Kreu Uncategorised Arlinda Dudaj – Parathënia e botueses për “Endacaku i yjeve”

Arlinda Dudaj – Parathënia e botueses për “Endacaku i yjeve”

Jemi ca mendjemëdhenj ne botuesit. Kemi një lloj deliri prej “Komisari të Dritës” apo prej “Kapiteni të Titanikut” të pafundosshëm të letërsisë që na jep siguri kur zgjedhim çfarë, si dhe kur të botojmë. Mendojmë se e dimë çfarë pëlqehet dhe vlerësohet; kemi shifra dhe statistika që na i vërtetojnë tezat dhe ecim të qetë në rrugën tonë prej kujdestari të shijeve të lexuesve nga njëra anë dhe trazues ndërgjegjesh e zjarrndezës imagjinatash nga ana tjetër. Me depot tona plot “armatim”, prodhuar nga fabrikat që nuk njohin kriza të shkrimtarëve, me “ushtritë” e redaktorëve, korrektorëve, rrjeteve të shitjeve dhe librarëve, qëndrojmë në ballë të “luftës” për lartësimin e mendjeve dhe zbutjen e shpirtrave, ose kështu na pëlqen të mendojmë për rolin dhe punën tonë.

Ndihemi të privilegjuarit e vërtetë të botës së letërsisë: lavdinë e ndajmë me shkrimtarët e suksesshëm që botojmë, shpërfilljen dhe harresën ua lëmë atyre që nuk e kalojnë provën e zjarrit dhe rrallë e për mall ballafaqohemi me të vërtetën e hidhur se letërsia, si çdo formë e artit dhe mendimit njerëzor, lulëzon në të gjitha dimensionet e saj vetëm kur lëvrohet e përhapet në shoqëri thellësisht të lira dhe progresive ku nxit reflektim dhe rritje të brendshme përmes trajtimit të të vërtetave të parehatshme.

Po çfarë ndodh kur vepra e shkrimtarit zbutet e lëmohet, tretet, hollohet e cungohet në emër të përshtatjes me realitetet mbizotëruese politike e sociale? Cilat janë efektet e shfrytëzimit të veprave për axhenda politike dhe programe të inxhinierisë sociale?

I dashur lexues, m’u deshën dy raunde përballjeje me autorin dhe veprën që po ju prezantojmë, që këto pyetje e reflektime të brendshme të kristalizoheshin e të merrnin formë. M’u desh të harroja gjithçka e kisha marrë si të mirëqenë për figurën e Jack London-it, që të vija në pyetje rolin tim si botuese dhe të kuptoja se ia vlen të investojmë drejt rizbulimit të klasikëve të letërsisë botërore, të shqipëruar gjatë viteve të diktaturës.

Në vetëdijen kolektive të lexuesit shqiptar, Jack London-i është i ngulitur si shkrimtari anti-sistem i tregimeve të aventurës dhe narrativave të thjeshta, pothuajse fëminore, një zë proteste liriko-epik që zgjidhjen e gjen tek largimi nga shoqëria, arratisja drejt natyrës së egër dhe përballja e pakompromis me elementet armiqësore. Ky është thelbi i interpretimit që kemi trashëguar për veprën e tij, i ndërtuar për t’u shërbyer nevojave praktike të regjimit komunist, duke lejuar një frëngji të hapur drejt letërsisë botërore të shekullit XX, aq sa duhej për të kritikuar të zezat e sistemit kapitalist.

Në përballjen e parë me veprën, në versionin italisht të përkthyer e botuar në Italinë e Musolinit në fund të viteve 20-të të shekullit të kaluar, vërejta se Jack London-i i shqipërimeve të “Kushtrimit të të parëve” dhe “Martin Iden” ishte vetëm një tretësirë e holluar e koncentratit kreativ, potencës figurative dhe aftësive narrative të njërit prej arkitektëve të urës drejt “përroit të ndërgjegjes”, rrymës që do të pushtonte majat e letërsisë botërore gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Njësoj si Xheku 21-vjeçar që e kapën “Ethet e Arit” dhe thesarin e vërtetë e zbuloi te letërsia, po ashtu më kapën edhe mua ethet e zbulimit të këtij thesari të panjohur për publikun shqiptar.

Surpriza e dytë, edhe më e madhe, ishte ballafaqimi me origjinalin në anglisht dhe krahasimi i përmbajtjes me versionin italisht. Gjatë diskutimeve dhe analizave me përkthyesin, zbuluam se edhe rrugëtimi im i zbulimit të veprës në italisht kishte qenë tejet i kufizuar nga kostumi i ngushtë që censura fashiste dhe fetare ia kishin prerë dhe veshur “Endacakut të Yjeve” nga Jack London, por që në të vërtetë është prodhimi i një mendjeje dhe pene të çliruar nga kufizime politike dhe sociale, për të cilin asgjë e shenjtë nuk është e paprekshme në rrugën sakrale drejt lartësimit të shpirtit njerëzor.

I dashur lexues, kemi shumë për të zbuluar nga vetja te kjo vepër, ndaj të ftoj dhe sfidoj në leximin e saj.

Exit mobile version