Kreu Muzikë Çfarë u ndodhi tri vejushave të kompozitorëve të famshëm: Anna Magdalena Bach,...

Çfarë u ndodhi tri vejushave të kompozitorëve të famshëm: Anna Magdalena Bach, Constanze Mozart, Cécile Mendelssohn Bartholdy

Përktheu Jola Tasellari

Adhuruesit e muzikës janë magjepsur gjithnjë nga historia e vdekjes së një kompozitori të mirë. Thuhet se Beethoven ngriti krahun për t’iu mbrojtur shtrëngatës, teksa ishte në shtratin e vdekjes. Një mit i tërë u ngrit rreth sëmundjes së fundit të Mozart-it (“A u helmua”?). “Arti i Fugës” nga Bach, mbetet ende misteriozisht i papërfunduar, i ndërprerë prej vdekjes së kompozitorit.

Megjithatë, historianët priren ta lënë me kaq historinë pas vdekjes së kompozitorit, por a e keni çuar ndonjëherë ndër mend se çfarë ndodh me familjet e kompozitorëve pas vdekjes? Si ia mbajtën gjallë muzikën vejushat e tyre? Dhe në periudhat përpara asistencave sociale, si ia dolën të mbijetonin … veçanërisht nëse kishin fëmijë?

Ja çfarë u ndodhi tri vejushave të kompozitorëve më të famshëm të muzikës klasike, pas vdekjes së bashkëshortëve të tyre:

Anna Magdalena Bach, 1701-1760. U martua me Bach në vitin 1721.

Anna Magdalena sapo kishte mbushur njëzet vjeç kur u martua me vejushin J. S. Bach. Në këtë mënyrë, ajo u bë një njerkë shumë e re në moshë e katër fëmijëve të Bach, të moshave trembëdhjetë, njëmbëdhjetë, shtatë dhe tre vjeç, të katërt prej martesës së tij të parë. Shpejt nisi të bënte fëmijët e saj biologjikë, plot trembëdhjetë gjithsej, shtatë prej të cilëve vdiqën në vegjëli.

Anna Magdalena Bach ishte dyzetetetë vjeç kur i shoqi ndërroi jetë. Në rininë e vet kishte qenë këngëtare profesioniste e arrirë, por nuk ishte më në gjendje të riniste karrierën performuese … për më tepër që kishte ende fëmijë të mitur për të rritur.

Fatkeqësisht, Bach nuk u kishte lënë shumë para për të jetuar. Asaj iu la një pjesë e pasurisë së tij të paluajtshme, por fëmijët e J. S. Bach, përfshi dhe djemtë e rritur të cilët po ndiqnin karrierat e tyre, morën gjithashtu një pjesë të aseteve. Dhe qyteti i Lajpcigut, në mënyrë alarmante, i ofroi Anna Magdalena-s kujdestarinë e fëmijëve me kushtin që të mos martohej më, duke garantuar kështu rrënimin e tyre ekonomik.

Thjeshtri i saj, C. P. E. Bach, ishte fëmija i vetëm që u ofrua ta ndihmonte ekonomikisht, e megjithatë kjo nuk ia ndali zhytjen në varfëri ekstreme. Ajo u dëbua nga banesa e saj dhe i nevojitej ndihmë ekonomike nga bashkia për të mbijetuar. Vdiq një dekadë pas të shoqit dhe u varros te varri pa emër i një të vobekti.

Constanze Mozart, 1762-1842. U martua me Mozart-in në vitin 1782.

Gruaja e Mozart-it, Constanze, ishte njëzetenëntë vjeç kur i shoqi u sëmur dhe ndërroi jetë, duke e lënë me dy fëmijë, borxhe dhe shumë pak perspektivë. E mblodhi veten nga zia për të gjetur mbështetje, duke kërkuar një pension nga perandori dhe duke organizuar koncerte përkujtimore. Vetë ishte këngëtare dhe shfrytëzoi aftësitë e saj muzikore kur nisi të publikonte kompozimet e të shoqit të ndjerë. Me kalimin e kohës, u bë një grua e pasur.

Gjashtë vite pas vdekjes së Wolfgang-ut, pranoi si qiramarrës diplomatin dhe shkrimtarin Georg Nikolaus von Nissen. Mes tyre lulëzoi romanca. Ndonëse u bë skandal, vitin tjetër nisën të bashkëjetonin. Pasi u martuan në vitin 1809, Von Nissen mori rolin e njerkut dhe ndihmoi Constanze-ën në administrimin dhe promovimin e trashëgimisë muzikore të Mozart-it.

Projekti i fundit i Nissen-it ishte biografia e Mozart-it, në shkrimin e së cilës asistoi vetë Constanze. Nissen vdiq përpara se biografia të përfundohej, por ajo u sigurua që të botohej, duke u bërë kështu një burim i rëndësishëm njohurish mbi Mozart-in. Constanze jetoi në Salzburg së bashku me dy motrat e saj, gjithashtu vejusha, dhe vdiq në vitin 1842 në moshën tetëdhjetë vjeçare.

Cécile Mendelssohn Bartholdy, 1817-1853. U martua me Mendelssohn-in në vitin 1837.

Kompozitori njëzeteshtatë vjeçar, Felix Mendelssohn, u njoh me këngëtaren nëntëmbëdhjetë vjeçare, Cécile Jeanrenaud, në vitin 1836, ndërsa dirigjonte Korin Cecilia në Frankfurt. U fejuan së bashku në shtatorin e atij viti, u martuan në mars të vitit 1837 dhe patën pesë fëmijë në qytetin e Lajpcigut.

Fatkeqësisht, tragjedia goditi familjen në maj të vitit 1847, kur motra e dashur e Felix-it, Fanny, ndërroi jetë papritur nga goditja në tru. Thellësisht i ndikuar nga vdekja e saj, kompozitori ndërroi jetë në nëntor të vitit 1847, gjithashtu nga goditja në tru. Cécile ishte vetëm tridhjetë vjeç.

Clara Schumann[1] shkoi t’i qëndronte pranë dhe shkroi: “Më priti me ëmbëlsinë e një motre, qante në heshtje, ishte e qetë dhe e përmbajtursi kurrë më parë. Më falënderoi për të gjithë dashurinë dhe përkushtimin që i kisha ofruar Felix-it të saj, ndjeu keqardhje që duhej të mbaja zi me kaq besnikëri për një mik, e më foli për afeksionin me të cilin Felix-i më kishte parë gjithmonë. Biseduam gjatë për të; kjo e ngushëlloi dhe nuk donte që të largohesha. Ishte kaq modeste në dhimbjen e saj, kaq e brishtë, dhe ia dedikoi jetën përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve të saj. Tha se Zoti do ta ndihmonte dhe se me siguri, djemtë do të kishin trashëguar gjeninë e të atit. Nuk mund të kishte kujtim më të denjë për Felix-in sesa zemra e ekuilibruar, e fortë dhe njëkohësisht e butë e kësaj vejushe në zi”.

Cécile mbajti dy vajzat e saj dhe tri djemtë i dërgoi në Berlin që të rriteshin nga vjehrrit. I biri, Felix, ndërroi jetë në vitin 1851 duke ia shtuar dhimbjen, kurse ajo vetë vdiq nga tuberkulozi në vitin 1853, duke lënë pas disa fëmijë nga mosha tetë deri në pesëmbëdhjetë vjeç.


[1] Pianiste dhe kompozitore gjermane e kohës.

Exit mobile version