Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ballsor Hoxha: Romani “I ndërruari i shejtanit” nga Kenzaburo Oe

Ballsor Hoxha: Romani “I ndërruari i shejtanit” nga Kenzaburo Oe

Sigurisht do të ishte e pamundur të lexojmë njëri-tjetrin si kolektiv po të mos kishte diçka universale në leximet tona. Por ajo që është më me rëndësi në romanin modern e bashkëkohor është loja dhe kalimet e pamundshme, apo në dukje të pamundshme të autorëve nëpër narrativët e tyre. Idetë dhe reprezantimi i historisë në fjalë. Individualitetit dhe aq më shumë origjinarja e tyre.  

Problemi është se kalimet bashkëkohore të autorit dhe parashtrimi i narrativit janë ikje nga skema dhe ikje nga imitimi i një skeme. Kështu që krijohen fragmente dhe kuptime të cilat mbeten peng i kulturës dhe përvojës letrare të burimit të përvojës së autorit. Dhe në këtë rast burimi i narrativit të autorit Kenzaburo Oe ngjanë të jetë një paradoks i transmetimit të historisë japoneze dhe të bashkëkohores e cila megjithëse nuk thuhet eksplicit janë vetë reliket e një përvoje të rëndë e të hidhur të kësaj gjenerate të autorëve e kolektivit japonez, prej luftës së dytë botërore e deri këtu.

Mirëpo kjo nuk e skematizon narrativin e këtij romani, aq më shumë është lojë me humbjen e pakthim të personazhit të vetëvrarë Goro, qysh në fillim të romanit. Gjë që e sjellë dhe e shtjellon një gjuhë brenda narrativit e cila nuk ka një ndarje ndërmjet infantiles, historisë serioze dhe bashkëkohores së narrativit të këtij romani.

Është shumë vështirë që të gjendet një spirancë kuptimi, apo ideje në romanin e Kenzaburo Oe “I ndërruari i shejtanit”, spirancë që do ta ateronte po të njëjtën në njohurinë tone të përgjithshme në botëkuptimin tonë.

Megjithëse kuptimi logjik dhe kuptimi narrativ nuk janë tejet të vështirë për t’u kapur nga lexuesi i kujdesshëm, ai është krejtësisht i mishëruar në stratat e reminishencës së personazhit kryesor Kogito në këtë roman.

I tërë romani është një jetë matanë, apo, në këtë komplikim e sipër, pra këtë anë të vetëvrasjes së personazhit Goro, si për personazhin kryesor Kogito, po ashtu edhe për personazhen Çikashi, bashkëshorte e Kogitos dhe motër e personazhit të vetëvrarë Goro.

Është një arritje përderisa romani fillon me vetëvrasjen e Goros, dhe gjatë tërë kohës ai është prezent dhe në veprim, qoftë përmes reminishencës dhe qoftë përmes kujtimeve të skalitura dhe të ngjallura përmes personazheve që kanë jetuar ndaj tij.

Romani fillon me një ide të personazhit të vetëvrarë Goro, për shpirtin, ashtu që sipas tij shpirti është një “shtjellë e cila lirohet nga trupi dhe në këtë merr me vete apo thënë më saktë hyn në tërë atë që ishte jeta e tij dhe pastaj shfaqet si hije e po të njëjtit kotekst ku ka jetuar”.  Dhe në përfundim të po të njëjtit roman shtjellohet një përrallë fëmijësh ku fëmija i përrallës që duhet të jetë nën kujdes të tjetrit zhduket – në anën tjetër – në një mënyrë përpihet nga hijet.

Këto dy momente ruajnë universin infantil të të shpjeguarit të – anës matanë – të të vetëvrarit, apo thënë në përgjithësim janë shtyllat e shprehjes së humbjes tragjike të personit të dashur.

Megjithëse romani përmban ngjarje e shtjellon histori të rënda të pas luftës botërore, pas arritjes së amerikanëve në Japoni, dhe situata tjera të rënda, ai është brenda këtyre dy shtyllave krejtësisht infantile të të trajtuarit të humbjes së përhershme që pësojnë të afërmit e të vetëvrarit Goro.

E thënë kjo, do të thotë se kemi të bëjmë me një shprehje, një metaforë dhe një narrativ krejtësisht të kamufluar në gjuhën mjeshtërore të autorit. Këtu qëndron dhe problemi i leximit të këtij narrativi dhe të kuptuarit apo qoftë edhe të hamendësuarit të kësaj reminishence krejtësisht spontane dhe me ekstreme të jetës tërësisht të përfshirë në politikën e pasluftës dhe të historisë së rëndë japoneze.

Gjuha, dhe shprehja e narrativit të romanit “I ndërruari i djallit” është në të vërtetë lojë ironie, ironike me historinë dhe politikën japoneze, derisa i tërë narrativi është i fundosur në një reminishencë krejtësisht vetëdijshëm të ndërthurur nëpër stratat e jetës së kaluar të dy personazheve Kogito dhe Goro.

Është shumë e njohur që Japonia kishte një histori krejtësisht të zhytur në korrupsion dhe varfëri e mizerje. Mirëpo autori Oe e zbulon këtë, e trajton dhe e vendos përbrenda një reminishence të një historie personale me të vetëvrarin Goro. Zanafilla e tërë kësaj historie duke qenë një akt homoseksual me jo më pak se një  luftëtar nacionalist japonez të viteve 40 – 50 dhe të një ushtari amerikan homoseksual.

Problemi i leximit në shqip, shqipërimit të këtij autori e të tjerëve është se gjuha e Kenzaburo Oe është tërësisht e kamufluar në një reminishencë intime e cila nëpërmjet këtij intimiteti depërton në momente historike të Japonisë, dhe deri në bashkëkohore, duke shpërfaqur një naivitet krejtësisht të pakapshëm derisa autori penetron në këto fragmente të historisë së Japonisë.

Andaj toni dhe ngjyra e të rrëfyerit në këtë roman janë krejtësisht të paparashikueshme dhe aq më shumë të papërcaktuara. Janë kuptimi i një intimiteti krejtësisht banal i cili hyn dhe depërton në të gjitha stratat e kolektivit japonez.

Dy shtyllat e lartcekura, të – anës matanë – dhe shtyllës tjetër të shpërfaqjes së infantiles në një të ndërruar të djallit, të fëmijës dhe fëmijërisë, janë në të vërtetë lamenti për një njeri të humbur i cili ka vuajtur tërë jetën e tij incidentin e lartcekur homoseksual. Një metaforë për brishtësinë e kësaj gjenerate e cila vuajti një histori krejtësisht të pakapshme në paradokset e veta.

Andaj në këtë roman, duhet pasur parasysh shtresat reale të historisë japoneze, që nga lufta e dytë botërore, kalimi në shoqëri moderne, e më tutje në melankolinë, brishtësinë dhe pandihmëshmërinë e kësaj gjenerate e cila një herë, apo disa herë humbi të tërën dhe ende jeton, qoftë si relikt veten e mbetur si hije e një djalli të ndërruar në mes hijeve të asaj ane.

Exit mobile version