Jeta në Shqipëri është si një tragji-komedi, ku nga njëra anë merr frymë fatkeqësia dhe nga ana tjetër ca çudira dhe paradokse të japin gaz. Kështu, në kësi realiteti jetojmë ne, shqiptarët, shumicës së të cilëve u mbarojnë ëndërrat në moshë fare të re përpara se t’u mbarojë vetë jeta. Sikurse kudo, ma merr mendja, herë pas here na shërbejnë disa retorika të dëgjuara edhe më herët, të cilat na dëshpërojnë për natyrën e tyre patriotike e hipokrite. Po, këtu, mes nesh na është bërë e zakonshme kjo retorikë e andaj nuk e kuptojmë më se sa helm konsumojmë. E pavërteta na duket e vërtetë, dhuna si normë, imoraliteti si vyrtyt. Të tjera kohë këto, të tjera norma!
Në zallamahinë e madhe të së përditshmes, aty ku luftojmë çdo ditë të mbijetojmë, e jo të jetojmë sikurse do të ishte idealja, shkruhet. Shkruhet letërsi. Një art që frymëzon pak këto ditë, por që imiton besnikërisht njeriun me gjithçka të tij sot e kurdo. E gjithçkaja e njeriut është thuajse e pakufishme. Ky art ka pak dashamirës në Shqipëri. Ndokush do të kundërshtojë, në gjykimin tim, pa të drejtë. Jo çdo libër që lexuesi mban në dorë dhe lexon përfshihet në letërsi. Pra, lexohet pak letërsi. Pikërisht të lexuarit pak letërsi është një nga problemet më të gjendshmet në përmbledhjen me tregime “101 tregime të shkurta” nga Stefan Çapaliku. Në këto tregime ngrihet problemi i të lexuarit, lexuesit, i studiuesit të letërsisë, kritikut dhe shkrimtarit. Sa më shumë tregime që lexon aq më fatzi të duket fati i njeriut shqiptar të letrave. Nuk tregohet i butë me të, as e mëshiron, jo, e sjellë ashtu të papërpunuar dhe lexuesit nuk i mbetet tjetër veç të ngrejë pyetjen “Pse kështu te ne?”.
Nuk mungon së cekuri edhe çështja e gazetave, ku na sillet në vëmendje se si ajo vdiq.
“Ai punonte si gazetar në nji të përjavshme, që në vitin 2001 kishte pasë rreth 64 fletë. Edhe tash punon në të njëjtën gazetë, por që ka gjithsej jo ma shumë se 8 fletë. (….)’’ . Në fund të rrëfimit gazeta është fshirë krejt nga qarkullimi. Të gjithë flasin për një kulturë leximi, por në jetën tonë të përditshme kultura e leximit është në zgrip dhe sistemi arsimor vuan nga plagë të vjetra të trashëguara prej diktaturës, si dhe prej rrekjeve të dështuara për të përshtatur ca metoda e infrastruktura të reja të huazuara keq prej vendeve të emancipuara.
Duke përdorur humorin, ironinë dhe herë pas here satirën, Çapaliku na përplas fytyrës gjithë problemet që ne kemi vendosur me këmbëngulje që t’i injorojmë në përditshmërinë tonë duke qenë se nuk kemi vullnetin për t’i zgjidhur ato. Por, letërsia nuk të lë të kthesh faqen tjetër e të vazhdosh të injorosh, në veçanti një gjini specifike e saj, prej së cilës Çapaliku ka përshtatur disa metoda a ligjësi për të rrëfyer 101 rrëfime.
Duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, të afërt për cilindo lexues, Çapaliku sjellë personazhe dhe rrëfime nga kohë dhe vende të ndryshme dhe qysh të gjitha i lidh së bashku një asi ndjenje e paemër, e cila shkon te lexuesi. Në këto tregime ka shumëçka, pak Shqipëri të komunizmit, shumë të tranzicionit, diasporës, thellësive të pa eksploruara nga emancipimi, si dhe pak Shqipëri të intelektualëve. Në të gjitha këto versione të Shqipërisë dhe shqiptarit bujtë qenësisht fatkeqësia, dhimbja, paradokset e shumta që tronditin lexuesin e së tashmes e ndoshta edhe të së ardhmes.
Ndër 101 rrëfime ka vend edhe për përvetësimin e pronës publike, zaptimit të saj dhe makutërisë së njeriut ose më drejtë për mos njohjen e ligjit.
-Cilën kala? – guxoi prapë të pyeste Bibja, si të kishte hangër atë mjes do gazeta t’mira.
-Po ne nji kala kemi, moj Bibe…Po pse po e zgjatë këtë muhabet, apo po të duket vetja si Rozafa?! Kalaja i takon zotit M.M, pikë. (…) Mbas pesë minutash M.M i tha faleminderës vetëm Bibes dhe doli nga zyra me kala ndën sqetull.”
Këtu, Çapaliku na tregon se shqiptari nuk njeh as ligj, as histori. Pas rënies së komunizmit, rrëfenjat tregojnë se shqiptarët o shkatërruan gjithçka që patën ndërtuar, o përvetësuan gjithçka që u zinte syri. Këtë e shohim edhe në tregimin e Çapalikut, deri në marrjen e kalasë. Çështja është se lexuesi sado që argëtohet me fillimin e tregimit, i ngrin buzëqeshja me fundin, pasi i bën pyetje vetes, a mbeti kjo sjellje e shqiptarit vetëm në fillim të tranzicionit apo vazhdon edhe sot? Tash, përgjigjen e kësaj lexuesi jo vetëm i Çapalikut, por i të gjithë shkrimtarëve shqiptarë e di mjaft mirë.
Përtej kësaj, duket se rrëfimet e përmbledhjes me tregime “101 tregime të shkurta” kanë si qëllim të provokojnë emocion. Shpesh herë është një farë lloj zhgënjimi, një farë lloj hidhërimi. E tregimi “Kalaja” nuk është i vetmi tregim që provokon emocione te lexuesi. Të gjitha tregimet janë shkruajtur sipas së njëjtës strukture dhe për të njëjtin qëllim të provokojnë emocione, të bëjnë që lexuesi të reflektojë mbi aktualitetin si dhe të edukojë, çuditërisht, kjo e fundit arrihet përmes humorit, komizmit.
Ajo që të jep ndjesinë e së qeshurës është një trashësi, një paaftësi, një përçudni e personazhit të zakonshëm që kaq shumë ngjan me lexuesin.
Çapaliku përdor pikërisht ligjësitë e komedisë, gjinisë së dramatikës dhe i vë në zbatim në tregimet e tij. Lexuesi edukohet, kupton, reflekton përmes së qeshurës. Është gabim, është përçudnim çdo gjë që rrëfehet, por tashmë që dikush na e ka vënë në dukje mund edhe ta rregullojmë. Të mësojmë nga provincializmi, padituria, kriza e identitetit, paradokset që kanë shoqëruar të tjerët si ne. Kaq mund të bëj arti, letërsia, shkrimtari, të tjerat i takojnë shoqërisë.



