Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anxhela Pashaj: Kur të qenit së prapthi në një botë si kjo...

Anxhela Pashaj: Kur të qenit së prapthi në një botë si kjo jona nuk është mallkim, por urim

“Lindur së prapthi” është një roman autobiografik nga autorja Rita Petro, i cili  vërtitet rreth jetës, përvojave, ndjenjave, mendimeve të një vajze të vogël që rritet mes dy kohëve shumë të ndryshme politike, diktaturës komuniste dhe demokracisë. Rrëfimi lëviz në dy kohë, të shkuarës për të cilën vajza rrëfen dhe të tashmes që me ngacmimet e veta e rikthen vajzën në kujtimet e së shkuarës.

“Lindur së prapthi” i komunikon qysh në titull lexuesit të tij se ky roman është për ata që janë së prapthi, që bota i gjykon si të tillë, që janë ndryshe jo si të gjithë vdekatarët e tjerë. Të qenit së prapthi, ndryshe, këtu (në roman) është e lindur e për rrjedhojë nuk mund të zhbëhet sado fortë që njeriu të përpiqet për t’u bërë si të tjerët. Nga ana tjetër ky titull të lë të mendosh se kemi të bëjmë me një përçudni, një mallkim, që do t’i paralizojë jetën personazhit të rrëfimit, mirëpo gjatë rrëfimit kjo nuancë, ky mendim nis edhe venitet, pasi të lindurit së prapthi shpërfaqet si të qenit mbarthi, jo në botën tonë dhe as asaj të vajzës, por në një botë ku liria dhe dashuria gjallojnë, në botën e ideve.

Rrëfimtari, në rastin e këtij romani është zëri i një femre, një vajze të vogël, një gruaje, e cila e nis rrëfimin duke na prezantuar me veten e saj, të lindurit anapodha, së prapthi, familjen e saj dhe lidhjet emocionale mes tyre; duke na vënë përballë patriakatit të kohës, se si dukej figura atërore në sytë e një fëmije. Një figurë e gjithëpushtetshme që vendos mbi fatin e të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes si të ishte një zot. 

 “Zoti jetonte dikur në shtëpinë time.”

“Ai ishte zoti trupmadh, me sy të kaltër, cullufe flokësh të dendur, me onde. Ai ishte aq zot, saqë, kur kalonte nga njëra dhomë te tjetra, askush nuk mund t’i dilte përpara. Ne mbështeteshim te muret ose pas perdeve.”

Kjo figurë atërore lëviz nga familja në shoqëri duke marrë formën e një personazhi tjetër, jo më vetëm patriakal, por edhe diktatorial, Udhëheqësi i Madh. Në romanin “Lindur së prapthi” është mjaft intersante se si shkruhet figura e Udhëheqësit të Madh, në fillim të rrëfimit nga syri i fëmijës, ai është një qënie e paprekshme që u jep emocione thuajse pozitive të vegjëlve, të cilët mezi prisnin të kishin një takim me të. Nga ky grup i adhuruesve nuk bën përjashtim as vajza e vogël, duket se ëndrra e saj është të takohet të paktën një herë me Udhëheqësin e Madh.

Treguar me zërin e fëmijës kjo dëshirë e vajzës tingëllon e pafajshme, pasi ajo ende nuk i di pas-skenat e udhëhehqjes së Udhëheqësit të Madh. Ajo nuk i njeh rreziqet e të kundërshtuarit regjimin e tij, nuk e di se të gjithë janë pjesë e një komuniteti të helmuar, vrojtues, arsyeja e rënies dhe shkatërrimit të tjetrit. Por, nuk do të vonojë për të mësuar se shtëpitë janë plot çimka, se disa njerëz janë më të pastër se të tjerët për regjimin, se kush nuk është i pastër zhduket në një cep tjetër të vendit, se disa u dënuakan për imoralitet, se po të dalësh dëshmintar për “imoralitetin” e dikujt mund të ngjitesh lart drejt Udhëheqësit të Madh, se as mendimet dhe ndjenjat nuk janë të sigurta dhe se mund të spiunohen dhe ta pësosh. Të gjitha këto e tronditin shpirtin e fëmijës dhe e venitin dëshirën për të takuar  Udhëheqësin e Madh.

Një arsye tjetër pse vajzës së re i zbehet dëshira për ta takuar Udhëheqësin e Madh është fakti se të tjera dëshira nisin të gjallojnë brenda saj. Dëshira që ndërlidhen me njohjen fizike dhe emocionale të vetes. Pavarsisht normave të kohës dhe shoqërisë, vajza e vogël nuk stepet për të kërkuar dhe zbuluar veten. Herë – herë gjatë rrëfimit lexuesi vëren se normat morale dhe politike të vendosura nga shoqëria duket se gjallojnë jashtë vajzës, ndërsa ajo gjallon në bazë të disa normave të tjera të përcaktuara nga vetë ajo.

Me naivitetin e saj, vajza na tregon se si rritet, si e përjeton zhvillim fizik për të cilin nuk i ka treguar kurrkush ndonjë hollësi, se si ndryshimet fizike ndryshojnë anën emocionale dhe se si bota e re e saj nis dhe merr formë.

Në roman ka një prezencë të gjerë të figurës femërore, duke nisur me gjyshen, mamanë, motrën, fqinjeve, shoqeve të klasës, të cilat përshkruhen dhe rrëfehen me të gjitha ngjyrat dhe shqetësimet e tyre. Gra që dallojnë shumë nga personazhi – rrëfyes – grua, e cila nuk i trembet dëshirave të veta. Ajo është e bindur për t’i shkuar çdo zbulimi deri në fund, për të njohur veten pa patur ndonjë ndjenjë turpi. Të njohësh vetveten nuk u përket burrave, por njeriut. Njeriu duhet të njoh limitet e veta, e për t’i njohur ato duhet të provojë, të tentojë në të kundërtën mbetet në kurthin e frikës.

Intermexo, “Trotuari i mesit” është një nga kapitujt më interesant të romanit “Lindur së prapthi” ku edhe aty ndihet prania e figurave femërore, por jo vetëm; gra dhe burra të cilët janë ndryshe, ndryshe nga ç’ka e kërkon morali i shoqërisë së kohës, të papranuar, të pakuptuar, të keqkuptuar,  të braktisur nga njeriu. Imazhe që ngjallin dhimbje. Imazhe që të kujtojnë se të qenit njeri duhet të qëndrojë mbi çdo besim tjetër që ne mund të kemi, që mund të ruajmë brenda vetes.

 Figura si Maria, Linda, Zhaneta, Liza, Tedi, Kastrioti, Goni, Ladi janë të vështirë për t’u harruar. E si mund të harrohen kur edhe sot, në mos në trotuarin e mesit, gjenden në çdo kënd të vendit. Trotuari i mesit është trotuari i dhimbjes, i thyerjes shpirtërore, i cili vështrohet nga personazhi – rrëfyes – grua me dhimbje e keqardhje.

Njeriu i përjashtuar është një nga nyjet tematike të këtij romani. Njeriu i përjashtuar nga sistemi, nga shoqëria, nga bota qoftë ky burrë apo grua. Nëse nuk je siç të kanë parashikuar, nuk mund të jesh i pranuar, nuk mund të bëhesh pjesë e së tërës. E bukura e së tërës është se ka kuptim vetëm nga shumëllojshmëria. Diversiteti nuk është për t’u patur frikë, por për t’u përqafuar, për t’u pranuar. Të qenit së prapthi në një botë si kjo jona nuk është mallkim, por urim.

Exit mobile version