Pas vlerësimit me çmimin “PEN-i anglez” dhe përzgjedhjes si finaliste për çmimin “PEN America 2019”, përmbledhja me poezi “Negative space” e Luljeta Lleshanakut, e përkthyer mjeshtërisht nga Ani Gjika dhe e botuar njëkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar nga Boodaxe Books dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga New Directions, gjatë vitit që shkoi përzgjidhet si një nga katër librat finalistë për çmimin ndërkombëtar GRIFFIN, në Kanada.
Çmimi GRIFFIN është themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni dhe filantropi Scott Griffin dhe jepet çdo vit në dy kategori: për poezinë ndërkombëtare të shkruar apo të përkthyer në anglisht; dhe për poezinë kanadeze. Fitues të mëparshëm të këtij çmimi kanë qenë autorë të njohur, si: Anne Carson, John Ashberry, Charles Simic, Charles Wright, Paul Muldon, Heather McHugh, Paul Celan etj. Në argumentin e saj për përzgjedhjen e librit “Negative space” si finalist, juria e çmimit GRIFFIN shprehet: “Sa më pak e njohur gjuha origjinale, aq më e vyer bëhet dhurata e përkthimit! Libri “Negative Space” i Luljeta Lleshanakut sjell një vështrim të rrallë te poezia shqiptare bashkëkohore. Rrjedhshëm e me saktësi të mprehtë, Ani Gjika, e cila është edhe vetë poete, ka mundur të shprehë në anglisht jo vetëm poezitë e “Negative Space”, por edhe atmosferën e ngrysur e cila zotëron gjatë gjithë librit, një ndjesi e thellë përkohshmërie që është pasojë e të jetuarit nën presionin e ashpër politik. “Negative Space” është gjithkund pjellore. Duke hapur portën e traumës, ne ballafaqohemi me një zë të butë dhe inteligjent, me ngjarje që nxjerrin në dritë realitetin e një njerëzimi të përbashkët, duke i rikthyer dinjitetin këtij njerëzimi. Në një botë të përçarë nga terrori e dhuna, poezia e Lleshanakut është përherë trazuese, por edhe qetësuese për ne, banorët e saj.” Ndërkohë, në një recension të titulluar “Mbi Luljeta Lleshanakun”, të botuar në të mirënjohurën “London Rivew of books” në fillim të muajit prill, shkrimtari dhe kritiku Michael Hoffman, ndër të tjera, shkruan: “Këto janë poezi të esencës dhe imagjinatës, në dukje të pavetëdijshme për lexuesin dhe kritikun, dhe sigurisht, nuk luajnë me ta, të qarta dhe në pjesën më të madhe të natyrshme; ato e vendosin Lleshanakun afër poetëve të mëdhenj të Europës Qendrore dhe Lindore të shekullit XX: Akhmatova, Herbert, Holub, Szymborska, Zagajewski.” Çmimi GRIFFIN konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe më bujarët, pasi kap shumën 65 mijë dollarë kanadezë, që ndahet midis përkthyesit dhe autorit, ndërkohë që secili nga finalistët shpërblehet me 10 mijë dollarë kanadezë.
Libri “Negative space” është përmbledhje e dy librave me poezi “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”, të botuara në origjinal nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”. Përkthyesja Ani Gjika është vlerësuar edhe me grant nga National Endowment for Arts në SHBA për këtë përkthim.