Kreu Letërsi Shënime mbi libra Bashkim Kuçuku: Realizëm psikologjik në struktura moderne e moderniste (Proza e Fatos...

Bashkim Kuçuku: Realizëm psikologjik në struktura moderne e moderniste (Proza e Fatos Kongolit)

Tregimet, novelat dhe romani i parë i Fatos Kongolit (1972-1990) nuk kanë ngjallur ndonjë interes të veçantë. Vet shkrimtari dhe krijimtaria e tij, sikurse dhe sivëllezër të tjerë letrarë, përshkoheshin nga dy kundërshti të mëdha. Me bindje dhe pa bindje, e pranonte realitetin, përshtatej me të, madje, edhe kur filloi të mendonte ndryshe. Krijimtaria, po ashtu, përftohej e përshtatur në kontekstin ideologjik, brenda kërkesave të redaksisë dhe pëlqyeshmërisë së lexuesit, ndërsa, autori ishte i pakënaqur. Gjetja e origjinalizmit, shprehje e dhuntive dhe e ndjeshmërive vetjake, ka qenë një kërkim i vazhdueshëm në vetvete, në ecurinë e formimit e të horizontit kulturor, sidomos nëpërmjet leximit, në frëngjisht, të një vargu romancierësh të njohur botërorë. Prej tyre u ndërgjegjësua, se shkruante, siç nuk duhej të shkruante. Letërsia e realizmit socialist, me “velin” e saj “lumturues”, fshehte vrazhdësinë, dramat tragjike të realitetit politik, të cilat i përjetoi tronditshëm me ndodhitë vetjake, familjare e të kolegëve. Megjithatë, nën trysninë e rrezikut të ndëshkimit, që rrinte ngrehur mbi kryet e secilit, vazhdoi të shkruante “i përshtatur” me kërkesat e dogmës.

Fiksion letrar dhe autobiografik

Fiksioni i tij letrar shpesh këmbehet me fiksionin autobiografik. Heronj rrëfimtarë, personazhe bartin tipare e bëma të autorit, të kolegëve e të të njohurve. Ngjarje e ndodhi, mjedise jetese e pune, marrdhënie me kolegë, me të atin janë shndërruar në ngjarje, ndodhi, mjedise e personazhe letrarë me kufinj vështirë të përcaktueshëm, në se, zanafilla e tyre është e njëmendët, apo, subjektive, fiksionale, pa qenë copëza autobiografie. Iluzione në sirtar, pothuajse roman për veten është fiksion autobiografik i mirëfilltë.

Tipare të karakterit vetjak, që janë edhe tipare të përgjithshme te njerëz të caktuar: drojtja për t’u shprehur plotësisht, moskundërshtimi, gjetja e një «pajtimi» edhe me ata që nuk ia pranon vetëdija e bindja, zbrapsja prej përballjes, u janë përngjitur personazheve.  Frika, ankthi nga mbikqyrja, mania e persekutimit, thirrja në hetuesi e në gjyqe, kërcënimet, përndjekjet, traumat, që ka përjetuar në jetën dramatike, pija e tepruar, dehjet e skajshme janë bartur te rrëfimtari autor, jo rrallë alter ego i Fatos Kongolit.  Dyzimi i tyre, një konstante dalluese, që e ka burimin, së pari, te trysnitë e rënda shoqërore, nuk është pa lidhje me kundërshtitë e tij të brendshme. Dyzimi vjen edhe prej zhvillimit të natyrshëm të qenies njerëzore prej fëmijërisë në pjekuri; prej shtysave psiko-mendore dhe instikteve të kundërta, të prirura drejt përsosjes a degjenerimit, virtytit a vesit, moralit a imoralizmit, të vetëdijshmes e të pavetëdijshmes.

 Edhe disa gjendje përçmuese, pasojë e shkeljes shoqërore mbi personalitetin dhe dinjitetin njerëzor, të ndjerit morr, për më keq, «mi gjirizi», të cilat ndërmendin heronj të Dostojevskit, Franz Kafka-s dhe shkrimtarëve të tjerë modernë e pasmodernë të shekullit XX, janë të bartura prej biografisë psiko-shpirtërore vetjake. Jo rastësisht, heronjtë, shkrimtarë e gazetarë, që kanë studiuar për gjuhë e letërsi shqipe, ose, për gjuhë frënge, vërtiten, pikërisht, në mjedise shkrimtarësh, gazeta e shtëpi botuese me të dhëna konkrete, ku ka punuar e jetuar autori. Letërsia për të është edhe një lloj i tillë i njëjtësimit «autentik» të vetvetes, herë zanafillë, herë platformë e përhershme realiste dhe psikanaliste.

Letërsi e dhimbjes njerëzore

Intuitivisht, me kohë, kishte kuptuar, se, qe i prirur ndaj një lloj letërsie tjetër, të dhimbjes njerëzore, panhumane, e ndjeshme ndaj vuajtjeve, tej kategorizimeve shoqërore. Gjedhja e parapëlqyer e kësaj lloj letërsie, ishte vepra e Fjodor Dostojevskit. Edhe vet Fatos Kongoli vuante, i lënduar nga pamundësia për ta paraqitur në krijimtari atë, që shihte në përditshmëri.[1] Fatos Kongoli Iluzione në sirtar, pothuajse roman- për vetveten, Toena, 2010, faqe 75-76. “Kjo dhimbje, ka pohuar në rrëfimet e tij autobiografike, e pranishme kudo në realitetin tonë, ishte e përjashtuara e madhe e letërsisë tonë, të merreshe me të, e pakta nuk do të botoheshe kurrë, pa shtuar se mund ta pësoje keq….”  Një gjendje e njohur, me kahe të kundërt, e shkrimtarit nën censurë. Dhuntitë, ndjeshmëria, vetëdija e drejtonin gjetkë, kurse, qëllimi pragmatist në të kundërt. Shkruante për të tjerët, në mospajtim veten.

Në rrethanat e lirisë së të shprehurit (1991), në qenien e tij, nuk pati ndonjë shndërrim rrënjësor. Ndryshimi i madh cilësor është në romane, te të cilët arriti të mishërojë atë, që, mendonte dhe ishte i prirur- ndjeshmërinë e shpirtit njerëzor, dhimbjet e vuajtjet e tij, pa përllogaritje të tipareve pozitive e negative, në kontekstin e shoqërisë shqiptare, të djeshme dhe të sotme. Vuajtjet vijnë prej gjendjes dhe rrethanave shoqërore, familjare, vetjake: padrejtësisë, diferencimit politik, përndjekjes e nëpërkëmbjes shoqërore, mjerimit ekonomik, autoritetit të vrazhdë atëror, krimit a mëkatit, në trajtën e imoralizmit të skajshëm, etj. Këto janë dhe baza kryesore e realizmit psikologjik. Shkaktarët janë shpërfillës ndaj bëmave të veta. Ose, i pranojnë si diçka të domosdoshme për jetën e tyre, pa brejtje të ndërgjegjes, ose, i fshehin me cinizëm për t’iu shmangur ndëshkimit.

 Ndonëse ka kaluar shekulli, një përgjithësim i Zigmund Freud-it për romanin modern psikologjik të atëhershëm, hedh dritë, në thellësi të marrdhënieve, edhe mes shkrimtarit Fatos Kongoli dhe personazheve të tij. « përgjithësi, natyra e veçantë e romanit psikologjik, ka shkruar Sigmund Feud-i, i detyrohet sigurisht tendencës së shkrimtarit modern për të copëzuar Unin e tij nëpërmjet vetëvëzhgimit, në shumë Une të pjesshëm dhe, rrjedhimisht, për të personifikuar  në heronj të shumtë rrymat në konflikt të jetës së vet të brendshme[2] Sigmund Freud Psikanaliza e artit dhe e letërsisë, Dituria, 2000, faqe 23-24. Këtë marrdhënie të veçantë e pranon edhe Fatos Kongoli. «Erdhi koha, shkruan ai, kur mësohem ta pranoj dhe vetvetiu ta shfaq dyzimin e vetvetes. Më vonë, në librat e periudhës së dytë të krijimtarisë sime, ky dyzim do të vijë si tipar i disa personazheve, veçanërisht i personazhit kryesor të romanit Kufoma.».  

 Historitë rrëfyese janë shëmbëllime prej përditshmërisë bashkëkohore, me problematikë intime e familjare, të mirëpërcaktuara, në kohë dhe në hapësirë, të cilat lëvizin në një rreth të ngushtë ngjarjesh e ndodhish, në mjedise intelektualësh. Biografitë e heronjve janë të përqendruara në kulmin e konfliktit me veten a mjedisin, që është dhe kulmi i krizës së identitetit dhe i personalitetit të tyre.

Ndërtekstorësi e mbyllur në tërësinë e vet, me hapje në letërsi të tjera

Proza e tij është një ndërtekstorësi/intertekstualitet, një tërësi e mëvehtësishme, e përmbyllur, me vazhdimësi kohore dhe ndërlidhje të brendshme nëpërmjet një vargori përbërësish, përmbajtësorë e poetikë. Personazhe dhe mjedise të njëjtë, të njëmendët e të panjëmendët, fiksionalë, bërthama idesh e simbole  shfaqen nga njëri roman te tjetri disa prej të cilëve nga bërthama zhvillohen në makrobërthama e makrosimbole të veprave pasardhëse, të shenjuar, që në tituj. 

 I humburi, Kufoma, Dragoi i fildishtë, Ëndrra e Damokleut autori i ka përfshirë në tetralogjinë Burgjet e kujtesës, me referencë kohore periudhën e totalitarizmit, kur mendimet e lira mbaheshin të mbyllura, në “burgjet” e ndërgjegjes vetjake, ngjashëm me individin, që ishte në “burgun” e censurës. I çliruar prej “ndalimit”, nga kujtesa e të shkuarës, ai krijoi një tablo të gjerë të atij sistemi shoqëror, në qendër të së cilës është shëmbëlltyra, me disa profile, e njeriut nën trysni të vazhdueshme për ta tkurrur e tjetërsuar në standardin ideologjik. Në kuptimin e ngushtë, të referencës kohore, nga “burgjet e kujtesës” janë të përftuar vetëm: I humburi dhe Kufoma, historitë e rrëfyera të të cilëve fillojnë e përmbyllen brenda kujtesës për të shkuarën.  Mirëpo, njëmendësisht, në konceptin e kësaj reference kohore, janë edhe romanet: Lëkura e qenit, Jetë në një kuti shkrepësesh. Ngjarjet e tyre, që fillojnë e zhvillohen në të tanishmen, kthehen e rikthehen tek e shkuara e kujtesës, ku e kanë zanafillën. Jashtë kësaj tërësie mbetet Te porta e Shën Pjetrit, me kohësi në të tanishmen, pa retrospeksion në të shkuarën e djeshme, më të largët.

Metafora burgu i kujtesës ndryn objektin kryesor, dallues të krejt prozës së tij. Ajo përmban kujtesën vepruese dhe jo vepruese, të ndaluar prej mjedisit, por dhe të fjetur te shkrimtari dhe vetja, të cilën e ka parasysh për shëmbëlltyrën e personazheve. Përmban dhe të pavetëdijshmen. E plotësuar edhe nga harresa/amnezia traumatike, nuk është thjesht në kuptimin e zakonshëm të përditshmërisë, as thjesht nocion filozofik e letrar i ngrirë. Prej saj kanë dalë bërthamat e romaneve, strukturat, përftesat zotëruese të retrospeksionit dhe introspeksionit, vijimësia nga njëri tek tjetri. Aty nis e vrullon dinamika e tyre. Kahu i ecurisë së historive të rrëfyera më tepër është prapakthim në kohë. Kujtesa, e shkuara dhe e sotmja, kuptimi dhe vijimësia e pandashme mes tyre janë burimi i përligjur i përsiatjeve të shpeshta psikologjiko-filozofike të heronjve dhe i rrëfimtarit- autor për marrdhëniet e qenies njerëzore me veten dhe të tjerët, me ndërgjegjen dhe moralin, përgjegjshmëritë dhe papërgjgjshmëritë. Në të është qeniesia njerëzore.

Ndërtekstorësia është endur edhe me përbërës konkretë: emra e funksione personazhesh, mendime e shprehje të theksuara, mjedise, institucione të caktuara, emra fiksionalë qytetesh dhe objektesh publikë për të krijuar shëmbëlltyrën e një bote të njësuar, ngjashëm me botën e njëmendët.  

 Prej tërësisë së mëvehtësishme kongoliane, ndërtekstorësia shtrihet më tej, e lidhur me letërsi të tjera europiane, sidomos nëpërmjet bërthamave përmbajtësore, të ndikuara a të «huazuara» prej tyre, të përshtatura në origjinalizmin e vet. Më të shumta ato janë me prozën e Fjodor Dostojevskit, ndër të parat, që i priu modernizmit të shekullit XX. Romanet e tij me Krim dhe ndëshkim, p.sh. ,  krahas bërthamave të ideve, kanë të përbashkëta fjalë-çelësa e figura-çelësa, që janë sa të fushës së njëjtë tematike, aq edhe të subjektivizimit botëkuptimor e qëllimit të dy autorëve.

Dhimbje dhe vuajtje njerëzore janë fjalët-figura përcaktuese dhe më dalluese të kësaj lloj letërsie humane. Fjalë-figura të tjera: krim dhe ndëshkim, mëkat, shlyerje dhe mosshlyerje e krimit/ mëkatit, pendesë, mospendesë, fajtor, kompleksi i fajit, vrasje, vetvrasje, cinizëm ndaj viktimës, fshehje e krimit, kllapi, jerm, ëndërr-kllapi, vegime, shajni, haluçinacione, neveri, amnezi, hije, fantazma, heroi morr, krimb zbulojnë, në kontekstet përkatëse, shkaqet e dhimbjes e të vuajtjes, gjendjet e qëndrimet, luhatjet e vendimet, mendimet e bëmat. Dihotomia e famshme dostojevskiane krim dhe ndëshkim, së cilës i është bashkëngjitur edhe mëkati, përshkon, thuajse, gjithë romanet e tij, në disa krejt strukturën e në disa të tjerë pjesë të caktuara. Por në brendi është e thyer, është ndryshe. Brerja e ndërgjegjes, pendesa, shlyerja e mëkatit dhe e krimit me anë të veprimeve humane te fajtorët e njëmendët e të mëdhenj është e rrallë, sikurse është i rrallë edhe ndëshkimi ligjor e moral i tyre. Harku i ndëshkimit për ta, zakonisht, nuk shkrehet, mishërim i mosfunksionimit të tyre në shoqërinë bashkëkohore shqiptare.

 Për nga objekti- krimi i vrasjes së dikujt, dhe subjekti veprues- krimineli, pavarësisht ndryshimeve thelbësore mes qëllimeve, qëndrimeve e zgjidhjeve, më afër, në strukturën e përgjithshme, dhe ndonjë ide (ndikimi i banesës tepër të vogël në rëndimin psikologjik), me Krim dhe ndëshkim është Jetë në një kuti shkrepësesh.Një ndërtekstorësi e tillë, provon më së miri atë që ka pohuar teoria prej një shekulli, se veprat, sado origjinale, po ashtu, dhe letërsitë e gjuhëve të ndryshme, nuk janë të veçuara e të mbyllura. Ato janë të lidhura, sepse ndërfusin/integrojnë përbërës nga veprat e mëparshme. Dhe kjo është një nga ligjshmëritë e letërsisë.

Larmi strukturash: realiste, frojdiste, mitike e legjendare

Historitë rrëfyese të romaneve janë prej përditshmërisë bashkëkohore, me problematikë intime e familjare, në kontekste konfliktesh shoqërore, të mirëpërcaktuara në referencën e tyre kohore-hapësinore, duke përfshirë një rreth të ngushtë ngjarjesh e ndodhish, në mjedise intelektualësh me shkrimtarë, gazetarë e arësimtarë. Njëtrajtshmëria e tyre me diagramë kompozicionale realiste psikologjike, zbutet nga trajta rrëfimore e struktura romanore të larmishme. Trajtat rrëfimore këmbehen vazhdimisht nga njëra njësi kompozicionale te tjetra, nga e tanishmja tek e shkuara. Rrëfimi zotërues i vetës së parë, subjektiv, monolog, monolog i brendshëm dhe i dialogizuar, këmbehet me të vetës së tretë, pa vetor, asnjanës, «objektiv», duke shpërfaqur, në kënde të ndryshme, botën e brendshme. Prej llojit realist psikologjik kalon në llojin psikanalitik, nga poetizues në negativizues hiperbolik, nga sentimentalist në ironik e retorik, aty-këtu, të ngarkuar me emfazë, me gjuhë të çlirët, pa tabu letrare a etike, pse jo, dhe natyraliste, në fushën erotike seksuale. Krahazi, me ndërprerje të shkurtra të tij, ndërfutet përshkrimi i mjaftueshëm i hapësirës së jashtme, të rrethanave dhe të mjedisit, me hollësi dekorative, metonimike e metaforike.

 Rrënjët e të keqes kërkohen sa më përpara në kohë me anë të retrospeksionit. Përjetimi i vazhdueshëm i të shkuarës është veçori psikologjike e heronjve të tij. Duke qenë me të tanishme të vrarë dhe pa të ardhme, ata e jetojnë edhe të sotmen përmes të shkuarës. Koha, kryesisht, tërhiqet mbrapa, sa mund të cilësohet si prozë e prapakthimit, retrospeksionit me të cilin del prej shtratit realist  dhe vijon në struktura të tjera, me përbërës të modernizmit.

Struktura psikologjike

Përparësi, për të cilin edhe shquhet proza e tij, ka introspeksioni, i thënë më qartë, retrospeksioni vertikal, në thellësitë e vetëdijes dhe të pavetëdijes, prej fëmijërisë, ose, pikës ku është zanafilla e problemit, e goditjes për të paraqitur sa më gjerësisht pasojat e saj. Me përshkrime të përkora psikologjike shpërfaqen gjendje njerëzore nga më të larmishmet dhe të skajshme: normale, euforike, të kënaqësisë prej seksit, dëshpërim nga humbja e kuptimit dhe e dëshirës për të jetuar, dehje me pije alkoolike për kënaqësi, për të përhumbur dëshpërimin, gjendje ankthi dhe makthi, onirike, vegime, shajni, kllapi, haluçinacione. Zbulimi i botës njerëzore, në rrafshe të tilla, të mbivendosur e të nënvendosur, e radhit Fatos Kongolin ndër mjeshtrit e prozës shqipe, psikologjike dhe psikanalitike.

Struktura psikologjike realiste, nga pasoja te shkaku, dhe, e kundërta, nga shkaku te pasoja, me kompozicion të rregullt, është konstante e përhershme, makrostruktura e përgjithshme në të cilën mbarështrohen edhe strukturat: moderne e moderniste, frojdiste, mitike e legjendare.

Struktura frojdiste

Kompleksi i Edipit, herë i të atit, autoritar «imperial», imponues, herë i nënës së adhuruar, me shembëlltyrën e së cilës vlerësohet çdo femër, kompleksi obsesion i seksit, tërheqja e përhershme ndaj tij në të cilin fshehet  kuptimi i jetës dhe gjendet kënaqësia e vetme, kompleksi i fajit të gabimit e të mëkatit, i vuajtjes dhe pendesës, që përshkojnë historitë rrëfyese të heronjve, sikurse dyzimi e tjetërsimi, përftojnë mikrostruktura, në disa raste edhe makrostruktura, frojdiste. Me anë të analizave të thella psikologjike, gjendjeve emocionale nga më të ndryshmet, sidomos përmes gjendjeve të ankthshme, derpresive, ëndrrave-kllapi, ëndrrave erotike çliruese, haluçinacioneve, shajnive e vegimeve, hijeve e fantazmave, përhumbjes dhe amnezisë ndërkalohet nga e vetëdijshmja tek e pavetëdijshmja dhe anasjellas. 

Struktura mitike e legjendare

Biografitë e heronjve përshkohen, tërësisht (Dragoi i fildishtë, Ëndrra e Damokleut), ose, pjesërisht (Kufoma, Te porta e Shën Pjetrit), edhe në struktura mitike, legjendare gojdhanore, sisteme simbolike mitike, në histori arketipike, të përsëritura në vepra të shkrimtarëve të mëdhenj europianë, të kohëve të mëparshme nëpërmjet të cilave mbivendosen domethënie të ndryshme dhe zgjerohet mjaft horizonti i pritjes. Ndërtekstorësia i lidh e i ndërfut në cilket e letërsive të tjera. Strukturat dhe simbolet mitike e legjendare janë rikuptimësuar:

Njëjtësimi me Kainin (Kufoma) vjen si pasojë e vetëfajësimit të tepruar të heroit për vëllain, që dënohet, ndonëse ndaj tij nuk ka pasur faj.

Shpata e Damokleut është shndërruar në Shpata e Mëkateve dhe Ëndrra e Damokleut, me domethien e të vërtetës së përmbysur dhe të kalimit të fajit mbi tjetrin. (Ëndrra e Damokleut).

Guri i Sizifit (Te porta e Shën Pjetrit), gjedhja sizifiane e ekzistencës mishëron mundimin e madh prej drojës, për të shqiptuar të fshehtën më të thellë, në këtë rast, dashurinë tepër pasionante.

 Legjenda për Aleksandrin e Madh të lashtësisë, që i kërkon dorën e të bijës mbretit të Lindjes të mundur prej tij, është në kontrast me heroin bashkëkohor në Kinën e censurës, që nuk i a shtrin askush dorën (Dragoi i fildishtë).

Simbolika e re dragoi i fildishtë, në përputhje edhe me tematikën dhe brendinë, është ndër të paktat e këtij lloji në letërsinë shqipe me prejardhje nga mitologjia dhe kultura kineze. Prej zbërthimit të figurave saj bija, në pika të ndryshme të ligjërimit përsijatës, çlirohen me doza të kursyera domethëniet e miteve, të ndryra në koracën e mbyllur të traditës historike dhe të censurës. 

Mjedisi nuk i pranon të huajt në brendësi të vet. Heroi, student shqiptar, i ndodhur mes kulturës së lashtë e të pasur, gati, përrallore, nuk e gjen askund çelësin për të hyrë, sadopak, në të. Në monologun e tij, në shajni e ëndërra, ndeshet si në mite, me statuetën e dragoit të gdhendur në fildish për ta detyruar të nxjerë thesarin e fshehur, t’i shtrijë dorën e pranimit të miqësisë, analogji edhe me botën shqiptare të censuruar të asaj periudhe. Ankthi i përhershëm i vjen nga pamundësia e komunikimit dhe e zbulimit të fshehtësive qeniesore, njerëzore dhe erotike. Edhe vajza, thesari e perla, që kërkonte mes thesareve të mëdha kineze, kur i hap portën e dashurisë, nuk i hap zemrën. Pas ndonjë veprimi erotik pranues, me dhimbjen në fytyrë për humbjen e përjetshme, me fjalë shqipton vetëm pamundësinë e kurorëzimit.

 Figura të tjera, të mitologjisë shqiptare: hije, lugat, xhind, Shpirti i Keq, si dhe ciklopi, përvijojnë mikrostruktura dhe sisteme mikrostrukturash, që përcjellin dinamizmin mendimor rrëfimtar në makrostrukturat e përgjithshme.

Me origjinalizmin, rrjedhshmërinë emocionalizuese të rrëfimit në përngjasim me ligjërim e përditshmërisë, të ngritur në rrafshin psikologjik e psikanalitik, shoqëror e moral, diku filozofik, estetik e letrar, romanet e Fatos Kongolit, ndër më të lexueshmit në këto tridhjetë vjet, janë mirëpritur edhe nga lexues në gjuhë të tjera. Romane të tij janë botuar në 11 gjuhë të tjera: frëngjisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, greqisht, anglisht, polonisht, sllovakisht, serbisht, bullgarisht, esperanto, disa dhe me ribotim, shoqëruar me kritika vlerësuese.

Tiranë, shkurt- shtator, 2021    


[1]Iluzione në sirtar, pothuajse roman- për vetveten, Toena, 2010, faqe 166-167.

[2]Iluzione në sirtar, faqe 158.

Exit mobile version