Kreu Opinion Donika Omari: Keqkuptime të shmangshme

Donika Omari: Keqkuptime të shmangshme

Edited in Prisma app with Dragon

Për të ndryshuar pak monotoninë e politizimit që ka pushtuar bisedat kudo te ne, me shoqërinë, me shqiptarë e të huaj, me shtresa të larta e të ulëta, me të rritur e fëmijë, me mesazhet në rrjetet sociale, madje edhe brenda familjeve, por sidomos bisedat e konfrontimet në mediat, qoftë pamore, qoftë ato të shtypit, po vihem të shtjelloj një temë, të cilën ky politizimii skajshëm i shoqërisë sonë, e quan pa interes.

Është fjala për keqkuptimet, apo keqinterpretimet, apo keqinformimet, apo keqbesimet, që ndodhin mes nesh. Të gjitha kompozita këto që  fillojnë me fjalën keq, por, që, me pak vullnet të mirë, mund të nisin me fjalën mirë: mirëkuptim, mirëbesim etj. Në ç’mënyrë?


Po e nis me një episod. Para shumë vjetësh kam përkthyer dramën e njohur të Pirandelos: 6 personazhe kërkojnë autor.  Që u botua së pari në revistën Nëntori. Më vonë, kjo dramë-komedi e shkrimtarit të madh italian u përfshi në një përmbledhje dramash, të botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, me titullin 6 drama. Si edhe u vu në skenë në Teatrin Kombëtar, me regjisor të mirënjohurin Mehmet Xhelili. Më vonë kërkon ta vërë në skenë Teatri Migjeni i Shkodrës, me një regjisor italian. Dhe ky regjisor bën zbulimin: përkthimi ka mungesa dhe zhvendosje pjesësh. Dhe drama vihet në skenë pasi bëhet përkthimi i pjesëve të munguara. Para pak kohe, shtëpia botuese “Bard Books”, nga Kosova, i kërkoi lektores dhe përkthyeses Anxhela Lepuri një përkthim të ri. Është gjë e ditur dhe krej normale të bëhen përkthime të mëvonshme, aq më tepër kur kemi të bëjmë me kryevepra.  Por nga gjithë kjo ç’po tregojmë, lindi një pikëpyetje: cili ishte shkaku i këtyre “anomalive” në përkthimin e parë? Jepet përgjigja më e gatshme, më e lehtë: censura. Në një këmbim komentesh në rrjetet sociale, faji i vihet kontekstit të kohës, jo përkthyeses. Por unë, si përkthyese e dramës,  nuk kam si të mos shqetësohem. Shqetësohem vërtet, dhe nis një kërkim të botimit të dramës në Nëntori si edhe në  librin me përmbledhje dramash, për të bërë krahasimin mes dy botimeve. Filloj të mendoj se ndofta daktilografja ose redaktori, në përmbledhjen 6 drama, nuk kanë treguar kujdesin e duhur.  Ndërkaq, një mik imi revoltohet nga komenti i nxituar se kemi të bëjmë me censurë. Dhe, ky mik i mirë, (që, nga një bashkëpunim i gjatë e di se në redaksinë e letërsisë së huaj censurimet nuk bëheshin kaq pa mend), më bën përshkrimin e veçantive të botimit dhe të vënies në skenë të dramës, si edhe fotot e botimeve që i janë bërë kësaj kryevepre në Itali. Rezulton që, nga botimi i parë, në vitin 1921, e deri në ditët tona, janë bërë botime të ndryshme, integrale ose jo. Jo vetëm botimet por edhe vëniet në skenë kanë pësuar ndryshime sipas regjisorëve, gjatë viteve. Në fotot e kopertinave të botimeve të ndryshme, shihet se në dy botime është shënimi: Edizione integrale. Mjaftoi kaq që të kthjellohesha: pra, del se nga botimet italiane unë kam pasur tekst jo të plotë, ndërsa A.Lepuri tekst integral.

 Tani, duke vënë re se problemi nuk qëndron te një rast i vetëm, por te një dukuri shoqërore, mendova të përsiat  lidhur me keqkuptime që na ndodhin ose nga nxitimi, ose nga një përtaci intelektuale për t’u informuar, ose nga një synim dashakeq. Në rastin e sipërpërmendur, mjaftonte pak kureshtje intelektuale, letrare, për të kuptuar pse ato heqje e ato pjesë të zhvendosura. Përkthyesja është ende në jetë, regjisori që e vuri për herë të parë në skenë po ashtu, mund të pyeteshin këta persona sesi kishte ndodhur kjo punë kaq “e pakujdesshme” dhe kjo censurë kaq “e pakuptimtë”. Dhe, ndofta, nga ky sqarim, shtëpia botuese e Prishtinës do të shënonte në kopertinë: Botim i plotë (ose: Integral)

Sidoqoftë, cilidoqoftë shkaku i këtyre keqkuptimeve, apo paragjykimeve, dëmi që bëjnë është i njëjtë. Po kështu edhe shqetësimet.

Meqë jemi te censura, le të kujtojmë një rast tjetër kur së nënshkruarës i vishet një mungesë e madhe përgjegjësie në një censurë të fortë që i është bërë romanit të Fojtvangerit: Rruga e mundimshme drejt njohjes. Edhe ky rast mund të sqarohej fare lehtë duke u drejtuar në Bibliotekën Kombëtare: janë bërë dy botime, në vitin 1977 dhe në 1987. I pari me heqje të shumta, nga dy redaktorë. I dyti botim i plotë i romanit. Logjikisht, a mund të ishte ankuar i ndjeri Robert për heqjet kur libri u botua i plotë qysh në gjallje të tij?

Kur flitet për censurën, shpesh herë nuk mbahen parasysh kushtet e kohës. Poeti Faslli Haliti në kujtimet e tij, ka përmendur gjithë ankthet, frikërat, madje terrorin që e kanë shoqëruar në botimet e poezive të veta. Në njërën nga përmbledhjet me poezi, me titullin Sot, redaktore është e nënshkruara, D.Omari. E cila pati sugjeruar  të hiqeshin disa poezi. Me ndërhyrjen e Kadaresë, poezitë mbetën, dhe libri Sot u botua. Por nuk i shpëtoi syrit vigjilent të organizmave të mëtejshme që merreshin me “pastërtinë” ideologjike të botimeve. Dhe jepet urdhri: libri Sot të hidhet në karton. U desh prapë ndërhyrja e Kadaresë që  libri të mbetej në qarkullim. Pra, qenë në fije të perit, si libri ashtu edhe pasojat për poetin. Ky rast është një tregues sesa delikate ishte puna me botimet. Aq më tepër me ato nga letërsia e huaj. Ndonjëherë, që të ishte më i sigurt libri, që të shpëtohej e të mos zhdukej, duhej bërë një flijim. Mundësitë ishin tri: 1. Të mos botohej libri. 2. Të botohej me heqje. 3. Të botohej i plotë duke rrezikuar hedhjen në karton. Duke ndjekur me shumë kujdes një taktikë prej “ekuilibristi”, ka qenë e mundur të botohen nga redaksia e letërsisë së huaj vepra me shumë vlerë, me më pak a me më shumë heqje, por edhe botime të plota. U kalua nga korniza fare e ngushtë e udhëzimit:  “Të botohen vepra të momenteve më revolucionare, të shkrimtarëve më revolucionarë”, te botimi i disa prej veprave më përfaqësuese të letërsisë botërore.

Dhe kështu lexuesi pati mundësi të shihte pak nga bota në atë Shqipëri të mbyllur, që u mbyll hermetikisht sidomos pas plenumit IV, kur s’kishte mbetur pothuajse asnjë dritare nga mund të merrte pak njohuri sesi ishte bota “e ndaluar”. Televizioni shtetëror, radioja, teatri, opera, gazetat e revistat, biblioteka kombëtare, ndiqnin në ato vite një linjë shumë shtrënguese ndaj gjithçkaje të huaj.

Sot, në vend që të merren parasysh kushtet e asaj kohe, vështirësia për të kaluar midis Shilës e Karibdës, ka paragjykim për personat që e kanë ushtruar censurën, duke u veshur këtyre madje kënaqësinë e kryerjes së këtij funksioni. Në këtë rast mund të bëhen pyetjet: këta persona nuk e paskan dashur letërsinë? Qenkan kënaqur duke sakatuar? Atëherë përse redaksia e letërsisë së huaj i pati hapur punë e telashe vetes duke i shtuar nga viti në vit titujt e botuar e duke iu larguar shumë udhëzimit: Librat të mos botohen en bloc, edhe kur kanë 3 të mira e 5 të këqia?  Si edhe udhëzimit tjetër: Të botohen 3/4 letërsi shqipe, 1/4 letërsi e huaj? Çka donte të thoshte gjithsej 3000 faqe botime në vit, ndërsa deri në 1990 sasia e faqeve për një vit shkoi në 13.000 !

Paragjykuesit, ose keqinformuesit, ndërsa merren me të shkuarën, nuk kanë interes të studiojnë si zbatohet censura në ditët tona.

Censura sot

Kur botohen sot shkrime të dikurshme shkrimtarësh, gazetarësh, etj., hiqen citatet e E.Hoxhës, që ata me dëshirë a pa dëshirë, i kanë pasur në shkrimet e tyre. Shpjegimi për këtë censurë është ndofta ose frika prej reagimeve, ose turpi për ç’kanë shkruar dikur.  Por një nga shembujt më domethënës i një censure të pakuptimtë në kohë demokracie është ai i poezisë së fuqishme patriotike dhe revolucionare të Sejfulla Malishovës: Si e dua Shqipërinë. Poeti, pasi ka përmendur me dashuri plot dhembshuri male e fusha e lëndina të atdheut, e hedh vështrimin plot dhimbje e keqardhje në gjendjen e mjeruar të popullit, dhe përfundon: Unë e dua Shqipërinë/ Që nga Shkupi e në Janinë/ Ku një popull derëzi/ Heq e vuan robëri/ Po ka shpirtin luftëtar/ Unë e dua Shqipërinë/ Si një revolucionar. Vargu i fundit shpreh dëshirën dhe impenjimin e tij për ta ndryshuar këtë gjendje, në kohën kur kishte besim se kryengritja popullore do ta sillte vërtet popullin në fuqi, pra, demokracinë.  Mirëpo, zhgënjimi i thellë që provoi pasi në vend të demokracisë u instalua diktatura, persekutimi, vuajtjet, poshtërimet që iu bënë, nuk i bindin censorët e sotëm “ta falin” që ka përdorur fjalën e “ndaluar”: revolucion. 

Kështu, meqë sot kjo fjalë vret veshin, u gjet zgjidhja: Ta ndryshojmë vargun e fundit, nga: Si një revolucionar, në: Si shqiptar e bir shqiptar. Çka ia ndryshon krejt domethënien dhe mesazhin poezisë.  Në këtë rast keqkuptimi është te vetë mendja e censuruesve: nuk kanë kuptuar vuajtjen, dhimbjen, keqardhjen e thellë të poetit  për vendin e popullin e vet. Dhe, nga ky moskuptim, e pëson poezia dhe poeti, që kishte merak edhe shenjat e pikësimit e jo më…

 Dikur censura vepronte deri edhe te letrat e bixhozit: te letra që paraqit mbretin, monarku u quajt derri. Mbretëresha, dama, u quajt çupa, dhe këto emërtime të çuditshme vazhdojnë të jenë edhe sot. 

Këta shembuj  janë me karakter politik, ideologjik. Por ç’të thuash për heqje që bëhen sot në librat e përkthyer, që ndodhin nga një qëndrim pa respekt ndaj origjinalit. Sidoqoftë, për arsye ideologjie, apo nga një nivel i vajtueshëm kulturor, dëmi është i njëjtë, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin. Por përsëri nuk shqetësohet  kush.

Ndaj energjisë pozitive që do të duhej për të trajtuar e zgjidhur probleme të sotme, parapëlqehet energjia negative për të parë me sy kritizeri gjithçka të së kaluarës, kur kjo duhet parë me sy kritik objektiv.  

Titulli i këtij shkrimi: Keqkuptime të shmangshme, është tepër optimist, kur kemi parasysh vështirësitë e mëdha dhe punën e madhe që kërkon shmangia, pakësimi i tyre.  Një mendje e mbyllur, që njeh një botë fare të ngushtë, e ka të vështirë t’i kuptojë drejt gjërat dhe, sidomos, ta mirëkuptojë tjetrin.  Një mendësi e prapambetur, që na mban larg qytetërimit të vërtetë, është e kuptueshme që nuk mund të ndryshojë as aq lehtë as në një kohë të shkurtër. Problemi është që institucionet tona të shumta, (madje të tepërta), shtetërore apo private, mediat, OJQ-të e OJF-të etj. nuk e vënë gishtin në plagë. Dhe plaga, po nuk u mjekua, shkon duke u mahisur.

Exit mobile version