të Marsit, pranë mburojës së tij gjendet Alekto, një nga erinitë, puna e së cilës është të ndëshkojë krimet morale të njerëzve. Alekto është një shpirt dënimi, i përfaqësuar shpesh si një nga tri perëndeshat që ekzekutonin mallkimet e hedhura mbi kriminelët, torturonin fajtorët me pickime të ndërgjegjes dhe shkaktonin zi buke dhe murtajë. Alekto ka një pishtar në njërën anë, për t’i treguar rrugën, dhe po tërheq krahun e majtë të Marsit për ta angazhuar atë në luftë.

Poshtë Alektos gjendet perëndesha Harmonia, e cila mban në dorë një mandolinë të thyer dhe është e shtyrë në tokë. Në të djathtë të saj shihet një arkitekt i hedhur përdhe i cili mban një kompas dhe disa nga mjetet e tij të tjera të punës të flakura në dhe. Mbi to janë një nënë dhe një fëmijë të frikësuar dhe të tmerruar nga dhuna e luftës.

Lufta Tridhjetëvjeçare kishte një ndikim të tmerrshëm në jetën e njerëzve të zakonshëm, të ngjashëm me atë të luftërave të mëvonshme botërore, duke shkaktuar uri, sëmundje dhe shkatërrimin ekonomik në të gjitha rajonet. Alegoria e pikturuar nga Rubens shërben si një memorial lufte totale që evropianët e përjetuan si diçka të re dhe të frikshme. Kjo tablo e pasionit të luftës simbolizon vdekjen e vetë artit. E gjitha tabloja shpalos shkatërrimin e jetës, shpirtit, dashurisë, harmonisë, shteteve, arteve, godinave, letërsisë dhe muzikës. Një pllakosje e plotë e tmerrit.

Në këtë tablo bie në sy trupi i zhveshur i Venusit. Trupi i saj është i mbushur dhe i shëndoshë, ndryshe nga koncepti i bukurisë së femrës që kemi sot. Të gjitha femrat në tablotë e Rubens janë të shëndosha, ndaj edhe ngjallin kritika nga shikuesit e sotëm, por shëndeti shprehte klas dhe përdorej për të hyjnizuar figurat femërore, pasi me format e mëdha të trupit ato nuk jepnin mesazhin e joshjes dhe tundimit seksual por të hyjnisë. Figurat e shëndetshme tregonin begati dhe jepnin mesazhin se nuk u mungonte as ushqimi, as bollëku e asgjë tjetër. Gjithashtu shëndeti simbolizonte paqen, dhe ishte i lidhur me lindjen e fëmijëve, dhe lindja ishte mrekulli paqësore e jo simbol lufte. Shëndeti ishte edhe simbol pushteti.

Por, të gjitha figurat në veprat e tij nuk janë thjesht numra dhe simbole, ato përmbajnë një vitalitet të spikatur dhe lëvizja dramatike krijon një ngutje dramatike. Rubens pëlqente kompozimin e ekzagjeruar, veprimin dramatik dhe format e forta; por pamja e tërbimit dhe shpejtësisë, sidomos në pikturat e tij më të hershme, nuk ishte efekti i nxitimit apo rrëmbimi i mendjes dhe i dorës. Ky efekt planifikohej qëllimisht dhe duheshin vite të tëra për Rubens të arrinte një harmoni të plotë midis trajtimit të pikturës dhe kompozimit të veprave. Kompozimet e tij shprehin një trajtim piktoresk plot dhimbje dhe drojë.

Rubens konsiderohet si mjeshtri i stilit “piktoresk”, një stil që përmban penelata të hapura e të lirshme dhe një theksim të ngjyrës. Ndryshe nga stili “linear”, i cili përdorte linja të forta dhe të mprehta konturesh për të përcaktuar qartë skajet e objekteve, stili i Rubens varet më shumë nga sugjerimi dhe nënkuptimi për të kuptuar format. Me stilin e tij duket se ai pati ndikim edhe tek Rembrandt, Velasquez, etj.

          Te vepra Pasojat e Luftës ne shohim dorën e një mjeshtri të madh të pikturës, por në fakt ajo buroi nga mendja e një njeriu tejet inteligjent e të formuar, në të vërtetë, nga imagjinata e një diplomati. Rubens ishte një diplomat profesionist, ndaj edhe shumë prej artdashësve të sotëm duhet të kërkojnë nëpër libra apo internet për të mësuar mbi kontekstin historik në të cilin ai jetoi, si edhe për emrat mitologjik, simbolet dhe historitë antike që shpalosen në veprat e tij.

Edhe nëse ai nuk do kishte prekur kurrë penel me dorë, ne sot ende do e dëgjonim emrin e tij. Ai punoi si një diplomat i rangut të lartë nën autoritetin e mbretëreshës Isabella, monarke e Holandës jugore. Si një katolik i devotshëm, ai punonte nën urdhrat e Spanjës për ta kthyer Holandën protestante nën besimin katolik. Në vitin 1629 ai shkoi në Londër, i ngarkuar për promovimin e paqes. Detyra e tij ishte të mundësonte një takim ambasadorësh midis Britanisë dhe Spanjës, të cilën e arriti, duke çuar në traktatin e paqes të nënshkruar më 15 nëntor 1630. Por Rubens bëri më shumë se sa thjesht të fliste me fjalë. Ai e dha mesazhin e tij edhe me figurë. Ai bëri një pikturë në Angli si dhuratë për mbretin Charles I, një tablo alegorike mbi luftën dhe paqen. Arti i Rubens vihej gjithmonë në shërbim të diplomacisë. Ndaj artisti brenda tij ishte nën kontrollin e mendjes diplomate që ai kishte. Ndaj diplomacia, me mesazhin e saj, vihej në shërbim të artit, dhe arti vihej në shërbim të diplomacisë për të arritur paqen midis dy apo më shumë kombeve.

Sot, një artdashës me të drejtë mund të shtrojë pyetjen se përse Rubens nuk pikturoi një panoramë më të drejtpërdrejtë të luftës? Përse nuk veproi si artistë të tjerë që përshkruan njerëz të vrarë apo fshatra të djegur? Përse me simbole dhe alegori? Rubens na ka lënë shumë letra të shkruara nga dora e tij, dhe disa prej tyre përmbajnë komente të gjalla mbi refugjatë që vërshonin drejt kufirit holandez, si edhe mbi shpërthime të murtajës dhe dizenterisë, por Rubens ishte një artist kozmopolitan dhe arti i tij qarkullonte në mbarë botën. Mesazhet që ai jepte duheshin kuptuar si në Londrën protestante ashtu edhe në Madridin katolik, dhe ashtu siç ekzistonte një gjuhë e veçantë në diplomaci kështu ekzistonte edhe një stil diplomatik në pikturë. Rubens e pikturoi Evropën si një grua me të zeza që vajton, pavarësisht se me fjalë ai e komentoi edhe më shumë në letrat personale. “Gruaja me të zeza është Evropa e plaçkitur nga lufta dhe e zbrazur nga pasuria,” shkroi ai në një letër drejtuar një artisti flamand. Nëse do përshkruante me fjalë se cili ishte fajtori, se kush ishte zhvatësi e kush viktima, nuk do arrinte kurrë paqen e dëshiruar në përpjekjet e tij diplomatike, ndaj ai zgjodhi simbolikën dhe alegorinë për të ndërgjegjësuar mbretërit për tmerret e luftës.

Si artist dhe diplomat Rubens vërtetë besonte tek paqja. Ai madje u bë një diplomat i zellshëm pasi besonte plot sinqeritet në mundësinë e arritjes së paqes midis vendeve evropiane. Por ashtu siç ndërmerrte nisma pothuajse të pamundura diplomatike, ai bënte të njëjtën gjë edhe në art. I suksesshëm, i njohur dhe i begatë, mbi të gjitha Rubens ishte i vetëdijshëm për aftësitë e tij. Në një letër të vitit 1621 ai shkroi plot krenari e vetëbesim: “Unë jam aq i talentuar sa që nuk më ka munguar kurrë guximi të ndërmarr çdo kompozim, sado me përmasa të mëdha e sado e shumëllojtë në përmbajtje.”

Shumë historianë e kritikojnë Rubens për shkak të diplomacisë që shpalosi edhe në art, e madje edhe spiunazhit në karrierën e tij. Rubens punonte si artisti i oborrit të dukeshës Isabella por ishte edhe një ndër agjentët e saj sekret. Ai njihet në histori edhe si artisti që i bënte elozhe pafund Marie de Medici, mbretëreshës së Francës, për të cilën krijoi njëzetë e katër tablo me përmasa tejet të mëdha duke e portretizuar atë më shumë sesa një mbretëreshë, por si perëndeshë, dhe nënën e kombeve.  Ndaj arti si propagandë, politikë dhe pushtet, e kategorizonte Rubens si një oportunist që kërkonte të bëhej i rëndësishëm dhe i pasur. E në fakt u bë.

Ndaj kritikët e artit e sulmojnë Rubens, se veprat e tij nuk ishin të sinqerta, por ishin në shërbim të monarkëve e madje në shërbim të urdhrave fetarë si Jezuitët. Por në rangun e kritikave ai akuzohet edhe për imitime të stilit Italian të shekullit të gjashtëmbëdhjetë.  Rubens studioi veprat e mjeshtërve italianë, por ai nuk ishte aspak imitues, por një piktor jashtëzakonisht personal; ekuilibri i personalitetit të tij e shtynte atë të gëzonte gjuhën e bojës përpara personalitetit të natyrës. Kur përballej me një model njerëzor apo një tablo të një artisti të njohur, ai e interpretonte atë lirshëm në vend që të kopjonte me saktësi. Ajo çfarë shikonin sytë e tij nënkuptonte diçka tjetër në mendjen e artistit, dhe ai merrte një lloj drejtimi sipas shijes së tij. Ai ra në dashuri me stilin e vet, dhe kërkoi të promovonte bukurinë e ndjenjave që kishte përbrenda sesa të theksonte karakterin e bukurisë që supozohej të shprehte.

Arti epik i Rubens përfaqësonte vetëm një aspekt të gjenialitetit të tij të shumëfishtë. Një artist i shquar, i dashur dhe i vlerësuar nga të gjithë monarkët e Evropës, një diplomat i njohur në kohën e tij, ai ishte gjithashtu edhe një studiues dhe humanist, një klasicist i edukuar dhe studiues i antikitetit, një zotërues i disa gjuhëve, dhe madje edhe një arkitekt amator. Studimet e thella e bënë të tërhiqej nga tregimet biblike, teologjia katolike, hagiografia, historia dhe mitologjia greke dhe romake, të cilat i përdori vazhdimisht për tematikat dhe ikonografinë e artit të tij. Një katolik i devotshëm, një burrë i përkushtuar dhe babai i tetë fëmijëve, ky artist i begatë, energjik dhe plotësisht i balancuar paraqet antitezën e nocionit modern të artistit të vuajtur. Vepra si Pasojat e Luftës, por edhe Masakra e të Pafajshmëve, Tri Hijeshitë, Ujku dhe Gjuetia e Dhelprave, Katër Kontinentet, Gjuetia e Luanëve, Danieli në Strofkën e Luanëve, Venusi dhe Adonisi, e të tjera, janë tablo madhështore të cilat xhelozojnë edhe piktorët e sotëm me këndet unike të pamjes së figurave, lëvizjeve të pa imagjinuara të trupave njerëzorë por edhe kuajve e luanëve, me trupat femërore të cilat edhe pse të fryra e të mbushura, të ndryshme nga standardet e sotme, bëjnë çdo shikues të përjetojë emocione të pa përshkruara që ofron vetëm arti i vërtetë.

Rubens i trazon kritikët jo vetëm prej tablove të tij, pasi kompozimet e Rubens e shtangin vështrimin e shikuesit dhe mbeten si një jehonë e gjatë në mendje, e as vetëm me talentin e tij me të cilin shpalos fytyrën magjike të artit, por ai i turbullon ata edhe me vetë figurën dhe personalitetin e tij.

Rubens e jetoi jetën e tij me begati e sukses në të gjitha aspektet. Por pavarësisht famës dhe pasurisë ai ishte i moderuar në çdo gjë. Ai nuk dehej kurrë, dhe nuk kreu kurrë tradhti bashkëshortore. Ishte fetar, shkonte gjithmonë në meshë, dhe frenohej nga çdo gjë e tepruar. “Një mendje e shëndoshë dhe një trup i shëndoshë” ishte gdhendur në portikun e kopshtit të tij në Antwerp. Ai caktonte dikë t’i lexonte veprat klasike teksa vetë pikturonte. E përveçse ishte artisti më i kërkuar ishte edhe ambasador i shumë mbretërve të Evropës. Brenda vetes ai dukej sikur kishte shumë persona, dhe nuk arrihej të kuptohej se nga kishte mbirë ai njeri. Ai dukej sikur vinte nga një botë imagjinare e jo nga ndonjë vend real i kësaj bote. Dhe siç u shpreh vetë Rubens në një nga letrat e tij: “E gjithë bota është atdheu im.” Dhe kishte më se të drejtë, pasi e gjithë bota sot studion dhe admiron artin e tij.

Exit mobile version