Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ballsor Hoxha: Rituali i luftës shkrimtar – tirani

Ballsor Hoxha: Rituali i luftës shkrimtar – tirani

Romani “Parij” – Eric Faye, Botoi BUZUKU

Ka një humanizëm në artin dhe letërsinë postmoderne, që përmes asaj që njihet si Pastich, e që është performatorizim i një modeli të letërsisë, rikthen dhe e bën të gjallë modelin, stilin, apo letërsinë e shkrimtarit të cilit i qaset.

Eric Faye njohës shumë i njohur i letërsisë së Kadaresë, në romanin e tij “Parij” arrin të performojë letërsinë Kadareane me mjaft besueshmëri, përmes disa prej karakteristikave më të thella të njohura të saj. Në të vërtetë Faye ka zgjedhur të luajë në letërsinë e tij karakterin e psikologjisë (Shekspiriane) të letërsisë së Kadaresë; gjithashtu në këtë roman zhvillohet me shumë sukses edhe grotesku Kadarean (ndërsa Kadare është i njohur për këtë si influencë nga Kafka dhe shkrimtari rus Gogol); dhe aq më shumë Eric Faye është tejet i suksesshëm në ndërtimin e trillit të drithërimës politike, të skenarëve dhe të dramave të politikave të larta në të cilat Kadare ishte unik dhe tejet i arrirë. Dhe aq më shumë të Kafkianes së individit të marrë nga absurdi i tiranisë së pushteti shumë të njohur në letërsinë Kadareane.

Ngjarja në romanin e Faye zhvillohet në një Paris “rus” që njihet si Parij. Po ky Parij është i ndarë nga një mur i njëjtë si gjatë kohës së ashtuquajtur Perdja e Hekurt të vetë qytetit të Berlinit, ndërmjet anës së demokracisë dhe të tiranisë komuniste. Gjë që është një ide unike dhe tejet interesante e këtij autori. Në të vërtetë kjo zhvendosje shpjegohet në hyrjen e veprës së Faye nga vetë autori si ide mbi zhvendosjen, ndryshimin dhe krijimin e një historie imagjinare, të cilën ai e shpjegon si – ukroni, që do të thotë imagjinatë mbi atë se si do të mund të ishte një shoqëri!

Kjo zhvendosje në të vërtetë, edhe pse nuk është e ndërdijshme, na shfaq në një dritë të dukshme dhe lehtë të pranueshme por edhe të paimagjinueshme për Perëndimorët e Evropës, tërë atë që ka ndodhur në këtë kohë të Perdes së Hekurt të civilizimit. Në të vërtetë me zhvendosjen e këtij kufiri, ne që nuk e jetuam Shqipërinë e tiranisë komuniste, as Berlinin dhe Bashkimin Sovjetik, dhe të kësaj hapësire, ne sikur e ndiejmë më reale dhe më afër lëkurës dhe frymës sonë këtë çnjerëzi. Gjë që do të thotë se kalimi i një tiranie në një reale të imagjinuar, në të vërtetë e bën shumë më të vërtetë vetë këtë tirani për atë që nuk e ka përjetuar të njëjtën.

Më tutje ky roman i autorit Faye është një “Dr Jekyll dhe Mr Hyde” i Stevenson sipas bashkëkohësisë sonë, apo një ritual i përhershëm, ndërmjet shkrimtarit/personazhit të quajtur Morvan, i cili është i ndërtuar në bazë të ritualit të raportit – të shkrimtarit të madh brenda këtyre tiranive siç ishin Boris Paternak me Stalinin e Bashkimit Sovjetik, dhe të Ismail Kadaresë me Hoxhën e Shqipërisë Komuniste – dhe të hijes së tyre, Sigurimit shtetëror, e që këtu është personifikuar në një agjent të emëruar në këtë roman si Nervin.

Ngjarja e romanit është një lojë e përndjekjes së agjentit Nervin të çdo të bëre dhe çdo hapi e edhe të korrespodencës shkrimtarit Morvan, ku i tërë sistemi tiranik dhe i diktaturës është i vënë në alarm për të kapur tërë atë që shkruan po ky shkrimtar, e sidomos atë që nuk e ka të botuar. Në të vërtetë këtu fillon dhe tërë ngjarja e romanit ndërsa agjenti Nervin e kap një korrespondencë të shkrimtarit, dhe me këtë për vite të tëra e përcjell Morvan shkrimtarin, duke qenë se është një prej rreziqeve më të mëdha të këtij sistemi duke qenë se ky shkrimtar me pushtetin e tij global artistik dhe autorial që e ka mund të zbulojë tërë atë që në të vërtetë është publike dhe e publikuar në përmasa ditore!

Mirëpo kjo përndjekje në romanin “Parij”, duke performuar tërë kohën karakteristikat e letërsisë Kadareane brenda tij, gjatë depërtimit tejet të thellë psikologjik të të ligës që e përfshin deri në palcë agjentin Nervin, të cilit i është caktuar të zbulojë çdo gjë që ka të bëjë me shkrimtarin Morvan, e posaçërisht me veprat e tij të pabotuara, ka një krijim tejet interesant të Faye, ndërsa po i njëjti agjent i diktaturës “Lindore” kalon kufirin e personit të tij në një të depersonalizuar, aq më shumë në skizofreni. Me kalimin e kohës, agjenti Nervin fillon të xhelozojë shkrimtarin dhe korrespondencën e tij me një grua tejet të bukur (megjithëse vetë është një person aseksual në këtë aspekt). Sa më shumë që përfshihet agjenti i sigurimit ai aq më shumë vuan jetën e shkrimtarit të cilin e kërcënon vetë ai, dhe aq më shumë fillon ta dojë jetën e tij, dhe në fund edhe të ndihmojë në procesin e ruajtjes së veprës së shkrimtarit Morvan.

Në anën tjetër, shfaqet një groteskë gjigante në artin e saj dhe aq më shumë në përmasën e saj, megjithëse jo dhe aq thellë e ndërtuar apo përcjellë gjatë narrativit, meqenëse narrativi orientohet diku tjetër. Fjala është që lumit Sena të Parij të Faye, këtij që jeton i ndarë po sikur Berlini i Perdes së Hekurt, t’i ndryshohet kahja dhe me këtë që, gjithnjë sipas Numrit Një, Stalinit të këtij Parij, të merret tërë qyteti nën pushtetin e po të njëjtit. Aq më shumë dërgohen punëtorë të mjerë, mblidhen qytetarët e pjesës lindore, dhe në anën tjetër kemi qytetarët e pjesës perëndimore të cilët vëzhgojnë si çudi të radhës po këtë fenomen. Në të vërtetë, autori e komplekson këtë groteskë gjigante duke e ndërthurur atë me përpjekjen dhe qëllimin e pushtetit e që është ndërtimi i një mauzoleu të varrezës së Numrit Një të Parij lindor.

Autori me mjeshtëri krijon deziluzionimin e të gjithëve, prej pushtetit, e deri tek lexuesi, kur me gjetjen e dorëshkrimit të shkrimtarit (që e quajtëm ritual i pushtetit me shkrimtarin kundërshtar të tij, si Pasternak dhe Kadare) së pari, shohim se po i njëjti ka shkruar në kodet e tij personale dhe ai është i padeshifrueshëm. E më pastaj kur edhe muri ka rënë dhe njerëzit kanë filluar të jetojnë një jetë, për të cilën shkrimtari Morvan nuk është i bindur se është më e mira mundësi, kur edhe gjendet po i njëjti dorëshkrim në liri, kuptojmë në dialogun e shkrimtarit me ish-të dashurën e tij, se dorëshkrimi nuk ka qenë asnjë fshehtësi tjetër përpos përpjekje për të ruajtur dhe dëshmuar ndaj vetvetes njerëzinë personale përmes një dorëshkrimi të marrëdhënies që e ka pasur Morvan me këtë grua. E që në të vërtetë është dëshmi e jetës së tij personale, pra asaj që e ka bërë gjatë tiranisë së diktaturës.

Romani postmodern i Eric Faye “Parij” është një përpjekje shumë interesante e ngërthimit të karakterit të Boris Pasternak dhe të Ismail Kadaresë, apo e zhvillimit dhe të hetimit të ritualit të pushtetit tiranik me shkrimtarin e njohur dhe kundërshtar të saj. Në të vërtetë pikërisht kjo e shfaq madhështinë, artin por edhe mallkimin e një shkrimtari siç është Kadare, të jetosh nën një tirani e të mos i bindesh po të njëjtës, të krijosh një art kundër kësaj tiranie dhe aq më shumë ta shfaqësh si bishë që është, dhe po ashtu, ta jetosh këtë tirani nën mallkimin e pamundësisë së arritjes së plotë dhe të menduar të shkrimtarit ndaj një pjese të madhe të globit e cila as nuk mund ta imagjinojë këtë mënyrë letërsie dhe arti dhe mallkimi.

Këtu dhe shfaqet humanizmi dhe arti i Faye kur ai e zhvendos po të njëjtën në një skenë të njohur për këtë pjesë të globit të papërfshirë dhe të papërvojë në këtë lloj tiranie. Andaj, duke iu kthyer kësaj zhvendosjeje, dhe aq më shumë projektimit të kësaj tragjedie globale dhe të këtij mallkimi të gjatë, shumë të gjatë në një pjesë të madhe të njerëzimit, shfaqet dhe në të njëjtën kohë zbulohet si tirania e diktaturës Staliniste dhe e Hoxhës, por edhe tirania e lirisë së jetës e cila jetohej në Perëndim ndërsa tiranizohej një pjesë e madhe e Evropës, së paku.

Në këtë postmodernizëm të Eric Faye si autor i “Parij” të robëruar nga tirania komuniste, ai dialogon me veprat kryesore të këtyre shkrimtarëve. Aq më shumë e shohim Kadarenë në arkivat e shtetit të Shqipërisë komuniste, duke hetuar dialogët e të “mëdhenjve” të Shqipërisë komunniste gjatë shkëputjes nga Traktati i Varshavës, gjegjësisht armiqësimit me Bashkimin Sovjetik. Aq më shumë këtu, në të njëjtën skenë ndodh dhe një dialog i shkrimtarit (ritual i raportit tirani-shkrimtar) me vetë Hoxhën. Në këtë e shohim Kadarenë, në personazhin e Morvanit duke u munduar jo aq shumë për jetën e tij sa për pasionin e letërsisë së tij, jo që nuk është në rrezik, por aq më shumë është në rrezik të të rënies në shkrimtar të oborrit të tiranisë së Hoxhës. Në të vërtetë në një pjesë të madhe të monologëve të tij ne e shohim atë gjithnjë duke u përpjekur që të ruajë më parë nderin e më pastaj edhe rrezikun që i kanoset në çdo hap të tij. Por këtë herë nën mjeshtërinë postmoderne të Faye në romanin e tij. Këtë herë nga një palë sy prej jashtë këtij ferri dhe humnere të tiranisë komuniste që përjetuan të gjithë këta njerëz e posaçërisht këta shkrimtarë.

Exit mobile version