Tek lexoja romanin “Lakimi” të Durim Taçit, që sapo ka dalë në treg, në fillim pata një si pendesë, se mos po e çoja kohën dëm. Por shumë shpejt u binda për të kundërtën. Nuk thonë kot “Një vepër e “paragjykuar” është si një mineral i pazbulur”. Romani nuk është shkruar për një lexues të zakonshëm, pasi lind problemi i kuptimit të thellë, jo të menjëhershëm të tekstit, përndryshe mund të mos kuptohet ky tekst. Vitet e fundit shkrimtari i njohur Durim Taci po zhvillon një gamë mbresëlënëse zotësish stilistikore. Në romanin“Lakimi”, Taci, si një okultist, merret me njeriun brendësor, që duhet të forcohet e lirohet nga dominimi i trupit fizik dhe gjërave që e rrethojnë atë, të cilat duhet të bëhen shërbëtorët e tij.
Romani është një interpretim poetik i kohës së para 5000 viteve, njëkohësisht një projektim i defekteve të shoqërisë së sotme, kompleksitetit dhe misteriozitetit të kohëve moderne. “Sjellja më e dënueshme për një burrë ishte të kërkonte një lidhje të përhershme me një grua”, thuhet diku gjatë rrëfimit. Në këtë vepër shpalosen tema të rëndësishme të kohës, duke ndriçuar rrugëtimin e gruas, si dhe betejat e saj të përjetshme, gjatë gjithë kalvarit të historisë. Me një strukturë të veçantë dhe një përmbajtje të pasur, libri bën një reflektim të thellë mbi feminizmin dhe pozicionin e gruas në shoqërinë moderne. Askush nuk di të notojë derisa të futet në ujë thellë. Ligjet e natyrës nuk mund të harkohen sipas qëllimeve të lakuara ose të përdredhura. Në këtë roman krijohen disa lloj raportesh: simetri – asimetri, rregullsi – çrregullsi, mendësi – pamendësi, ndërtim – shkatërrim, etj.
Romani “Lakimi” vjen si një reflektim i thellë mbi feminizmin, gdhendjen e imazhit të gruas përmes historive të librit, kundërvënien e shkrimit me shkrim, lakimin jo të emrave, por të historisë, eksperimentimin e teknikave që burojnë nga teoritë më të fundit të raportimit të autorit me lexuesin.
Trajtimi i tematikës bashkëkohore të ndrydhjes së gruas në histori, përmes dijes e, specifikisht, shkrimit, me ngjarje që zënë fill në Shqipërinë moderne, shtrihen në Itali e zgjerohen në një vijimësi diakronike në 5000 vjet qytetërim, duke iu referuar disa pikave kyçe në historinë e njerëzimit.
“Lakimi” është një roman i përqëndruar i tëri në një dramë turbulluese të brendshme: E ndjekur dhe e kërcënuar nga burri, Elira, arkeologe nga Tirana, niset në një kongres për artin e gdhendjes në shkëmb në Valkamonika (Itali), ftuar nga Robertoja, një artist me të cilin beson se ka nisur një marrëdhënie të re. Ajo mendon se shpikja e shkrimit përkon me daljen e gruas nga skena dhe e shmang atë duke dërguar vetëm mesazhe me zë. Megjithatë, janë tekstet që merr në formë mesazhesh që ritmojnë ditët e saj teksa takimi i pritur i dashurisë vonon.
Arbeni, burri i saj, bën gjithçka për të penguar lidhjen mes Elirës dhe Robertos, po kur tek ai nuk sheh një dashnor të zjarrtë, por një tip që jeton çastin, mendon ta përdorë për të goditur të shoqen pikërisht me atë që ajo urren: shkrimin. Ndërsa zbulon historitë, që i dërgon Roberto, Elira, i dërgon me mesazh vetëm dy fjalë: Emërore: serpens. Rrëfimtari nuhat që po i kërkohet një lloj lakimi i ngjarjeve, i cili nuk do të vonojë të vijë. Ajo lexon me qejf pesë ngjarjet e ekspozuara në pesë rasa të lakimit, ku thyerja e rrëfimit linear i dhuron një lexim që bën bashkë shtatë ditë të së tashmes me pesë mijë vjet njerëzim.
Autori duket si i distancuar nga letërsia shqipe e traditës dhe ajo bashkëkohore që shkruhet sot. Ka përqafuar “metamodernizmin”, janë shprehur disa komentues të këtij romani, por unë mendoj se teksti i Taçit është shumë kompleks dhe shumështresor, përndryshe një fiksion metaletrar, metamitik dhe palimpsestoid. Duke realizuar një trillim vetë-ndërgjegjës, shkrimtari ka përdorur metafiksionin, i cili nënkupton një stil të prozës tregimtare, ku vëmendja i drejtohet procesit të krijimtarisë trilluese. Fiksioni dhe mekanizmat e tij bëhen transparentë, ndërsa mekanizmat fiksionale të brendshme dhe ato të jashtme injorohen tërësisht.
Metafiksioni ndodh në historitë trilluese kur historia analizon elementet e vetë trillimit. Në përgjithësi, metafiksioni te ky shkrimtar është një trillim vetë-ndërgjegjës. Autori e lë fiksionin e përgjithshëm të rrjedhë në shumë rrafshe dhe duke tematizuar vetë fiksionin. Pikësëpari autori në këtë roman ka krijuar një metagjuhë, termat e së cilës janë univokë dhe të ndërpërcaktuar. Në përgjithësi programet narrative të metafiksionit janë të shumëfishta dhe kanë një marrëdhënie hierarkike brenda tyre.
Kësisoj vepra mbart fund e krye një koherencë logjike.
Modeli narrativ i Taçit është përpunuar gjerësisht vitet e fundit. Në këtë roman ai ka arritur një skemë narrative kanonike, ku veprimi i subjektit shndërron stadet e gjërave. Reflektimet e autorit zhvillohen gjithnjë e më qartë, dhe nuk duhet marrë në konsideratë niveli i thellë i abstarktit, por të gjitha nivelet, sepse kuptimi tërësor i tekstit lind vetëm nga përcaktimi reciprok i këtyre niveleve. Në vepër ka ndodhur një integrim mes dimensionit sintaksor dhe dimensionit semantik. Kemi të bëjmë me një simiotikë të situatave, ku konteksti pragmatik përshkruhet me të njëjtat mjete të semiotikës narrative e diskursive. Valenca e vlerave hyn në lojë kur merren vendimet për vlerën e vlerave, pra athere kur gjykohet jo vetëm nëse vlen dicka, por se cila është vlera e vlerës së tij.
Përmasa pragmatike ndërkallet tërësisht në brendësi të përmasës njohëse, përbrenda dukurive të njohjes, ndërtimit, manipulimit të vetes dhe të lexuesit. Semiotika strukturale rreket të trajtojë në mënyrë homogjene diskurset – objekt dhe kontekstet e tyre, duke përpunuar kështu një semiotikë të situatave, që është pjesë përbërëse e semiotikës më të gjerë të veprimit. “Meritën që ia dalim të kënaqemi kaq gjatë brenda njeri-tjetrit, duhet t’ia njohim, mbase, atij dialogu të heshtur vështrimesh. Siç duket, e kemi kuptuar se dashuria, – ky udhëtim vetmitar në dy, – fillon dhe mbaron tek sytë, si leximi”.
Në këtë këndvështrim, ky roman është një bashkësi tekstesh ku vihen përballë hapësira të panumërta tekstore, qofshin edhe shumë larg njëra- tjetrës. Marrëdhëniet mes pjesëve në trësinë komplekse, janë gati organike.
________________
Durim Taçi ka studiuar filologji e kinematografi në Tiranë dhe filozofi në Milano. Autor dygjuhësh, Taçi është edhe përkthyes i shumë titujve në shqip. Me romanin “Codice Kanun” (2016), është nderuar me Çmimin Montefiore. Pason trilogjia e leximit me romanet “Extra Time, vetja jote e dytë” (2019), “Extra Time, la tua seconda persona” (2020), “Një prani në ikje” (2020) “Una presenza che sfugge” (2021). Libri i tij “Liqeni në mes të detit” (2022) është nderuar me Çmimin Fishta 2022. Durim Taçi është fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë 2021 me përmbledhjen e tregimeve “Nga një derë tjetër” (2021), botuar edhe në italisht, “Da un’altra porta” (2023). Jeton midis Tiranës dhe Bergamos (Itali), ku pat emigruar që në vitin 2000. Nga viti 2024 punon te Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Qendra e Studiumit të Arteve.