Kreu Letërsi Shënime mbi libra Besnik Mustafaj: Nji vend jashtë bote dhe banorët e tij

Besnik Mustafaj: Nji vend jashtë bote dhe banorët e tij

Shënim për librin me të njëjtin titull të Nerinda Hysës

Librin “Nji vend jashtë bote” të Nerinda Hysës, botim i “Onufri” e lexova me këshillën e botuesit tim Bujar Hudhri. Është një përmbledhje me tregime fare të shkurtra, më të shumtat nuk e kapin një gjysmë faqe dhe vetëm ca pak e kalojnë një faqe tekst. Përfshirja e një historie me domethënie të plotësuar brenda një hapësire aq të vogël rrëfimi kërkon një mjeshtëri të veçantë, të cilën shumë pak shkrimtarë e kanë. Letërsia jonë nuk ka thuajse fare traditë në lëvrimin e një proze të tillë gati eliptike. Duke e thënë fjalën e fundit në fillim, shoh arsye të mjaftueshme për të besuar se, me këtë libër të parë, Nerinda Hysa paraqet më shumë se shpresë për të bërë një rrugë të shënuar në lëvrimin e këtij lloj tregimi, rrjedhimisht edhe në prozën e sotme shqipe.

Po përmend shkurtimisht dy a tri pengesa, që i mbart paraprakisht shkrimi i këtij lloj tregimi dhe që më duket se autorja i ka mbajtur parasysh dhe i ka kapërcyer në përgjithësi mirë qysh në këtë libër.

Me kryesori është rreziku për të mbetur në një përshkrim të përciptë të një përshtypjeje të çastit. Diçka e ngjashme me fotografimin e reve të përhapura në perëndim të diellit, gjë që i shohim ta bëjnë aq rëndom të rinjtë e moshës së autores për të shpërfaqur nëpërmjet postimeve nëpër rrjetet sociale shpirtin e tyre romantik. Nerinda Hysa duket se nuk e ka aspak një merak të tillë. Ajo ka një brengë të vërtetë, e cila është arsyeja e thellë dhe ndoshta detyruese për t’iu drejtuar shkrimit. Ajo e sheh veten si pjesë e një bote të palumtur, e cila duhet shprehur me patjetër.

Një rrezik tjetër që e mbart paraprakisht ky lloj tregimi, ka të bëjë me atë, që në kinema quhet pika e vendosjes së kameras. Ngjarjet, që ajo synon të tregojë, janë sigurisht shumë të ndërlikuara përderi sa shkaktojnë dramë njerëzore. Secila prej tyre mbart lëndë për të ndërtuar një roman. Por autorja ka zgjedhur ta shtjellojë atë në dhjetë fjali apo edhe fare pak më shumë. Nuk kërkohet prej saj ta përmbledhë historinë, por të zgjedhë atë sekuencë, e cila i përmban mjaftueshëm tharmet e dramës në fjalë. Te një pikë e tillë e pamjes së historisë arrihet vetëm në sajë të intuitës së lindur, që e dallon shkrimtarin e vërtetë nga një rrëfimtar i zakonshëm. Për fat, Nerinda Hysa duket se e ka këtë intuitë.

Përtej vështirësive, që mbart në vetvete shkrim i një tregimi të tillë të shkurtër, në rastin e këtij libri, autorja është përballur edhe me një tjetër, e cila është e veçantë. Nerinda Hysa duket e vetëdijshme se po shkruan një prozë monocentrike. Ajo ka marrë përsipër të shpalosë pamje të ndryshme të botës së palumtur, brenda të cilës bën edhe jetën e vet, duke rrezikuar kështu përsëritjen e gjuhës dhe të mjeteve letrare, për pasojë monotoninë, mërzitjen e lexuesit. Për më tepër që ky lloj tregimi nuk jep mundësi për të ndërtuar personazhe me karaktere të spikatura, të cilat do ta mbanin gjallë vëmendjen dhe kureshtjen e lexuesit përtej vuajtjes së përbashkët që njerëz të ndryshëm, të panjohur njëri me tjetrin, kanë. Përsëritje natyrisht që ka në këto tregime, por më së shpeshti është një përsëritje e ngjashme me qiellin gjatë ditëve të nxehta të një vere të thatë. Domethënë pasojat e dëmshme të përsëritjes së palumturisë si zymtësi e ngurtësuar nga një tregim në tjetrin zbuten, madje tentojnë të kthehen në vlerë estetike për librin si tërësi unike në sajë të përfshirjes së lexuesit në ndjesinë e përbashkët të personazheve letrare. Pra, duket se kjo përsëritje është më së shpeshti e qëllimshme nga ana e autores.

Po të jetë e qëllimshme, atëherë lejohet të hamendësojmë se nuk kemi të bëjmë me përsëritje, por me një realitet të vetëm të palumturisë, të përfytyruar nga autorja si të copëzuar e të shpërndarë si helm me veprim të ngadalshëm nëpër jetët e personazheve të saj, të cilët në vetvete meritojnë pak shqyrtim. Në përgjithësi personazhet e këtyre tregimeve nuk kanë të kaluar e as të ardhme. Ata ngjajnë si të mbetur pezull në të sotmen, njerëz të dorëzuar, por jo krejt të thyer, edhe pse nuk e dijnë për çfarë do t’u hyjnë në punë energjitë e mbetura. Ankohen ndonjëherë nga pak dhe pa këmbëngulje, nuk priren të kërkojnë dhe as të japin pothuaj asgjë përreth. Ata madje nuk kanë as emra. Janë thjesht “ai”, “ajo”, “nëna”, “vëllai”, etj. Një anonimat i përligjur si pasojë e palumturisë që mbush rrjedhën  e jetës së tyre të zbehtë. Më i rëndësishmi, domethënë edhe më i ndërtuari ndër këto personazhe është ai i rrëfimtares, një “unë” i dëshpëruar, i paraqitur si arketip i gruas së re bashkëkohore, e cila, siç i thotë në një rast e ëma, i ka të gjitha: shtëpinë, familjen, fëmijët. Por nëna, dhe aq më pak të tjerët nuk kanë sy për të parë çfarë mungon në jetën e personazhit – rrëfyes, rrjedhimisht edhe në jetën e bashkëkohësve të saj: aty mungon dashuria në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.

Vendi i palumturisë, i populluar me njerëz të dorëzuar, është përgjithësisht një vend i ftohtë. Atë nuk e përshkojnë rrymat e nxehta të pasioneve të forta apo të ëndrrave të mëdha. Të tillë e sheh Nerinda Hysa. Për ta përshkruar atë nevojitet një gjuhë e përshtatshme, të cilën autorja e ka gjetur: një gjuhë më një thjeshtësi të rrejshme, e zhveshur nga mbiemrat cilësorë, ku çdo fjalë gjen rrugën më të shkurtër për të shkuar në vendin e saj. Një spërkatje e lehtë me gegnishten e Shkodrës e shfaqur qysh në titullin e librit, shërben si njëfarë filli i Arianës për t’i treguar lexuesit në hartë ku është ky vend jashtë bote. Edhe me këtë aspekt, gjuha shërben për të ndërtuar një paradoks letrar, i cili i bie ndesh perceptimit stereotip se Shkodra, duke qenë vendi i humorit, është detyrimisht vendi i njerëzve të gëzuar. Pra, gjuha e kësaj autoreje në thelbin e saj është mjaftueshëm e pasur për të themeluar një stil.  

Exit mobile version