Arti i humbur i leximit të një libri të vërtetë
Po fillojmë të shohim si duket një shoqëri pasletrare — dhe është tejet e mërzitshme.
Nga Michael Sebastian
Ishte pak pas orës 5:00 të mëngjesit dhe unë isha zgjuar plotësisht në një hotel në Romë. Sigurisht, nga ndryshimi i orarit. Mora telefonin, iu përgjigja disa mesazheve, pastaj hapa Instagramin — dhe për një orë të tërë vijova ta shfletoja. Ai llum më kishte hipnotizuar. Pasi pashë një video të një tipi që hante për mëngjes pica Domino’s të mbetur nga një ditë më parë dhe pinte lëng portokalli me gaz, pastaj për drekë i bënte vetes një sanduiç me djathë e patatina, u përmenda.
Çfarë po bëja?! Mund të isha duke u përpjekur të flija ose duke u stërvitur në palestrën e hotelit. Laptopi im, me listën e punëve që më prisnin, ishte aty pranë. Për dreq, mu jashtë dritares sime ishte Qyteti i Përjetshëm! Edhe më keq: libri që po lexoja ishte pikërisht pranë meje. Në çdo çast mund ta kisha ulur telefonin, të merrja librin dhe të merresha me diçka shumë më përmbushëse sesa videot e dietës së shpifur të një tipi. Në vend të kësaj, vazhdova të rrëshqisja në ekran.
Të gjithëve na ka ndodhur ta lëmë mënjanë një libër për t’u humbur në telefon. Është si të mbushesh fshehurazi me karamelet e Halloween-it të fëmijëve të tu. Ka çaste kalimtare kënaqësie, pastaj ndihesh paksa keq, si mendërisht, ashtu edhe fizikisht. Për më tepër, ndihesh më budalla.
E keni vënë re që ky term, Epoka Pasletrare, po përdoret gjithnjë e më shpesh? Në kuptimin e gjerë, ai i referohet rënies së fjalës së shkruar dhe rikthimit, në disa drejtime, te një kulturë gojore, ku dija përcillet përmes të folurit. Sot, me gjasë, dëgjoni më shumë njerëz që rekomandojnë podkaste sesa libra. Komentatorët politikë më të ndjekur nuk janë shkrimtarë, madje as yje televizivë — ata drejtojnë podkaste me video dhe emisione live-streaming në Twitch. Thomas Paine-i i sotëm nuk është shkrimtar; është influencues.
Shumë kohë para shfaqjes së Facebook-ut apo Instagramit, Marshall McLuhan — një lloj filozofi i medias, i cili shfaqet famshëm te Annie Hall — hodhi themelet e idesë pasletrare në fillim të viteve ’60. Neil Postman, ndjekës i McLuhan-it, e çoi më tej këtë ide në librin e tij të vitit 1985, Amusing Ourselves to Death. “Amerikanët nuk flasin më me njëri-tjetrin, ata argëtojnë njëri-tjetrin,” shkruante ai. “Ata nuk shkëmbejnë ide, shkëmbejnë imazhe. Nuk debatojnë me teza; debatojnë me pamje të bukur, të famshëm dhe reklama.” Dyzet vjet më vonë, ky vëzhgim tingëllon tronditshëm i saktë.
Megjithatë, argumenti më largpamës i Postman-it lidhet me mënyrën se si do të bëhemi pasletrarë. Ai krahason vizionin e George Orwell-it për të ardhmen te 1984 me atë të Aldous Huxley-t te Brave New World. Sipas Postman-it, Orwell-i kishte frikë se librat do të ndaloheshin. Huxley shqetësohej se ndalimi i librave do të bëhej i panevojshëm — sepse askush nuk do të donte t’i lexonte gjithsesi. “Siç vërente Huxley te Brave New World Revisited, mbrojtësit e lirive civile dhe racionalistët, gjithnjë në gatishmëri për t’iu kundërvënë tiranisë, ‘nuk morën parasysh oreksin pothuajse të pafund të njeriut për shpërqendrime’,” shkruante Postman.
Sot, makineritë e shpërqendrimit i kemi në xhep ose mbi komodinë, gjithnjë gati.
Ja çfarë është e çuditshme: nivelet e alfabetizimit janë më të lartat në historinë e botës. Megjithatë, bota që përfytyroi Huxley dhe që parashikoi Postman është mbi ne. Kjo ndodh sepse njerëzit konsumojnë gjatë gjithë ditës përditësime në Facebook, mbishkrime në Instagram dhe postime në X. Rrallë marrin në dorë një libër. Një artikull i fundit në The Atlantic, duke iu referuar Survey of Public Participation in the Arts, thoshte se vetëm 48 për qind e amerikanëve kishin lexuar qoftë edhe një libër të vetëm në vitin 2022, një rënie prej 6 për qind krahasuar me një dekadë më parë. Sipas një studimi të publikuar në gusht, gjatë dy dekadave të fundit numri i amerikanëve që lexojnë çdo ditë për kënaqësi ka rënë nga 28 për qind në 16 për qind. Rënia te të rinjtë është edhe më e theksuar.
Pra, rezulton se leximi i një libri qenka një art i humbur — dhe shuarja e leximit të librave mund të ketë pasoja të rënda. “Ndoshta kjo plagë e analfabetizmit ka luajtur rol në zhdukjen e së vërtetës dhe, bashkë me të, të demokracisë liberale,” shkruante George Packer në The Atlantic këtë vjeshtë.
Po të nisemi nga kjo, ndoshta nuk duhet të ndihem edhe aq keq për atë mëngjes të hershëm në Romë. Shfaqja më pak tinëzare e një epoke pasletrare është humbja e kohës duke rrëshqitur në Instagram; më e keqja është që vendi më i fuqishëm në botë të drejtohet nga një grup budallenjsh egomaniakë e antidemokratikë.
Nëse ka ndonjë lajm të mirë, është se disa figura mediatike dhe botime po e vënë re këtë gjë. Kjo temë është përmendur në biseda me komedianë të ndryshëm — ironike, mendoj, meqë ata kryesisht punojnë në një medium të fjalës së folur — përfshirë Marc Maron-in, Bowen Yang-un dhe Hasan Minhaj-in. Packer ka shkruar për këtë te The Atlantic; gazetari i biznesit Joe Weisenthal, bashkëdrejtues i podkastit Odd Lots të Bloomberg-ut, ka vite që flet për këtë ide.
Në newsletter-in e tij, Cultural Capital, kolumnisti i Times of London, James Marriott, shkroi vitin e kaluar një manifest mbi agimin e shoqërisë pasletrare dhe fundin e qytetërimit. “Nëse revolucioni i leximit përfaqësonte transferimin më të madh të dijes te burrat dhe gratë e zakonshme në histori,” thoshte ai, “revolucioni i ekranit përfaqëson vjedhjen më të madhe të dijes nga njerëzit e zakonshëm në histori.”
Disa artikuj dhe libra të kohëve të fundit i janë qasur pasletrarisë duke shqyrtuar budallallëkun dhe mungesën e krijimtarisë gjithnjë e më të thelluar të kulturës perëndimore. Dave Holmes i Esquire shkroi këtë vit një artikull mbi ngritjen e Budallallëkut të Madh në Amerikë. Një kopertinë e revistës New York trajtonte marrëzinë e thellë të kombit tonë, ndërsa libri i ri i W. David Marx-it, Blank Space, argumenton se shekulli XXI ka qenë i varfër në ide të freskëta. Muajin e kaluar, periodiku i pavarur The Baffler ia kushtoi një numër të tërë temës së epokës pasletrare. Mund ta gjeni The Baffler në librarinë tuaj lokale Barnes & Noble ose ta blini në internet në version të shtypur.
“Do të ishte naive të shtireshe sikur leximi i një romani apo përkthimi i një poezie mund të jetë formë rezistence,” shkruan Nicolás Medina Mora te The Baffler. “Por kush e di? Ndoshta rishpikja e formave të vjetra letrare mund të na ndihmojë ta kthejmë mbrapsht prirjen e momentit të tanishëm drejt budallallëkut.”
Unë nuk mbroj idenë që t’i braktisim podkastet, t’i shpërfillim videot në telefon apo t’i fshijmë të gjitha aplikacionet e rrjeteve sociale — edhe pse pak vetëpërmbajtje do të më ndihmonte. Por rënia e leximit dhe simptomat e saj të shumta duhet të na shqetësojnë të gjithëve. “Siç me siguri e keni vënë re,” shkruante James Marriott në esenë e tij të vitit 2024, “bota e ekranit do të jetë shumë më e trazuar sesa bota e shtypit: më emocionale, më e zemëruar, më kaotike.” Një botë e tillë, pa dyshim, nxit ngritjen e autoritarizmit dhe të një shoqërie joliberale.
Por argumenti më bindës rreth rënies së leximit nuk është lidhja e tij me rrënimin e demokracisë apo me trashjen mendore të jetës amerikane. Është se ne të gjithë gabojmë për arsyen pse njerëzit duhet të lexojnë. “T’i thuash dikujt ta dojë letërsinë sepse leximi i bën mirë shoqërisë është si t’i thuash dikujt të besojë në Zot sepse feja i bën mirë shoqërisë,” shkroi Adam Kirsch për The Atlantic javën e kaluar. “Është një argument utilitar për diçka që duhet të jetë pasion personal.”
Dhe nuk është vetëm pasion, vijonte ai. Librat duhet të ngjallin të njëjtën ndjesi si një gotë e vogël e pirë me shkelje syri apo një cigare e tymosur në dehje. “Do të ishte më mirë ta përshkruanim leximin jo si detyrë publike, por si kënaqësi private, ndonjëherë madje edhe si ves,” argumentonte Kirsch. “Kjo do të ishte një mënyrë më e efektshme për të tërhequr të rinjtë dhe, për më tepër, është e vërtetë. Kur letërsia konsiderohej diçka shkelëse, moralistët nuk arrinin t’i ndalonin njerëzit të blinin e të lexonin libra të rrezikshëm. Tani që librat konsiderohen të virtytshëm dhe edukues, moralistët nuk arrijnë të bindin askënd t’i marrë në dorë.”
Si gjimnazist në vitet ’90, mora nga biblioteka e shkollës On the Road. Një bibliotekare më dha këtë paralajmërim: “Ki kujdes me këtë libër — nxënësi i fundit që e lexoi, la shkollën.” Librat mund të jenë informues dhe argëtues; si cigaret dhe alkooli, mund të jenë edhe të rrezikshëm e të dëmshëm për shëndetin. Disa javë pasi u ktheva nga Roma, mora në dorë një libër të ri, A Perfect Spy të John le Carré-së. iPhone-i im nuk kishte asnjë shans përballë tij. Humba gjumin duke e lexuar deri natën vonë dhe të nesërmen në mëngjes ndjeva lodhjen e një hangover-i. Si shumica e netëve të dehura jashtë, libri ia vlente.
Pra, çfarë ndodh kur ne pushojmë së lexuari libra? Demokracia lëkundet, liberalizmi tërhiqet, budallallëku përhapet dhe — ndoshta po aq keq — ne bëhemi më pak… interesantë.



