Qenia letrare e gjithë brezave, që erdhën në vitet 1960 e më pas, ka në vetvete ndikimin e madh të veprës dhe të personalitetit të Ismail Kadaresë, të cilat ishin gjedhja më e lartë për ambicien e çdo shkrimtari të ri. Në atë kohë varfërie lëndore e kulturore, me përjashtim të ideologjisë së tepërt, dhe në rrethanat e mbylljes shoqërore, letërsia ishte arti më i përhapur, të cilin mund ta merrje, madje, dhe ta gjeje, thuajse, kudo në qytet dhe në fshat. Kështu, sytë ishin te shkrimtari dhe letërsia. Prej tij prisnin kënaqësinë, që rrallë e gjenin, p.sh., në filma. Për këtë rol intelektual e shpirtëror vlerësohej dhe respektohej shumë, deri në adhurim nga të pasionuarit. Adhurohej Petro Marko, shkrimtar dhe veprimtar hero i luftës, çmohej Dritëro Agolli e Fatos Arapi, por atë çfarë ëndërronin të bëheshin shkrimtarët e rinj mishërohej tërësisht te Kadareja. Kush nuk dëshironte ta dëgjonte, jo aq në konferenca, se sa në biseda të zakonshme. Si fliste, ç’gjeste bënte, si vishej, fliste gjithmonë për letërsinë, apo, edhe për rëndomësitë e jetës? Prandaj, sa shfaqej diku, dikush a disa e ndiqnin prapa për ta parë e dëgjuar. E, të kishe mundësi, vërtet fatin, të dilje shetitje me të, në mbrëmje, sikurse dilte ai në Shetitoren e Kombit, ishe bërë vetiu i rëndësishëm, «i magjizuar» për shokët e shoqet, të cilët, ato që kishin dëgjuar prej teje, u a përcillin të tjerëve gojë më gojë, me shtesa e përshtatje sipas pëlqimeve te tyre.
Ishim një treshe e pandarë me Petro Çekrezin dhe Foto Malon, të dy gjirokastritë. Petrua ishte poet me ndjeshmëri të hollë lirike, edhe se lexonte në rusisht, degë për të cilën studionte, edhe në greqisht. Foto Malo ishte poet, që besohej me të ardhme. Nëpërmjet atyre, që kishin mundur të hynin, sado rastësisht, në “rrethin e tij” të dëgjimit, ndiqnim se ç’thoshte e ç’bënte Kadareja, për t’a përngjasuar në gjeste e të thëna. Petrua ishte i shkathët. Kishte gjetur mundësinë t’i thoshte kush ishte, se ishte nga Gjirokastra dhe studionte për gjuhë ruse, dy të dhëna intimizuese me të. Dhe ishte lumturuar, që kishte ecur në shetitore me të, dhe ne e pamë, që kishte pasur mundësi të bisedonte në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve (atëherë shtëpia vilë e Musa Jukës). Diçka prej “lumturimit” të tij sikur na ra në fytyrë edhe ne, shokëve të ngushtë.
Cikli i Ligjëratave të tij për letërsinë “dekadente” ka qenë ngjarje e pa të dytë. Sillte erë Perëndimi, lirie, që, për ne, thjeshtëzohej, të shkruash ashtu si mendon, e kundërta e asaj që jetonim. Për një shprehje të pa kontrolluar, le të ishte dhe me gojë, bëheshe objekt kritikash në organizatën e rinisë. Shkonim për të dëgjuar kritikën, dhe merrnim vesh ç’ndodhte përtej murit, si ishte letërsia. Auditori i madh i katit të dytë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në të cilin ishin edhe degët e gjuhëve të thuaja, mbushej përplot me studentë nga të gjitha degët. Kursi ynë e kishte orë mësimi në programin e lëndës, prandaj rrinim ulur, të tjerët në këmbë, nga fundi i sallës majë tryezave dhe të dy portat të hapura me mesoret mbushur me studentë, që zgjasnin qafën për të parë. Natyrisht, “dekadentët”, sidomos ata francezë e rusë «revizionistë», i kritikonte, ndonëse, me fjalë të përgjithshme etiketuese. Mirëpo, mënyra e paraqitjes, ishte e stërholluar, një lloj arsyetimi sofistik, që jepte efektin e kundërt të qëllimit. Ne na pëlqenin mendimet e bëmat e personazheve, p.sh., dialogjet e monologjet e dramve, bie fjala, të Beketit, ndiqnim me vëmendje citimet e vargjeve të poezive, të cilat i mbanim shënim, disa i mësonim përmendësh për t’i recituar me shokë sipas gjendjes sonë psikologjike dhe situatave studentore.
Ndryshe nga perceptimi im adhurues, në rini dhe vite më vonë, kur fillova punë në gazetën Drita, me Kadarenë jemi parë “me hënë jashtë”. Nuk kishte ndonjë shkak të njëmendët, as prej tij dhe as prej meje. Shkaku ishte jashtë nesh, kryeredaktori, që, e godiste, me metoda tinëzare nëpërmjet gazetës, dhe fshihej. Unë nuk kisha ndonjë rëndësi, që, ai, të merrej me mua. Por, detyra ime e redaktorit të kritikës letrare, që organizoja dhe përgatisja rubrikën, më jepte një lloj rëndësie. Prej meje kalonin edhe shkrimet për veprat e tij, me lavdërime, me kritika, herë-herë të hidhura a me vlerësime të cunguara me paramendim. Në se për veprat e autorëve të tjerë kisha të drejtën e porositjes së shkrimit, për Kadarenë, dhe për ndonjë vepër që ishte “e shkarë” merrej kryeredaktori, i cili këshillohej me Drejtorinë e Shtypit dhe me kryetarin e Lidhjes. Të porositurit i shpjegoja kërkesën “pako të gatshme” nga kryeredaktori dhe numrin e faqeve daktilografike të shkrimit. Mirëpo, disa herë kryesia e Lidhjes dhe Drejtoria e Shtypit, ishin ankuar, se vlerësimi a kritika qenë të pamjaftueshme, dhe e kundërta, të tepruara. Ngado të shkonte kahja, kryeredaktori, i a hidhte fajin redaktorit. Kryesia nuk e shtynte më tutje. Kadareja e merrte për të mirëqenë. Kritikuesi a gjymtuesi isha unë. Veç vërejtjeve të shpeshta nga lart dhe nga kryesia, pikërisht, për një vepër të tij, më dhanë edhe vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna, të shënuar në kartën e regjistrimit, në biografi. Vetëm për Pashallarët e kuq/ Në mesditë Byroja Politike u mblodh, e hodha pa u lagur. Isha kundër botimit.
Keqkuptimi u hoq me ndërhyrjen e dy kolegëve miq, që e dinin situatën. Në një bisedë në shtëpinë e tij (e para herë, që hyja në atë shtëpi dhe bisedoja me të) i a sqarova si ishte e vërteta. Që të bindej më bëri pyetje.
Iku keqkuptimi, por ai, kishte të drejtë për një lloj mërie ndaj meje. Sa kohë punova te Drita kam shkruar vetëm një shkrim për librat e tij: Autobiografia e popullit në vargje, botim i dytë, dhe për asnjë roman (në ato vite kanë dalë: Pallati i Ëndrrave, Prilli i thyer, Ura me tri harqe, Muzgu i perëndive të stepës, Kush e solli Doruntinën).
Isha mes kundërshtish. Romanet e tij të rëndësishëm ishin të ndërlikuar, me shprehësi të shtresëzuara, me poetika të ndryshme, të cilat, me formimin e atëhershëm teoriko-letrar, nuk mund të interpretoheshin në shkallaren, që meritonin. Nga ana tjetër, ata gjithmonë kishin domethënie tej cakut të lejueshëm, sikurse dihet, qëndrime të kundërta politike dhe përftesa moderniste. Të shkruaje për to ishte me rrezik për kritikun, dhe rrezik akuze për autorin. Gjithashtu, ishte mendimi dhe praktika, që shkrimtarët e kritikët, punonjës në Lidhje dhe në organet e saj, mos të shkruanin për njëri tjetrin, se ngjante si personalizim i tyre, dhe servilizëm ndaj drejtuesve. Me që për vete nuk e pranoj shëmtimin e servilizmit, ky qëndrim i përshtatej natyrës sime.
Ditën që kërkoi strehim politik (tetor, 1990), në Francë, e morëm vesh fillimisht nga Zëri i Amerikës. Radio-Televizioni Shqiptar dhe gazetat dhanë formulimin zyrtar, duke e cilësuar “tradhëti”. Jehona te rinia dhe mijëra të tjerë ishte e jashtëzakonshme. Besonin, se qëndrimi i tij do të ndihmonte në rrugëzgjidhjen e situatës politike, që vërtitej në rreth të mbyllur. Pati të tjerë që ishin të bindur se “tradhëtoi”, se me kohë kishte qenë “agjent” i Perëndimit.
U fol atej këtej, se do të hiqej nga programet shkollore. Tepër irrituese. Do të hapej një humnerë në letërsi dhe në përjetimin shpirtëror të shqiptarëve. Me që isha pedagogu i lëndës Letërsi shqipe bashkëkohore, në Universitetin e Tiranës, më thanë kinse rastësisht e shkarazi, që do të hiqej nga programi universitar. Shpreha habi e kundërshtim. Mendimi m’u shpreh edhe në departament në një gjysëm mbledhje, ku “qëlloi” të ishin disa kolegë. Përsëri shpreha habinë time të njëmendët dhe kundërshtimin me argumente. U bëra trim! E kisha vendosur me veten time, në se vërtet do të hiqej nga programi, do të largohesha nga universiteti. Në ecurinë e programit të lëndës, tetor-nëntor, ishin muajt që zhvilloja në auditor, pikërisht, veprat e tij. Prisja me ankth. Nuk e di çfarë ngjau në hierarki. Vazhdova ligjëratat dhe seminaret të plotë. Interesimi i studentëve, afrimi dhe intimizimi i tyre ishte si asnjëherë. Kam hamendësuar, se informacionet, që shkonin lart, tregonin, sikurse ka qenë, mbështetjen e madhe të mbarë rinisë studentore për qëndrimin e Kadaresë. Atëherë kishte studentë veprues përkadareanë, më të dalluarit, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, ishin Blendi Fevziu, Ben Blushi, etj. Nëpër auditore, në mure e banga, në mesore e në muret e jashtme të ndërtesës së fakultetit shkruhej dhe gdhendej emri i tij, edhe në anglisht, me ndonjë epitet.
Bisedat e çpenguara janë prej vitit 1992, në kohën e mendimit të lirë, pasi u kthye prej strehimit politik në Francë. Më parë, nën censurë, me sa kam vërejtur, ai shoqërohej e bisedonte hapur jo me shumë shkrimtarë, me të besuarit. Rrjetin e spiunimit e ndjente së largu, dhe ruhej. Tanimë, janë botuar qindra letra denoncuese për të, me emër dhe pa emër. Pas rënies së sistemit mbikqyrës, sidomos në vitet e para të pluralizmit, shtëpia e tij te Rruga e Dibrës ishte kthyer në një Sallon Kulture, që Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë. Hynin e dilnin, gjatë gjithë ditës, prej orës 10.00-11.00 të paraditës deri në orët e vona të natës, shkrimtarë, artistë të çdo fushe, regjisorë, aktorë, kameramanë, gazetarë, profesorë, akademikë, ingjinierë, arkitektë, mjekë, deputetë, politikanë nga Shqipëria, Kosova e troje të tjera shqiptare, gazetarë e kineastë të huaj. Sipas përbërjes së grupeve, edhe bisedat ishin të fushave nga më të ndryshmet. Zotëronin bisedat, informacionet, debatet për politikën, politikanët e deputetët, për qëndrime dhe hollësi groteske të bëmave të tyre, thashetheme komike, për funksionin e institucioneve kulturore, klanet, redaksitë e gazetave dhe televizioneve. Kur vinin gazetarë për ta intervistuar kalonte në dhomën tjetër, nga Jugu, ku ishte biblioteka. Me ata që donte të bënte bisedë të qetë u thoshte:
– Eja në këtë, ose, në atë orë, se ka më pak njerëz.
Sikur, edhe disa ditë të ishin regjistruar të filmuara, do të ishte një lloj arkivi i gjallë me portretin e tërë atyre shkrimtarëve dhe artistëve, intelektualëve, politikanëve dhe deputetëve, me mendimet dhe debatet mes tyre, të njëmendëta e të papërsëritshme.
Më ka befasuar mirëbesimi i tij i sinqertë. Në fillimvitet 1990 i kërkova, mundësisht, të hulumtoja në bibliotekën e shtëpisë botimet e veprave të tij në gjuhë të huaja.
– T’i shikosh, më tha, por jo tani, se ka shumë hyrje e dalje. Kur ne të shkojmë në Francë punon i qetë.
Thirri motrën, zonjën Kadrie dhe i la porosi.
Përse mirëbesim, madje i sinqertë. Të rrëmoja pa praninë e tij?! Biblioteka nuk është thjesht radhë librash. Është vend intim, mund të ketë dhe dokumente vetiake…
Kam punuar disa ditë. Me atë rast u njoha edhe me bibliotekën e tij. Sado kudo, krijova një mendim, se çfarë lexonte dhe pëlqente, sidomos në rusisht, frëngjisht dhe përkthime në shqip të letërsive moderne, të ndaluara në Shqipëri, botuar nga Rilindja, në Prishtinë.
Më ka befasuar edhe dashamirësia.
Në një vizitë në shtëpinë e tij, në Tiranë, pa pritur më afroi diçka, që as e kisha menduar:
– Do të të jap ca gazeta dhe revista me shkrime për veprat e mia? Ti të duhen, punon me to.
Studiuesit i u luten shkrimtarëve dhe rrallë mund të përfitojnë nga arkivi vetjak i tyre.
Vite më vonë, duke biseduar në banesën e tij në Paris, përsëri e njëjta “dhuratë”:
– Kam ca materiale me shkrime për veprat e mia, atje rrinë, kot. Po janë shumë. I merr dot? Se është me avion.
U entuziazmova. Dhe, vërtet ishin shumë.
Tiranë, 23. 01. 2021
Në foto: Çifti Kadare, studiuesi dhe kritiku Bashkim Kuçuku, dhe botuesi Bujar Budhri, në restorant Piazza, pranverë 2001