Kreu Intervista Bajram Sefaj në bisedë me Sébastien Gricourt – Punë e paepur e një...

Bajram Sefaj në bisedë me Sébastien Gricourt – Punë e paepur e një burri francez

Pas shumë vjetësh që nuk ishim parë, me mikun e vjetër të ditëve tona parisiene (ai ishte student i rregullt në INALCO, unë azilkërkues), me Sébastien-in, takohemi (befasisht) pikërisht aty ku duhej të takoheshim. Në hollin e Teatrit “Oda” në Prishtinë, vetëm pak çaste para së të niste spektakli i shfaqjes “The Handke Project”, sipas tekstit të autorit tashmë të njohur, Jeton Nezirajt e, në regji të bashkëshortes se tij, zonjës Blerta. Kjo rrethanë, sikur vetvetiu, imponoi fillimin e kësaj bisede çasti e rasti.

Në fillim krejt çka ka të bëjmë (thuhet) në lidhje me këtë shfaqje dhe, përgjithësisht, lidhur me bashkëpunimin tend të frytshëm me z. Jeton Neziraj?


– Sébastien: Këtë shfaqje, të cilën fati bëri që e shikuam bashkë mu para skenës dhe shumë afër me aktorët e shkëlqyeshëm, e cilësoj mbas së pari të një rëndësie të madhe për shkak të rrethanave që përjetojnë sot Europa me kthimin e luftës në hapësirën e vet, ndërsa këto rrethana na ngjallin në rajon shumë kujtime dhe dhimbje. Kjo shfaqje shtron çështjen e rolit të artistit dhe intelektualit në kohën e luftës dhe bën demonstrimin se mund të jesh në të njëjtën kohë një shkrimtar me nam botëtor që fiton çmimin nobel të letërsisë si edhe një i verbër i paaftë për të vështruar rrethanat bashkohore. Mund të dish të tregosh një histori që duket e besueshme pa e ditur historinë e hidhur që zhvillohet para syve tënd të verbëruar. Por shfaqja shtron sidomos çështjen a mund te jetë një artist i verbëruar (këtu prej ideologjisë raciste dhe serbomadhe) një artist i mirëfilltë?… Ky nuk sheh varrezat e Srebenicës dhe shpik teori të tjera ndërsa pas disa viteve hiç gjë nuk pa për krimet kundër njerëzimit të tjera të kryera në Kosovë. Shfaqja na tregon bile se sa më të mëdhenj janë gënjeshtrat dhe numri i viktimave (8000 në Srebenicë) aq më e lehtë është për Handken dhe propagandën e Milosheviçit të fshehë të vertetën… ndërsa del paradoksi që është më e vështirë të fshehesh realitetin e vrasjeve me numra të vogla (“Try to do it” thonë në shfaqje). Shkurt, kjo shfaqje na rikujton edhe gënjeshtrat e disa krimeve masive që Serbia provoi në këtë kohë t’i vishte UÇK-s (bie fjala në Reçak)  ose edhe NATO-s (bie fjala në burgun e Dubravës). 

Sot në Ukrainë, përjetojmë të njëjtën dukuri. Por më duket se me gjithë mjetet më të fuqishme dezinformimi të kohës sonë që bëjnë pjesë në arsenalet e luftërave të këtij shekulli, kjo propagandë ruse arrin vetëm pjesërisht qëllimin që e kishte arritur gati propaganda serbe në kohën e luftërave të viteve 90: në vend se të jetë në gjendje të veprojë për të ndikuar në disa hallka politike dhe vendimmarrëse të vendeve dhe opinioneve publike të jashtme, kjo propagandë sot mund vetëm të kufizohet në mbajtjen e opinionit të vet rus në mjegullën e gënjeshtrave… Gjithsesi, duke marrë parasysh të kaluarën dhe të tanishmen e luftërave në Europë na duhet të njohim meritën dhe trimërinë e artistëve që në këto datë të 9 dhe 10 qershorit aq të veçanta për Kosovën (dhe Serbinë) ata luajtën shfaqjen nê fjalë mu në Beograd…  

Sa për bashkëpunimin me Jeton Nezirajin që u konkretizua më 2020 me bashkë-përkthimin e botuar në Francë të dy dramë-komedive të tij, mezi pres ta vazhdoj edhe me “Projekti Handke”, siç më kanë besuar këtë përkthim krijuesi i rrjetit të përkthyesve të teatrit Eurodram Dominique Dolmieu përmes shtëpisë botuese L’Espace d’un Instant si edhe autori. Secili i të dyve kanë arritur të krijojnë një mjedis i paparë për artistët e teatrove me një jehonë europjane dhe ndërkombëtare. Duke ditur çka është duke bërë i pari sot me promovimin e teatrit alternativ të Ukrainës ose të Bjelorusisë dhe duke parë rëndësinë e tekstit të ri të së dytit, ndihem i nderuar të marr një përgjegjësi në përhapjen e mëtutjeshëm të ideve që luftojnë kundër mohuesve të krimeve kundër njerëzimit, ndërsa pa dyshim se edhe ky tekst do të japë kontributin e vet pozitiv për imazhin e Shtetit të Kosovës.      

-Je me detyrë zyrtare në Prishtinë. Për të satën herë je në Kosovë dhe, cili është angazhimi yt i radhës? Si e gjete Kosovën këtë herë në krahasim me periudhën e fundit?

SG: Për të satën herë vërtetë por me një ndërprerje të gati 12 vjetëve që nga periudha prill 1997-janar 2010… Kështu që jo vetëm Kosova ka ndryshuar por edhe unë… Kësaj rradhe, përmes një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Francës u emërova si këshilltar për çështjet europjane pranë Z. Besnik Bislimi, i pari Zëvendës Kryeministër për integrimin europjan, zhvillimin dhe dialogun. Varem teknikisht nga agjensia ndërministror Expertise France por meqë ajo është pjesë përbërëse e grupit të Agjensisë zhvillimore të Francës (AFD) i përgjigjem edhe kësaj, ndërsa në praktikë varem prej udhëzimeve politike dhe diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes ambasadës në Prishtinë. Shkurtimisht, prania ime si edhe të homologeve në pesë vende të tjera të rajonit janë një pjesë modeste e zbatimit të strategjisë kombëtare për Balkan të shtruar nga Kryetari i Frances më 2019.

Si e gjeta Kosovën?… Pra, së pari le të theksojmë se çdo vit kam qenë një a dy herë në Kosovë ose në vendet fqinj brenda vitit për arsye privat ose si i ftuar, ndërsa u morra me përkthimet letrare të tjera (Eqrem Basha më 2018, ose në me Zija Çelën e Shqipërisë më 2021). Artikujt e mi të botuar në Francë, ngaherë të përkthyera shqip në shtypin e Kosovës, ose librin e përbashkët që mblodha dhe botova në Francë më 2014 dhe që u përkthye te Koha më 2015 dëshmojnë që u mbajta vazhdimisht në dijeni për zhvillimet në vend. Por jo vetëm në Kosovë – sepse me gjithë punë të tjera në fushën politike në Francë (me Partinë socialiste në selinë e të cilës mbuloja çështjet ndërkombëtare edhe europjane) ose me disa periudha kohore në misione ndërkombëtare jashtë – krijova vullnetarisht më 2018 në Fondacionin Jean Jaurès (Zhan Zhores), me prirjen socialdemokrate, Observatorin për Balkan përmes të cilit veprova për të hapur një hapësirë të re në Paris për zërat e rajonit si edhe për idetë e reja për zgjerimin e BE në një ambient që lejon shkëmbimet me institucionet françeze.

Për t’u kthyer te pyetja jote, më duket se më 2012 më kishe pyetur në një intervistë për kur do të kthehesha në mision në Kosovë… Të përgjigja atëherë që do të përgatitesha për të gjetur mundësinë aplikimi kur do të ndiej erën e ndryshimeve… dhe sipas meje që nga marsi 2021 u hap një kapitull i ri i historisë së Kosovës, dhe këtë e them duke qenë i zhytur në rrethanat e Kosovës që nga ardhja ime e parë më korrik 1990. Si rrjedhojë, mendoj që Shteti i ashtuquajtur Newborn më 2008 është duke u rritur shpejt… 

– Je një shqipfolës i mrekullueshëm, mendoj unë. Gjuhën shqipe flet dhe e shkruan drejtë e pa gabime, si albanolog i shquar shqiptar të ishit, fryt i njohjes së thellë i gjuhës shqipe dhe hireve (veçorive) të saj dhe, fal qëndrimi tënd të gjatë në Kosovë e Shqipëri, u kurorëzua me publikimin  e librit voluminoz “Kosovo: récits sur la construction d’un État” si nismëtar dhe bashkë drejtor i redaktimit rreth përgatitjes dhe botimit tij na tregon më hollësisht mbi jehonën dhe interesimin në opinionin lexues francez dhe atij frankofon gjithandej, lidhur me këtë publikim që e përgatite me zell e përkushtim.    

– SG: “Merciminderit” për fjalët e mirë por mendoj që kam ende një rrugë të gjatë për përmirësimet, ndërsa është e qartë sipas meje që nuk mund të quhem albanolog sepse për disa arsye lidhur me jetën time nuk pata mundësinë as disponimin të përkushtohesha studimeve ne fushat hulumtuese. Në fund së fundit, e shoh veten si një shqipfolës i vetëmotivuar pas një rruge që shkela rastësisht në moshën 20 vjet ndërsa u mbarta nga rrethanat e kohës por edhe nga bindje vetjake kundër padrejtësive.

Sa për librin e përbashkët që mblodha ky u lind pikërisht nga inati që më lindi pas botimit të një libri të trashë kundër së vërtetës për Kosovën, të botuar nga një gazetar dhe një shtëpi botuese françeze të famshëm atë vit të 2014-tës. Kundër lobimit të Serbisë provova një lobim tjetër me mjete më modeste. 

Mendova shpejt një koncept me përmbledhjen e dëshmive të disa dhjetëra françezeve që kishin vepruar dhe punuar në dhe për Kosovën në periudha dhe mandate të ndryshme, në mënyrë që të paraqiten zëra të ndryshme te cilat duke mos fshehur kritikat e tyre mbeteshin pozitiv ndaj Kosovës dhe perspektivave të saja. Edhe nëse më erdhi keq që nuk arrita të mbledhja këto intelektualë që kishin vepruar gjatë viteve 90 për ngritjen e çështjes së Kosovës në Francë, arrita të mbledhja tekstet e rreth 30 Françezëve që vepruan në Kosovë prej vitit 1999 deri më 2010. Mes atyre, janë disa ish ambasadorë ose ish gjeneralë por edhe disa këshilltar ose veprimtarë të shoqerisë civile në fusha të ndryshme. Por jam gjithashtu mirënjohës te “mentori im” Gilles Pernet të cilin e pata si drejtor për Balkan nê ministrinë e mbrojtjes ku punova më 2003 si analist. Autoriteti i tij bëri të mundur disa kontakte të njerëzve kyç që nuk kisha dhe për kêtë arsye e bëra bashkë-autor i librit. Por shpreh edhe mirënjohjen time për profesorin e njohur të shkencave politike Jacques Rupnik i cili na bëri një parathënie të pasur rreth Shtetit të Kosovës në berjen e sipër dhe për të shpjeguar pse ky ishte një sfidë për BE. 

Për këtë nismë, pata marrë prej fillimit mbështetjen e Ambasadës së Kosovës por edhe të MPJ françeze, sepse fund së fundit libri tregon edhe kontributin e Francës në çlirimin e Kosovës si edhe në ngritjen e Shtetit te saj. Për veten, në këtë libër, kufizohem në tregimin e përbashkët me një bashkombas me të cilin isha atë ditë për të përjetuar ditën e shpalljes së Pavarësisë (…tregim i cili ndryshon shumë nga përkthimi i komedisë satirike, por jo aq jashtë realitetit, Fluturim mbi teatrin e Kosovës të Jeton Nezirajt)… por gjithsesi qe për mua një ditë tepër e veçantë duke marrë parasysh ditën e parë që kalova në Kosovë më korrik 1990… 

Më duhet edhe të theksoj që ndërsa isha duke mbledhur dhe përpunuar tekstet e ndryshme, për një kohë të gjatë nuk pata asnjë siguri për njê shtëpi botuese, dhe aspak prej asaj që botoi librin e porositur nga Serbia dhe që ma refuzoi botimin e librit si kundërpërgjigje… E gjeta më në fund dhe jam mirënjohës shtëpisë Non Lieu e cila është e angazhuar dhe e mësuar me rajonin. 

U habita, dhe botuesi gjithsashtu, që 1000 kopjet e librit u shitën në Francë dhe që krijoi një interes të jashtëzakonshëm (për një kohë të gjatë nëpër media isha i paraqitur si autori i librit), dhe më erdhi edhe shumë mirë që u bë për disa vjet një referencë për studentët që merreshin me çështjet politike, europjane edhe të së drejtës ndërkombëtare. Në vitin 2015 u përkthye edhe u botua në Kosovë nga Koha (Kosova: Tregime mbi ndërtimin e një Shteti) por që moti as aty nuk gjendet më asnjë kopje. Një gjë që më kënaqi më së shumti është që libri u vlerësua si i dobishëm për t’u shpërndarë nga diplomatët e Kosovës në Paris nëpër bashkëbiseduesve të botës frankofone si një vegël për lobimin e njohjeve. 

– Angazhimi yt, këtu e atje, sidomos kohëve të fundit, në përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhën madhe franceze, është tejet çmueshëm, veprat e cilëve autorë shqiptarë, tanimë “flasin” frëngjisht dhe, cilët janë shkrimtarët që do t’ua “mësosh” këtë gjuhë të madhe, të njohur si gjuhë e poezisë!

– SG: Më herët i kemi përmendur Eqrem Bashën (Lakorja e Ik’sit), Zija Çelën (Djalli komik) dhe Jeton Nezirajn, por vetëm së vonshmi (dhe jo tamam si ti e kishe paralajmëruar sivjet në Ex Libris) ia nisa me romanin Liria ime nga Mehmet Kraja, romani i te cilit më la “pa fjalë”… për të thënë sa shumë më ka prekur dhe jo për të shprehur një paaftësi për të përkthyer… por kam edhe dëshirë një roman tjetër të Zija Çelës (Lavjerrësi i qytetit), një autor me të cilin u njoha në Tiranë gati në të njëjtën kohë si me ty… ndërsa pres sivjet një ose dy botime të tjera në frëngjisht: së pari dëshminë e masakrës në burgun e Dubravës të shkruar nga Enver Dugolli (Qark i (pa)mbyllur burgjesh), dhe tregimin e shkruar nga Luan Rama dhe e bazuar në një histori të vërtetë që lidh Franca me Korçën gjatë luftës së parë ballkanike (Një heshtje e gjatë). Në këto dy raste, dhe përveç miqësive të hershme me autorët, kam edhe një ndjenjë vetjake lidhur me dy temat të cilat më shtynë t’i mbaroja sivjet këto punime. Marr edhe rastin për të të rikujtuar se përkthimin e parë që botova ishte një tregim prej teje të pranuar në një revistë letrare françeze rreth vitit 1995. Fjala është për  tregimin “Gjumi i pagjumë”, ose “L’insomnie”, ndërsa nuk e harroj detyrimin që mora për redaktimin e përkthimit të romanit tënd “Parisi kot”, që ia kishe besuar dikujt tjetër përkthimin në frëngjisht. Me gjasë shumë pak punë do të kem aty. 

-Në fund, z. Sébastien, dy–tri fjalë, si homazh, për mësuesin, pedagogun tënd, profesor Remzi Përnaskën, intelektualin e shquar shqiptar, tashmë të ndjerë!

– SG:  Kur sivjet më nëntor do të shënohet 50 vjetori i Kongresit për Drejtshkrimin besoj që shkëncëtarët e gjuhës do të rikujtojnë edhe të ndjerin Remzi Përnaska i cili morri pjesë atëherë më 1972 në këtë ngjarje të rëndësishme. Dijetar dhe gjuhëtar i mirëfilltë, prej atij i kam mësuar themelet e gjuhës si edhe dialektikën gegë dhe toskë të cilën ia mësova leximin përmes teksteve të vjetër dhe studimeve gjuhësore krahasuese. Në këtë kohë, mësimet e tij më ndihmuan për të mbajtur motivimin dhe vendosmerinë time ndërsa kaloja edhe nëpër periudha dyshimesh për zgjidhjet e mia të jetës… Më kujtohet sidomos hera e parafundit që e pashë para vdekjes së tij më nëntor 2020 kur për përvjetorin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2018 ia dorëzova në Paris ekzemplarin e parë të romanit të Eqrem Bashës të përkthyer. Kisha dëshirë ky roman të dalë mu atë ditë dhe botuesi më kishte sjellë vetëm një kopje që ia dhashë profesorit që më kishte mësuar aq shumë, dhe që më kishte ndihmuar kur u sistemova në Tiranë herën e parë më 1992…

Au nom des nombreux lecteurs de l’hebdomadaire Ex Libris, je te remercie chaleureusement!

                                                                                                     Prishtina, 10 juin 2022

Exit mobile version