Kreu Letërsi Shënime mbi libra Behar Gjoka: Pjetër Budi dhe poezia e kaosit

Behar Gjoka: Pjetër Budi dhe poezia e kaosit

Kënga e dytë titullohet: “Këtu duo të thom pak fialë n cë/ përmenduni cë Mortësë e adhështiet/ e n cë panjohuni cë njerëzet”, e cila ka gjithsej nëntëdhjetë e tre strofa me katërvargësh, që përbëjnë treqind e shtatëdhjetë e dy vargje. Kënga e dytë hyn në vjershat më të gjata të autorit. Më tepër se sa numri i vargjeve, nuancat rrëfimore të shtrira dhe të larme, ndihmojnë për të parë maketin e një vjershe të zgjatur, që bart brenda vetes bërthamën e një poeme homilike, sidomos nga prania e disa elementëve:

A – Thyerje rrëfimore, të kapërcimit nga njëra gjendje në tjetrën, pa humbur linearitetin e rrëfimit tregimtar.

B – Vagulli subjekti, që lëviz në qarkun: njeri, me moral të prishur, Perëndia, që verifikon gjithçka, kaosi ose fundi i botës, i merituar, që shpalon konfliktualitetin e përjetshëm midis mëkatit dhe pastërtisë morale. Në vargjet:

Aty s’prune begati,

As vistar të lëvduom,

As urtë a diekëqi,

As gurë ta paçëmuom;

(1986:65),

ku në trivargëshin bie në sy përdorimi i anforës, një stilemë poetike emocionale dhe ritmike, që në tekst sjell dy elementë:

-Numërimin e shkallëshkallshëm të vlerave të humbura.

-Sjellja në pikën e parë, pra duke e rimarrë idenë, veçse për ta përplotësuar kuadrin e shkretimit.

Anafora e funksionalizuar artistikisht, fiton vlerë edhe nga përdorimi i antitezës semantike, që gjurmët e tilla, fiksohen në vargun e tretë, si antitezim i mirëfilltë: urtë dhe diekëqi. Figurshmëria e ngjeshur në këto vargje, si dhe emocionaliteti i dëshmuar, konfirmojnë vlera të qenësishme të ligjërimit poetik në krijimtarinë e Budit. Prania e kësaj figure edhe në vergjet pasardhëse tregon se autori nuk e përdor rastësisht atë figurë. Në dy strofat e tjera thuhet:

Aty s’prune madhështi,

As dinje me ligjëruom,

As vertyt as trimëni,

As vetiu me ndihmuom;

Aty s’prune zotëni,

Kual të bukur as të çpejtë,

As dinje gjak e gjeni,

As të mirëtë as të keqtë;

(1986:67).

Tripleti poetik i këtyre tre strofave, përveç përdorimit funksional të anaforës së njëpasnjëshme, bart edhe rimarrjen në pozicion nistor të çdo strofe, që është e njëjtë.

-Konture figurash, natyrisht të universalizuara: njeriu (pa emër), ama (mëma), zoti(drita), që vijëzohen si portrete simbolike.

Sadoqë subjektiviteti autorial gjendet i mbishtresuar në çdo episod, në çdo ngjyresë, edhe si përbuzje ndaj njerëzve felëshues, edhe si përnderim e nënshtrim ndaj Zotit, nuk arrin të mbulojë kurrsesi fytyrëzimin epik (si epil) të këtij krijim, madje subjektiviteti i pohuar edhe si un identifikues i priftit-poet, e rrit ndjeshëm peshën gravitacionale të vjeshërimit të autorit.

 PRIMATI POETIK

 Tek kjo poezi motiv primar është kaosi, në të gjitha dimensionet ekzistenciale, në të gjitha akset e universalitetit gjallnues, në ethet e tjetërsimit dhe ringjalljes, zhgënjimit dhe besimit, vdekjes dhe jetës, ku si pikë referenciale është njeriu, të cilit Budi i drejtohet, ndër të tjera:

O i pafati njeri,

Gjithë ndë të keq harruom,

I dhani ndë madhështi,

Ndë mkat pshtiellë e ngatërruom;

(1986:65),

ku nga njëra anë shpreh dhimbjen dhe sublimitetin kreativ, përmes pasthirrmës së vargut të parë, një klithmë personale e thjeshtë, tejet njerëzore, që e vendos në aksin e humanitetit, dhe nga ana tjetër, vjen kundërvënia, menjëhershëm, ndaj tij, gjithnjë, për shkak të përqafimit të së keqes, së mbrapështive njerëzore. Thënia e tillë, pra, nëpërmjet kundërvënies së pranëvënë, është njëra nga dukuritë poetike të vetiakësisë budiane, të cilat evidentojnë edhe përthyerjet e befta emocionale edhe të mesazheve që përcillen.

ANAFORA SI FIGURË

Trajtat poetike, përveç se të hapura dhe të thjeshta, në disa raste vijnë edhe përmes figurave sterotip të arthënies poetike, si në vargjet e cituara më sipër. Madje ajo vihet në fillim të strofimit me sintagmën: “Aty s’prune”, një trajtë ligjërimore e rrafshit bisedor, por që dallohet në gjërësinë e fushëpamjes që ofron:

-begati, ëndrra e merituar për njerëzit,

-madhështi, shkëlqimin e nevojshëm për jetesë,

-zotëni, dinjitet i domosdoshëm i ekzistencës së qenieve njerëzore, që shihet se përbëjnë tre binaret kruciale, të ekzistencës së njerëzores.

Pohimi i tyre, pranëvënia e humbjeve dhe mungesave të vetive morale, në kundërvënie zemërake, e largon, jo pak, ligjëratën nga trajta fetare, dhe, natyrshëm, e zbret në strukturën e ligjërimit intim, si një bashkëbisedim mes vllaznish, të poetit me njerëzit, pra, duke vënë kështu vulën e gjurmëve poetike befasuese.

PORTRET AMËSOR

Veçanërisht strofa e pestë dhe e nëntë e kësaj poezie ravizon edhe portretin fluid, amësor, që fiksohet në dy çaste:

a – Lindja e njeriut, gjithnjë, si qenie universale.

b – Ardhjen e zhurmshme në jetë, që mbetet unike për çdo foshnjë.

Përnderimi ndaj amës, që zakonisht, kryen edhe aktin e sakrifikimit, për të realizuar ardhjen në jetë të njeriut, është, pothuajse, e përafërt me nderimin që ka për krijuesin, TënZot. Afria, befasuese që bën poeti midis amësisë dhe dritës së Perëndisë është edhe tregues i tendencës për ta universalizuar ndjenjën amnore, që rezulton, gjer më tash, si kryesensualiteti njerëzor dhe ndjesia më e qëndrueshme. Këto vargje janë një pjesë e vogël e poezisë, nga më të bukurat, qoftë si artikulim, qoftë si shprehësi, të cilat shpalojnë vetëdijen autoriale në lëmin e ligjërimit poetik, po aq edhe vlershmërinë e përcjellur prej asaj kohe e gjer më sot, si atribut i mirëfilltë i vlerave artistike:

Ku janë ata pleq bujarë,

Qi qenë përpara ne,

E ata trima sqimatarë

Të çpejtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,

Të bukur të lulëzuom,

Qi pate pamë me sy,

Me ta fol e ligjëruom?

Ku janë ata perandorë,

Gjithë shekullit nalcuom

Mbë krye me një kunorë

Gurëshi të paçmuom?

Ku janë ata letërorë,

T’urtë e dies të ndëgjuom,

Të bardha posi vdorë

Letëra tue kënduom?

Ku janë ata zotëni,

Qi doinë me zotënuom,

Ndë sqimë e ndë madhështi,

Këtë jetë tue shkuom?

Ku janë ato gra e vasha,

Ndë sqimë e ndë madhështi,

Me petëkat të mëndafshta,

Nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi

Sikur i pret me shpatë

Për të ri s’i shukoi,

As të vobeg, as të begatë.

(1986:85).

Libri i parë i Budit, posaçërisht Doktrina e kërshtenë daton si botim në vitin 1618. Shtegtimi kohor, siç shihet, i ka kapërcyer katër shakujt, të komunikimit me lexuesit. Kjo ndjesi, realitet që tashmë identifikohet, nuk krijohet rastësisht, por është pjesë e truallit universal, e dobisë së bukurifaljes dhe, mbi të gjitha, një përjetim personal, origjinal si kompozim, një shestim vetiak, për gjëmën që kishte kapluar atdheun në shekullin XVII-të.

MOTIV I PASTËR BIBLIK

Vargjet e poezisë fokusojnë kaosin, si epiqendër të “merituar” për njerëzit që dinë veçse të mëkatojnë, madje pa kurrfarë vrasje ndërgjegjeje. Por duke mbetur brenda vorbullës gjigande kaotike, si një fragment esencial i saj, mu aty, mjeshtërisht, ndërkallet kaosi dinamik, që vjen përmes tablosë poetike budiane, sendërtuar në dy pamje, tronditëse dhe konkrete, në raportim kundërshtie me shoshoqen që, herazi, shkojnë deri në përjashtim ekstrem, të cilat në vargjet e mësipërme parashtrohen në dy forma:

Së pari: Mikrobota e unit poetik, tejet e pikëlluar për humbënajën e pakthimit të njerëzve.

Së dyti: Makrobata reale e njerëzimit, ku përfshihet, edhe ajo e atdheut të shembur nga mortja shkatërrimtare e pushtimit, që përplotëson unin e shqetësuar të krijuesit.

Pamja dyfish e mbingarkuar, si nëntekst i mbishtresuar, por bashkëshoqëruar edhe me kuntrapuktin e befasishëm shprehës, paraqet, afërsisht, imazhin e Shqipërisë pas pushtimit, gjë që kishte sjellë ankth dhe tmerr në popull, zi dhe kob në shpirtin e priftit poet…

PORTRETET E PREFERUARA

Gjashtë strofat e para, që ekspozojnë, veçmas dhimbjen e poetit, jo vetëm si artific poetik, por si gjendje mirëfilltas e stërpërjetuar, skalisin përmasat e humbjes përmes portreteve njerëzore:

-“pleq bujarë” me thelbin cilësor të theksuar, si “trima sqimatarë”,

-“djelm të ri” me përveçimin e thukët, “Të bukur të lulëzuom”,

-“perandorë”, që projektuan dhe ngritën “Gjithë shekullin nalcuom”

-“Letërorë” (shkrimtarë) të mëdhenj “ T’urtë e dies të ndëgjuom”,

-“zotëni” të njohur (e jo pak të pa njohur) “Ndë sqimë e ndë madhështi”,

-“Gra e vasha”, si zana mali “Me petëkat të mëndafshta”.

Të gjitha këto elementë paraqesin një format kohor të caktuar dhe të plotë. Hedhja e vështrimit, për një çast, në kohën tjetër, të dikurshmen, e afërt për Budin, që ende gjallonte gojarisht, e përcaktuar nga poeti si “shekulli nalcuom”, identifikon tingëllimën e drejtëpërdrejtë të qëndresës shqiptare, në mbrojtje të atdheut dhe të Krishtërimit, duke ofruar kështu përfytyrimin e kohës së Skënderbeut që, edhe pse nuk përmendet, e ndeshim si nënshtrat i nënkuptuar i kaosit kozmik, që u ra për hise shqiptarëve, pas asaj periudhe. Humbja e shumëfishtë dhe gjurmëlënëse në deformimin e njerëzve të asaj bote jo imagjinare, përkundër, konkrete dhe gërryese, ia ka errur shikimin, veç se, mrekullisht, për ta tejndriçuar shkretimin…

 SHKATËRRIMI PËRFUNDIMTAR

Përballë këtyre portreteve, të shtjelluara linearisht në vetëm gjashtë strofa, vërtet të madhnueshme, jo vetëm si konceptin fizik, por edhe si përshtesëzim logjik i grupacioneve të popullit, poeti rrëfen tashmë, si një fakt të prekshëm, me përmasa kozmike dhe të hiperbolizuara, mjerimin total; “Gjithë mortja i rrëzoi”, si një tonifikim gjëmues dhe alarmant i realitetit tokësor të atdheut të shuar dhe të fikur, jo veç si parandjenjë e ankthshme e poetit. Kundërvënia dhe pranëvënia e këtij momenti kulmor poetik, menjëherë pas portretimit, shkallëshkallshëm, të kohës së ardhur gojarisht, si anektoda, legjenda, rrëfenja etj. , është një nga gjetjet poetike, përmbyllëse dhe kozmike, si konceptim autorial, jo fort të shpeshta në letrat shqipe…

STRUKTURIMI POETIK

Përkujdesja e nevojshme dhe e mjaftueshme artistike, kualitet vetëdijësues personal, duket edhe në kompozimin e materies poetike, si struktim i ngjeshur, i përbërë vetëm nga dy hallka :

A – Realiteti i shkretuar, përtharë gjer në shuarje, që zë dhe pjesën kryesore të fragmentit, njëkohësisht, tërësia e saj parashtron dhe përgatit ardhjen e episodeve të tjera.

B – Konkretizimi i fundit total, pluridimensional, i ngjeshur artistikisht në një strofë të vetme, veç se me një peshë specifike gravitacionale, tejet rënduese.

Hallkat strukturore poetike, gjenden në marrëdhënie të ndërsjella, sipërfaqësore dhe organike, njëherit, janë ngjizur si pozicionim i dytë, përjashtim i shoshoqshëm, me një formëzim konvencional të harmonisë disharmonike. Kompozimi poetik si i tillë, përveç prirjeve vetiake, pra të Budit, shpalon gjurmë moderniteti klasik në ligjërimin poetik në gjuhën shqipe…

FIGURSHMËRIA E VARGJEVE

Dimensioni autentik, para së gjithash, ekziston si realitet i figuruar ose si shkërbim i dyfishuar i realitetetit jetësor. Në rastin e pozisë, që po shqyrtojmë dhe, sidomos të vargjeve të fragmentit ilustrues, edhe nga një verifikim sipërfaqësor, dëshmohet fare shkoqur denduri dhe tepri figurshmërie. Opusi poetik budian vjen mjaft i larmishëm si substancë, mirëfilli figurativ :

-antiteza është figura themltare e kompozimit të poezisë,

-pyetjet retorike, si një parashtrim i shtrirë në poetikën e autorit, këtu ndihmojnë për të shprehur visaret e përmallimit personal,

-enumeracioni përshkallëzues, raportim logjik artistik, që, veçanërisht portreton njerëzit dhe kohën e dikurshme,

-epitet e tipit: “pleq bujarë”, “trima sqimatarë”, etj. , të cilët cilësojnë dhe skicojnë prototipa të njasaj periudhe,

-metaforat e gjedhës: “shekullit nalcuom”, “mortja i rrëzoi”, që sugjerojnë dhe krijojnë tablotë e kundërvëna,

-krahasimet tipike: ”të çpejtë si rrufe”, apo “të bardhat posi vdorë” të cilat, jo vetëm evidentojnë dukuri të realitetit, por artikulohen si shprehësi me ligjërimin autentik të brumit të shqipes,

-rimarrja e fillimvargut: “Ku janë ata…” për të konkretizuar ritmin shkatërrimtar, pasojë e aritmisë subjektive që synon dhe sendërgjon autori.

Mikrotabloja stilistike, e qëmtuar lehtësisht si figurshmeri, shpërfaqet jo veç si llojllojshmëri, por edhe si domëthënie funksionale, duke zbuluar poetikën autoriale, që mbruhet dhe ngjishet me figuracion të mirëfilltë letrar…

VJERSHËRIM I PËRFUNDUAR

Vargjet e kësaj poezie, përpos figurshmërisë së dëshmuar, janë edhe një sprovë shenjë e përpunuar dhe e përfunduar e vargëzimit të natyrës ligjërimore të gjuhës shqipe. Kjo sepse poezia si strukturë tërësore, por edhe si njësi më të vogla poetike, kompozohet me elementë tipikë të ligjërimit artistik të gjuhës sonë, nga të cilat mund të veçohen disa prej përbërësve:

-strofa katërshe (kuatrena), si strukturim linear i gjithë poezisë, madje, edhe pjesës dërrmuese të vjershërimit budian,

-metrikë harmonike, që presupozon dhe përfshin tërësinë dhe qelizat pjesore të saj, si rregullsi,

-rimë e alternuar (ABAB), pothuajse, në të gjitha vargjet ku bie në sy përdorimi i zanoreve:

-ë, përkatësisht, në tetë raste,

-i, respektivisht, në tetë raste,

-e, vetëm në dy raste,

-a, po ashtu në dy raste,

si dhe diftongu :

-uom, përkatësisht në tetë raste,

-tetërrokëshi trokaik, si strukturë e njëtrajtshme, si dhe tërësore.

Dhe të gjitha këto ndikojnë ndjeshëm për të krijuar ritmikën sipërfaqësore ose muzikalitetin e jashtëm, si një atribut i poezisë së këndim/këngëtim/leximit. Siç shihet, elementët bazë kompozues të thadrimit poetik të autorit në këtë vjershë, njëherazi, janë edhe themelitë e vjershërimit klasik, oral apo të kultivuar, të ligjërimit poetik në gjuhën shqipe…

TETËRROKËSHI SI PARAVAJTJE DHE PASVAJTJE

Përdorimi i vargut me tetë rrokje në të 2922 vargjet nga ana e Budit, përveçse preferencë poetike autoriale, tregon edhe për ngurtësinë e kësaj forme shprehjeje në traditën gojore poetike, si shprehje e ngulitur e botës që e rrethon, si dhe të makrobotës arbënore. Kjo përputhje, rrokëjesoro-metrike, tërësore e krijimtarisë poetike të autorit, shpalon dhe fakton vetëdijen artistike për vlerat dhe shprehësinë e vargut me tetë rrokje, sepse:

-është mjet shprehës i ngurtësuar,

-është rregullsi artikulimi, natyrisht, orale deri tek poeti,

-përtypej lehtë nga lexues/dëgjuesi.

Përputhja shtron nevojën dhe dobinë e kundrimit të vjershërimit në gjuhën shqipe, realizuar me anë të vargut tetërrokësh, së paku në dy momente:

1 – Poezia parabudiane ose fokusimi i paravajtjes në përdorimin e tij, si mjet shprehës emocional dhe artistik. Verifikimi i folkorit poetik, pavarësisht kufijve hapësinorë dhe kohorë, sjell rezultate impresionuese. Vargu tetërrokësh, trokaik, rezulton si mjeti adekuat i poezisë epike, lirike apo liriko-epike, të krijuar nga bardi popullor.

2 – Krijimtaria poetike pasbudiane evidenton përdorimin e gjerë të kësaj mënyre vjershërimi, duke filluar nga Bogdani, Jul Variboba, Konstandin Berati, pasardhësit më të afërt të autorit të Doktrinës, Pasqyrës dhe Ritualit, duke vijuar pastaj me letërsinë e bejtexhinjve, pa përjashtim, e lëvrojnë tetërrokëshin trokaik. Për të ardhur në poezinë e majave të letërsisë së kaluar, posçërisht, vepra poetike e De Radës, N. Frashërit dhe Gjergj Fishtës, që përbëjnë “tercinën poetike atdhetare”, më të fuqishme, deri më sot, të kurorës letrare në gjuhën shqipe. Madje, reminishenca, jo pa vlerë të lëvrimit të këtij lloj vargu, feksin edhe në poetikën e shekullit të njëzet, pikërisht, me Çajupin, Asdrenin, Mjedën, Santorin, Poradecin, e deri tek poetë të letërsisë pas Luftës së Dytë Botërore, si Agolli, Trebeshina, Camaj, Shkreli, Podrimja etj. Pra, lëvrimi poetik me tetërrokëshin trokaik, më tepër preferencë e poetëve të veçantë, në këtë rast edhe vetë Budit, është një brum origjinal, gjenetik, i shprehjes poetike, në natyrën e shqipes.

LEKSIKEMA SEMANTIKE

Në rrafshin e përpunimit të fjalës, si semantikë leksikore e parapërpunuar stilistikisht, ku, gjithsesi, zbulohen disa shtresëzime, përgjithësuese dhe të përveçme, që sjellin pranë lexuesit botën e dikurshme shqiptare, përmes stilemash të larmishme:

-fjalë gjë gjëllojnë ende, të tipit: pleq, trima, perandorë, kunorë, zotëni (zotëri), gra, vasha, mortja, shpatë, begatë, madhështi, etj., të cilat janë njëherit të ligjërimit bisedor dhe libror,

-fjalë dialektore, si: vobeg, djelm, krye, dies, vdorë, sqimë, sqimatarë, petëkat, nalcuom, etj. , që sot ende ekzistojnë në ligjërimin bisedor, veçse, dikur, pra në kohën e Budit, ato kanë qenë të ligjërimit letrar,

-semantika e shumësit, siç është rasti i përdorimit të përemrit ne, si shumësí emërore apo trajta e shumësit të bartur edhe tek mbiemrat,

-semantika e njëjësit, siç ngjet me përdorimin emërzues: Gurëshi, ku njëjësi nënkupton shumësin.

Sintagmat leksikore të funksionalizuara në përdorimin e tyre nga poeti, të larme dhe polivalente, treguese dhe konotative, japin të qartë vetëdijen e definuar, si akt i përzgjedhjes letrare leksikore, gjithnjë, për të përshtresëzuar dhe mbishtresuar poezinë, si art që presupozon njeriun dhe i drejtohet atij.

Exit mobile version