Kreu Letërsi Shënime mbi libra Britni Gera: Gjurmët (“Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë” i Ermira Alija)

Britni Gera: Gjurmët (“Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë” i Ermira Alija)

A e keni menduar ndonjëherë se sa e rastësishme është dëshmia e parë e deritanishme për gjuhën tonë:  “Dëgjova një zë që thërriste në gjuhën shqipe» …

Nuk e di pse më lindi një dëshirë që fjalët e dëshmisë së parë të ekzistencës së shqipes t’i shihja si asosiacione më të thella elementesh që lidhen me të lënit gjurmë: …”dëgjova” – dëshmi  ;   “zë” – individualizëm ;  “thërret” – shprehje ;  “gjuhë “ – potencë ;   “shqipe” – spiritualizëm, mister…

Ndoshta sepse raporti i vendit tonë me gjurmët ishte një prej formave të mia reflektuese të momentit mbi librin Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë, të autores Ermira Alija, duke e konceptuar edhe letërsinë, me një këndshikim prej dëshmie.

Për letërsinë është shkruar e diskutuar pafund e ndoshta kjo pafundësi interpretimesh është ajo çka i jep magjepsjen e pashtershme që i krijon lexuesit letërsia në vetvete, por edhe studimi mbi të. Subjektiviteti gjithnjë sjell risi. Fundja, thuhet se ne ndoshta i njohim të gjitha ngjyrat e hënës, por fakti që na serviret përherë ndryshe, na mban adhurues përjetë të saj.

Teknika të tilla të përdorura në libër, që tërheqin vëmendjen e lexuesit, i japin nuanca letrarësie vetë studimit mbi letërsinë. Ato i tejkalojnë shtigjet e hulumtimeve duke i hapur rrugë pavetëdijes e emotivitetit si mister që i jep librit më tepër magjepsje sesa ndjesi të një analize të ftohtë shkencore.

“Ku qëndron letrarësia?” është pyetja që shtrohet në fletët e monografisë e kjo letrarësi asnjëherë nuk përkufizohet ngurtësisht. Letrarësia duket si shënim i herëpashershëm i peshores që lëkundet midis shumë peshash.

“Pse janë shkrimtarë?” … Letrarja qëndron në formën se si strukturohet,… në individualitet, …në shfaqje të shpirtit njerëzor përmes një uni poetik ndryshe. …Letrarja është shfaqje individualiteti, …spontanitet, trashendencë. A i gjejmë këto elemente në letërsinë tonë? Apo qëllimorja e saj është pjesë e artit?

Pyetje të tilla nuk pranojnë përgjigje të thjeshta si “po” ose “jo” dhe natyrisht duhet një bazë teorike për të kultivuar mendim dhe shtysë interpretimi  mes dritës e hijes që duket se ndërrojnë kahe nganjëherë.

Flasim për letërsi qëllimore, por me çfarë qëllimi u shkrua letërsia shqipe?

Në parathënien e kronikës së romanizuar të Barletit shkruhet se synimi i veprës është që të mbrohet nga harresa heroi i shqiptarëve. Përtej kësaj, na tregohet se si rrëfimi mëvetësohet dhe qëllon të takojë ngjalljen e kënaqësisë.

Në mënyrë progresive, kapërcime të tilla vërejmë edhe në letërsinë e shenjtë, ku fjala predikuese bëhet art e letërsia bëhet ndihmëse e librave të shenjtë në kërkimin hyjnor të së vërtetës, ndriçuese në rrugën e “zbulimeve të mëdha”. Flitet për largim të letërsisë nga një formë e qëllimores, por jo nga qëllimorja.

Në veprën e De Radës e Naim Frashërit, letrariteti përcaktohet si një komponente artistike që është vështirë të shkëputet nga qëllimorja, po aq sa është e vështirë edhe të identifikohet me të.

Në këtë linjë arsyetimi duket se shumëkuptimësia e transhendenca e letërsisë është ndihmëse e njeriut, por jo përcaktuese e tij. Ndoshta ka ardhur koha t’i kthejmë letërsisë këtë pjesë të idealizmit, – thotë autorja.

“Dëgjova një zë që thërriste në gjuhën shqipe” qe dëshmia më provokuese për gjurmën e një prej gjuhëve më të vjetra të gadishullit.

Edhe monografia ecën duke hetuar gjurmë shpesh të padukshme e që mes rreshtash na lë hapësirë të bollshme për të reflektuar mendime e në një farë mënyre, na e provokon për ta bërë këtë.

Exit mobile version