Romani “Kalorësi i Skënderbeut” është një ndër veprat më pak të studiuara dhe e vecantë në këndshikimin e periudhës së Skënderbeut. Një roman që i shmanget pikërisht temës së luftës duke u ndalur mbase për herë të parë artistikisht në një pozicionim unik sic është momenti i martesësës së Skënderbeut nga zë fill romani dhe nga buron i tërë konflikti i tij. Një përmledhje e shkurtër e romanit na con në dashurinë mes Mark Shpanit dhe Mira Mireshit, e në këtë qerthull erotik realizohet fiksioni i historisë. Le të ndalemi pikërisht tek fiksioni i historisë si proces. Si ndodh kjo në vepër? Po në konflikt si arrihet? Në cfarë sfondi shtrihet duke pasur parasysh një pasuri të madhe etnografike që ka ky roman.
1-Fiksioni si process.
Vepra historike “Kalorësi i Skënderbeut” është një model i fiksioni si proces i kalimit nga faktet historike tek trillimi letrar. Në këtë pikëvështrim ndalemi së pari në ekzistencën e fakteve historike të vërtetuara këto me literatura të rëndësishme sic janë: Histori e Skënderbeut” nga Marin Barleti, Kanuni i Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjecovi, Vepra “Historia e e jetës së Skënderbeut ” nga prof.Kristo Frashëri etj. Konkretisht personazhet si: Zanfina, Mamica, Moisi Golemi, Motrat e Skënderbeut: Mamica, Vlajka Jella, përfaqësuesi I Raguzës, Tannush Topia, Gjergj Topia, Pal Engjëlli, Hamzai,GJergj Araniti etj përmenden nga personazhet kryesore , ku vecojmë personazhet vepruese ne vepër e Zanfina , Moisiu që veprojnë të konvertuar fiksionalisht me personazhe letrare si Marku dhe Mira. Këto vërtetime historike gjenden edhe në veprat e Marin Barletit dhe Kristo Frashërit. Gati të gjitha dëshmitë e Marin Barletit për martesën e Skënderbeut janë shfrytëzuar në një masë të caktuar që bie në sy nga Stërmilli. Këshru Barleti thotë “nuk dihet shkaku që Skënderbeu prishi martesën e Muzak Topisë me znj Suina (Zanfina) Muzaka. Ndërsa Stërmilli e letrarizon këtë duke u shprehur se Zanfina ishte fajtore sepse ka dashur ta helmojë Muzak Topinë, shprehur kjo nga goja e Mamicës por e pavërtetuar historikisht. Në këtë vepër ne shohim se fiksioni është një process që fillon që me detajet e dasmës së Skënderbeut të pa dokumentuar në asnjë shkrim deri më sot dhe shtrihet vertikalisht në tërë subjektin. Ky fiksion konsiston në një realitet historik te letrarizuar ku të dhënat biografike si datat e dasmës, emrat historikë tashmë të njohur, toponimet gjeografike përbëjnë një process të fiksionit të një konflikti dhe linje të panjohur sic është dashuria dhe personazhet fiktivë si Mark Shpani (Kalorësi i Bukur) dhe Mira Mireshi. Në këtë rast kjo vepër paraqitet si e jetuar duke dhënë imazhin e një autofiksioni. Në këtë këndvështrim Kalorësi I Skënderbeut është një vepër ku rrëfehen histori të cilat nuk përkojnë me cfarë dihet dhe cfarë dokumenton historia.
Procesi i fiksionit në këtë vepër del më qartë tek personazhi kryesor Mark Shpani, një personazh fiksional i cili shfaqet si figurë qendrore. Fiksioni tek ai del që në krye të herës me titullin kalorsiak “Kalorësi i Bukur”. Kjo duket si një përftesë letrare, letrarisht korrekte por historikisht absurde e cila e bën subjektin relevant sipas fiksionit të autorit. Në këtë rast lexuesi fillon ta pëlqejë këtë fiksion të personazhit duke e marrë si të vërtetë për vetë faktin se ai vepron në një kohë historike, në një terren historik dhe i rrethuar nga personazhe historike. Ndaj themi se fiksioni si proces këtu zhvillon botën e vet fiksionale, pra e gjithë historia konvertohet në një fiksion.
Mark Shpani dhe Mira Mireshi mbështillen nga një eros natyror. Dashuria lind natyrshëm pa shkes, njohje të mëparshme apo mbles, karakteristikë kjo e kohës historike, edhe këtu fiksioni është një process i tërë që kalon në një kalvar situatash dhe konfliktesh nëpër të cilat kalojnë dy të dashuruarit. Të dy janë personazhe fiktivë që në realizimin e dashurisë së tyre ngërthehen natyrshëm me personazhet historike mjeshtërisht nga Haki Stërmilli duke plotësuar një katërkëndësh mbizotërues në vepër midis Zanfinës, Mamicës, Markut dhe Mirës.Ky katërkëndësh është modeli më i mirë i procesit të fiksionit të personazheve. Ashtu si Qosja që e tejkalon rrafshin njerëzor të fiksionit duke ngërthyer njerëz arealë, pra fiktivë me njerëz realë edhe Haki Stërmilli e arrin këtë por duke përdorur edhe mjete të tjera. Këtu mund të ndalemi dukshëm në elementet kalorsiake dhe aventuriere.
Duke parë marrëdhënien e dy personazheve kryesore Markut dhe Mirës gjykojmë se edhe elementet kalorsiake dhe aventuriere janë determinant në fiksionin dashuror të tyre. Psh ata njihen në një sulm që i bëhet Mirës, krejt rastësisht nga turqit. Këto na kujtojnë shpëtimet e famshme që kalorësit u bëjnë dashnoreve në mesjetë. Ky proces trillues aventurier do të vazhdojë më pas me tablonë e dyluftimit e cila jepet me të gjitha detajet që nga ftesa e deri tek fundi. Po kështu elemente të tilla si shamia, pritja e Mirës për ta shpëtuar Kalorësi I Bukur. Vetë titulli kalorës e identifikon më qartë fiksionin e personazhit kryesor. Ndërsa kulmi i këtij fiksioni si proces i letrarizimit duket në konceptin e kalorësisë. Duke iu referuar nje studimi të prof Bernard Zotajt mbi veprën e Marin Barletit citohet se “ kalorësia e lehtë , kali dhe luftëtari, pa ngarkesa karvanësh që lëizin më lehtë ishin teknika të Skënderbeut që u përhapën në Evropë, ushtritë e së cilës e kishin të vështirë të lëviznin me karvanë e ngarkesa.” . Në kuadër të kësaj edhe Mark Shpani lëviz me pak kalorës dhe ushtarë njësoj ky si kalorësit mesjetarë aventurierë. Pra këtu fiksioni I historisë është i dukshëm I plotësuar nga elemente kalorsiake të dukshme.
2-Fiksioni i konfliktit
Romani “Kalorësi i Skënderbeut” i përkët zhanrit historik në të cilën janë ndërthurur dukshëm faktet historike, ndjesitë romantike me aventurën në vetevete. Duke qënë një roman pak i studiuar për vetë temën specifike qe ka, martesën e Skënderbeut me motiv thellësisht kombëtar , patriotik, ky roman duke u kthyer në kohën e lavdishme ringjall ngjarje historike, tregon pasqyra etnografike thurur këto rreth një konflikti që shfaqet hapur midis dy familjeve princërore, asaj të Kastriotëve dhe të Moisi Golemit. Në të dy kampet jepen tablo të ndryshme të atmosferës ndërthurur kjo me kurthe dhe shigjetime nga të dy palët. Në themel të konfliktit këtu qëndrojnë dy femrat përkatëse Mamica dhe Zanfina , jo më kot titulli i parë i veprës ishte” Dy zëmra dy shemra” .
Ky konflikt ngerthen në tërë romanin një luftë të ashpër të dukshme dhe të padukshme në të cilën kemi sulme nga njëri krah me komplote e prita nga kështjella e MG dhe përballje dhe qëndrim nga kështjella e Kastriotëve. Haki Stërmilli tregohet i kujdesshëm që nëpërmjet përshkrimit të atmosferës së damës së Skënderbeut të japë një zbutje të konfliktit i cili sa vjen e del më shumë në pah me rritjen e ambicjes nga krahu tjetër. Në fakt në kështjellën e Kastriotëve ka një organizim perfekt të principatës në të cilën edhe krutanët edhe rrethinat janë më kompakte se në këshjellën dibrane të Moisi Golemit fakt që e vërteton edhe braktisja në fund e Moisi Golemit nga kapedanët dibranë. Kjo bën të mundur që të rritet survejimi në një shkallë më të madhe nga ana e Zanfinës për të realizuar qëllimet e saj. Pavarësisht se në plan të parë del Mark Shpani, një gjetje jo historike e arrirë e HS, kjo nuk e bën më pak të rëndësishme qëndresën nga ana tjetër por pikërisht autori jep një vizion që ka të bëjë më filozofinë që përcjëll ky konflikt, se qëndresa e Skënderbeut ishte jo thjesht princërore por popullore. Këtu patjetër që konfikti është një fiksion që nga mënyra se si jepet pasi personazhet kryesore Marku dhe Mira janë personazhe fiktive dhe veprimet e tyre shtrihen totalisht në të gjithë këtë funksionim të dy principatave.
Konflikti në secilin kamp ravijëzohet edhe nëpërmjet mënyrës së marrëdhënieve që vendos secili dhe konkretisht ndërkohë që Skënderbeu forcon marrëdhëniet më Napolin, Raguzën, Vatikanin Moisi Golemi forcon marrëdhëniet më Turqinë, pra kemi një thellim të dukshëm të konfiktit. Në këtë rast kemi edhe një bazë historike të vërtetuar nga Marin Barleti në veprën e tij ku ai citon se: “…cifti arriti në këtë manastir ( Ardenicë) pas dasmës shoqëruar nga përfaqësuesit e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Provediorit…”Ndërsa në vepër kemi një fiksion nga autori i cili tregohet I kujdesshëm duke e zhvendosur konfliktin. Konkretisht Haki Stërmilli ndalet më gjërësisht në atë se cfarë ndodh në kalanë e Moisi Golemit duke na dhënë se si rritet ky konflikt nëpërmjet kujtesës dramatike të Zanfinës për fyerjen që i bëri Skënderbeu duke e ndarë nga Karl Topia, nëpërmjet nxitjes që ajo i bën Moisi Golemit për ta hedhur kundër Skënderbeut, apo nëpërmjet veprimeve të fshehta, komploteve dhe shtysave që Zanfina bën me turqit apo njerëzit e saj informatorë apo tradhëtarë. Pra konflikti zhvendoset në mënyrë trilluese në arsyetime dhe veprime të pavërtetuara historikisht.
Një tablo praktike e kalasë së Moisi Golemit është se fillimisht kemi veprime të ndryshme të Moisi Golemit me Zanfinën të cilët fshehtas njëri-tjetrit veprojnë në bazë të egoizmit të tyre duke planifikuar largimin nga Skënderbeu dhe marrjen e pushtetit. Këtu duket se ravijëzohet një konflikt i vogël brenda konfliktit të madh. Secili nga të dy ia mban të fshehtë tjetrit qëllimin e tij dhe kjo është një zgjedhje e arrirë e Haki Stërmillit i cili në fund e shuan këtë konflikt të vogël në përbashkimin e qëllimit të njëjtë të të dy bashkëshortëve. Kështu fiksioni e bën të realizueshme këtë, pra ndërthur një konflikt historic me një konflikt trillues. Nga këtu nis arritja e kulmit të konfliktit të madh që është tradhëtia bashkëshortore ndaj Skënderbeut.
Konkretisht në të dy kalatë vihet re një shpërfaqje e forcës ushtarrake të secilit në raport me ato pak beteja që jep Haki Stërmilli të cilat janë një përmbyllje fatale për njërin dhe ngadhënjyese për tjetrin në këtë konflikti të vazhdueshëm. Por këtij konflikti Haki Stërmilli i gjen një zgjidhje gati të njëjtë me të dhënat historike që citon prof Kristo Frashëri në veprën e tij “Historia e jetës së Skënderbeut.”
3- Etnografizimi si sfond i fiksionit.
Kjo vepër është një vlerë e padiskutueshme e identitetit të shqiptarëve pavarësisht fiksionit dhe referenca më e fortë për këtë është etnografizimi në vepër. Haki Stërmilli i ka dhënë një vend të konsiderueshëm etnografisë . Nga historia dimë vetëm datën e martesës së Skënderbeut, konfliktet në këtë dasëm, pasojat dhe kaq. Haki Stërmilli e letrarizon etnografinë duke e shdnërruar në faktor funksional të përplasjeve, marrëveshjeve, mosmarrëveshjeve apo qoftë edhe si konkurencë të madhështisë së dy personazheve historikë, Skënderbeut dhe Moisiut. Jo më kot nga një anë kemi një dasëm madhështore , pregatitjet, rituali i dasmës prej një jave që tregon fuqinë dhe pushtetin absolut të Skënderbeut dhe në anën tjetër përballë kemi famen dhe pompozitetin e Moisiut nëpërmjet dhuratave, përkushtimeve, harxhimeve që bën, e gjitha kjo për të peshuar forcat me Skënderbeun. Pra etnografia është e gjallë në këtë roman. Prania e saj nuk është statike, madje është edhe e larmishme. Kjo etnografi është e vërtetueshme nga Kanuni i Lekë Dukagjinit si kodi ligjor-zakonor i kohës së Skënderbeut.
Konkretisht kemi:
Përhapja e lajmësit katër javë para se të bëhet dasma (nga KB) për dt e martesës, më 26 Prill 1451 fq -ritual zakonor, (libri I 3,kreu I trete KLD kreu i 4)
-Mikpritja e lajmsit fq 26, ceremoni zyrtare, darkë për lajmësin
-Përcaktimi i dhuratave-fq 30, kuaj me dhurata, qe e desh (gjë e gjallë ,përcaktim I hershëm I prikës) libri I tretë kreu I 4,Kanuni, kreu i tretë kreu I 4,KLD
-Krushqit,dasmorët – veshur me kostume kombetare, fq 47,
-25 Prill, krushqit dasmorë-Krushqit dasmorë vijnë të shtunën sipas KLD Libri 3 kreu 4 49/c
-26 Prill,cifti kalon mes popullit shoqëruar nga kalorësia
-Ceremonia në kishë-kunorzimi, nusja në kokë dukatë floriri-folkor
-Qitja e pushkës fq 55-kanuni KLD Libri 3/ 51
-Darka, vendosja në tavolina sipas hierarkisë, të ftuar edhe nga jashtë,
-Këngë,kërcime ,arsitokracia brenda, populli jashtë-lojëra popullore, këngë popullore…
-Gara me vrapim kuajsh
-Dita e tretë-parakalimi I ushtrisë fq 88, këmbësorë, kalorës.
-festimet 7 ditë
Pika më e lartë e përdorimit të etnografisë jepet në përshkrimin e veshjeve që nga veshja e bardhë e ushtrisë e deri tek kostumet specifike të zonave Krujë, Dibër, Zadrimë etj. Psh veshja e personazhit kryesor Mark Shpani: …nji kësulë të bardhë vezake, rryp i artë, xhoke e bardhëtheka të kuq, xhamadan i kuq tirq të bardha me gajtana të zij…veshje krutane e krahasuar me atë të sotmen. Po kështu edhe vargje të folkorit apo vallja e rrethit të nuses shoqëruar me vargjet përkatëse: Bajmë dasëm kemi gëzim / Se martojmë një kryetrim…. Patjetër që këtu Haki Stërmilli është i sukseshmëm në lidhjen e etnografisë me folklorin me qëllimin e shkrimit të veprës, e themi këtë pasi ende deri sot nuk ka një vepër të këtij lloji që të shikojë historinë e Skënderbeut në këtë aspekt. Po kështu interesante është edhe zakoni i matjes së hundës në shkrep të camë, një rit unik. Patjetër që fiksioni në këtë vepër është i dukshëm nga etnografizimi sepse nuk ka të dhëna historike për zhvillimin e dasmës së Skënderbeut , dhe jo vetëm, por kjo vepër mbetet e vetmja në këtë këndshikim. Pra mund ta quajmë një përpjekje për të trajtuar një ngjarje historike në një epokë të parë vetëm artistikisht.
Si përfundim themi se vepra “Kalorësi i Skënderbeut” është një fiksion i historisë së konflikteve të një fragmenti të kohës së Skënderbeut në të cilin Haki Stërmilli gjeti një këndshikim të vëcantë në mënyrën se si e ndërtoi fiksionin. Ky fiksion ka vlerë sepse sot e bën këtë vepër të vetmen në llojin e vet duke shtruar edhe pyetje të tilla si: Si ishte Skënderbeu në jetën e tij të zakonmshme? Si u zhvillua dasma në të vërtetë? Prandaj leximi nëpër rreshta mbase nxit një punë më shkencore për atë periudhë historike parë në planin social.
Bibliografia:
Shtjefën Gjecovi -Kanuni i Lekë Dukagjinit , libri i I, III.
Marin Barleti – “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan I Prifti, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, fq 294.
Kristo Frashëri – Historia e Shqipërisë, Universiteti Shtetëror I Tiranës, Instituti I Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1959
Rexhep Qosja – fiksioni në vepër
Bernard Zotaj – Mbi veprën e Barletit
Andromaqi Gjergji – Etnografia Shqiptare 1982