Kreu Letërsi Shënime mbi libra Behar Gjoka: Poetika e mëdyshjes ekzistenciale

Behar Gjoka: Poetika e mëdyshjes ekzistenciale

Shfletimi i përmbledhjes poetike Spiralja e frikës, të autorit Biser Mehmeti, varësisht materies së vargjeve, më krijoi ndjesinë e një bote poetike ndryshe. Tekstet, në secilin prej tyre, si njësi të mëvetësishme, apo në tërësinë e materies letrare, pikësëpari sugjeron mëdyshjen, dyshimin, mosbesimin, në botën që shohim, në botën që duket, mbase duhet thënë në fasadën e përngjyrosur gjer në shpifje.

Biser Mehmeti deri tani ka botuar romanet: “Nata pa mëngjes”, “Jetë e mohuar”, “Fjala e ngrirë”, “Dielli i ftohtë”, “Shpirtshitësit e Simonidës”, “Një tragjedi kosovare”, “Lulja e hidhur”, vëllimet me tregime: “Katër kalorësit e apokalipsit”, “Takimi me vrasësin tim”, “Heroi i mohuar” si dhe vëllimin me poezi “Zhgjëndërr e vrarë”, pra mbizotëron prozatori, por “thyen” rregullat e pashpallura, duke u kthyer te poezia. Dhe, prandaj materia letrare e librit, si rastësisht sugjeron se nuk kemi të bëjmë me një mëdyshje rastësore, me gjasë një mëdyshje dosido, por është një thirrje dhe klithmë ekzistenciale, e qenies që vjen e përplotësuar me zërin e poetit. Një thirrje ekzistenciale, ku bota zhvishet nga mashtrimi, fjala e poetit, të shpie në realitetin që nuk fshehim dot, jo se nuk mundemi, po se prishet, shkërmoqet magjia e fjalës si poezi. Mëdyshja ekzistencialiste e shpallur në hapësirën tekstologjike të librit Spiralja e frikës, si një nivel tjetër i ekzistencës së qenies, zëshmohet në poezinë që paraprin ciklet e vëllimit poetik. Vargjet: Na thanë/Ecni përpara/Dhe ne ecëm/Edhe pse/Nuk deshëm të ecnim//Kur ecëm/Na dënuan/Pse ecëm (2023: 5), një situim letrar i cili qysh në krye e zbulon këtë mëdyshje, të natyrës së pastër ekzistenciale, të qenies dhe unit poetik.

Poezi e mendimit si antimendim

Dialogu poetik, me veten dhe botën, i shpalosur në faqet e libri më të ri poetik, Spiralja e frikës, gati e ka zhveshur qenien nga gjërat e tepërta. Në qendër të shprehësisë letrare, ka vënë formën më të lartë, mbase edhe më përfaqësuese, ka vënë mendimin, e përthyer në stilemat letrare. Largimi i tepricave, mbase i “bëzhdileve”, kinse letrare, të përkohshme dhe kalimtare, ka endur në hapësirën e teksteve një poezi, ku përplasen meditimi vetmitar dhe mendimi, për të mbetur gjithsesi në fushën e betejës mendimi, që gjithherë shqiptohet poetikisht. Mendimi, derdhet në vargjet e poezisë “Kam frikë”: Nuk guxoj/Të dal për gjah//Kam frikë/Në vend të ujkut/E vras veten//Kam frikë/Kur të kthehem/Në shtëpi/Më prêt ujku//Kam frikë/Kur të vdes/Ujku më nxjerr nga varri (2023: 11), që dukshëm shpalos pasigurinë e jetës, ku të gjithë e shohim, e ndeshim në rrugë, e megjithatë kemi drojë ta themi, madje bëjmë sikur as nuk e mendojmë, si gjendje absurde. Poezia, liria sublime e shprehjes, e thotë qartë, pa grimën e vrasjes së ndërgjegjes, atëherë kur bota ishte prishur, e vargjet vetëm sa vizatojnë të vërtetën e hidhur, të shkatërrimit të saj. Poezia e tillë, e zhveshur nga lulkat dhe ornamentet ulëritëse, që e shkallmojnë shkrimin  e poezisë, shkon gjer në thelb, në palcën e shkatërrimit, si poezi mendimi, me shumë gjasë që shpaloset si antimendim, me ata që të kredhur në mashtri, konformizëm, limonti, hipokrizi, edhe këneta u fanitet si qiell i pastër. Poezia e mendimit si antimendim, si grisje e botës hipokrite, shfaqet edhe në vargjet e poezive: Lulet e kalbura, Kjo stinë, Gëzohemi si të marrë, Përrallë moderne, Dielli shfaqet natën… Vargjet e poezisë E putha djallin: E putha djallin/Që kishte veshur/Lëkurën e engjëllit//…Një ditë më lidhi/Me shtatë palë zinxhirë/Të mos marr malin//Kot klithja/Kot përgjërohesha/Kot mallkoja… (2023: 115), një gjendje letrare unike, që shenjtëron antimendimin si mendim, si vlerë e arsyes, që e zbulon botën e trazuar, të kohës dhe qenies, më qartë se gjithçka tjetër, në këtë rrokulli ku kemi rrëshqitur, pa vënë re humnerën që afrohet më pranë nesh.

Metamorfoza e kohës dhe kundërtisë

Vënia e gishtit në plagët e kohës dhe qenies është guxim krijues, është po ashtu gjetje letrare, por më tepër është dëshmi e tjetërsimit të qenies, në një kohë gati të zhbërë, të shprishur nga vlerat humane. Njeriu, në këto mote, ka ndryshuar shumë, aq shumë sa tani nuk njeh as veten. Vështrimi i kësaj të vërtete, në beben e syrit, i kësaj të vërtete, të hidhur farmak, e sidomos dalja nga moçalishtja hipokrite e tjetërsimit, e konformizmit me shëmtinë, pra pastrimi shpirtëror, gjithsesi edhe në këtë univers terri të fjalësuar, përkon me rëndësinë dhe vlerën e mendimit, për të lëshuar dritë në errësirën shpërfytyruese, që ka lëshuar kjo kohë mbi qenien njerëzore. Gjendja e një transformimi të pazakontë, shpërfaqet në kaq shumë dimensione, në disa nga poezitë e përmbledhjes, si në vargjet e poezisë “Gëzohemi si të marrë”: Gëzohemi si të marrë/Kur e vrasim  zogun në degë/Kur anija na përmbyset në det/Kur e humbin rrugën në oborr/Kur qiriu na fiket në errësirë/Kur flasim gjuhën e huaj/Kur na i ha ujku delet/Kur vdes bilbili/Kur na verbohen sytë/Kur lumi shteron/Kur nuk bie shi/Kur dimri i ngrinë lulet/Kur na braktis shpresa/Kur na mund armiku (2023: 16), si një shprehësi e plotë e çmendurisë së marrëzisë, që për çudi po lulëzon në këtë periudhë. Po ky ton polemizues, ndonëse i përcjellë me heshturimën e tekstit, që vetëm nuk ulërin, shfaqet edhe në disa poezi të tjera, si në Përrallë moderne, E mbolla lulen, Lëkura e ujkut, Unë dhe vetvetja, Në mes të bishave etj., por shenjëzimi më i plotë shprehet në vargjet e poezisë “Metamorfozë”: Zemra m’u bë gur/E guri m’u bë zemër//Nata m’u bë ditë/E dita m’u bë natë//Era m’u bë lis/E lisi m’u bë erë//Shpirti m’u bë borë/E bora m’u bë shpirt//Koha m’u bë ujk/ E ujku m’u bë kohë//Jeta m’u bë vdekje/E vdekja m’u bë jetë (2023: 100), ku formësohet gjithë përmasa e metamorfozës që ka ndodhur me kohën dhe me qenien njerëzore. Vargjet e poezisë paraprirëse të librit, të organizuar me cikle më vete, konturojnë tipologjinë e metaforës së kundërtisë, të endur si një befasi estetike në poezinë e larmisë lakonike. Lulet e kalbura, që emërton ciklin e parë, si dhe vargjet e poezisë me këtë titull, sugjeron metaforën e brishtësisë së unit poetik, si një kundërvënie ndaj shëmtisë së kohës. Cikli i dytë, Mjegull në shpirt, dhe sidomos poezia me këtë titull, shpalos metaforën e grisë totale, ku gjithçkaja është ngjyrosur në grinë e pa ngjyrë. Cikli E putha djallin, si dhe vargjet e poezisë me këtë titull, të cilat janë realizuar me disa tercina dhe një katrenë, duke shpalosur metaforën e tjetërsimit. Për të vijuar me ciklin Kënga e sëmurë, dhe vetë poezia e realizuar me tercinë, shqipton një metaforë të përmbysur. Për ta mbyllur me ciklin Zemra e vdekur, si dhe vargjet e poezisë me këtë titull, është shenjë e metaforës së trishtimit të ndritshëm. Megjithatë, metafora e kundërtisë, vjen e shprehur me të gjithë dimensionet e veta, në vargjet e poezisë Kundërthënie, në gjithë materien që kulmon me fillimin: Flas/Edhe kur nuk kam/Çka të flas (2023: 132).

Struktura e përmbledhjes

Një element përveçues i përmbledhjes me poezi Spiralja e frikës, një metaforë e pazakontë, ku shenjohet makthi dhe tmerri i qenies, individuale apo komunitare, përballë shkatërrimit total, është ndarja me cikle e kësaj përmbledhjeje. Hallkat përbërëse të strukturës së vëllimit poetik, janë:

– Poezia paraprirëse Na thanë

– Cikli poetik, Lulet e kalbura, një metaforë e përmbysur, që përbëhet nga njëzet e nëntë poezi të shkurtra.

– Cikli i dytë, Mjegull në shpirt, një metaforë e pazakontë, që portretizon rrëzimin e qenies, i cili përbëhet nga njëzet e nëntë poezi, po ashtu tepër koncize si model shkrimi.

– Cikli i tretë, Takim me Ana Kareninën, ku metaforikisht kemi një arratisje nga konkretja, diku për në botën librore, që ka të përfshira pesëmbëdhjetë poezi.

– Cikli i katërt, E putha djallin, ku kemi sërish një metaforë të përmbysur, në një gjendje të pazakontë, ku janë përfshirë nëntëmbëdhjetë poezi, tepër të shkurtra.

– Cikli i pestë, Kënga e sëmurë, një metaforë totalisht e përmbysur, që përbëhet nga njëzet e katër poezi.

– Cikli i gjashtë, Zemra e vdekur, ku vetëm sa thellohet përmbysja metaforike, në të cilin janë përfshirë njëzet e dy poezi.

Pra, kemi të bëjmë me njëqind e tridhjetë e tetë poezi, të ndara në gjashtë cikle, të cilët qëndrojnë edhe më vete, por në këtë bashkëlidhni semantike dhe stilistike, endin një univers letrar vetjak. Elementi stilistik, i ndarjes me cikle, shpërfaq edhe një tipar tjetër, të poezive lakonike, të stilit konciz të shkrimit poetik.

Ridimensionim i vargëzimit të matur

Përmbledhja Spiralja e frikës, shpërfaq disa fibratura vargëzimi, brenda natyrës së vjershërimit të matur, por duke e dinamizuar pentagramin shprehës. Në mesin e tyre, do të veçoja:

A – Shkrimi me anë të distikut apo dyvargëshit, që ka realizuar me dhjetëra poezi, dhe për të krijuar idenë po sjellim vargjet e poezisë Antitezë: Sa shumë njerëz të vdekur/Ecin mbi dhe//Sa shumë njerëz të gjallë/Kalben nën dhe (2023: 180).

B – Poezi të shkruara me anë të tercinës, trevargëshi, janë realizuar disa poezi, dhe po veçoj poezinë “Miqtë|: Në errësirë/I njoh më mirë/Se në dritë//Më mirë i kuptoj/Kur heshtin/Sesa kur flasin (2023: 59).

C – Kombinimi i strofave të ndryshme, brenda një poezie, vjen i realizuar në disa forma:

– Distiku i kombinuar me tercinën në shumë poezi, dhe për të krijuar një ide fillestare, po shkëpus disa vargje të poezisë “Zbres në tokë”: Pa shkallë/Zbres nga qielli/Në tokë//Në ëndërr/verë/Në zhgjëndërr/Dimër (2023: 150).

– Tercina e kombinuar me katrenë, pra me strofën katërshe, që përbëjnë formën më të gjerë dhe më të shtrirë në poezitë të kësaj përmbledhjeje. Për të dhënë një ide të përdorimit të gjerësishëm të këtij modeli, por paraqes të plotë vargjet e poezisë “E mbolla lulen”: E mbolla lulen/Në vend të saj/Mbi ferra/Në shpirtin tim//Nga gjembat e saj/Ëndrrat pikonin gjak/Në për trupin tim//Nga bebëzat e syve/Nata shtatzënë/Lindte përbindësh/Me shtatë krerë//Një ditë/Koha ime/U mbush me ferra (2023: 20)

– Të ndryshme, me strofa katërshe, me kombinim të distikut, tercinës, katërshes, me vargje monokolon, duke endur një poezi të vlertë, varësisht pranisë së vargëzimit të matur, duke e dinamizuar me anë të gërshetimit të pozicioneve të larmisë.

Praktika e shkrimit me anë të vargjeve të matura, jo si rimarrje, po si një riformulim, si konturim në situate të pazakonta, e ka tonifikuar vargëzimin e tillë, por ka mundësuar endjen e poetikë së mëdyshjes, të thurur me kurora metaforash, të një laryshie të beftë estetike.

Exit mobile version