Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anton Nikë Berisha: “Shpendkeqja” ndër romanet tanë më të rëndësishëm

Anton Nikë Berisha: “Shpendkeqja” ndër romanet tanë më të rëndësishëm

Shumësia e dukurive dhe dendësia e strukturës tekstore

Romani “Shpendkeqja”[1] i Ymer Shkrelit pa asnjë dyshim shënon rrafshin artistik më të ngritur që ka mbërritur ky autor në llojin e prozës së gjatë (edhe përballë romanit “Pikëpjekja”, të botuar më 1982), po dhe njëherit të prozës shqiptare në përgjithësi.

Ku e kanë bazën një vlerësim i këtillë?

Tri janë, pos tjerash, çështjet kryesore që përcaktojnë vlerën dhe origjinalitetin e romanit “Shpendkeqja”.

E para lidhet me shumësinë dhe me rëndësinë e çështjeve që trajtohen në këtë vepër, e dyta me strukturën tekstore poetike, nga e cila rrezaton një shumësi kuptimesh, ndërsa e treta me personazhin kryesor të këtij romani, Shpend Keçjen, njërin ndër më komplekset në prozën romaneske shqiptare.

Në romanin “Shpendkeqja” shqiptohen e transponohen një varg dukurish qenësore të ekzistencës së njeriut tonë e të botës së tij; përftohet e zhvillohet një monolog asociativ, që në qenësi është një dialog me veten dhe me të tjerët, me botën që e rrethon dhe e përcakton gjallimin dhe veprimin e tij. Kjo shumësi dukurish e kuptimesh është shprehur nëpërmjet të një strukture tekstore të ngjeshur; autori ka lënë vetëm tekstin pa të cilin nuk do të kuptoheshin, të nxiteshin e të zhvilloheshin lidhjet e ballafaqimit të dukurive, të shqiptohej e të krijohej konteksti poetologjik, që e dallon veprën letrare artistike prej çdo vepre jo letrare.

Në këtë prozë Y. Shkreli ka bërë objekt trajtimi artistik vetëm ato aspekte të dukurive, janë shqiptuar ato ide e kuptimësi që shprehin qenësi, që kur ndërlidhen e gërshetohen ndërmjet veti brenda strukturës së tillë të kursyer tekstore, shndërrohen në një tërësi komplekse shprehëse e kuptimore, që është i aftë të nxisë e të krijojë në vetëdijen e lexuesit një sistem të ri të hapur e të pambaruar kuptimesh, i cili do të zhvillohet e do të pasurohet varësisht nga mundësia krijuese dhe riprodhuese e marrësit që vë komunikim artistik me të.

Në qenësi në veprën “Shpendkeqja” bëhet objekt trajtimi e keqja, e keqja që njeriu i shkakton njeriut. Kjo gjë është konkretizuar e shprehur sidomos nëpërmjet dukurisë së fashizmit, që, midis dy Luftërave botërore, veçmas në mesin e viteve ‘30, kishte marrë hov në Gjermani, po ishte degëzuar e zhvilluar edhe në shtetet të tjera si në Itali, Spanjë, pastaj në Ballkan etj. Në të vërtetë, mënyra se si po shfaqej kjo e keqe në Ballkan, si ndërlidhej ajo me të keqen që vinte nga shtetet e tjera, veçmas nga Gjermania, sa e ndihmonin këtë gjë kushtet dhe rrethanat në Kosovën e atëhershme, sidomos në Pejë, ku jeton dhe vepron personazhi kryesor, Shpend Keçja, si shpreheshin të gjitha këto në botëkuptimin e njerëzve, në veprimin e tyre, sa ishte kjo e keqe përsëritje edhe e asaj që ka ndodhur në të kaluarën, si vijimësi historike që përcillej (“… në Ballkan po errën netët gjithnjë e më shumë. Në vend që të jemi motive, u bëmë pasojat tona…”) etj. Përbën qenësinë e rrëfimit të veprës, që, siç theksova, është një monolog asociativ, një dialog me çështjet e kohës, me atë që përjetonin dhe pësonin njerëzit, me pasojat që nuk janë pjellë vetëm e kohës përkatëse, por rrjedhojë e natyrshme e së kaluarës, përtëritje e së keqes në një çast dhe në një vend konkret.

Dukurinë e fashizmit autori e shqipton në dy rrafshe kryesore; me një anë atë e kundron në rrafshin parimor e të përgjithshëm – nëpërmjet të Leni R.-së, të cilës, si gjermane që është, ia shkruan të gjitha letrat (në qenësi këto letra përbëjnë vetë romanin; me Leni R., siç thuhet në këtë vepër, Shpend Keqja ishte takuar e dashuruar në Vjenë, atëherë kur njeriu ka mundur të dashurojë e të dashurohet, edhe pse Leni R. është dashnore e përfytyrimit; në një përqasje të lirë, të mundshme, ajo shpreh marrëdhënien: dashuri-urrejtje; Evropa – Ballkani, i madhi – i vogli etj.). Duke hequr dorë nga dashuria (lexo: dashuria trupore) Leni R. futet në vallen e së keqes që quhej fashizëm, në vallen e urrejtjes. Kjo dëshmohet nga kumtet e ndryshme të gazetave, nga fotografitë e përbashkëta të kësaj gruaje me udhëheqësit e kësaj të keqeje në krye me Hitlerin. Rrjetën e kësaj të keqe e përbëjnë edhe Fili Bauer, anëtarët e grupit që gjiron filmin në Grykën e Rugovës etj.

Në rrafshin e dytë gjithë kjo shqiptohet e ndërlidhet me atë që ndodh në Pejë, me lëvizjen komuniste, me dhunimet që bënte pushteti i atëhershëm për të mbetur në sundim, për t’i ruajtur rregullat që i mundësonin zgjatjen e sundimit (në një sistem të këtillë ekzistimi njeriu del si qenie e parëndësishme, kundër tij bëhen e njësohen të gjitha veprimet antihumane që bën pushtuesi nëpërmjet leqeve e rrjeteve robëruese, poshtëruese dhe vdekjeprurëse) me çdo kusht. Autori ka ndërlidhur dukuri, shtresa të ndryshme shoqërore e individë, që nuk lidhen vetëm me Pejën e me Kosovën, por edhe më gjerë (çështja e vrasjes së patriotëve si Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës etj., pastaj të tradhtarëve si Cen beg Kryeziut, Ibrahim Çelës, Balto Stamollës etj.). Në ndonjë rast diagonalet e parabolat e dukurive dhe të kuptimeve zgjatën në hapësira gjeografike dhe kohësisht shtrihen edhe në periudha të kaluarës së largët. Personazhet që përbëjnë dhe shprehin këtë rrafsh, këtë botë të katandisur në flijime, pësime e tragjedi, janë ndër të tjerë Shpendi, Jagoshi, Dy Ramizat, Boro, kryeshefi i gjandarmërisë, Stojadinoviqi etj.

Këto personazhe ngërthejnë në vete një shumësi simbolike; veprojnë sipas rasteve e rrethanave; ndërrojnë role e funksione sipas nevojës, sipas kërkesave të tjetrit (sidomos atyre në pushtet) ose sipas leverdisë vetjake. Në këtë mënyrë personazhet shprehin marrëdhëniet shoqërore, përkatësisht mungesën e qenësisë individuale, zhgënjimin, poshtërimin, shpirtvogëlsinë, rrënimin shpirtëror etj. Secili prej tyre në veçanti e të gjithë së bashku kanë në vete një përmasë të tragjikes së kohës e të marrëdhënieve në të cilat jetojnë. Në qenësi ata luajnë lojën e subjekteve të kurdisura.

Sidomos personazhi Shpend Keqjarrezaton një shumësi kuptimesh, virtytesh e vesesh.

Kompleksiteti i personazhit Shpend Keqja

Kompleksiteti i personazhit të Shpend Keçjes nuk shprehet në faktin se është vështruar në mënyrë të detajshme e realizuar mbi bazën e një plotnie të caktuar, sikur ngjet, fjala vjen, me personazhet Afërditën ose me Gjon Zaverin e S. Spasses, Vitën e j. Xoxës, Dyl mehmetin e A. Shkrelit etj., të cilët me cilësitë e shumta të tyre i përgjigjen konceptit themelor të materies së trajtuar; e forcojnë plotninë e idesë bosht të veprës etj. Veprimet dhe sjelljet e personazheve të përmendur janë të përcaktuara; prej fillimit vërehet baza dhe strategjia e veprimit të tyre, vërehet kontinuiteti në veprim, që vjen e gjen një shtjellim shkallë – shkallë në tekstin e veprave përkatëse dhe të sistemit kuptimor. Këto personazhe nuk heqin dorë nga përcaktimi i tyre, nuk shmangen nga rruga e nisur, nuk gjunjëzohen nga vështirësitë dhe mëdyshjet që u ngjasin derisa realizojnë qëllimin. Situatat, në të cilat gjenden, prej atyre të zakonshme e deri te ato të papritura, të ndërlikuara e të jashtëzakonshme, vetëm e shpalojnë dhe e plotësojnë përcaktimin dhe qëndrimin; që kushtëzohen nga kushtet e marrëdhëniet në të cilat ata veprojnë e gjallojnë. Ata i kanë qëndrimet e qarta e të përcaktuara për atë që e dëshirojnë, edhe për atë që e urrejnë; edhe kur fitojnë e ngadhënjejnë, edhe kur gjunjëzohen, dëshmojnë vijën e përcaktimit të veprimit. Afërdita e romanit “Afërdita”, të S. Spasses, fjala vjen, është e vetëdijshme (sikur është i vetëdijshëm Gjon Zaveri i romanit “Pse” se rruga e tij e vetme, në kushtet e rrethana të tilla, është vetëvrasja) për domosdonë e flijimit, e cila është dobiprurëse; ajo flijohet për të ardhmen e atyre që vijnë, e pasardhësve.

Shpend Keqja i Ymer Shkrelit është një personazh me tipare të tjera. Ai më së paku synon identifikimin e personalitetit e të botëkuptimit të vet, më së paku që të dalë i plotë në qenësinë e vet, të shprehë tërësinë e konceptit të caktuar të një personi, shembullin e të cilit duhet ta marrim si model; ose të kemi dhimbje për të, të mos e përfillim, ta mohojmë, ose ta urrejmë pjesërisht ose në pika më të skajshme. Ai nuk është as sinonim i racionalitetit të mirëfilltë, as i absurdit, as i tragjikes së rastit; ai nuk ngërthen në vete as kaosin, as shuarjen e egos e superegos. Shpend Keqja është personazh kompleks, por edhe i kompleksuar (në çaste të ndryshme). Ai është i tillë për arsye se kushtet në të cilat është krijuar e formuar, sidomos në të cilat jeton dhe vepron, janë të tilla, komplekse dhe vështirë për t’i përcaktuar e definuar. Ai nuk synon ta shprehë qenien e vet me këmbëngulje, nuk është as aktiv për shembull, as pasiv e qyqar për ta urrejtur. Sa fitojmë përshtypjen madje edhe bindemi se ai është inteligjent dhe çështjet i kupton, madje shpesh tregohet i gatshëm për t’u flijuar për një të mirë të përgjithshme (vrasjen e kryeshefit të Xhandarmërisë, pastaj të Hitlerit, shkuarjen në luftën e Spanjës etj.), vërejmë se nuk është konsekuent e këmbëngulës; për arsye të ndryshme, dëshirat shpesh i mbesin vetëm si të tilla – dëshira, ose një dëshirë metafizike i shndërrohet në një tjetër, qoftë kjo e nxitur nga rasti, nga rrethanat, nga nderimi ndaj shokëve (ai heq dorë nga vrasja e kryeshefit të xhandarmërisë me kërkesën e shokëve anëtarë të partisë), qoftë pse ai është i gjykuar që të mos veprojë, të jetë i pamundshëm dhe pasiv. Qenësisht Shpend Keqjanuk është asgjë tjetër pos një frymor që ka hyrë rastësisht, pse ka qenë i detyruar, ose me vullnetin e tij (për arsye se këtu e ka parë mundësinë e veprimit e të gjallërimit si qenie) në marrëdhënie e në rrjedhën e caktuar të ekzistencës, ku çdo gjë varet prej tjetrit, prej hierarkisë dhe prej forcës, pra çdo gjë është e kushtëzuar dhe e përcaktuar. Mëdyshjen dhe pamundësinë për veprim të Shpend Keçjes nuk e vërejmë vetëm në një rast e në një kohë; në pamundësinë dhe në pa përcaktueshmërinë e tij bindemi, qoftë gjatë pritjes së tij (të rëndë) për ta pranuar si anëtarë të partisë (shokët kryesorë të tij janë anëtarë të partisë), gatishmërisë për të bërë atentat në kryeshefin e xhandarmërisë, ta vrasë Hitlerin në hapjen e Lojërave olimpike, qoftë kur bën kërkesën për të shkuar vullnetar në luftën e Spanjës, për t’i grisur letrat që ia shkruan Leni R. etj.

Kompleksiteti i personazhit të Shpend Keqjes fillon nga vetë emri dhe mbiemri i tij, që lidhet drejtpërdrejt me titullin e veprës dhe me atë që rrëfehet në të. Titulli i romanit është “Shpenkeqja”, titull asociativ, që nënkupton të keqen, të kobshmen, të shëmtuarën. Në traditën tonë thuhet: je ba si shpendkeq, T’knoftë shpeni i keq. Po i knon shpeni i keq etj. Zakonisht shpendë të këtillë cilësohen hutini, kukavajka, hokza e shpendë të tjerë të natës, që, sipas besimeve, ndjellin zi e kob. Titulli i romanit dhe emri i vetë personazhit (ndryshimi qëndron në ndarjen e togfjalëshit dhe shkronjave q dhe ç sugjeron e shënjon të keqen, që nënkuptohet nëpërmjet të shpendkeqes, një të lige që as është e rastit, as mund të zhduket e as të shpëtohet prej saj. Ky person, të cilit i kanë vënë emrin (e kanë emëruar) shumë përkëdhelës Shpend (emër që simbolizon lumturinë, të mirën, lirinë etj.) ka edhe pjesën tjetër (më shumë të trashëguar) Keqja(lexo: i keq, i kobshëm madje edhe i zi etj.) Shpendi i fillimit (i dëshiruar të jetë si shpend) shkallë – shkallë ka zënë e ka anuar më tepër kah mbiemri – e keqja, dhe s’ka arritur (ai ka jetuar edhe në Vjenë e Selanik) ta arsyetojë e ta ruajë konotimin e emrit të shpendit. Pse ndodh kështu dhe pse e keqja e personazhit Shpend Keqjafillon e thellohet, bëhet pjesë e pandashme e tij? Pse Ymer Shkreli shumë çështje kolektive, shoqërore i përqendron dhe i shpreh nëpërmjet individit dhe pikërisht atij i kushton kujdesin më të madh?

Mënyra dhe strategjia e këtillë e shqiptimit të dukurive nuk është e rastit; autori i kësaj proze niset nga individi, që është subjekti parësor i ekzistimit dhe i veprimit të kolektivit; individi si përcaktori kryesor i çdo gjëje që e cilëson dhe e përcakton kolektivin, përkatësisht shoqërinë, ekzistimin dhe funksionimin e saj. Pra, duke bërë fjalë për individin, në qenësi bëhet fjalë për shoqërinë, për marrëdhëniet dhe kushtet që kanë ndikuar në formimin e tillë të individit, ashtu siç ngjet me vetë Shpend Keçjen. S’do mend se atë e ka krijuar si të tillë rrethi shoqëror, prandaj ai shpreh atë shoqëri, duhet t’u nënshtrohet normave që e cilësojnë atë botë e veprimin brenda saj, edhe pse qenësisht ajo botë dhe ato norma bëhen pengesa kryesore e realizimit të ideve të Shpend Keçjes (lexo: individit), e dëshirave dhe e qëllimeve, e ekzistencës së tij. Dhe marrëdhëniet e këtilla, ku “Edhe vetë koha është e tillë (e sëmurë – A. B.)” dhe se atë e cilëson “Ferri që nuk haset as nëpër libra” etj., e çojnë në një shkallë të tillë tëhuajsimi e prishje të drejtpeshimit sa ky bie në kundërshtim me normat shoqërore, me logjikën që mbretëron në rrethin ku vepron, por edhe më gjerë. Bie në këtë kundërshtim, sepse kushtet e këtilla shoqërore bëhen pengesë kryesore që Shpend Keqja, si individ, të mos mund ta shprehë qenien e vet, pikëpamjet e veta për dukuritë e ndryshme, të veprojë e të jetojë sipas asaj që i thotë Un-i i tij, pra të dëshmojë vetëqenien e tij prej subjekti, mundësinë e veprimit të lirë. Për këtë arsye te ky edhe lindin lëkundje, mëdyshje, shprehet pasiviteti, pasiguria, neglizhenca, painteresimi, inferioriteti e çka jo tjetër grumbullohet në shpirtin e tij. Ç’është e vërteta, Shpend Keqjanuk është as i marrë as qyqar, as i painteresuar; ai di për shumëçka që ndodh e duhet të ndodhë; di edhe kur ia kurdisin dështimin, edhe kur dështon vetë; edhe kur dështimin e kushtëzon rasti. Edhe kur gjithë ajo ndodh në pajtim të plotë me normat, me sistemin që i përcakton sjelljet, gjallimin e individit (lexo: pamundësinë e ekzistimit të individit si qenie e pavarur). Në qenien e Shpend Keçjes ka diçka demone, diçka që nuk është krejt e tij, e kohës që i përket ai. Në të ka diçka të trashëguar, të trashëguar nga e kaluara e Ballkanit, e Evropës, e asaj loje të fatit tragjik që ka zënë fill shumë herët dhe pa marrë parasysh normat (e lë më kur ato bëhen të tilla sikur ishin midis dy luftërave botërore ose më konkretisht: në mesin e viteve ‘30 në kohën e lulëzimit të fashizmit) përsëritet në pika qenësore dhe e bën të “fjetur” vetëdijen e njeriut (pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, kohën, vendin). Me demonizimin e vet Shpend Keqjanuk dëshmon vetëm faktin se historia përsëritet, por në qenësinë e botës së vet ai ndërlidh tragjiken e individit në të kaluarën me të pikërishmen, por parasheh praninë e saj edhe në të ardhmen. Ky personazh është shembull tipik i mundësisë së përsëritjes së praksisit historik, i të keqes dhe rrënimit; dy kohë e kanë verifikuar këtë, e ardhmja nuk mund t’u shpëtojë atyre, është e pamundur që të mos trashëgojë diçka. Shpend Keqjaështë produkt i një vijimësie: i mëdyshjeve, zhgënjimeve etj. Nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë e prishjes së drejtpeshimit të tij shpirtëror, por pikërisht e kushteve dhe e rrethanave në të cilat veprohet e duhet të veprohet, në sëmundjen ontologjike që sundonte në kokat e prijatarëve të grupeve, shoqërive e shteteve; të atyre që heqin lojën e ekzistimit të tyre në kurriz të të tjerëve. Shpend Keqjai kupton situatat, kontekstet, e kupton qenësisht aparatin shtetëror dhe forcën e tij lartësore ndaj pamundësisë së individit. Në qenësi ai nuk është shpirt keq, por të keqen ia kushtëzon dhe ia ngulit në shpirt pamundësia e veprimit, normat që e shtypin si qenie; ai nuk është vrasës, por është i gatshëm të vrasë (për një të mirë të përgjithshme). Ai di se vetëm veprimi, vepra për të mirën e përgjithshme e bën njeriun qenie çfarë duhet të jetë, prandaj ka mendim tjetër nga anëtarët e partisë për konceptin shoqëror, për sistemin, për revolucionin. Ata e mendojnë revolucionin pa gjak (bile në një situatë nuk lejojnë antentatin kundër të keqes – kryeshefit të xhandarmërisë), ndërsa ky është i bindur se e keqja duhet luftuar me të keqen (kur s’ka rrugëdalje tjetër). Në kushte të tilla, kur dyshimi në individin ishte më i madh se besimi, frika më e madhe se guximi, urrejtja më e madhe se dashuria, dhuna (në emër të demokracisë) mbizotëronte mbi demokracinë, Shpend Keqjakishte shartuar në veten e tij diçka nga të gjitha këto dhe ato i shpalohen gjatë veprimit, qoftë kur është aktiv, qoftë kur i paramendon aksionet, gatishmërinë për t’u flijuar etj. Mirëpo ai nuk mund ta durojë një realitet të tillë: “Po, sërish dua të ikëm në ëndrrën time, Leni R., sepse zhgjëndrrat i kam akoma më të hidhura. Nuk më durohet një realitet kaq i zi, më beso.” dhe “Ditëve bredh si i humbur, netëve gjumë në sy nuk kam, as kohën nuk e mas e as koha nuk më shkon. Nuk pajtohemi dot ndër vete, e dashur, dhe po ndiçemi si dhija e thika, më beso” (f. 313).

Rrethanat e këtilla kushtëzojnë që Shpend Keqjata shohë qartë pamundësinë e veprimit të vet për ta ndryshuar gjendjen, prandaj thotë: “Unë jam i vogël dhe nuk mund t’i bëj dritë popullit tim. Unë në popull nuk bëj dritë por kërkoj dritë”. (f. 321) E populli, ç’është populli? Sa mund të veprojë ai në kohë të zbrazët e të huaj, në kohën e pakohë, ku udhëheqin e sundojnë ata që “kanë natë në gjak dhe u ka hije terri”. (f. 303) ashtu siç jeton dhe vetë Shpend Keçja: “…koha ime herë është e zbrazët e herë është e huaj; në kokën time ka hyrë dhe banon dikush që nuk e njoh, e në zemër të ruaj ty me përkushtimin e fëmijës jetim…” (f. 282).

Shpend Keqjaqenësisht e ka të qartë kotësinë e veprimit dhe të gjallimit në kushte të tilla. Kjo del sheshazi që nga akti i shkrimit të letrave, që i gris, por edhe në fund të romanit, kur ky detyrohet të zgjedhë (këtë ia shqipton një anëtar i lëvizjes dhe shok i Shpendit) njërën prej dy vdekjeve të mundshme: plumb në kokë ose rezigajin! Shpend Keqjai shkruan letrat që ta mundë vetminë (“Po të shkruaj për problemet e mia nga shkaku i vetmisë…”), që të ngadhënjejë mbi botën e tij shpirtërore me drejtpeshim të rrënuar, por edhe ta përbuzë realitetin e tillë të gjallërimit, kur nuk mund të jesh ai që je: “Atëherë (kur rrinte në Vjenë – A. B.) nuk kam qenë jahudi, Leni R. Atëherë isha shqiptar i vogël dhe i humbur, por ç’e do që tani u rrita dhe nuk guxoj të jem shqiptar sadopak dhe as njeri fare, sepse ta them të drejtën, është e ndaluar këtu ( Në Pejë – A. B.) të jesh ai që je” (f. 324).

Me këtë përcaktohet baza e gjithë asaj që ngjet e shprehet nëpërmjet Shpend Keçjes. Kjo nuk e cilëson vetëm këtë individ, por edhe të tjerët si, fjala vjen, Jagoshin. (Jagoshi është malazez, por duhet të paraqitet si vlleh), Zonjën Bauer etj. Edhe të tjerët kanë fatin e ngjashëm ose të njëjtë, ata jetojnë në lojën e kushtëzuar të pushtetit dhe ai që nuk u përmbahet rregullave do ta pësojë (e pësojnë edhe shpirtvegjëlit, puthadorët, shpirtshiturit, shërbyesit e ndyrë etj.), do ta përjetojë çizmen e rëndë të pushtetit. Në rrethana të këtilla të ekzistimit bëhet rrënimi i metafizikës, prandaj njerëzit i gëzohen vdekjes, ose lufta shpallet si shpëtim, si ushqim i njerëzve: “Ka rënë vallë bota aq në hall as luftërat të trajtohen si i vetmi shpëtim për njerëzimin? Dhe lufta do të na bëhet ushqim?!” (f. 369).

Ç’rrënim po bënte fashizmi në vitet ‘30 të shekullit XX dhe si shprehje kjo në marrëdhënien Evropë-Ballkani vërehet qartë nga ajo që Shpendi i shkruan Leni R. Kjo kohë kishte diçka të nëmur në gjakun e vet, sidomos te popujt e Ballkanit, ku e keqja po shprehej në gjithë veçantinë dhe ashpërsinë: “Edhe vocërrakët e Ballkanit bëjnë gara cili do të rraset më thellë nën sqetullën e resë së zezë fashiste. Ka diçka të nëmur në gjak ky shekull, Leni R.” (f. 329), diçka që nuk ishte vetëm pjesë e tij po që i kishte rrënjët edhe në të kaluarën. Këtë Shpendi e shqipton në një letër, të cilën, natyrisht e shqyen si të tjerat:

U bë vonë, në ndërkohë të tregova se e thyem kamerën që vidhte bukuritë tona natyrore, që rrëmbente shpirtin tonë… por të tillë e kemi fatin, Leni R., edhe grykat, edhe pyjet, edhe fushat e gjera na i marrin fshehtas dhe na i falsifikojnë, pos që na e marrin ujin e lumenjve, pos që na e marrin ajrin në emër të erës, pos… Asgjë nuk do të ngelë për ne, popujt e vegjël, as eshtrat e gostive, as mbeturinat e kufijve, as emrat e varfër, jo. Sepse të tjerët me eshtrat tanë i pastrojnë dhëmbët sa herë bëjnë ndonjë gosti, me emrat tanë i largojnë insektet në ditë vere, me trashëgiminë tonë i ushqejnë kuajt para vrapimeve nëpër hipodrome, me historinë tonë që e shkruajnë vetë në ndërkohë i ngrohin duart tek dalin për gjah në ditë të ftohta, me flamuj tanë fshijnë bythën dhe emblemat tona të tjera i hedhin në ruletin e tyre… Bota është e egër, Leni R. Po kthehemi përsëri në kohën e gurit, në kohën e egërsisë, përsëri po kthehet koha e akullit në zemrat tona” (f. 375).

Kjo botë e çthurë e ka krijuar Shpend Keçjen, e ka katandisur në atë mënyrë dhe si i tillë ai nuk mund të jetë dikush tjetër pos, siç pohon vetë, një i humbur “Një krimb i vogël i kokës sime, që brej veten time, që sos jetën time dhe dua të gjej ngushëllim në një dashuri rinore të cilën e kam përjetuar thuaja në ëndërr dhe në ndërkohë kërkon ta shpëtojë revolucionin për hatër të vet, sepse nuk i pritet.” (f. 374)

Në një vorbull të këtillë jete e pasigurie, të shtypjes e të rrënimit shpirtëror e fizik, Shpend Keqjaka mundësi ta presë vetëm degën e vetme të drurit të jetës së tij! Dhe çështje që shtrohet është: pse ai nuk e pret degën e drurit të jetës së tij? Pse nuk bëhet një Gjon Zaver ose një Ana Kareninë?

Shpend Keqjanuk e ndien veten fajtor për gjendjen e krijuar në vendlindjen-vendin e tij, në Ballkan dhe në Evropë. Si individ ai ka shprehur gatishmërinë, jo vetëm një herë, për veprim, për flijim. Mirëpo asnjëherë shoqëria nuk i ka ofruar mundësinë që ai të veprojë, të veprojë pavarësisht. Përkundrazi ajo ka dyshuar në të, e ka akuzuar dhe në fund e detyron ta zgjedhë vdekjen (thuajse ajo ia ka dhuruar jetën!). Dhe kur nuk mundet në asnjë mënyrë të dëshmojë ekzistencën e vet si qenie në rrethin ku ka lindur dhe jeton, ai kërkon gatishmërinë të flijohet për lirinë e njeriut të mjedisit tjetër – bën kërkesën të shkojnë vullnetar në Spanjë, por edhe kjo mbetet vetëm kërkesë e tij – shoqëria dyshon në të dhe njerëzit e tillë nuk bën të shpëtojnë nga rrjeta e saj.

Disa nga arsyet dhe shkaqet e krijimit të Shpend Keçjes e të karakterit të këtillë të tij mund të shpjegohen edhe duke i vështruar disa nga tiparet që i cilësojnë personazhet e tjerë të kësaj proze të Y. Shkrelit. Në mënyrë të veçantë këtë e mundëson zonja Fili Bauer, të cilën Shpendi e njeh dhe disa herë gjendet në shoqëri me të. Kjo grua në qenësi simbolizon vetë Evropën e sëmurë, kundërthëniet shoqërore, fatin tragjik të njeriut, jo vetëm në një çast, në një kohë dhe në një vend. Ajo është pjellë tipike e Evropës, “Një mbreturinë e tillë (që) e ka humbur rrugën brenda kokës”, e cila “është e humbur në detin e huaj, në valën që nuk e kupton dot”. Fili Bauer është person me fëmijëri të humbur, qenie që ka vetëm gjak, mish e eshtra dhe të gjitha i ka vënë në shërbim të të tjerëve; ajo e jeton jetën duke kryer shërbime e detyra të ndryshme, “tjerr fillin e Gestapos”; jetën e vet e ka të huaj, është e shpërlarë nga UN-i dhe nga qenësia vetjake; ka fituar elemente të përbindëshit dhe skëterra në sy e cilëson Fili Bauer dhe kohën në të cilën ajo vepron: “Ajo është një gërmadhë që nuk ka shoqe këtu dhe gërmadhat hanë shumë ushtarë për besë, shkatërrojnë ushtri e ushtri, janë përbindëshe të vërteta, ori. E tillë është zonja Bauer, e di unë, fare mirë e di. Ia kam parë sytë, dritën e turbullt të syve. Ajo dritë e errtë është një det ku mund të fundosen flota e flotila, Leni R. Ajo ka skëterrë në sytë e vet; atje është hidra, përbindëshi është atje, dhe ata sy nuk kanë fund, që do të thotë se në sytë e zonjës Bauer ka fashizëm e lemeri, do të thoshin demokratët. Jam i sigurt për besë! …Në ata sy janë një mijë sy që kapërthejnë dhe ndajnë helm, që kundërmojnë vrer, që përmbysin. Janë sy gjarpri që shikojnë nga të gjitha anët e të paralizojnë, dhe në ata sy ka shumë gjarpërinj, zhapinë, akrepë, marimanga, kuçedra… O zot!” (f. 305).

Nuk është vetëm roli i saj i tillë, por edhe pamja e saj i përgjigjet atij funksioni, asaj kohe, marrëdhënieve shoqërore dhe sistemit që ishte krijuar: “Gjinjtë çuditërisht të mëdhenj i shkuan në të dy anët dhe ia mbushën parzme e nënsqetulla. Kurrë nuk kisha parë gjë më të madhe. Trupit të saj nuk i vinte era e tokës dhe ajo po qëllonte natën me ngjyrën e vet të bardhë e të vdekshme për t’i trembur edhe yjet në qiell e jo më mua në tokë (…) Për një çast m’i ngjau Evropës. Vërtet ajo ishte një depo hartash nga më të ndryshmet…” (f. 300)

Dhe brenda përpjekjeve që ta shpalojmë botën komplekse të personazhit të Shpend Keçjes po i sjellim dy mendime, ndërsjelltas të lidhura, nga vepra e njohur e Tolstojit Ana Karanina (përkthim i Vedat Kokonës): “Dhe, aty ku mbaron dashuria, fillon urrejtja” dhe “Mendoja për ato fjalë që thotë Jashvini: për luftën e jetës dhe për urrejtjen që është e vetmja gjë që i lidh njerëzit”.

Vepra “Shpendkeqja” është një shembull i denjë konkretizimi se çka mund të ngjasë pa të parën (dashurinë) dhe çka mund të pësohet kur lind dhe mbretëron e dyta (urrejtja), për të cilat në këtë vepër nuk flitet as me përbuzje, as me a priorizëm.

Struktura tekstore poetike dhe shumësia konotuese

Përbërësi kryesor, që romanin “Shpendkeqja” e përcakton si vlerë, si komunikat artistike, që i ndërlidh dhe i funksionalizon, i formëson dhe i shndërron në tërësi shumësinë e dukurive dhe kuptimet dhe që kushtëzon në mënyrë vendimtare krijimin e personazhit aq kompleks, siç është Shpend Keçja, pra përbërësi që, thënë metaforikisht, i shpirtëron dhe i unifikon të gjitha këto, është strategjia e rrëfimit, përkatësisht tekstit poetik.

Edhe pse disa nga tiparet e kësaj strukture tekstore dhe të kësaj strategjie, në pika të përgjithshme, i kam përmendur më lart dhe se disa nga këto tipare mund te hetohen edhe nga shembujt që i sjell si konkretizim i theksimit të shumësisë së çështjeve e të kuptimeve si dhe gjatë përpjekjes që ta shpaloj botën komplekse të Shpend Keçjes si individ dhe në marrëdhënie me kolektivin, me shoqërinë etj., po ndalemi edhe pak të kjo dukuri.

Strukturën tekstore të romanit “Shpendkeqja” e shquajnë dy tipare: i pari lidhet me dendësinë e saj, me lapidaritetin e shprehjes dhe të shqiptimit të dukurive, të mendimeve, ndërsa i dyti me mosshqiptimin e plotë të tyre, me theksimin vetëm të atyre elementeve të çështjeve si dhe të kuptimeve të cilat mjaftojnë që në vetëdijen e lexuesit të krijohet fakte të tjera, të nxitet procesi i ndërlidhjes me dukuri të kohëve e të rrethanave të ndryshme, me veprimet, me pësimet, me tragjikat etj. Me një fjalë, Ymer Shkreli krijon atë strukturë tekstore që është shumfish më kuptimore, më e madhe se sa ajo është faktikisht si material leksikor, si tekst i përbërë nga shenjat. Ç’është e vërteta, proza e tij nuk shqiptohet në rrafshin thellësor të prozës së Anton Pashkut ose të poezisë së Azem Shkrelit, por ajo nuk i përket as rrafshit sipërfaqësor, ku dukuritë, problemet, mendimet, konotohen në njëdimensionalitetin e tyre. Në pjesën më të madhe “Shpendkeqja” realizohet në rrafshin thellësor, por jo në shtresat më të thella të tij. Në vend që të fshihet mendimi, të errësohet qartësia e shqiptimit të ideve e çështjeve të ndryshme, të vihen lidhje, thënë metaforikisht, të nëndheshme midis dukurive e veprimeve që ngjasin në vepër në rrafshin thellësor, ku zbërthimi dhe konotimi i tyre është një proces i ndërliqshëm dhe kompleks, Y. Shkreli krijon një sistem të qartë idesh, por që asnjëherë nuk është njëdimensional; struktura e tij tekstore mundëson një shumësi kuptimesh e asociacionesh, që do të zhvillohen e pasurohen varësisht nga aftësia e atij që e recepton dhe vë komunikim me të. Pra në këtë prozë thellësia e kuptimeve zëvendësohet me shumësinë e kuptimeve, që dalin nga struktura tekstore e kursyer. Mendimet që nuk shqiptohen e shtrohen deri në fund, përplotësohen nga ato paraprake e pasrëndëse ose jepen ato aspekte të mendimeve që nxisin mundësinë e vijimit të tyre, në bazë të analogjisë nga përvoja jetësore, në bazë të fakteve historikisht të njohura, që nxisin përfytyrimin e përsëritjes, në bazë të situatave konkrete (të pikërishme) që ndodhin e ekzistojnë dukuritë e shprehen mendimet etj. Y. Shkreli u jep përparësi mendimeve të papritura e të jashtëzakonshme; me qëllim nuk do t’i shohë dukuritë në gjendjen e tyre krejt të natyrshme e normale; ai i shqipton ato ashtu si individi i ndien dhe i përjeton në qenien e tij ose si dëshiron t’i shohë, me ç’rast edhe krijohet tablo të parëndomta e kontrastike, por pikërisht kjo përbën forcën dhe madhështinë e tyre.

Si konkretizim të kësaj që thashë për strukturën tekstore poetike dhe për pasurinë dhe madhështinë e të shprehurit, aq dhe veçantitë dhe shumësinë kuptimore, po sjell disa shembuj.

*

“Jam Shpend Keqja, student i mjeksisë, i ardhur nga Jugu i largët dhe i ftohtë si veriu”, – thashë dhe ti tunde qepallat duke e bërë hënën e natës të fundoset në shkëlqimin e syve të tu”. (f. 282)

*

Stinët i kemi si proklamatat e komitetit të vendit: stinët sikur janë në ilegalitet. Pushtuesis’i do aspak. Pushteti do që të mos ndërrojnë madje as stinët! (f. 284)

*

Hëna po i afrohej majës së bjeshkës për t’u therur në të. Ajo po ikte nga ne, e lumtura. (f. 301)

*

“Por… zonjë…” desha të them diçka: ajo u hodh për të më mbërthyer në kthetrat dhe unë u rakadyla nëpër shkurre si lëmshi i dreqit. Mezi i shpëtova përqafimit të saj përmbytës. U ngrita e mora vrapin përtej vdekjes. Ajo me gjasë po vinte prapa meje: dihaste ose ishte lodhur nata…” (f. 302)

*

Për herë të parë në jetë po më sulmonte njeriu nga pozita e kafshës.

*

“… u drejtova për në “Imperial” (…) Hipa shkallëve tek vinte era myk, spermë e bar teje, dhe iu afrova derës numër tre. Trokita më ëndje që të mos dëgjohem fare. Hyn, më tha një zë i thatë nga brenda. Kur e hapa derën, e gjeta kryetarin e bashkisë me tëlina në dorë. Prapanica e tij e kuqrremtë dhe e mprehtë m’u duk si identiteti i pushtetit në perëndimin e vet të ndalur”. (f. 317)

*

Popullin nuk mund ta shkulim për çdo stinë që ta nxjerrim në treg për ta shitur në thasë të lidhur me konopë. (f. 321)

*

Dhe zbrita shkallët përgjysmë më i lehtë seç kisha hypur por me një shpresë të vogël më shumë se ndoshta gjej ndokend te varri i Jagoshit dhe e mjekoj këtë ditë të zezë. (f. 351)

*

Kot shpejtova. Mbi varr të Jagoshit e gjeta vetëm qiellin paksa të nxirë nga mbrëmja që po ngrysej. Kishte perënduar dielli i lodhur. Dheu i njomë i Jagoshit po hynte në natën e vet të parë me kundërmim toke: tunda kokën, fshiva lotët. Përreth varrit gjelbërimi i shqetësuar dukej si demonstratë e shuar nga hapat e njerëzve që do ta kenë shkelur gjatë varrimit. (f. 352)

Shembujt që sollëm, edhe pse të shkëputur nga tërësia dhe nga konteksti i veprës si unitet strukturash, ku në rrafshin shprehës e kuptimor ndërlidhen, qartësohen, përplotësohen e pasurohen, dëshmojnë në mënyrë të mirëfilltë për disa nga tiparet qenësore të strukturës tekstore poetike të veprës “Shpendkeqja”, për forcën e saj komunikuese si dhe për mundësinë e ndikimit estetik. Si i këtillë ky roman i Ymer Shkrelit hyn në rrethin e ngushtë të romaneve më të rëndësishme të prozës sonë.


[1] Rreth romanit të Ymer Shkelit Shpendkeqja. Botuar brenda librit “Rapsodi kosovare” Rilindja, Prishtinë 1982.

Exit mobile version