Si do e përshkruanit peizazhin letrar dhe kulturor të vendit tuaj ?
Një kulturë që nxiton të dale nga një izolim i gjatë dhe i tmerrshëm, e shtyrë nga një dëshirë shumë e fortë për t’u hapur ndaj botës, pa i dhënë kohë vetes të reflektojë lidhur me çfarë është «hapja ». Për pasojë, kjo hapje në një masë të madhe po bëhet në mënyrë kaotike dhe shpesh në dëm të identitetit kombëtar.
Si e paraqisni veprën tuaj para lexuesve të rinj të huaj?
Lexuesve të rinj, që vijnë nga horizonte kulturore të ndryshme nga kultura ime, u them se vepra ime tregon sesi drama njerëzore, e shkaktuar nga një politikë çnjerëzore, është e njëjtë si për një popull të vogël edhe një të madh dhe përjetohet njësoj nga individi, pavarësisht gjuhës në të cilën shprehet viktima. Besoj se popujt kuptohen më mirë dhe më lehtë duke parë se kanë të përbashkët dhimbjen.
Me cilin nga librat tuaj do t’i këshillonit të fillonin ?
Ndoshta me « Një sagë e vogël », e cila në kronologjinë e romaneve të mi është i treti, që kam shkruar.
Çfarë çështjeje ju preokupon këto ditë ?
Izolimi për shkak të pandemisë zgjon te një popull që ka njohur diktaturën disa frikëra me rrënjë tek e kaluara, që një shoqëri, e cila ka jetuar gjithmonë në liri nuk mund t’i përfytyrojë. Te politikanët në pushtet, qoftë edhe të zgjedhur demokratikisht, një situatë e tillë zgjon dëshirën për t’u bërë sundimtarë, mundësisht diktatorë.
Çfarë ju tërheq në kulturën tuaj dhe çfarë do të donit të ndryshonit?
Sapo i kam dhënë botuesit tim në Tiranë një libër me tri novela, ku përpiqem të kuptoj permes imagjinatës nga vjen kjo prirje e shqiptarëve drejt dhunës autodestruktive. Pra, do të kisha dashur të ndryshoja pikërisht këtë dhunë në trashëgiminë tonë.
Po të kishit rastin ta rifillonit karrierën, çfarë rruge do të zgjidhnit?
Rrugën që kam bërë tashmë, pa i ndryshuar drejtim. Vetëm se do t’i jepja më pak vite politikës, për t’i lënë më shumë kohë shkrimit. Në moshën 62 vjeçare kam vetëm një ankth: A do të më mjaftojë jeta për të shkruar librat e ëndërruar?
Çfarë ndryshimi prisni apo dëshironi t’i ndodhë botës ?
Atë që thashë edhe për kulturën time kombëtare: Më pak prirje drejt dhunës në karakterin e qenies njerëzore.
Personazhi historik që do të dëshironit të takonit dhe pse ?
Armstrongun, i cili, duke hedhur hapin e pare në hënë, pati refleksin të thoshte atë fjalinë monumentale: një hap i vogël për mua, një hap i madh për njerëzimin.
Cili është sipas jush rreziku më i madh që kërcënon lirinë e shkrimtarit në botën e sotme?
Mendoj se kërcënimi më i madh për lirinë e shkrimtarit vazhdon të jetë ai, që ka qenë gjithmonë: pushteti politik në duar njerëzish, të cilët nuk e shohin veten si qeverisës por si sundimtarë.
Cila është kauza që mbroni? A mund të jetë shkrimi një kauzë në vetvete ?
Shkrimi është një punë thellësisht individuale dhe që bëhet në vetmi. Si i tillë, nuk mendoj se mund të jetë kauzë në vetvete. Vazhdoj të mbroj kauzën e lirisë. Liria politike ka shumë më tepër armiq të brendshëm nga ç’mendohet. Ky është zbulimi i trishtuar që kam bërë pasi erdhi liria për popullin tim.
Thuhet se «letërsia universale shkruhet nga përkthyesit». Deri në çfarë mase pajtoheni me këtë pohim dhe në ç’masë ju kanë shkruar juve përkthyesit?
– Përkthyesit i japin realitet këtij dimensioni universal të letërsisë. Por ata nuk do të mund të bënin asgjë sikur vepra letrare të mos e kishte brenda indit të vet këtë universalizëm. Nuk i lexoj kurrë përkthimet e veprave të mia. Pra, vërtet nuk e di deri në ç’masë përkthyesit më kanë shkruar. Italianët thonë « tradutore – traditore”. Shpresoj gjithnje se ata nuk më kanë tradhtuar shumë. Gëzohem shumë kur nëpër shkrimet për librat e mi lavdërohet puna e përkthyesit.
Si do ta përshkruanit marrëdhënien që ju lidh me gjuhën, në të cilën shkruani?
Unë shkruaj vetëm shqip. Nuk mund të shkruaj me fjalët që njoh e që më kanë shërbyer, bie fjala, për të bërë dikur punën e diplomatit, por me ato që më nevojiten për të shprehur veten te teksti letrar. Vetëm gjuha amtare ma jep këtë liri shprehjeje.
Cili është autori, në kulturën tuaj, të cilin do të donit që bota ta zbulonte?
Mitrush Kuteli, një shkrimtar shumë i madh për ne shqiptarët, por që bota nuk e njeh ende.
Si do të donit të ishte imazh i juaj pas një mijë vjetësh?
Oh! Do të më pëlqente shumë sikur lexuesit e kësaj të ardhmeje kaq të largët ta gjenin sadopak veten te dhimbja dhe dashuria e personazheve të mia. Kjo do të thoshte se kam arritur t’i jap zë asaj çka është e përjetshme në shpirtin e shqiptarit si qenie njerëzore.
Një fjalë për lexuesin arab, që ju lexon sot.
Do të jetë kënaqësi e veçantë për mua t’i shoh veprat e mia në gjuhën e Shehrazades.