Ndër autorë shqiptarë, Kadare është ndër të paktët që ka ditur se çfarë është e përjetshme, e përbotshme, andaj çdo vepër e tij do të arrijë të ketë lexues. Kështu ndodh edhe me novelën e tij “Lamtumira e së keqes”, e cila duhet lexuar krahas shumë leximeve të tjera, si një vepër që vë në qendër njeriun me egon e tij dhe etjen e pashtershme për pushtet. Njeriu, i kudondodhur do të ketë maninë të mbrojë apo më saktë mbajë me forcë gjithçka që e quan të vetën. Qofshin këta njerëz të zakonshëm, drejtues shteti apo sovranë (mbretër). E brenda gjithë këtyre qenieve digjet dëshira për pushtet. Pushteti është një lloj magjie që i jep atij, njeriut, një farë eksitimi, që e torturon sa herë i rrëshket prej duarve. Të qenit mbi të tjerët, të kontrolluarit të gjithçkaje që prek rrezen e shikimit, duhet ta bëjë njeriun të ndihet deri diku Zot. Duhet të jetë një farë përjetimi magjik.
Po më magjike është intriga e këtij njeriu të eksituar nga pushteti për ta ruajtur atë. Kur njeriu ndjen se po humbet pushtetin, nis të mendojë për lloj-lloj mënyrash se si ta mbajë qoftë edhe për pak kohë më shumë. Një ditë. Një vit. Pastaj një përjetësi. Historia flet për mbretër që kanë shkuar deri në fraticid. Ankthi i rrezikut të të humburit të pushtetit i ka kushtuar gjumin dhe mirëqënien mendore shumë njerëzve të lartë.
Duke njohur egon e njeriut të sëmurë prej pushtetit, Kadare sjell një rrëfim për mënyrën se si ankthi i të parit përcillet deri te qënia më e parëndësishme e sistemit. Si gjithkush nis të mendojë për ruajtjen e pushtetit të të madhit. Intrigat e njerëzve të mëdhenj e të pushtetshëm, dijetarëve, dhe vegjëlisë. Njeriu kthehet në vegël të pushtetit, nis të besojë se puna e tij ka shumë rëndësi brenda mishmashit politik. Ai jepet me forcë në errësirën e të madhit, për të bërë të mundur që pushteti i tij të vazhdojë me çdo kusht, duke përdorur forma dhe mënyra të ndryshme të pamendueshme prej mendjeve njerëzore. Në atë terr, nisin të gatuajnë planet për trashëgimin e pushtetit. Të një pushteti të tjetërsuar, të fshehtë, por që vazhdon të mbetet pushtet.
Në kohën kur Shqipëria kishte marrë rrugën e çlirimit prej Perandorisë Osmane, (sipas rrëfimit në novelë) inteligjenca e tyre mendonte se si të vazhdonte të kishte pushtet mbi Shqipërinë e çliruar. Si të vazhdonte të aziatikohej përfundimisht dhe me vullnet të lirë ky vend që herë pas here qe problematik për Portën e Lartë. Pra, Shqipëria sipas planit të hartuar prej tyre nuk do të mund t’i thoshte ndonjëherë lamtumirë të keqes osmane. Për ta bërë të mundur këtë, nisin dikë, një të zakonshëm drejt Shqipërisë, për të takuar Beqir Aliun, një qeveritar po pa rëndësi, e për t’i kallëzuar planin dhe nevojën që ka shteti i madh osman për gjetjen e Antikrishtit shqiptar. Ky Antikrisht do ta afrojë Shqipërinë me Portën e Lartë duke e larguar përfundimisht prej perëndimit. Kështu ankthi dhe pagjumësia e sulltanit i përcillet edhe Beqir Aliut të parëndësishëm. Pra, na jepet një sulltan që nuk dëshiron asesi të humbasë pushtetin e tij mbi shtetet e pushtuara ndër gjenerata e shekuj të tërë.
Kadare na sjellë lojën e madhe politike që zhvillohet në arenën ndërkombëtare. Në mungesë të marshimeve ushtarake në territore të huaja (shkak ligjet ndërkombëtare), shtetet, ata që i drejtojnë ato nisin të mendojnë për pushtime të llojeve të tjera. Pushtime të shekullit modern (gjuhësor, fetar, ekonomik, teknologjik etj). Këto pushtime shfrytëzojnë dobësitë jo vetëm të sistemeve politike, por edhe të njerëzve, veçanërisht të këtyre të fundit. Njeriu është zanafilla e gjithçkaje, andaj të gjithë rreken ta njohin sa më mirë natyrën e tij komplekse, e cila gjendet në çdo gjë që ai krijon. Në përgjithësi njeriu ja del të ndërtojë sa më shumë telashe për veten e tij, kështu veprojnë edhe shtetet e për këtë nuk mund të habitemi sepse drejtohen prej nesh, njerëzve.
Po krahas lojës së politikës në arenën ndërkombëtare, të fortit kundër të dobëtit, njeriut kundër njeriut, novela “Lamtumira e së keqes”, të nxit të heqësh një paralele tjetër, për një kohë tjetër, atë të regjimit diktatorial komunist në Shqipëri.
Kur sistemi nisi të shkërrmoqej, nuk do mend që e gjithë klasa komuniste mendonte për një mënyrë se si të vazhdonte të ishte në pushtet. Besnikët e regjimit të shkuar ishin të shumtë, ashtu siç ishin edhe të indoktrinuarit, të cilët besonin verbërisht në virtytshmërinë e diktaturës. Pikërisht këta të dytët mund t’u bëheshin një ndihmë e fuqishme të parëve.
Megjithatë, ajo çka ndodhi ishte më shumë ajo që Kadare parashikoi në këtë novelë. U gjend një Antikrisht, a disa. Këta Antikrishtë hoqën petkat e diktaturës për të veshur të demokracisë. E me këto petka të reja u ngjitën atje ku gjithnjë patën qenë, në majë dhe drejtuan përsëri, duke mbajtur për ligjëratë se i kishin dhënë fund diktaturës dhe tashmë mbretëronte demokracia. Të gjithë besuan se iu tha lamtumirë të keqes së parë. Një e keqe që Antikrishtët e varrosën afër sipërfaqes së tokës. Mjafton një gërvishtje fare e vogël që të zbulohet fataliteti i verbërisë së besimtarëve. Fatkeqësisht e keqja është ende e pranishme. Pikërisht këtë prani zbulon edhe “Lamtumira e së keqes”, një rrëfim për Shqipërinë e djeshme dhe të sotme, ku Kadare nuk heziton të na tregojë se asnjë të keqeje nuk i thuhet lamtumirë përgjithmonë, se ajo trashëgohet, ruhet prej atyre që i shohin interesin, e strukur, e tjetërsuar, ama aty mes nesh.



