Kreu Letërsi Shënime mbi libra Andreas Dushi: “Marzia”, romani i parë i shkruar në gjuhën shqipe

Andreas Dushi: “Marzia”, romani i parë i shkruar në gjuhën shqipe

Deri më sot, si romani i parë i shkruar në gjuhën shqipe përgjithësisht merret “Shkodra e rrethueme”, botuar në vitin 1913, duke anashkaluar kështu një roman më të hershëm, “Marzia o kshtenimi n’filles t’vet” i po të njëjtit autor, dom Ndoc Nikaj i cili, me botimin e tij të parë në vitin 1892, e shpie romanin shqiptar një shekull më para.

Në përkujtimin e 160 vjetorit të lindjes së autorit, këtë vit shtëpia botuese “Onufri” do ta ribotojë pas 131 vitesh këtë vepër.


Dom Ndoc Nikaj, personaliteti i shumanshëm i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të të XX-it, i njohur për historinë, letërsinë, biznesin dhe meshtarinë e tij, filloi të shkruante qysh herët, pak pas të njëzetave. Libri i tij i parë, “Vakinat e Kishës”, u botua më 1888 dhe libri i dytë, “Marzia o kshtenimi n’filles t’vet”[1] më 1892, duke vënë kështu gurin e parë në historinë e romanit në gjuhën shqipe. Vetëm pas 21 viteve, autori iu rikthye prozës së gjatë, me “Shkodra e rrethueme”, për të mos u ndalur më. Një pjesë prej romaneve të tij janë botuar, ndërsa dorëshkrimet e pjesës tjetër presin në koleksionet e Arkivit Qëndror të Shtetit.

Pra, Nikaj filloi si historian, vijoi si romancier, pastaj si studiues, hartoi abetare e libra ushtrimesh për gjuhën, qe dramaturg, u mor me biznes dhe shërbeu si meshtar. Secili prej dimensioneve të kësaj jete mund të jetë objekt i një studimi më vete me kapituj që i përgjigjen çdo libri apo çasti të jetës së tij, prandaj duke mos dashur të shpërndahemi në shumë fusha, do të ndalemi vetëm te qenia e tij si romancier, veçanërisht në rastin e romanit të tij të parë “Marzia o kshtenimi n’filles t’vet”.

Paçka se kishte romane të shkruara nga autorë shqiptarë në gjuhë të huaj, si “Dashuria e Talatit me Fitneten” e Sami Frashërit, botuar në turqisht më 1872 apo “Sofia Kominake”, i lënë në dorëshkrim nga Françesk Santori[2], historia e prozës së gjatë në gjuhën shqipe zë fill pikërisht me Marzia-n.

Historia e Letërsisë Shqipe botuar në vitin 1959 nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe hartuar nga një redaksi me në krye Dh. Shuteriqi lexojmë:

Për sa i takon novelës së gjatë dhe romanit, i pari që na ep diçka shqip është Ndoc Nikaj, me një roman të vogël të përshtatur nga Italishtja, “Marzia e kshtenimit n’fillesë t’vet” (1892), vepër që e merr temën nga fillimet e kristianizmit.[3]

Familja e Dom Ndoc Nikajt.
Në këmbë: Pjetër Guli (daja), Kini (vëllai), Shaqja (motra), Dom Ndoc Nikaj, Çilja (motra), Pashku (vëllai), Kel Guli (daja). Ulur: Gjoka (i ati), Asunta (e motra, murgeshë), Justina (shoqja e motrës), Ageja (e ëma), Matia (daja), Ogulina (e motra), Tonia (e motra)

Henrik Lacaj më 1963 shkruan se Nikaj […] punon e punon me ngulm sidomos në hartimin e romaneve. Pa dyshim Nikaj asht i pari në letërsinë tonë dhe një nga të paktët prozator që del me një grumbull veprash të këtij lloji […] Vlen për t’u vu në dukje se Nikaj me romanin “Marcja” hap ciklin e pjesëve të tjera të këtij llojit, ndonëse ka nji distancë të madhe vjetësh midis këtij të parit dhe të tjerëve.[4] Lacaj na thotë edhe se ky roman ishte një sukses që i kënaqi lexuesit[5] duke përforcuar atë çfarë shkruhet me rastin e pesëdhjetë vjetorit të meshtarisë së Nikajt, se romani kje këndue me shumë andje e dishir prej djelmnisë[6] dhe se autori është nji nder shkrimtarët ma të lexueshëm të vendit t’onë.[7]

Se Marzia është romani i parë shqiptar na e thonë edhe Rexhep Qosja[8] dhe Aurel Plasari[9].

Nëse të gjithë studiuesit e lartpërmendur bien dakord për këtë fakt, ata ndahen për vitin kur romani u botua.

Dom Ndoc Nikaj me fëmijët e të vëllait, Kinit: Lezja, Zefi, Luigji, Lini

Viti më i hershëm i përmendur është 1889, më së pari në shkrimin redaksional[10] të “Hylli i Dritës” me rastin e 50 vjetorit të meshtarisë së Nikajt[11] ku renditen të gjitha veprat e autorit. Edhe Karl Gurakuqi, pak vjet më vonë ruan të njëjtën renditje[12]. 1899 na e japin si vitin e botimit të parë edhe Lacaj, Qosja dhe Plasari. Por pavarësisht kërkimeve tona, nuk e kemi gjetur dot një kopje të këtij botimi. Mund të ngrihet dyshimi mos redaksia e Hyllit gabon dhe të tjerët citojnë vazhdimisht atë gabim, por kjo duket e çuditshme, pasi ai shkrim botohet në gjallje të autorit. Duhet mbajtur parasysh se Lacaj në artikullin e tij, bën edhe një përshkrim të shkurtër të veprës duke thënë shkrimtari ynë nxori romanin e shkurtë, por mjaft tërheqës “Marcja”, me të cilin tregoi se ishte një përkthyes apo përshtatës i mirë dhe se gjithnjë mbrenda sferës fetare dinte të zgjidhte subjekte mjaft të kandshme nga grumbulli i romaneve, që flasin mbi martirizimet e të krishterëve në shekujt e parë të salvimeve[13]. Kështu, ai na bën të besojmë se nuk i është referuar vetëm shkrimeve të mëhershme për Nikajn, por edhe e ka pasur në dorë veprën me këtë vit botimi. Kjo përforcohet edhe nga fakti se në tekstin e përgatitur prej Institutit të Historisë dhe Letërsisë më 1959, për Marzia-n jepet si vit botimi  1892 dhe arsyeja na çon të mendojmë se Lacaj, po mos ta kishte pasur veprën fizike në dorë, do t’i ishte referuar edhe atij studimi. Po ashtu, sërish në një shkrim me rastin e pesëdhjetë vjetorit të meshtarisë së Nikajt, shkruhet … “Vakinat e Kishës” qi u botue në vjetin 1888 në Shtypshkronjën e Propagandës në Romë. Nji vjet mbrapa botoi romancin e vogël “Marzia” që u lexue me shum andje prej së rijsh[14]. Por prap se prap, duke mos e pasur në dorë një kopje të këtij viti botimi, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një fantomë.

Robert Elsie[15] dhe Arshi Pipa[16] janë të mendimit se viti i botimit të parë të romanit është 1892. Të njëjtin vit ka edhe kopja më e hershme e kësaj vepre në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë[17] e cila gjendet në katër ekzemplarë. Ky botim pasqyrohet edhe te bibliografia e Legrandit, Bibliographie albanaise me nr. 557 si dhe te Manek etj., Albanesische Bibliographie  me nr. 14/1892. Kopje nga ky botim, shtypur në Shtypshkronjën e së Papërlyemes kemi pasur në dorë.

Te zëri i Marzia-s, Legrand shton: Ky roman i shkurtër është botuar vetëm në njëqind kopje, siç më është thënë në letrën e tij të datës 20 maj 1899 nga Faik Bej Konica, i cili mori këtë detaj nga autori vetë.[18]

Më 1893, vepra ribotohet. Përveç vitit në frontespic, është identike me paraardhësen. Disa kopje të saja, të cilat mundëm t’i konsultojmë, gjenden në fondet e BKSh (me nr. 159 te Bibliografia e Vozgës). Ky botim, me vitin 1893 pasqyrohet si botimi i parë dhe i vetëm i veprës “Marzia” në katalogun e botimeve të së Papërlyemes, përgatitur prej Luigj Shestanit dhe i mbetur në dorëshkrim[19] si dhe në studimin e Markus W. E. Peters “Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë…”[20]

Shtypshkronja “Nikaj”, 1909.
Jak Nikaj (ulur), Luigj Gurakuqi, Pjetër Cafa, Martin Manovi, Tunin Franja, Lec Gjeka.

Zgjidhja për çështjen e vitit të botimit gjendet në vetë fondin arkivor të lënë nga Nikaj, që është pjesë e Arkivit Qëndror të Shtetit. Është e njohur mania e tij për t’i ripunuar veprat, sikurse ndodh me “Vakinat e Kishës” që 26 vjet pas botimit të parë, del me titullin “T’nollmet e Kishës. Ç’me kohë t’vjetra e deri n’tashmet”, “Shtypshkroja Nikaj”, Shkodër, 1914 apo me “Historija e Shqypniës. Ç’me kohë t’vjetra e deri m’tashmet” botuar për së pari më 1902 dhe për së dyti, më 1917, sërish në shtypshkronjën e tij.

Faksimilet e mëposhtme autoriale të Nikajt na tregojnë se ai filloi ta ripunonte edhe Marzia-n, por procesi u ndërpre në një pikë dhe në dorëshkrim mbetën vetëm dy kapitujt e parë të librit.

Sikurse shohim, autori e qartëson vetë vitin e botimit duke na thënë se romani u botua më 1892 dhe se në këtë rast, pra të dorëshkrimit që kemi para syve, kemi të bëjmë me një përsëritje nga autori të atij teksti. Ndonëse, ç’është e vërteta, mes kapitullit të parë të Marzia-s dhe këtij dorëshkrimi, ndryshimet janë shumë të mëdha, thuajse thelbësore, ndryshe nga sa ndodh me rastin e dy botimeve të “Vakinat” apo “Historia” në të cilët, autori vetë na thotë se ndryshimet janë kryesisht në rrafsh gjuhësor:

Kshtu edhe m’ket blêe t’Nollmesh, sikursë nder gjith shkrimet t’ona, kena kerkue me shporrë ato shkronja qi duken e ianë t’teperme…

Saa per nduer t’shkrimit t’fialve, per deri m’sot, mundena me thanë qi askush nuk mundet me gjikue e me prozhmue tietrin, pse deri m’tash nuk âsht shestue nji fillce shkrimit qi t’n’a diftoinë per njimênd sî do t’shkruhet fiala.[21]

Romani

“Marzia o kshtenimi n’filles t’vet” tregon historinë e një paganeje, shërbestare në tempullin e perëndeshës Vesta e cila, si gjithë shërbestaret e tjera, virgjërinë e kishte të shenjtë. Ajo rridhte nga një familje e njohur dhe e pasur, por që fëmijë, i qe dorëzuar tempullit. Ngjarjet ndodhin në vitet e para pas Krishtit, kohë kur akoma feja po përhapej nëpërmjet udhës apostolike.

Perandori, për një krim të pakryer, dënon vëllain e saj, Severin, me vdekje, por ai arrin të arratiset dhe, para se të lërë atdheun, vendos të shkojë e të takojë të motrën. Ishte një nga netët në të cilat ajo duhet të ruante zjarrin që të mos fikej në tempullin ku shërbente. Sapo sheh të vëllain, Marzia del dhe e përqafon. Por biseda zgjat aq sa zjarri fiket e për më tepër, njerëzit e shohin duke përqafuar një burrë.

Gjyqi vendos ta gjykojë dhe për këto krime, e dënon me vdekje, duke e varrosur për së gjalli në një guvë të nëndheshme. Aty i lënë vetëm pak ujë dhe bukë sa të shtyjë për një ditë. Teksa ishte në agoni, sheh mirazhin e një engjëlli që vjen dhe e shpëton. Në fakt ishte shoqja e saj, Prudenzia bashkë me të motrën, Preseidën dhe të tjerë njerëz, të njohur e të panjohur që kishin përqafuar krishtërimin. Ato e strehojnë dhe Marzia fillon të njohë Krishtin nëpërmjet tyre.

Pas një kohe të shkurtër, pagëzohet dhe kërkon që bashkë me të tjerët, t’u shërbejë të krishterëve, në atë kohë të salvuar, të burgosur dhe të dënuar nga pushteti i Romës. Me anë të rryshfetit, Presedia e të tjerët arrinin të futeshin në burgjet ku vuanin apo prisnin vdekjen të krishterët dhe t’i ngushëllonin, t’i ushqenin apo t’u jepnin ndonjë ndihmë tjetër.

Në një prej atyre ditëve, në një qeli, Marzia sheh të shpërfytyruar vëllain e saj dhe vendos ta ndihmojë e ta shpëtojë. Ai, nga ekzili kishte njohur Krishtin dhe qe kthyer për të shpërndarë fjalën e tij në Romë. Kur del në gjyq, nën tortura të tmerrshme i kërkojnë të mohojë Krishtin, por Severi nuk pranon. Gjatë torturave, atij i del gjak dhe e motra, me një facoletë, ia fshin. Gjyqtari pyet kush është ajo dhe  Marzia i thotë: “Jam motra e Martirit!”. Gjyqtari e dënon edhe atë me vdekje, sipas një dënimi të zakonshëm në atë kohë kundër të krishterëve: Në një arenë me luanë të uritur. Ajo vdiq dhe u varros në katakombet romane.

Romani synon kështu të tregojë vuajtjet e të krishterëve të parë dhe gatishmërinë e tyre për t’u sakrifikuar për Krishtin; po ashtu, ai rrëfen edhe mënyrën e jetesës së fshehtë të të krishterëve (që deri në vitin 313 ishin të paligjshëm në Perandorinë Romake) dhe konvertimin e paganëve në të krishterë, vëllazërinë e bashkësive të krishtera dhe përmasat e jashtëzakonshme të dashurisë së tyre dhe mizorisë së romakëve.

Dramatizimi i veprës

Në fillimet e viteve ’20, zhanri i dramës në Shqipëri po nxirrte krye ngadalë, me brishtësi. Secila dramë ishte një kontribut jo i vogël për pasurimin hap pas hap të kësaj forme të re artistike, pak të njohur dhe tepër të pëlqyer nga publiku. Ishte kohë pra, kur nuk kishte mirëfilli dramaturgë, ndaj personalitete të angazhuar në të tjera fusha të shkrimit, ndonjëherë shkruanin edhe drama. Mes tyre ishte edhe dom Ndoci i cili, subjektin e romanit të tij “Marzia” e kthen në dramë me titull Motra për vllàn dhe e boton në vitin 1924. Drama ka tetë të dukuna (skena) dhe qysh në mbititull, sqarohet se është një Çfatime teatrore për varza, pra për shkollat apo institutet vajznore të kohës.

Personazhet e romanit portretizohen më mirë në dramë, marrin karakteristika më konkrete dhe diskutimet e bisedat i qasen më natyrshëm gjuhës së zakonshme të popullit, duke u vënë re edhe një shkëputje e lehtë prej asaj mahnitjeje hyjnore e frymëzuese që lexojmë në faqet e romanit. Po ashtu, tematika lëviz; nga një vepër e kushtuar sakrificës për Zotin nëpërmjet martirizimit të të krishterëve të parë, tani kemi të bëjmë me një vepër ku tregohet deri në ç’pikë mund të arrijë sakrifica e motrës për të vëllanë, dhe ky variant i tekstit është shumë më larg atij origjinar pasi, sikundër e thamë më lart e do ta sqarojmë në vijim, kemi të bëjmë me një roman që nuk është tërësisht krijim vetjak i autorit, por përshtatje dhe ritregim i një teksti pararendës.

Origjina e tekstit

Në frontespicin e romanit sqarohet E citi n’giuhë sccyptare D. Nnoz Njkai. Po ç’domethënë “e çiti”? Nuk është e zakonshme si formë shprehjeje, përktheu, përshtati, solli po, por çiti? Gjithsesi, duke bërë këtë sqarim, autori tregohet krejt i hapur me lexuesin, ndryshe nga të tjerë autorë të kohës e të mëvonshëm.[22]

Kjo fjalë na bindi se në fakt, nuk kishim të bënim me një tekst tërësisht origjinal të autorit, se burimi për shkrimin e këtij libri vinte nga diku dhe tani na mbetej të zbulonim edhe burimin, edhe qasjen e autorit në të.

Nëse subjekti tregonte jetën e një martireje të vërtetë të krishtërimit, pra rrëfimin e jetës së një shenjti, çka ishte subjekt i një pjese të madhe të librave të botuar në ato vite, atëherë patjetër martirja me emrin Marzia do të gjendej në indeksin e Martyrologium Romanum, vepra përmbledhëse e të të gjithë martirëve të kishës katolike romane. Pavarësisht kërkimeve tona në disa prej botimeve, nga më të hershmet e referencialet, deri te më të vonat, nuk mundëm të gjenim një martire me emrin dhe fatin e personazhit tonë. Pastaj kërkimin e orientuam duke pasur parasysh datën e martirizimit, të treguar në fundin e librit ku përshkruhet rrasa e varrit të Marzias në katakombet e Romës: dymbëdhjetë prill. Asnjë nga të krishterët e martirizuar atë datë të ndonjë viti nuk ndante histori të njëjtë me personazhin. Vajtëm akoma më larg: Në kohën kur ndodhin ngjarjet në roman, në Romë funksiononte kalendari julian. Konvertuam datën 12 prill të kalendarit julian në gjegjësen e tij te kalendari gregorian, pasi e Martyrologium Romanum u botua pas këtij ndryshimi, por sërish nuk qe një kërkim i frytshëm.[23]

Hoqëm dorë nga ideja se kishim të bënim me një personazh të vërtetë historiko-fetar dhe, duke mbajtur parasysh faktin se shpesh në vitet e para të krishtërimit, fate të vërteta rrëfeheshin nëpërmjet personazhesh të trilluara pasi mungonte mundësia për një dokumentim historik, por ngjarja kalonte e rrëfyer gojë më gojë, kërkuam ta gjenim mes të tilla teksteve edhe origjinarin e romanit të Nikajt. Dhe pasi kërkuam në katalogjet e pjesës më të madhe të bibliotekave evropiane, ramë në gjurmët e atij materiali.

Bëhet fjalë për librin Marzia la vestale ; Raconto Storico ; dei primi tempi del cristianesimo shkruar nga Enrico Mastracchi, botuar në Firence më 1875. Në frontespic, po ashtu, tregohet se kemi të bëjmë me një reduktim të variantit frëng i cili nuk përmendet me titull origjinal, ndaj nuk e identifikuam dot. Të njëjtën metodë, atë të reduktimit ndjek edhe Nikaj me variantin e Mastracchi-t, duke na dhënë në shqip një libër më pak voluminoz për nga përmbajtja.

Meqë nuk e kemi të identifikuar tekstin frëng, nuk mund ta dimë dot nëse metodika  e punës së Mastracchi-t ka përfshirë edhe doza origjinaliteti në vepër, por nga ai variant te i mëvonshmi i Nikajt po, autori i ri, xhakue sikurse thotë vetë te kujtimet e veta, i jep vetes të drejtën për një dozë të arsyeshme kreativiteti. Ndryshimi tërësor, ose ritregimi me fjalët, shprehjet dhe stilin e tij prej shkrimtari të pjekur tanimë, duket se ka qenë dëshira e mëvonshme e autorit, e parealizuar.  Qëmtimi i një krahasimi mes tekstit të Mastracchi-t dhe atij të Nikajt është një punë që do të shoqërojë edhe botimin e plotë të romanit në gjuhën shqipe.

Botimi

Romani, sikurse e thamë që në krye, do të botohet këtë vit nga shtëpia botuese “Onufri”, me rastin e përkujtimit të 160 vjetorit të lindjes së Nikajt. Duke qenë se leksiku do të ruhet ashtu sikurse është dhe vetëm alfabeti do të njësohet me atë të cilin Nikaj propozoi më vonë në abetaret e tij dhe përdori vetë në krijimet e pas Kongresit të Manastirit, botimi do të shoqërohet me një fjalorth për fjalët e rralla, arkaizmat dhe huazimet, kryesisht orientalizma si dhe do të paraprihet nga një studim i qenësishëm i aspekteve që në këtë prezantim paraprak u prekën shkarazi. Në këtë mënyrë, urojmë të prishet edhe ai mallkim edipian i vendit tonë që vrau atin e romanit shqip, sikurse thotë Visar Zhiti në “Kartelat e realizmit të dënuar”. Sepse Nikaj vdiq në burg, në moshë shumë të thyer, i arrestuar nga sistemi komunist. Dhe, rastis që javën e ardhshme, më 16 janar të kujtohet edhe përvjetori i ndarjes së tij nga jeta.


[1]  Te Nikaj, Ndoc “Kujtime të nji jete së kalueme”, “Onufri”, Tiranë, 2016, fq. 50, Nikaj shkruan: “Unë fillova me shkrue “Vakinat e Kishës” qi me ndimen e Pieter Dodmassejt mbujta me e shtypë në Shtypshkrojen e Propagandës së Romës në vjeten 1888. Mbas atij libri, në shtypshkrojen e Jezuitve në Shkoder shtypa ma të parin romanz “Marsia ose Kështenimi në fillesë të vet”. Këta kjene botime të bame prej meje në kohën e xhakonis e qi kjene fillesa e botimeve [të] mija.

Botimin e librit të parë “Vakinat e Kishës”, atë Gjergj Fishta e përmend edhe në poezinë satirike “Kontrata” e cila, përtej ironisë dhe satirës, na jep disa të dhëna interesante si p.sh. tirazhin e atij botimi:

E, për mos m’e tjerrun hollë,

Ndigio ‘i herë se ç’i ka ndodhë

Me nji liber shqyp Dom Ndocit

Liber shqyp, po, mje n’ palë t’kocit

Don Ndoc Nikaj, si xhakue,

Historin e Kishës pat shkrue

E me ndihmë të Dodmaseut,

(Qi asht bamirsi i gjith ktij dheut,)

E botoi, s’ dij kú n’ Europë,

Jo ma shum, veç n’ pèsqind copë,

Edh’ e qiti, ndigio ‘i fjalë!

Jo m’e shitun, por m’e falë.

[2]  Shih. Elsie, Robert, “Histori e letërsisë shqiptare”, përkth. ang. Abdurrahim Myftiu, “Dukagjini” Tiranë-Pejë, 1997, fq. 200-201.

[3]  “Historia e letërsisë shqipe”, përg. Instituti i Historisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1959, fq. 551.

[4]  Lacaj, Henrik, “Dom Ndoc Nikaj (1864 – 1951), Shënime mbi jetën dhe veprat”, “Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës (seria e shkencave shoqërore), Tiranë, 1963, fq. 189-190.

[5]  Po aty.

[6]  “Në 50-vjetorin e meshtarisë së Dom Ndoc Nikajt”, shkrim redaksional, “Hylli i Dritës”, nr. 7, 1938, fq. 384.

[7]  “Pesëdhetëvjetori i Meshtaris së D. Ndoc Nikaj”, shkrim redaksional, “Cirka”, vjeti III, nr. 51-52, 31 gusht, 1938, fq. 227.

[8]  Shih. Qosja, Rexhep, “Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi I”, “Toena”,

[9]  Shih. Plasari, Aurel, “Trembëdhjetë infraksionet e Dom Ndoc Nikajt” në “Shqipëria, zgjim i dhimbshëm”, Tiranë, 1991, fq. 83-84 & Plasari, Aurel, “Panteoni i gjymtuar”, “Nëntori”, 4/1991, fq. 91.

[10]  Aurel Plasari në “Trembëdhjetë infraksionet e Dom Ndoc Nikaj” ngre dyshimin për autorësinë, duke thënë mendimi im është se i përket penës së At Anton Harapit dhe unë si të tijin do ta cek. (Plasari, Aurel, vep. cit., fq. (…)”.

[11]  “Në 50-vjetorin e meshtarisë së Dom Ndoc Nikajt”, art. cit. fq. 390.

[12]  Gurakuqi, Karl, “Ndoc Nikaj (1864) “Shkrimtarët Shqiptarë – pjesa II”, në “Shkrimtarët Shqiptarë, Pjesa II”, botim i Ministris s’Arsimit, Tiranë, 1941, fq. 94.

[13]  Lacaj, Henrik, “Dom Ndoc Nikaj…”, art. cit., fq. 185.

[14]  “Pesdhetvjetori i D. Ndoc Nikajt”, shkrim redaksional, “Gazeta shqipëtare”, 1938, 27 gusht, fq. 2.

[15]  Elsie, Robert, vep. cit., fq. 200.

[16]  Pipa, Arshi, “Letërsia Shqipe: Perspektiva Shoqërore”, përkth. Myftar Gjana, “Princi”, Tiranë, 2013, fq. 185.

[17]  Shih. Vozga Ramazan, “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, nr. 153, BKSh, Tiranë, 2010,.

[18]  Legrand, Émile, “Bibliographie Albanaise”, ribot., “Botime Françeskane”, Shkodër, 2011, fq. 182.

[19]  Një kopje e këtij dorëshkrimi është dhuruar pranë BKSh nga familjarët dhe mban titullin “Katalogu i librave të botuem nga shtypshkroja ‘Zoja e Papërlyeme’ t’etënve jezuit në Shkodër prej vjetit 1871-1928”.

[20]  W. E. Peters, Markus, “Shtëpia botuese më e vjetër në Shqipëri dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimin dhe kulturën”, përkth. Emond Malaj, “Shoqata e Jezuitëve”, Tiranë, 2016, fq. 480.

[21]  Nikaj, Ndoc, “T’nollmet e kishës”, “Nikaj”, Shkodër, 1914, fq. 14.

[22]  Shih. Plasari, Aurel “Traditë letrare, historizëm, estetizëm”, “Studime Albanologjike”, 2008/2, fq. 14. Aty, Plasari tregon dy poezi të atë Vinccens Prennushit nuk janë krijime, por përkthime. Kështu, në rastin e “Grueja Shqyptare” kemi të bëjmë me  diccka mes një përkthim të lirshëm, një adaptim të shthurur të poezisë “La donna italiana” të poetit Giuseppe Regaldi,  dhe se origjinalin e poezisë “Burri Shqyptar” e gjejmë  me titull “I martiri di Palermo” të po të njëjtit autor.

[23]  Ky ndryshim ndodhi pikërisht para botimit të Martyrologium Romanum. Ai ndryshon me dhjetë ditë nga paraardhësi. Më 1582, 4 tetori u ndoq menjëherë nga 15 tetori. Kështu 12 prilli julian i konvertuar në kalendarin gregorian do të jepte datën 23 prill.

Exit mobile version