Kreu Histori Atë Gjergj Fishta bisedon me ambasadorin amerikan në Tiranë, Hugh Gladney Grant

Atë Gjergj Fishta bisedon me ambasadorin amerikan në Tiranë, Hugh Gladney Grant

Bejtullah Destani zbulon dy dokumente në Arkivin
Kombëtar Amerikan këtë bisedë të rrallë

Kam nderin të informoj Departamentin se Atë Gjergj Fishta, kreu i Urdhrit Françeskan në Shqipëri, Poet Laureat dhe patriot i shquar i vendit të tij, erdhi për të më takuar në Legatë këtë javë, dhe në bisedën që pasoi bëri disa deklarata në mirëbesim të plotë, të cilat hedhin shumë dritë mbi prirjet aktuale politike në këtë vend nën regjimin e Mbretit Zog. Vërejtjet e udhëheqësit Françeskan, i cili rastësisht ka vizituar Shtetet e Bashkuara në vitin 1922 për interesat e njohjes së Shqipërisë nga Qeveria jonë.

Përktheu nga anglishtja Enik Pogaçe

Dokumenti 1: Dërgesa Nr. 461

Nga Legata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tiranë, Shqipëri

[Faqja 1]

LEGATA E

SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Tiranë, Shqipëri, 4 Gusht 1937.

Nr. 461

SUBJEKTI: Kreu i Urdhrit Françeskan dhe Poeti Laureat i Shqipërisë Shpreh Mendimin e Tij Lidhur me Disa Prirje Politike në Vendin e Tij.

RREPTËSISHT KONFIDENCIALE PËR PËRDORIM VETËM NGA STAFI.

I Nderuari

Sekretari i Shtetit,

Washington, D. C.

Zotëri:

Kam nderin të informoj Departamentin se Atë Gjergj Fishta, kreu i Urdhrit Françeskan në Shqipëri, Poet Laureat dhe patriot i shquar i vendit të tij, erdhi për të më takuar në Legatë këtë javë, dhe në bisedën që pasoi bëri disa deklarata në mirëbesim të plotë, të cilat hedhin shumë dritë mbi prirjet aktuale politike në këtë vend nën regjimin e Mbretit Zog. Vërejtjet e udhëheqësit Françeskan, i cili rastësisht ka vizituar Shtetet e Bashkuara në vitin 1922 për interesat e njohjes së Shqipërisë nga Qeveria jonë, ishin të një natyre të tillë që mendova se ia vlente të përgatiteshin në formën e një memorandumi të plotë nga

[Faqja 2]

Përkthyesi dhe Interpreti i Legatës që ishte i pranishëm. Po bashkëngjit një kopje të këtij memorandumi, i cili duhet të konsiderohet si Rreptësisht Konfidencial për mbrojtjen e Atë Fishtës.

Pikat kryesore të vërejtjeve të Atë Fishtës në formë të përmbledhur janë si më poshtë:

(1) Mbreti ka ndërmend të martohet me një Katolike, sipas vetë deklaratës së Madhërisë së Tij për Atë Fishtën, sepse “nuk ka dobi të shikojmë drejt Lindjes. Interesat tona (të Shqipërisë) janë drejt detit (Adriatik) dhe prandaj duhet të shikojmë nga Perëndimi. Duhet të fillojmë me reformimin e familjes.”

(2) Konti Ciano, Ministri i Jashtëm Italian, vizitoi Shqipërinë në prill (shih dërgesën Nr. 387 të 30 prillit 1937), jo vetëm për të diskutuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Akordin e fundit Italo-Jugosllav, por për të bindur Mbretin të martohej me një anëtare të familjes della Rovere të Italisë, e lidhur me gjak ose me martesë me familjen Mbretërore Italiane. (Kjo konfirmon zëra të ndryshëm që kam dëgjuar muajt e fundit se po bëheshin përpjekje për të martuar Mbretin me një zonjë italiane).

(3) Mbreti (një Mysliman) u frikësohet dhe nuk u zë besë nënshtetasve të tij Myslimanë. “Të gjitha revolucionet në Shqipëri janë bërë nga Myslimanët, pa asnjë të krishterë të përfshirë.” (I ndjeri Et’hem Toto, udhëheqës i revolucionit më të fundit – maj 1937 – ishte Mysliman. Revolucioni i Fierit në gusht 1935, u kurdis kryesisht nga ndjekësit e Muhamedit).

(4) Qeveria aktuale, e përbërë nga burra që përgjithësisht konsiderohen reaksionarë, “nuk përbëhet nga shqiptarë, nuk përbëhet nga patriotë; ajo nuk ka ndërgjegje Kombëtare.” Ajo po u plotëson dëshirat të huajve të caktuar (përfshirë Jezuitët italianë) në çështjen e rihapjes së shkollave të cilat u mbyllën në vitin 1933 nga Qeveria Shqiptare në përputhje me një program që krijonte një Monopol Shtetëror të arsimit.

(5) Në përgjigje të pyetjes sime lidhur me opinionin e Atë Fishtës mbi shtrirjen e mundshme të depërtimit të Italisë në Shqipëri dhe reagimin përfundimtar ndaj saj në Shqipëri, murgu Françeskan u përgjigj pa hezitim dhe me forcë të konsiderueshme: “Italia nuk mund të shkelë kurrë në tokën shqiptare sepse vendet e tjera do t’i hidheshin në fyt nëse e bën këtë, por Italia dëshiron ta mbajë Shqipërinë në një gjendje të paarsimuar (të pakulturuar) dhe nuk dëshiron që ajo të ketë përparim dhe ndërgjegje Kombëtare.” Dhe më tej, për habinë time, pasi kam arsye të besoj se Atë Fishta ka qenë një mik i qëndrueshëm i Mbretit (një vërejtje e lënë jashtë memorandumit nga përkthyesi), “dhe Mbretit nuk i bëhet vonë pasi atij i duhen shumë para për të mundësuar që motrat e tij të udhëtojnë jashtë shtetit. Është shumë më lirë për italianët t’i paguajnë atij pesë apo dhjetë milionë lireta në vit sesa të kenë një Shqipëri të kulturuar.”

Megjithëse është e qartë se Atë Fishta është i pakënaqur, dhe ndoshta personalisht i zemëruar si pasojë e negociatave të tij të fundit të pakënaqshme me Qeverinë për fonde për shkollat Françeskane, ai është, siç e kam theksuar më lart, përgjithësisht i konsideruar si një patriot i palëkundur shqiptar, tërësisht i brumosur me filozofinë e pavarësisë së pastër shqiptare. Edhe pse kreu i një Urdhri të madh Katolik Romak në vendin e tij të lindjes, ai nuk i betohet për besnikëri Italisë Katolike Romake. Ai është shqiptar deri në palcë, dhe ato që thotë për Italinë dhe qëndrimin e Mbretit nuk duhen marrë lehtë. Nuk është e pamundur që ai t’i ketë dhënë shprehje një mendimi që është rrënjosur thellë në mendjet e shumë intelektualëve shqiptarë, të cilët nga frika i mbajnë gojët e kyçura. Unë dëgjoj herë pas here shprehje të rezervuara lidhur me urrejtjen shqiptare për Italinë dhe italianët, por nuk kam dëgjuar kurrë më parë ndonjë kritikë ndaj Mbretit në këtë drejtim. Vërejtjet e Atë Fishtës mund të jenë tregues i një pakënaqësie në rritje me situatën aktuale, e cila mund të shpërthejë në revoltë të hapur. Gjithsesi, gjasat janë kundër suksesit të një lëvizjeje të tillë, sipas gjykimit tim, përveç nëse do të kishte pakënaqësi serioze në Ushtri ose në Xhandarmëri, gjë që është e pamundur.

Dobësia e dukshme e partisë opozitare ndaj politikës së Italisë kundrejt Shqipërisë zbulohet në vërejtjen e Atë Fishtës se “Italia nuk mund të shkelë kurrë në tokën shqiptare sepse vendet e tjera do t’i hidheshin në fyt.” Murgu Françeskan dhe bashkatdhetarët e tij, të gjithë idealistë, mendojnë vetëm në termat e pushtimit ushtarak. Ata janë me sa duket të verbër ndaj faktit se Italia tashmë i ka të dyja këmbët dhe të dyja duart në Shqipëri përmes “avancimeve” të saj të fondeve për Qeverinë Shqiptare, kontrollit të saj virtual të Ministrive të ndryshme, veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, përmes “organizatorëve” ekspertë italianë, kontrollit të saj të faciliteteve bankare të vendit përmes Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe tani të Bankës Bujqësore të Shtetit (shih dërgesën shoqëruese Nr. 457 të 5 gushtit 1937), pa përmendur ndikimin e saj në ushtrinë shqiptare përmes “këshilltarëve”, shërbimin e saj “komercial” ajror që lidh qytetet kryesore të Shqipërisë, zhvillimin e fushave naftëmbajtëse të Kuçovës përmes A. I. P. A. italiane, Konventën për zhvillimin e Portit të Durrësit nga Italia, dhe operimin e projektit bujqësor E. I. A. A., një degë e “Opera Combatenti” italiane.

Me respekt,

Hugh G. Grant.

Shtojcë:

Nr. 1, Memorandum i bisedës së Ministrit Grant me Atë Fishtën.

Dosja Nr. 800

HGG/jrt


Dokumenti 2: Memorandumi (Shtojca Nr. 1)

Bisedë ndërmjet Atë Gjergj Fishtës dhe Ministrit Grant

[Faqja 1]

Shtojca Nr. 1 me dërgesën Nr. 456 [sic] të 4 gushtit 1937, nga Legata Amerikane në Tiranë, Shqipëri.

MEMORANDUM

3 gusht, 1937.

RREPTËSISHT KONFIDENCIALE.

ATË GJERGJ FISHTA VIZITON MINISTRIN GRANT.

Atë Gjergj Fishta, frat Françeskan, provincial i Urdhrit Françeskan në Shqipëri dhe Poeti Laureat i këtij vendi, erdhi për të parë dhe për t’i shprehur respektet e tij Ministrit Hugh G. Grant në Legatë këtë mëngjes.

Në diskutimin që pasoi, Atë Fishta shprehu keqardhjen e tij për pamundësinë për të marrë pjesë në pritjen e Ministrit më 5 korrik dhe shpjegoi se ishte penguar për shkak të vdekjes së një frati në Shkodër. Ai shpjegoi më tej se detyrimi i tij për të shkruar një poemë për Ditën e Pavarësisë Amerikane rëndon ende mbi supet e tij dhe se ai mund ta shkruajë ende atë para 4 korrikut të ardhshëm.

Ministri Grant e pyeti Atë Fishtën, në mirëbesim të plotë sigurisht, nëse ai mendonte se Mbreti do të martohej. Për këtë Atë Fishta u përgjigj në thelb:

“Ishte pikërisht pasi motrat e tij kishin qenë për vizitë në Shkodër kur unë pashë Mbretin më 5 mars. I thashë atij atëherë: ‘E patë se çfarë pritje të përzemërt i bëri qyteti im motrave tuaja; cila do të kishte qenë pritja nëse do të ishte gruaja juaj ajo që vizitonte? Mendoj se është koha që ju të martoheni tani.’ Mbreti më tha: ‘Po, është koha që unë të martohem tani, dhe do të martohem me një Katolike. Nuk ka dobi të shikojmë drejt Lindjes. Interesat tona janë drejt detit dhe prandaj duhet të shikojmë nga Perëndimi. Duhet të fillojmë me reformimin e familjes.’ Kjo ishte pikërisht para se ai të nxirrte dekretin për heqjen e perçes së grave myslimane. Kjo është ajo që tha, por nuk e di se çfarë do të bëjë. Shpresoj të bëjë atë që tha se do të bëjë.”

Ministri Grant e pyeti Atë Fishtën nëse mendonte se ka ndonjë të vërtetë në martesën e Mbretit me Konteshën Mikes, dhe ai u përgjigj:

“Mendoj se çështja e Konteshës Hungareze është e mbyllur. Kam mësuar pozitivisht se Konti Ciano erdhi këtu në lidhje me martesën e Mbretit dhe Paktet. Italianët duan ta bëjnë atë të martohet me një anëtare të familjes italiane della Rovere, e cila është një familje e respektuar nga afër Romës dhe e lidhur ose me gjak ose përmes martesës me familjen Mbretërore Italiane, por që nuk qëndron aq lart në këtë kohë sa qëndronte më parë.

“Rreth gjashtë javë apo dy muaj më parë vizituan Tiranën disa anëtarë të familjes Mbretërore Bavareze të cilët kërkuan të më takonin, por unë isha larguar. Duket se ata erdhën

[Faqja 2]

“erdhën këtu për të rregulluar një martesë midis Mbretit dhe një anëtareje të familjes së tyre. Nuk jam plotësisht i sigurt, por ata morën një mirëseardhje të ngrohtë dhe iu dhuruan kostume të bukura kombëtare nga Mbreti.”

Ministri sugjeroi: “A nuk është mendimi juaj se Mbreti është në një pozitë delikate? Dua të them nëse ai martohej me një Myslimane, Katolikët dhe Ortodoksët nuk do ta pëlqenin, dhe nëse martohej me një Katolike, Myslimanët dhe Ortodoksët nuk do ta pëlqenin.”

Atë Fishta u përgjigj: “Ne të Krishterëve nuk na bëhet vonë nëse ai martohet me një Myslimane apo jo. Janë Myslimanët ata që Mbreti nuk u zë besë dhe u frikësohet. Myslimanët, kudo që të jenë në botë, nuk ngjiten me njëri-tjetrin më shumë se një lajthi me një lajthi tjetër. Në të gjithë historinë e Sulltanëve të Turqisë shohim se të gjithë Sulltanët vdiqën nga vrasjet. Mbreti Zog duhet të mbajë anën e Myslimanëve që të mos pësojë fatin e Sulltanëve nga duart e Myslimanëve. Ai e di që ne të Krishterët nuk do ta lëndonim atë. Të gjitha revolucionet në Shqipëri janë bërë nga Myslimanë; asnjë i krishterë i vetëm nuk ishte i përfshirë.

“Kur vizitova Pitsburgun, Pensilvani, në kohën kur isha në Shtetet e Bashkuara, shqiptarët atje më bënë një pritje shumë të përzemërt. Mes atyre që takova, njëri m’u prezantua me emrin Louis, një emër i krishterë. Tingëllonte si një emër shkodran dhe e pyeta nëse ishte nga andej. Ai u përgjigj se nuk ishte dhe se ishte kunati i Hoxha Kadriut. M’u duk e çuditshme sepse Hoxha Kadriu dhe gruaja e tij janë Myslimanë. Një tjetër erdhi që m’u prezantua si George Babameto. Mendova se kjo ishte gjithashtu e çuditshme, sepse unë isha atëherë anëtar i Parlamentit Shqiptar ku kisha një koleg Mysliman, Fuad Babameton. Ia thashë këtë George-it dhe George tha se ai ishte vëllai i tij. I vura në dukje se George është një emër i Krishterë dhe jo Mysliman. Por ai shpjegoi se nëse mbajnë emra Myslimanë nuk mund të gjejnë punë në Amerikë. Tani, çfarë mund të presësh nga njerëz që kanë turp nga emrat e tyre? Po flas nga pikëpamja e psikologjisë dhe jo e fesë.

“Mbreti mund të bëjë shumë të mira për vendin, nëse dëshiron. Ai është i fortë dhe i dëshiruar, por duhet të ruhet nga bashkëfetarët e tij. Falë Zotit! një tjetër Mysliman nuk është në pozitën e tij, sepse do të ishte tejet mizor.

“Qeveria nuk po bën gjënë e duhur. Ajo u ka dhënë leje Jezuitëve dhe minoritetit grek të hapin shkolla, por asnjë leje Françeskanëve apo Murgeshave tona. U ka dhënë leje të huajve, por jo shqiptarëve. Murgeshat tona i kanë bërë shërbim të paçmuar këtij vendi. Në lagjen Katolike të Shkodrës ato e kanë zhdukur plotësisht analfabetizmin. Por Qeveria nuk dëshiron që shqiptarët të punojnë për Shqipërinë. Qeveria nuk përbëhet nga shqiptarë; nuk përbëhet nga patriotë; ajo nuk ka ndërgjegje Kombëtare.

“Unë

[Faqja 3]

“Unë i bëra vizitë Kryeministrit këtë mëngjes dhe i fola ashpër atij rreth faktit që Qeveria u jep leje të tjerëve dhe jo neve për të hapur shkolla. I thashë pikërisht atë që mendoja për të. Atëherë ai filloi të fliste butë për të më qetësuar. E ndërpreva dhe i thashë: ‘E di çfarë do të më thuash. Dua të më thuash po ose jo. Nëse nuk thua po, nuk do të vij më tek ti.’ Ka një vit që shkoj e vij për këtë çështje.

“Murgeshat italiane që shërbejnë në spitale dhe gjetkë paguhen nga Qeveria e tyre dhe nga Qeveria jonë. Murgeshat tona nuk marrin asnjë qindarkë ndihmë për punën e shkëlqyer që bëjnë. Është e turpshme.”

Ministri e pyeti Atë Fishtën se sa larg po shkon Italia në Shqipëri, dhe në përgjigje Ati tha:

“Italia nuk mund të shkelë kurrë në tokën shqiptare sepse vendet e tjera do t’i hidheshin në fyt nëse e bën këtë. Por Italia dëshiron ta mbajë Shqipërinë në një gjendje të paarsimuar. Italia nuk dëshiron që Shqipëria të ketë përparim dhe ndërgjegje Kombëtare. Mbreti është shumë i zgjuar, por duhet të mbajë anën e italianëve sepse ka nevojë për para. Motrat e tij kanë udhëtuar jashtë shtetit për katër muaj, që është një udhëtim i shtrenjtë. Ai ka nevojë për para për të paguar udhëtimet. Është shumë më lirë për italianët t’i paguajnë atij pesë apo dhjetë milionë lireta në vit sesa të kenë një Shqipëri të kulturuar.

“Konti Ciano vizitoi Tiranën, Krujën, Beratin dhe Kuçovën. Ai nuk vizitoi Shkodrën apo Korçën. Italianët kanë hequr shërbimin e anijeve Bari-Shëngjin dhe Shëngjin-Shkodër; mbyllën agjencinë e avulloreve që kishin në Shkodër; ndërtuan një godinë shkolle industriale në Shkodër që u kushtoi mbi tre milionë lireta dhe është më e mira e llojit të saj në Ballkan, por ajo mbahet e mbyllur; nuk do të habitesha nëse do t’ia dhuronin godinën Qeverisë. E gjithë kjo tregon se italianët nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë punë kulturore në Shkodër. Fortifikimet janë të gjitha në këtë anë të lumit Mat dhe asgjë në anën tjetër.”

Atë Fishta foli me pasion që nga momenti kur Ministri Grant bëri pyetjen për martesën e Mbretit.

Ministri Grant sugjeroi se çfarë shërbimi i mirë do të ishte nëse të gjitha kombet, si fqinjë të mirë, do të mblidheshin së bashku dhe do t’i thoshin vetes: “Këtu është një komb i vogël, Shqipëria, që lufton për liri dhe pavarësi. Le ta ndihmojmë, jo për hir tonin por për hir të Shqipërisë, të arrijë dhe të ruajë pavarësinë e saj.”

Atë Fishta tregoi një histori si më poshtë: “Një familje e bardhë kishte fqinj një familje zezake. Një fëmijë me ngjyrë të zezë lindi në familjen e bardhë. Njerëzit në qytet pyetën pse lindi ky fëmijë i zi në familjen e bardhë. Kreu i familjes së bardhë u përgjigj: ‘Sepse kam një familje zezake si fqinj.’ Edhe ne, kemi Italinë për fqinjin tonë.”

Vizita prej një ore e pesëmbëdhjetë minutash përfundoi me komplimente për njëri-tjetrin.

K. K.

Exit mobile version