Libri që po lexoj ndërkohë
Unë lexoj çdo ditë. Në mënyrën time të jetesës këtu në katund nuk kam asnjë argëtim tjetër veç leximit. Tani po lexoj “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme gjatë shekujve XVI – XX” të Muhamed Mufakut.
Libri që më ka ndryshuar jetën
Do të kisha thënë “Pinoku”. Është ndoshta libri i parë që kam lexuar, kur sapo kisha mësuar germat. Ky libër mbolli tek unë pasionin e leximit. Parë nga lartësitë e të sotmes, jam i sigurt që jeta ime ado të kishte qenë shumë më ndryshe, pa dyshim e varfër, pa këtë pasion.
Libri që do të doja të kisha lexuar
Nuk kam ndonjë libër që do të kisha dashur ta lexoja dhe nuk e kam lexuar. Në sajë edhe të gjuhëve të huaja, sot mund të gjej dhe të lexoj çdo libër.
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia
Ndoshta “Procesi” i Kafkës. E kam lexuar në frengjisht kur isha student në vitin e parë të fakultetit. Për një periudhë prej disa muajsh, në mënyrë të çuditshme, pas atij leximi, nuk e shihja më me sy letersinë klasike. M’u desh kështu një kohë që ta kuptoja çfarë lidhjeje të brendshme kishte midis prozës së Kafkës dhe letersisë së madhe klasike. Vetëm atëherë gjeta qetësi.
Libri që më ndryshoi mendjen
Nuk jam në gjedje të identifikoj një libër të caktuar, i cili të ma ketë ndryshuar mendjen. Nuk besoj të kem patur një rast të tillë.
Libri i fundit që më bëri të qaj
Asnjë libër nuk më bën të qaj. Nuk dua të besoj se ky fakt mund të shprehë mungesë ndjeshmërie nga ana ime ndaj përmbajtjes së librave që lexoj.
Libri i fundit që më bëri të qesh
Një botim i ri me thëniet më të paharrueshme nga Çërçill. Ka ndodhur para pak javësh. E kam lexuar në një gjuhë të huaj.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende
Turp është fjalë fort e rëndë për të përcaktuar keqardhjen që ndjej kur shoh sa shumë libra të mirë nuk i kam lexuar ende. Madje edhe që i kam në bibliotekën time e që i kam blerë me gëzim të madh.
Librat që kam dhuruar
Ka shumë. Unë dhuroj gjithë kohën libra. Dhuroj madje vetëm libra që i kam lexuar e që më kanë pëlqyer. Nuk kam asnjë ushtje bibliomanie.
Libri me të cilin dua të mbahem mend
Sinqerisht nuk e di. Ende nuk kam filluar të mendoj për pavdekësinë time. Tani, duke u ndalur një çast te pyetja juaj, po me bie nder mend se diku te romani i fundit, “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” jam argalisur pak pikërisht me një dilemë të tillë.
Libri që me bën të ndihem mirë
Nëse e keni fjalën për librat që kam shkruar unë, do të përgjigjesha pa ngurrim se është “Autoportret me teleskop”. Për shumë arsye.
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar
Nuk e di. Nuk e kam bërë kurrë dhe nuk jam ende i gatshëm ta bëj një bilanc të tillë.