Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ballsor Hoxha: “Ngjizja e papërlyeme” si epiqendër e një dhune kolektive

Ballsor Hoxha: “Ngjizja e papërlyeme” si epiqendër e një dhune kolektive

Le të pyetemi si ndodh që në prag të zanafillës së një shtjelle të dhunës globale, të njeriut ndaj njeriut, shpërfaqet një roman si ky i Agron Tufës “Ngjizja e papërlyeme”? Mos ndoshta letërsia dhe marrëdhëniet aktuale njerëzore janë dy kahe të njerëzimit? Mos ndoshta letërsia guxon të ngreh krye edhe në këso konstelacione, apo aq më shumë mos ndoshta në të vërtetë letërsia pakontrollueshëm hapet si një zonë e shpirtërores për të gjetur një kuptim e mirëkuptim ndërnjerëzor.

Si të lexohet letërsia në kohë të luftës, posaçërisht letërsia dhe njerëzorja e një shoqërie si Rusia, derisa aktualisht ajo është armiku numër një i tërë rruzullit. Derisa shoqëria ruse është filli i një shtjelle globale të dhunës së njeriut ndaj njeriut?

Nëse bota është në luftë, nëse agresioni i Rusisë në Ukrainë është një shtjellë katastrofe në botë, si mund të shkruhet, të lexohet e të ekspozohet një roman si ai “Ngjizja e papërlyeme” i Agron Tufës. Roman që flet për përzënien, dhunimin dhe vrasjen e qytetarëve rus në Shqipërinë e viteve gjashtëdhjetë. Një konflikt në vete, konflikt ndërmjet letërsisë dhe aktualitetit. Të çmosh njerëzinë, dhe fisnikërinë e grave ruse, të çmosh dashurinë e tyre të pathyeshme, derisa i tërë shteti rus në aktualitet ka nxitur një botë të tërë kundër vetes, me jo më pak se me masakra dhe krime kundër njerëzimit.

Letërsia nuk është lajm, as reagim, ajo është shpirti i pashkatërrueshëm i një kolektivi, i një historie dhe i një përvoje. Secilën herë që shfaqet në të dukshmen dhe në prezencën tonë, serioze dhe fill i shpirtërores, e pastër nga animet dhe nga konstelacionet shoqërore.

Derisa aktualja jonë është tërësisht e nxitur nga motivet personale dhe nga pazgjidhshmëria e marrëdhënieve politike dhe materiale.

Nëse në romanin “Ngjizja e papërlyeme” jemi të përballur me mizorinë shqiptare ndaj femrës ruse, aq më shumë që ato kishin braktisur vendin e tyre për një jetë në Shqipëri, kjo na sjellë para një konflikti dhe kompleksi të pazgjidhshëm të trajtimit të këtij romani në këtë kohë, derisa vetë Rusia si shtet është duke e nxitur një shtjellë të pandalshme dhune dhe lufte globale. Autori Agron Tufa ka gdhendur një femininitet rus i cili përballon çdo mizori dhe dhunë e agresion ndaj saj, ndaj qenies së saj dhe ndaj vetë njerëzisë së saj. Kjo assesi nuk mund të merret si përballje e feminines ruse me aktualen ruse, kjo është paradoksale, derisa autori Tufa penetron, hulumton dhe gdhendë universalen e një gruaje e cila jo vetëm luftoi të dy frontet e hapura në atë kohë, ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë, por edhe ishte tërë ajo që është edhe sot, një shpirt që qënieson i padyshueshëm dhe i pandryshueshëm në kohë.

Tri gratë ruse, personazhe në këtë roman, “Ngjizja e papërlyeme”, Ljuba, Olja, dhe Zineida Mihajllovna, në të vërtetë si krijesa jashtëtokësore në njerëzinë e tyre në një Shqipëri të dhunshme e të kurthuar në lojërat e spiunazhit nxisin çdo agresion dhe çdo sjellje të çmendur e të egër pikërisht ndaj tyre, dhe atë pikërisht nga aparati i sigurimit shtetëror shqiptar. Aq me mund e estetikë të hulumtuara dhe të gdhendura, ato arrijnë dhe ndërtojnë respektin e lexuesit dhe në të vërtetë varen në botën e marrë zjarr me tërë njerëzinë e tyre, dhe në të vërtetë mbeten krijesa (këtu me shumë respekt duke evituar nocionin njerëzore për to), duke qenë se kalojnë herë nga kufiri i të njerëzishmes në djallëzoren dhe herë të tjera nga kufiri i shpirtërores në njerëzoren praktike dhe të kontekstit ku ndodh ngjarja e romanit.

Kjo shpirtërore, motiv në roman dhe në përballjen e Ljubës, Oljas dhe Zineida Mihajllovna me sigurimin shqiptar, është në të vërtetë epiqendra e një zone e cila kishte filluar të hapej në shoqërinë shqiptare me dyzimin e shoqërive ruse dhe shqiptare, por që në të vërtetë kaloi në gjah shtrigash për një kohë të shkurtë.

Dhe, është tërësisht interesante se si pikërisht në këtë kohë, pa asnjë paramendim, ky roman shfaqet si rezonim shpirtëror në shoqërinë shqiptare përmes pikërisht një shtrese të damkosur njerëzore, e që është gruaja ruse në vitet gjashtëdhjetë në Shqipërinë komuniste. Kjo në të vërtetë është vetë çarja e njerëzores brenda kolektivit komunist shqiptar, çarja ndërmjet vetë njerëzores që ruan në tërë agoninë e përndjekjes dhe të dhunës ndaj njerëzores, dhe në anën tjetër përmbytjen e njerëzores në egërsinë e dhunës dhe të sigurimit.

Shkriftësia e dhunës në shoqërinë tonë

Romani “Ngjizja e paërlyeme” ngjanë në një roman paradoksal i cili fillon nga aktualja e ngjarjes dhe krejtësisht si në elevacione të dhembjes/të vërtetës, dhe krejtësisht paradoksalisht hipë – thellohet në zona edhe më të rënda, më serioze dhe më të papërmbajtshme, për të rënë më thellë në kohë, e mbi të vërtetën e aktuales së romanit, dhe prapë duke krijuar lidhjen dhe tërë historinë e një dhunë të papërmbajtur dhe të egër ndaj njëri tjetrit.

Për ta bërë më të thjeshtë romani tri katër zona/faza të historisë së dhunës, jo vetëm ndaj këtyre grave ruse, por edhe ndaj vetë shpirtërores në Shqipërinë komuniste:

1. shpëtimin e një filli të patretshëm, të pavdekshëm të shpirtërores, njerëzores – në aktualen tonë

2. hapjen e kutisë së Pandorës me fillimin e gjahut ndaj grave ruse – vetë shpërfaqjen e shpirtërores në vitet gjashtëdhjetë të Shqipërisë – historinë e këtij gjahu

3. përmbylljen e fatit shqiptar në një dhunë vicioze me masakrat e masave të tëra të shoqërisë shqiptare, dhe atë ndaj njëra tjetrës në fund të luftës së dytë botërore.

Por autori Tufa, për të zhvilluar tutje paradoksin, jo (vetëm) të ndonjë eksperimentimi teknik apo letrar, ndërton kanalet/tunelet e ndërthurjes së kësaj dhune, këto tunele/zona duke u ndërthurur dhe duke mbirë mbi stratat e njëra tjetrës.

Dhe aq më shumë këto duke u dhënë nga izolimi i tmerrshëm i çdonjërit nga bartësit e kësaj tragjedie në vetminë e tyre, mbyllur po sikur Raskolnikov i Dostojevskit në tragjedinë e tyre, duke e kaluar ngjarjen e romanit në monologjet e tmerrshme të njerëzve të zaptuar nga sigurimi shtetëror i Shqipërisë komuniste të viteve gjashtëdhjetë.

Në të vërtetë për sa u përmend Raskolnikov, duhet cekur se autori Tufa i bën respektin e duhur edhe Ana Kareninës së Tolstoit përmes romanit të parë brenda kësaj tetralogjie përmes izolimit të personazhes Ljuba në dhunën totale që hapet si krater i pafundësisë së të ligës njerëzore.

Sidoqoftë, duke u bartur nëpër këto zona, e tunele të historisë së dhunës shqiptare, jo më vetëm ndaj grave ruse, por të të gjithëve kundër të gjithëve, ne kalojmë tërë historinë e këtij rrethi vicioz i cili ka nxënë përfund një shoqëri të tërë nën masakrat e çnjerëzoren e fundit të luftës së dytë botërore në Shqipëri.

Kalimet e Tufës si autor nëpër të gjitha stratat e historisë së kësaj dhune e deri në aktualitetin mizor të mbetjeve të relikeve dhe të vazhdimësisë së jetës janë mjeshtëri e rrallë e letërsisë shqipe, por të cilat edhe hapin pikërisht zonën e shpirëtores brenda shoqërisë sonë të cilën e cekëm në fillim të këtij punimi.

“Ngjizja”

Po të shohësh përmes strukturales së ngjarjes bërthamë të këtij romani, ngjizja e një fëmije në barkun e një gruaje (pikërisht ruse) përmes ngrënies së një romani, më saktësisht përmes zierjes dhe ngrënies së një romani), në mënyrë periferike ngjanë me përrallën e Pinokios, epiqendër e romanit, për disa famëlartë  dhe për disa famkeqe, është pikërisht dhuna, agresioni, e pamundshmja e çnjerëzores së këtij sigurimi (të shtetit të Shqipërisë), por mbi të gjitha është pandalshmëria, padyshueshmëria dhe pashkatërrueshmëria e shpirtërores së njeriut.

Në të vërtetë kjo mund të merret edhe si shpërfaqja metaforike e lindjes së një Jezusi të ri në një kataklizmë të re, moderne e gati se edhe bashkëkohore.

Me kujdes autori Tufa e përcjellë këtë ngjarje asnjëherë pa e bërë eksplozive dhe as parësore në narrativ, mirëpo gjithnjë duke e vazhduar qoftë mizorinë e qoftë mrekullinë e kësaj “ngjizje”.

“E papërlyemja”

Autori Tufa, pikërisht në kataklizmin e një shoqërie, në shkatërrimin shpirtëror, hedhë një bombë metaforike, e eksplodon pikërisht në duart e sigurimit të asaj periudhe, kështu përmes një paradoksi, të mospërlyemjes së një pamundësie të përlyej tërë atë dhunë e Sodomë e Gomorë të shoqërisë në të cilën ndodh ngjarja.

Përlyhet i tërë sistemi, i dhunës e i partisë mëmë, përmes një pamundësie të mospëlryemjes në një kolektiv rrënjësisht të përlyer në gjakun e të vrarëve të saj, masakrave e të dhunës.

Andaj të dyja së bashku, – ngjizja -, dhe e – papërlyemja – si një drejtësi poetike përshkojnë një sistem të tërë nga një person i vetëm, personazhja grua ruse, Ljuba, e cila mohon çdo rrugë të përlyemjes për dashurinë e saj.

Është paradoks mjeshtëror, derisa sistemi, si ai i sigurimit dhe po ashtu ai shtetëror, në tërë armatën e tij dhe në tërë mobilizimin e tij kundër disa grave ruse, ngjizi papërlyer një fetus, që do të thotë një të ardhme megjithëse të zaptuar nën sigurimin e saj dhe tij, për të gjykuar dhe për të vërtetuar një luftë të vërtetë dhe pikërisht të papërlyer të një zone të hapur shpirtërore dhe njerëzore në shoqërinë shqiptare.

Sigurisht e tërë kjo duke konotuar me mitin apo të vërtetën biblike të Jezusit, dhe aq më shumë duke e dhënë eksplicit në shprehjen e njërit nga personazhet Samuil Ismarit, si përsëritje e historisë së njerëzimit, dhe atë pavarësisht dogmave, ritualeve e besimeve.

Në këtë konotim Tufa rithekson tërë historinë e njerëzimit, jo vetëm të dhunës së një shqoërie ndaj një komuniteti, por historinë si përsëritje e pandryshueshmërisë, pashkatërrueshmërisë, dhe të padyshueshmërisë së vazhdimsësisë së rrugës së njerëzimit, pandryshueshmërisë së fatit të njerëzimit.

Exit mobile version